Zv.ministrja e Mbrojtjes zgjidhet në krye të ILDKP-së, Dule bashkon votat me mazhorancën

0
132

Florenc Drizari

kuvendiKuvendi miratoi me 70 vota pro dhe 67 kundër kandidaturën e zv.ministres së Mbrojtjes Zana Xhuka si inspektore e Përgjithshme e ILDKP-së

 

Ish-zv.ministrja e Mbrojtjes, Zana Xhuka, u zgjodh në krye të Inspektorit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP). Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 70 vota pro nga mazhoranca dhe 67 kundër nga opozita, dekretin e Presidenti të Republikës për zgjedhjen e Zana Xhukës në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm. Votave të mazhorancës iu bashkua edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ndërsa LSI votoi kundër dekretit të kreut të shtetit. Votimi i dekretit të Presidentit Nishani në Kuvendin e Shqipërisë u bë i hapur në seancën e pasdites rreth orës 18:00 dhe kaloi pa debate mes palëve. Pak minuta para hapjes së seancës së parë plenare për vitin 2013-të, grupi parlamentar i PS-së, zhvilloi një mbledhje me dyer të mbyllura në sallën e Kuvendit. Ndërsa të premten e shkuar, deputetët e opozitës në Komisionin e Ligjeve abstenuan dy kandidaturat e ardhura nga Nishani në Kuvend.

Ndërkaq, gjatë seancës së djeshme parlamentare ajo që ra në sy ishte edhe vota pro zv.ministres së Mbrojtjes nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Edhe pse Dule nuk është më në koalicion me Partinë Socialiste, në shumicën e rasteve vota e tij në Kuvendin e Shqipërisë ka qenë në mbështetje të qëndrimit që ka mbajtur opozita kundrejt disa vendimeve të rëndësishme që janë miratuar në parlament. Mesa duket qëndrimi i kreut të minoriteteve lidhur me koalicionet zgjedhore pritet të vendoset në ditët në vijim, ndërkohë që në zgjedhjet parlamentare të 2011-ës, mes Dules dhe kryesocialistit Rama u nënshtrua një marrëveshje e veçantë për mbrojtjen e votës, kryesisht në disa zona në jug të Shqipërisë.

Zana Xhuka
Zv.ministrja e Mbrojtjes Zana Xhuka u zgjodh një ditë më parë në krye të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ndërsa opozita votoi kundër. Dy kandidaturat, Zana Xhuka dhe Shkëlqim Ganaj u miratuan me 18 janar 2013, të premten e shkuar nga komisioni parlamentar i Ligjeve vetëm me votat e mazhorancës. Para komisionit, kandidatja Xhuka theksoi se nuk është anëtare e asnjë force politike dhe se qëndrimin në detyrën aktuale, atë të zv.ministres së Mbrojtjes, ia dedikon CV-së së saj profesionale. Pas fjalës së Kryeparlamentares Topall u miratua dekreti i Presidentit të Republikës, për postin e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (IDKP). Mes dy kandidaturave, Zana Xhuka mori 70 pro të mazhorancës dhe 67 vota kundër, duke u bërë kështu kryetarja e ILDKP-së. Xhuka, aktualisht zëvendësministre e Mbrojtjes, do të drejtojë për një mandat pesëvjeçar institucionin e rëndësishëm të ILDKP-së, ndërsa opozita kishte paralajmëruar votën kundër, duke deklaruar se kandidatura e saj nuk i plotësonte kriteret e parashikuara në ligj. Znj. Xhuka mban postin e zv.ministres së Mbrojtjes që prej shtatorit të vitit 2005-së, ndërkohë që në jetëshkrimin e saj janë të shënuara një sërë kualifikimesh në fushën e mbrojtjes dhe veprimtarisë akademike.
Komisioni i Ligjeve
Komisioni i Ligjeve miratoi të premten e shkuar mes debatesh dy kandidaturat për kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), ndërsa përfaqësuesit e opozitës abstenuan. Zana Xhuka zv.ministre e Mbrojtjes dhe Shkëlqim Ganaj inspektor në ILDKP, iu propozuan të mërkurën Kuvendit të Shqipërisë për postin e inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP-së, nga Presidenti Bujar Nishani, ndërsa dje ata kaluan testin e parë në Komisionin e Ligjeve me votat e mazhorancës. Opozita në komision akuzoi kreun e shtetit për përzgjedhje politike, ndërsa përfaqësuesit e mazhorancës kanë vënë theksin tek arritjet profesionale të kandidatëve. Ndërkaq, vendi vakant i kreut të ILDKP-së edhi si pasojë e emërimit Adriatik Llallës në krye të organit të akuzës nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani në muajin nëntor.

 

 

Zana Xhuka, prej shtatorit 2005 është zëvendësministre e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë

Znj. Zana Xhuka ka lindur më 24 korrik 1962 në Tiranë. Ka mbaruar studimet për Matematikë në Universitetin e Tiranës. Ka kryer studimet për Administrim Biznes në Universitetin e Shkodrës. Është “Doktor i shkencave“ në fushën e sigurisë. Ka një angazhim të vazhdueshëm në fushën e mbrojtjes.
Arsimimi dhe kualifikime:
1980 Shkolla e mesme (medalje e artë).
1984-1988 Matematikë, Fakulteti i Shkencave Natyrore, Universiteti i Tiranës.
1993-2003 Administrim Biznes, Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Shkodrës.
Korrik 2008 Grada “ Doktor i Shkencave “ në fushën e sigurisë, Akademia e Mbrojtjes, “ Spiro Moisiu”, KDS, Tiranë…
Punësimi
Shtator 2005 Zëvendësministre e Mbrojtjes
2004-… Pedagoge e jashtme, Departamenti i Menaxhimit, Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Tiranës.
2004-… Pedagoge e jashtme, Departamenti i Shkencave Shoqërore, Akademia e Mbrojtjes, Tiranë.
2004-… Shefe e Sektorit të Politikave të Mbrojtjes, Ministria e Mbrojtjes, Tiranë.
1996-2004 Pedagoge, Departamenti i Shkencave Shoqërore, Akademia e Mbrojtjes, Tiranë.
1995-1996 Kancelare, Fakulteti i Shkencave Natyrore, Universiteti i Shkodrës…
Gjuhët e huaja
Anglisht (rrjedhshëm me shkrim dhe gojë)
Italisht (rrjedhshëm me shkrim dhe gojë)
Frëngjisht, Gjermanisht (njohuri bazë)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency