21 Janari, Rama: Do të vendosim drejtësinë, Berisha: Je ti përgjegjësi

0
146

Gëzim Saliu

ramaMos presiono drejtësinë, Berisha: Rama bën kortezhe mortore për të mbledhur vota

Kreu i PS-së: 4 viktimat do t’i shpallim në 21 janar të 2014-ës dëshmorë të atdheut

 

Përkujtimi i ngjarjeve të dhunshme të demonstratës së opozitës më 21 janar ka risjellë në qendër të debatit publik akuzat e ndërsjella mes palëve politike. Kryeministri Sali Berisha ka përmendur në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së çështjen e 21 Janarit, ku akuzoi kreun socialist Edi Rama si përgjegjësin kryesor të këtyre ngjarjeve. Duke garantuar se e vërteta e vrasjeve do të dalë dhe se qeveria do të angazhohet maksimalisht në këtë drejtim, kreu i mazhorancës qeverisëse tha se Rama nuk mund të vijë kurrë në pushtet duke kryer veprime të ngjashme me 21 janarin apo të mbledhë kortezhe mortore me qellim mbledhjen e votave. “Dy vjet më parë, pas 80 e ca vitesh, një grusht aventurierësh bënë përpjekje për të rrezuar me dhunë pushtetin e dalë me votë, ishte akti më i shëmtuar që nga viti ‘24 deri në ditët e sotme në historinë e institucioneve shtetërore. Ata që menduan se me dhunë do mund të kishin mandatin e tyre ata përfunduan në koshin ku kanë vendin të gjithë ata që mendojnë si ata. U shpreh ngushëllimet familjeve viktima të Ramës. Ramës i bëj thirrje të ndërpresë çdo formë presioni ndaj drejtësisë, i garantoj qytetarët se do bëj gjithçka që e vërteta të dalë dhe se çdo njeri që organizoi e mashtroi njerëz të hurit e litarit, se zoti Rama donte të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës sime. Rama ka përgjegjësi maksimale. Dua t’i them se si ‘Drogu’ do mbetet, si rreshteri i Buxatit ‘Drogu’, në pritje të karriges së pushtetit me këto veprime dhe akte që bën”, – tha Berisha.

 

Rama

Në 2-vjetorin e përkujtimit të ngjarjeve të 21 Janarit, kreu socialist Rama pohoi se vetëm largimi i pushteti aktual do të bëjë të mundur rivendosjen e drejtësisë. Duke folur në simpoziumin homazh të organizuar nga Partia Socialiste në nderim të viktimave, kryesocialisti theksoi se në 21 janarin e ardhshëm, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Aleks Nika dhe Hekuran Deda do të shpallen dëshmorë të atdheut. “Ne nuk kemi asnjë iluzion. Asnjë iluzion nuk duhet të ketë, kushdo që do drejtësi për 21 janarin. Vetëm largimi i pushtetit që vrau, mund të afrojë ditën e ndëshkimit për vrasjet. Po drejtësia për 21 janarin është shumë më shumë sesa një gjykim i drejtë për katër vrasje. 21 janari ndan dy botë. Dy kuptime të kundërta për qeverinë dhe të qeverisurit. 21 Janari ndan dy rrugë të ndryshme për të ardhmen. Drejtësia për 21 Janarin nuk u duhet vetëm familjeve të katër burrave, katër baballarëve, katër djemve, katër miqve, katër shqiptarëve të zakonshëm, të cilët sot një vit në 21 janar të vitit 2014, ne do t’i shpallim dëshmorë të atdheut. Drejtësia për 21 janarin u duhet të gjitha familjeve të zakonshme shqiptare”, – tha Rama. Më tej në fjalën e tij para familjarëve të viktimave dhe deputetëve e përfaqësuesve të opozitës, kreu i selisë rozë theksoi se PS do të qeverisë duke respektuar në çdo hap vullnetin sovran dhe liritë e të drejtat e tyre. “Shqipëria që kemi është pasojë e mungesës së drejtësisë. Shqipëria që duam do të rilindë përmes sensit tonë të drejtësisë në qeverisjen e saj. Sot unë mund të them pa asnjë fije dyshimi se 21 janari tjetër, nuk do ta gjej Shqipëria më të kapur prej fyti dhe 21 janari tjetër shqiptarët nuk do të jenë më të pasigurt prej krimit, të dekurajuar prej presionit e të neveritur prej politikës së gënjeshtrave e baltës së qeverisë”, – deklaroi kreu i PS-së, Edi Rama.

 

Përkujtohet 2-vjetori i 21 Janarit, opozita marshim të heshtur në bulevard

Tubimi homazh për 4 viktimat e demonstratës së 21 janarit 2011

 

Opozita përkujton 2-vjetorin e ngjarjeve të demonstratës së 21 Janarit. E organizuar në formën e një kortezhi homazh, manifestimi i organizuar nga opozita, në nderim të katër viktimave që humbën jetën në protestat e 21 janarit 2011, kaloi në heshtje. Tubimi nisi marshimin nga selia e Partisë Socialiste, ku me lule dhe kurora, drejtuesit e majtë, familjarët dhe mbështetësit e tyre iu drejtuan bulevardit “Dëshmorët e kombit”. Në vendet ku mbeten të vrarë 4 protestuesit, Faik Myrtaj, Aleks Nika, Ziver Veizi e Hekuran Deda, tubuesit e homazhit vendosën lule.

 

Homazhi

Rreth orës 10:50, mbështetësit e Partisë Socialiste të ardhur nga rrethet janë mbledhur para selisë rozë, ku pasi janë bashkuar me drejtuesit e opozitës dhe familjarët e viktimave kanë nisur kortezhin homazh. Pikërisht aty ku nisi edhe demonstrata e 2 viteve më parë, kortezhi i kryesuar nga familjarët e viktimave, vazhdoi me hap të ngadaltë marshimin në heshtje drejt bulevardit kryesor të Tiranës. Pasi mbërritën në oborrin para Kryeministrisë, qytetarët, drejtuesit e opozitës, deputetët dhe mbështetësit e ndryshëm, kanë vendosur lule dhe kurora në vendin ku u vranë 4 protestuesit, Faik Myrtaj, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda. Në këtë tubim të heshtur, fotot e katër viktimave ishin vendosur në vende që ata humbën jetën, ndryshe nga një vit më parë ku katër fotot e tyre u vendosen në mes të bulevardit. Gjatë gjithë kohës marshimi u shoqërua në sfond me muzikë funebre, ku nga ana tjetër persona me shirit të zi në krah, koordinonin qytetarët, në mënyrë që të gjithë të nderonin viktimat. Kortezhi vendosi lule në katër fotografitë e viktimave, ku ndërkohë kreu i PS-së, Edi Rama vendosi nga një karafil të kuq në secilën prej tyre. Në përfundim të homazheve, përfaqësuesit e opozitës dhe familjarët e viktimave morën pjesë në aktivitetin e organizuar nga PS-ja në kinema “Millenium”. Një dokumentar i përgatitur për ngjarjet e 21 Janarit u shfaq para të pranishmëve, në të cilin ishin përfshira skena nga demonstrata si edhe rrëfime të familjarëve të viktimave. Në përfundim të këtij aktiviteti, deputetë dhe drejtues të PS-së u shpërndanë për të kryer vizitat e ngushëllimit në familjet e 4 protestuesve të cilët humbën jetën në demonstratën e 21 janarit të vitit 2011.

 

KiE: Progres në zbardhjen e të vërtetës për 21 Janarin

Në dyvjetorin e ngjarjes së 21 Janarit, ka reaguar edhe komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Stefano Montanari. Ky i fundit ka kërkuar progres më të shpejtë për zbardhjen e të vërtetës për demonstratën e 2 viteve më parë. “Mbetem tejet i shqetësuar prej faktit që disa nga personat përgjegjës për këto akte të dhunshme dhe shkelje të të drejtave të njeriut, nuk kanë dhënë ende llogari para drejtësisë. Nxis qeverinë shqiptare të vijojë me përfundimin e një hetimi tërësor, të paanshëm dhe të besueshëm dhe një proces të rregullt gjyqësor, për të dhënë kësisoj një sinjal të qartë që pandëshkueshmëria për shkeljet serioze të të drejtave e njeriut është e papranueshme”, – thekson në deklaratën e tij komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Stefano Montanari.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency