Berisha: Përballimi i krizës ekonomike dhe reformat, elementet që na japin fitoren në 23 qershor

0
111

Ina Jano

berisha2013, viti i projekteve gjigante në infrastrukturë, nis ndërtimi i kaskadës së Devollit dhe i gazsjellësit TAP

 

Kryeministri Berisha deklaroi dje përpara deputetëve demokratë se përballimi me sukses i krizës ekonomike, reformat e ndërmarra nga qeveria do të bëjnë të mundur që kjo forcë politike të fitojë zgjedhjet e 23 qershorit. Në mbledhjen e parë të grupit parlamentar demokrat, kreu i qeverisë tha se Partia Demokratike e meriton një mandat tjetër qeverisës dhe të gjitha reformat që ajo ka realizuar në vend. Ai shprehu vlerësimin më të madh për të gjithë përkushtimin e treguar nga ana e deputetëve dhe tha se me besim të madh shkohet drejt zgjedhjeve të 23 qershorit, për ti fituar ato. “Fitore e merituar, sepse me reformat e shqyrtuara, të votuara, të miratuara në këtë Parlament u bë e mundur që Shqipëria, në kohën më të vështirë të ekonomisë evropiane dhe botërore, të qëndrojë si një ishull rritjeje ekonomike, si një ishull punësimi të vazhdueshëm, si një ishull që nuk ra në recesion. Këto janë të vërtetat tona më të mëdha. Këto reforma bënë të mundur vendosjen e Shqipërisë në vendin e katërt në botë për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët shqiptarë. Këto reforma bënë të mundur që me gjithë përpjekjet më absurde, më destruktive të opozitës, Shqipëria të rekomandohet nga Komisioni Evropian për statusin e vendit kandidat, por që në emër të testamentit të etërve neobllokmenët po e bllokojnë me votat e tyre në Parlament”, – tha Berisha. Kryeministri u tregua realist kur tha se nuk duhen mohuar edhe problemet që vendi ka, por siguroi se këto muaj elektoralë nuk do të hiqet vëmendja nga to, por do të punohet për zgjidhjen e tyre. “Dhe ky vit, ndër të tjera, është viti i projekteve më gjigante që vendi ka njohur në tërë historinë e tij, viti i kaskadës së Devollit, viti i fillimit të gazsjellësit Trans Adriatik (TAP). Por krahas këtyre dy mega-projekteve ekzistojnë edhe qindra e qindra projekte të tjera të sektorit publik, dhe qindra e në mos mijëra të sektorit privat, në të katër anët e vendit”, – pohoi numri një i qeverisë. Megjithatë ai bëri thirrje që vëmendja mos të fokusohet vetëm tek qendrat e qyteteve por të shikohen edhe zhvillimet e mëtejshme nëpër zonat rurale, pasi zhvillimi nuk është vetëm brenda vijës së verdhë të qyteteve. Duke renditur disa nga sukseset kreu i mazhorancës tha se ulja e vendeve të punës, po ashtu edhe ritja ekonomike në vend janë disa nga elementët që faktojnë ecjen në drejtime pozitive të vendit tonë. “Më duhet të them këtu me dhimbje dhe keqardhje, Shqipëria është ndarë si kurrë ndonjëherë tjetër në dy: në Shqipërinë e Rognerit, të Sheratonit dhe qendrave të qyteteve, në të cilat shqiptarët marrin çdo ditë njoftime dhe lajme nga mediat e shumta dhe në Shqipërinë e padukshme, në të cilën zhvillohet një veprimtari intensive zhvilluese, në të cilën sipërmarrja private bëhet gjithnjë e më e fuqishme, në të cilën në të katër anët e vendit po ndërtohen me dhjetëra hidrocentrale”, – tha Berisha.

 

21 janari i Kongresit të Lushnjës

Përpara deputetëve demokratë, kreu i qeverisë komentoi datën e djeshme si një nga ditët më të lavdishme në historinë kombëtare. Këto epitete Kryeministri ia atribuoi Kongresit të Lushnjës, që u mbajt në 21 janar të vitit 1920. Duke iu referuar kësaj ngjarjeje, numri një i qeverisë tha se kjo është një ditë e madhe në historinë e kombit, një ditë që ndryshoi të gjithë historinë e kombit. “Nuk është e zakonshme për mua të komentoj kalendarin, datën, por sot nuk mund të mos ndalem pa komentin dhe qëndrimin tim. Sot është një ditë e madhe në historinë e kombit, dita e Kongresit të Lushnjës, ditë që ndryshoi historinë e shqiptarëve, ditë nderimi dhe vlerësimi të madh për të gjithë ata që me burrëri, zotësi, aftësi, vetëmohim, përkushtim bënë të mundur që shqiptarët të jetësojnë pavarësinë e tyre në Shqipëri. Kongresi i Lushnjës ka qenë një mrekulli e vërtetë në historinë tonë kombëtare. Një Shqipëri që rrokullisej, pothuajse në rënie të lirë, nisi një rrugë e cila çoi në konsolidimin e shtetit shqiptar dhe në vazhdim”, – vlerësoi Kryeministri.

 

Kryeministri: Presidenti Ibrahim Rugova, Gandi i shqiptarëve

7 vjet më parë u nda nga jeta ish-presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Në vlerësimin e numrit një të qeverisë, ky personalitet i shqiptarëve është një Mahatma Gandi i gjithë Ballkanit dhe Evropës. Berisha, gjatë takimit të përjavshëm me deputetët demokratë, tha se në një kohë kur asnjë nuk fliste për çështjen shqiptare, ishte pikërisht ky person që e ngriti atë në lartësinë e duhur. Numri një i kabinetit qeveritar pohoi se projekti i tij nuk do të ishte i mundur të realizohej pa mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Sa herë t’i rikthehemi historisë së kombit, ta shqyrtojmë dhe ta lexojmë atë, nuk do mund të gjejmë vlerësim tjetër për Presidentin Rugova si një Mahatma Grandi i shqiptarëve dhe jo vetëm i tyre, i Ballkanit dhe jo vetëm i tij, por edhe i Evropës, i cili me forcën e ideve, me besimin e pathyeshëm te çështja që mbrojti u bë arkitekti i pavarësisë. Një çështje për të cilën pothuajse nuk flitej, çështja e të drejtës së shqiptarëve të Kosovës, ai e shndërroi në një çështje mbarëkombëtare, çështje perëndimore, çështje të Shtëpisë së Bardhë, Kongresit, qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qytetarëve amerikanë. Presidenti Rugova themeloi partinë e parë antikomuniste në Ballkanin e diktaturave. Ai krijoi pushtetin paralel të shqiptarëve, si kundërshtim i pushtetit barbar të Sllobodan Millosheviçit. Kontributi i Presidentit Rugova është i jashtëzakonshëm në ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës së pavarur. Them këtu me bindjen më të madhe se, nga koha e Skënderbeut e deri më sot, ai ishte Skënderbeu i dytë, që kishte për shpatë idetë dhe që idetë e tij u shndërruan në realitet, para së gjithash, për besimin e jashtëzakonshëm dhe përkushtimin e tij ndaj tyre”, – shtoi kryetari i mazhorancës.

Qeveria, reforma për të nxitur biznesin social

Kryeministri Berisha së bashku me prof. Muhammad Yunus inspektuan dje pasdite punimet për ndërtimin e “Tirana Business Park”, një park biznesi dhe qendre ekonomike në komunën Prezë, në Tiranë. Ky është një investim tërësisht gjerman i Lindner Group, me vlerë rreth 100 milionë euro dhe parashikon krijimin e mbi 9 mijë vende pune. Gjatë fjalës së tij, kreu i mazhorancës tha se qeveria do të implementojë të gjitha reformat e nevojshme dhe të domosdoshme në mënyrë që biznesi social në Shqipëri të nxitet akoma edhe më shumë. Berisha e garantoi Prof. Yunus se qeveria do të bëjë gjithçka për të mbështetur veprimtarinë e tij që sigurisht do të ketë një impakt pozitiv edhe në vend. “Varfëria është një armik i egër i njeriut. Për njeriun e lirë, sëmundja dhe varfëria janë dy armiqtë më kryesorë. Dhe për një qeveri nuk mund të ketë qëllim më të parë sesa lufta kundër saj. Por një burrë, një vizionar, u dha një leksion qeverive të mbarë botës dhe ky leksion ishte besimi i Prof. Muhammad Yunus se varfëria mund të çrrënjoset. Ai e filloi punën në vendin e tij, në Bangladesh, ku ndihmoi miliona e miliona qytetarë të atij vendi”, – tha Kryeministri. Duke iu drejtuar nobelistit Berisha garantoi se gradualisht do të zbuloni solidaritetin njerëzor më të jashtëzakonshëm që mund të kesh njohur ndonjëherë sepse të tilla janë familjet shqiptare. Prof. Muhammad Yunus është fitues i çmimit “Nobel” për Paqen në vitin 2006 “për përpjekjet e tij për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe social të të varfërve nëpërmjet krijimit të bizneseve sociale”. Ai ndodhet në një vizitë dyditore në vendin tonë dhe gjatë qëndrimit vizitoi të parat ide të biznesit social në Shqipëri, të cilat do të mbështeten nga Yunus Social Biznes Albania.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency