Vrasja e biznesmenit Vajushi hetim sherreve me Edmir Koçinë

0
243

Elton Qyno

policiaPolicia përqendron hetimet në hasmëritë dhe konfliktet e 46-vjeçarit të vrarë në tregun e frutave-perimeve

Vajushi mendohet se ka qenë në kërkim nga Interpoli. Asnjë i arrestuar, verifikim tabulateve

 

Vrasja e Kujtim Vajushit në Shkodër ka bërë që policia e këtij qyteti të përqendrojë hetimet në pistën e hakmarrjes, pasi viktima njihet si hasmi i betuar i Edmir Koçisë, të vrarë në muajin nëntor të vitit 2012. Mbi 15 persona janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, të cilët, pasi janë marrë në pyetje, janë lënë sërish të lirë, për shkak të mungesës së provave materiale. Gjatë ditës së djeshme, oficerë të Policisë Gjyqësore kanë bërë verifikimet e disa personave, duke i kontrolluar ata në pjesën e duarve, për të mësuar nëse kishin përqindje baruti ose jo, nga ku mund të ngrinin dyshime rreth qitjes me armë. Por një veprim i tillë nuk ka sjellë rezultat për hetimin dhe nisur nga kjo situatë, policia e Shkodrës ka urdhëruar kryerjen e disa kontrolleve në banesa, të personave që njihen si miq dhe shokë të shtetasit Edmir Koçia, pasi mendohet se ata kanë marrë pjesë në vrasjen e biznesmenit 46-vjeçar Kujtim Vajushi. Tashmë të dyja çështjet janë duke u hetuar në mënyrë paralele, pasi dyshohet se viktima Kujtim Vajushi mund të ketë pasur gisht në vrasjen e të fortit të Shkodrës Edmir Koçisë, të ndodhur në 28 nëntor 2012 pranë derës së banesës së tij. Të dy viktimat kanë qenë armiq të betuar të njëri-tjetrit, pasi në vitin 2002 kanë pasur një përplasje me armë, përplasje kjo që solli vrasjen aksidentale të një 13-vjeçare të quajtur Jetmira Molla. Ndërkohë që një tjetër burim thotë se Vajushi ka qenë në listën e personave të shpallur në kërkim nga Interpol.

Verifikimi i telefonatave

Një tjetër hap hetimor i bërë nga ana e policisë dhe prokurorisë së Shkodrës me qëllim zbardhjen e autorëve të krimit është vënia në përgjim e disa numrave të personave që mendohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e 46-vjeçarit. Pikërisht këta persona, janë duke u mbajtur në vëzhgim nga ana e agjentëve të policisë, ndërkohë që në përgjim janë vënë dhe telefonat e tyre celularë. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme, Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë bërë dhe verifikimin e telefonatave të fundit që viktima kishte marrë, ku siç rezultoi Kujtim Vajushi përpara vrasjes kishte folur në telefon me disa nga personat e rrethit shoqëror të tij. Sipas policisë në numrin e viktimës, nuk kishte mbërritur asnjë telefonatë e dyshimtë, që mund të çonte hetuesit në dyshimin se viktima ishte thirrur nga ndonjë person, duke e future në pritë. Sipas dëshmive të marra, Kujtim Vajushi kishte shkuar në orët e mëngjesit në tregun ushqimor në lagjen “Zdrale”, për të blerë disa artikuj ushqimorë, si furnizim për lokalin e tij që kishte në Shkodër. Mirëpo autorët e krimit e kanë survejuar, duke arritur ta qëllojnë me dy plumba pas shpine, dhe më pas janë larguar me një motor. Momenti kur ka ndodhur vrasja, në zonë ishte duke rënë shi, gjë e cila ka ndikuar në largimin e shpejtë dhe pa u vënë re nga tregtarët e zonës.

Vajushi, dosje policore

Viktima Kujtim Vajushi njihet nga policia e Shkodrës si person me precedentë penalë dhe se veç konflikteve që ai ka pasur me shtetasin Edmir Koçia, Vajushi është dënuar nga gjykata me 5 vite burg për akuzën e “Vrasjes nga pakujdesia” të shtetases Jetmira Molla. Minorenia 13-vjeçare ishte duke ecur me nënën e saj në rrugë, kur është prekur nga një plumb i vetëm, i cili i ka shkaktuar vdekjen. Në dosjet e policisë Vajushi njihet si person problematik dhe si individ që ka hasmëri në qytetin e Shkodrës. Aktualisht vrasja e tij është duke u hetuar në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Shkodrës, me qëllim zbardhjen e autorëve të krimit.

 

 

Lezhë, vdes në aksident 50-vjeçarja, pranga shoferit

Një 50-vjeçare ka humbur jetën në një aksident në superstradën Lezhë – Tiranë në dalje të qytetit të Lezhës. Nusha Alia, banore në Ishull-Shëngjin, po lëvizte nga njëri krah i rrugës në tjetrin për të mbushur bombolën e gazit pranë një pike karburanti kur është përplasur nga autovetura tip “Ford” e drejtuar prej Llesh Ndoji, 53 vjeç, nga Lezha.
E aksidentuara ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin rajonal të Lezhës, ndërsa policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin.

 

Tiranë, stuhia rrëzon pemën, plagosen tre persona

Një pemë është rrëzuar mesditën e së hënës në afërsi të Pazarit të Ri në Tiranë, duke bërë që 3 persona të mbeten të plagosur lehtë. Të dëmtuarit nga rrëzimi i pemës ishin kalimtarë të rastit, të cilët u dërguan me urgjencë në spital, ndërsa mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën. Si pasojë e rënies së pemës u dëmtua dhe një automjet aty pranë ndërsa në vendngjarje mbërritën punonjësit e bashkisë që bënë të mundur heqjen e pemës, me qëllim qarkullimin e lirshëm të mjeteve në rrugë.

 

 

Braktisi beben disaditëshe,  pranga nënës së dënuar me burg

Hatixhe Lamkja është arrestuar në Laprakë. Gjykata e Tiranës e dënoi me 6 muaj burg për braktisje të foshnjës

Braktisja e fëmijës i ka kushtuar një nëne 23-vjeçare nga Peqini dënimin me 6 muaj burg dhe mbylljen e saj në burgun e grave në Tiranë. Hatixhe Lamkja është arrestuar nga strukturat e policisë së komisariatit nr. 3 në zonën e Laprakës, fill pas zhdukjes prej 1 viti e 10 muajve të saj nga banesa ku kishte braktisur foshnjën e saj vetëm disamuajshe. Arrestimi është bërë nga disa agjentë të policisë, të cilët kanë mësuar rreth vendndodhjes së strehimit të 23-vjeçares dhe nisur nga kjo situatë ata kanë bërë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila e ka dënuar me 6 muaj burg në mungesë shtetasen Hatixhe Lamkja. Sipas hetimeve të kryera rreth këtij rasti, mësohet se e pandehura Hatixhe Lamkja, në prill të vitit 2011, ka braktisur fëmijën e mitur prej disa ditësh, tek një person që nuk ka detyrim për ta mbajtur dhe nuk është kthyer për ta marrë. Në datën 3 qershor 2012, shtetasi Fatmir Sula është paraqitur në komisariatin e policisë nr. 3 Tiranë, ku ka kallëzuar se rreth mesit të muajit prill 2011, në banesën e tij ishte paraqitur shtetasja Hatixhe Lamkja, e cila mbante në krah një fëmijë të vogël. Për shkak të njohjeve që kishte ajo, i ka kërkuar këtij shtetasi që ta ndihmonte për ta strehuar atë natë, ngaqë nuk kishte ku të shkonte dhe ishte edhe me fëmijë të vogël. Në këto kushte kallëzuesi ka pranuar që ta strehonte në banesën e tij. E pandehura i kishte thënë që fëmija ishte i saj dhe e kishte lindur disa ditë më parë, por kishte bërë fjalë me bashkëshortin dhe nuk donte të shkonte atë natë në shtëpi. Ditën tjetër e pandehura i kishte kërkuar kallëzuesit Fatmir Sula që t’ia mbante disa orë fëmijën, pasi do të shkonte në shtëpinë e saj në Durrës dhe të merrte disa rroba për fëmijën. Sipas deklarimeve të kallëzuesit, e pandehura që atë ditë nuk ishte kthyer për të marrë fëmijën. Fillimisht, kallëzuesi e ka mbajtur fëmijën me shpresën se do të kthehej e pandehura për ta marrë. Në një nga këto ditë fëmija është sëmurur dhe kur kallëzuesi e ka çuar në klinikë mjekësore për ta vizituar, nga ana e mjekëve është orientuar që ta dorëzojë fëmijën në institucionet përkatëse dhe të njoftonte dhe policinë. Pas dorëzimit nga kallëzuesi, fëmija e dtl. 1.4.2011, është dorëzuar për rritje dhe edukim në shtëpinë e foshnjës Durrës në dt. 4.6.2011. Faktet e mësipërme u provuan nga administrimi në seancë gjyqësore, me cilësinë e provës materiale në tërësi të fashikullit të procedimit penal nr. 2525, viti 2011, si dhe deklarimet në seancë gjyqësore të kallëzuesit Fatmir Sula.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency