I morën me kërcënim makinën një të moshuari, 8 vjet burg tre të rinjve

0
197

Sonja Caka

gjykataAkuza: 62-vjeçari u mbajt peng disa orë, derisa u detyrua me dhunë të firmoste aktin noterial të shitjes së makinës. Më pas, 3 të pandehurit i kërkuan edhe 5 mijë euro

 

Tetë vjet burg u ka kushtuar tre të rinjve mbajtja peng dhe detyrimi për të firmosur me zor aktin e shitjes së një automjeti. Vendimi është marrë dje nga Krimet e Rënda, nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Klodian Kurushi. Të pandehur në këtë proces ishin Angjelin Stërkaj, Sadik Valteri dhe Altin Lori, të cilët janë dënuar respektivisht me 3 vjet i pari dhe me nga 2 vjet e 6 muaj dy të tjerët për akuzën e “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, parashikuar nga neni 109/b/1 i Kodit Penal. Por, qysh në fillim të procesit, tre të pandehurit përmes avokatëve të tyre kanë kërkuar të gjykohen në gjendjen që janë aktet, duke aplikuar ndaj tyre gjykimin e shkurtuar. Kështu, në përfundim të gjykimit, tre të pandehurve u është ulur një e treta e dënimit.

Ngjarja

Ngjarja për të cilën akuzohen tre të pandehurit ka ndodhur në 25 qershor të vitit të kaluar në qytetin e Durrësit. Sipas akuzës, të pandehurit i kanë grabitur nëpërmjet shantazhit dhe dhunës automjetin një 62-vjeçari nga qyteti i Durrësit. Tre të pandehurit, dy nga Durrësi dhe një nga Shkodra, i kërkuan 62-vjeçarit edhe 5 mijë euro. 62-vjeçari me inicialet P. V. është mbajtur disa orë nga të rinjtë, duke e shtrënguar të firmosë te noteri shitjen e makinës së tij në këmbim të lirimit. Pasi u la i lirë nga të rinjtë, i moshuari iu drejtua policisë duke bërë kallëzimin, duke shpjeguar se është detyruar jo vetëm të firmosë aktin e shitjes së automjetit, por të pandehurit i kanë kërkuar edhe 5 mijë euro. Sipas akuzës, autorët e kësaj pengmarrjeje ishin të pandehurit Angjelin Stërkaj, 26 vjeç, banues në Koplik, i dënuar më parë për krime kundër personit; Sadik Valteri, 23 vjeç, nga Durrësi dhe Altin Lori, 26 vjeç, banues në Lezhë, i dënuar më parë për vrasje.

Dëshmia

Bazuar në dëshminë e pengut, por edhe hetimet e kryera, ditën e ngjarjes ai ka qenë në lagjen e tij. Një makinë i ka ndaluar te këmbët dhe të pandehurit e kanë futur atë në mjet forcërisht. Më pas, janë nisur drejt Shkodrës ku kanë qëndruar gjatë gjithë natës në vendin e quajtur Romz dhe kanë dhunuar fizikisht e psikologjikisht 62-vjeçarin, duke i kërkuar në këmbim të lirimit 5 mijë euro. Sipas akuzës, i dëmtuari P. V. kishte fëmijët emigrantë në Itali dhe të rinjtë, duke parë edhe lëvizjet e tij me makinën që ia kishin blerë fëmijët, kanë menduar se ai mund të kishte para gjendje në shtëpi. Ai u ka pohuar të rinjve gjatë natës (njërin prej të cilëve e kishte në lagje) se nuk kishte lekë që t’u jepte. Të nesërmen, ata janë nisur bashkë me pengun nga Shkodra, duke e dhunuar për disa orë të tjera në afërsi të venddepozitimit të plehrave në Porto Romano në Durrës. Duke mos parë asnjë rrugëzgjidhje, pengu u ka kërkuar të rinjve të bënin një marrëveshje verbale. Ai iu ka pohuar se nuk kishte para, por në këmbim të lirimit ishte i gatshëm të shkonte në një zyrë noteriale dhe të firmoste sikur ua kishte shitur makinën. Oferta e tij i ka joshur autorët. Dhe ashtu kanë vepruar. Ata kanë shkuar në Shijak, dhe pasi kryen të gjitha veprimet noteriale, morën makinën dhe lanë të lirë pengun.

Akuza

“Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” parashikuar nga neni 109/b/1 i Kodit Penal

 

Gjykatë

Pa avokat, çështja “Dajti” shtyhet për të 185-ën herë

Gjykata e Krimeve të Rënda e ka shtyrë për të 185-ën herë gjyqin në ngarkim të të pandehurve Dritan Dajti, Ergest Xhoxhi dhe Mariglen Muçaj, të akuzuar për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj punonjësve të policisë 94 herë”, “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, me rrezik për jetën e disa personave”, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Falsifikim i dokumenteve në bashkëpunim” dhe “Falsifikim i vulave dhe i stampave”. Gjykata i ka caktuar disa avokatë kryesisht të pandehurit, por të gjithë kanë paraqitur justifikimeve të ndryshme, duke hequr dorë nga mbrojtja e të pandehurit, duke passjellë edhe shtyrje pa fund të procesit gjyqësor. Tashmë, gjykata ka caktuar tjetër avokat, i cili do njihet me aktet dhe në seancën e radhës pritet të shihet nëse do vijojë me mbrojtjen e të pandehurit apo do të heqë dorë për shkak të “sëmundjes”.

 

Mashtroi dy persona, 4 vjet burg “shoferit” të rektorit

Premtimi-mashtrim i Spartak Rexhepajt, 5 mijë euro për regjistrimin e vajzave në Universitetin e Tiranës, në degët Histori-Gjeografi dhe Juridik

Sonja Caka

Pesë mijë euro përfitoi Spartak Rexhepaj duke premtuar se do ndihmonte dy vajza të reja për të studiuar në Universitetin e Tiranës, në degët Histori-Gjeografi dhe Juridik, me pretendimin e rremë se ishte shoferi i rektorit dhe kishte lidhjet e duhura. Dy persona ranë preh e mashtrimeve të tij, duke i dhënë njëri 2 mijë e 500 euro dhe tjetri fillimisht 2 mijë euro dhe më pas e 1 milionë lekë. Por, shumë shpejt, ndërsa premtimi rezultoi se ishte një mashtrim i tejzgjatur në kohë dhe vajzat nuk po regjistroheshin në universitetin shtetëror, të dëmtuarit Edmond Ramaliu dhe Ilija Kote i janë drejtuar organit të akuzës me kallëzimet përkatëse. Por, i pandehuri nuk ka pranuar se i ka mashtruar për t’u regjistruar fëmijët në universitet, por ua ka marrë borxh paratë për të shpëtuar biznesin e tij nga problemet financiare. Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 4 vite burg të pandehurin Rexhepaj, ndërsa për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, atij i ulet një e treta e dënimit dhe përfundimisht u dënua vetëm me 2 vjet e 8 muaj burg.

Kallëzimi

Sipas akuzës, në vitin 2009, i dëmtuari Edmond Ramaliu kërkonte të regjistronte vajzën e tij në Degën e Histori – Gjeografisë në Universitetin e Tiranës, pasi ajo nuk kishte arritur të siguronte pikët e mjaftueshme për të studiuar në këtë fakultet. Lidhur me këtë problem, i dëmtuari ka biseduar me një mikun e tij, shtetasin Mihail Kote, i cili e ka prezantuar me të pandehurin Spartak Rexhepaj. Ky i fundit ishte prezantuar si shoferi i rektorit dhe ka marrë përsipër regjistrimin e vajzës në fakultet kundrejt shumës 2000 Euro. Kallëzuesi ka sqaruar se i pandehuri jo vetëm që nuk e regjistroi të bijën në fakultet, por nuk i ka kthyer as shumën e lekëve që i kishte dhënë. Më pas, Ramaliu e ka regjistruar vajzën në sistemin part-time me shpenzimet e veta. I pandehuri ka vazhduar ta mashtrojë përsëri kallëzuesin, duke i premtuar se vitin e dytë do ta regjistronte në sistemin ditor vajzën, duke i kërkuar edhe 100 000 lekë të tjera, por i pandehuri përsëri nuk e ka regjistruar të bijën. Po në vjeshtën e vitit 2009, kallëzuesi Ilija Kote kërkonte të transferonte të bijën nga fakulteti privat “Justicia” në Fakultetin shtetëror të Juridikut. Për këtë problem, kallëzuesi ka biseduar me vëllain e tij, shtetasin Mihail Kote, i cili e ka prezantuar me të pandehurin Spartak Rexhepaj, që mund ta ndihmonte. Janë takuar me të pandehurin, i cili është prezantuar si shoferi i rektorit dhe i ka marrë përsipër transferimin e vajzës në fakultetin shtetëror kundrejt shumës 2500 Euro. I pandehuri vazhdonte t’i mashtronte duke i mbajtur me shpresa se do ta rregullonte punën e marrë përsipër, ndërsa Mihail Kote ka arritur t’i marrë të pandehurit vetëm 500 Euro dhe ja ka dhënë të vëllait, Ilias. I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvilloheshin hetimet, i pandehuri Spartak Rexhepaj ka pohuar se i ka marrë borxh shumat e lekëve për shkak të problemeve financiare që kishte me biznesin e tij. Në këto rrethana, akuza provoi se i pandehuri Spartak Rexhepaj kishte konsumuar plotësisht elementët e figurës së veprës penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency