Përleshet me hajdutët e lokalit plagoset lehtë shefi i Krimeve

0
153

Elton Qyno

policiaKujtim Vreka u qëllua me tullë nga dy persona. Mjekët: Ka thyerje të kockës së hundës

 

Shefi i krimeve në Drejtorinë e Policisë së Durrësit është plagosur lehtë në kokë nga dy persona të cilët ai i ka zbuluar që po i vidhnin lokalin e tij, që ndodhet në zonën e Shkozetit. Kujtim Vreka është qëlluar me një tullë në kokë, e cila i ka shkaktuar thyerjen e hundës dhe disa minuta agonie, duke e rimarrë sërish veten në ambientet e spitalit rajonal të Durrësit. Oficeri i policisë kriminale ka qenë duke u kthyer në banesën e tij që ndodhet në lagjen nr. 14 në Shkozet, kur ka vënë re se dy persona të dyshimtë ishin afruar pranë lokalit në pronësi të tij, që ndodhet poshtë pallatit të banimit. Pasi ka konstatuar dy personat, oficeri i policisë u ka bërë shenjë të rinjve që të ndalonin në mënyrë që efektivi i policisë ti kontrollonte. Por këtij urdhri nuk i janë bindur dy agresorët, të cilët kanë filluar ta kundërshtojnë, duke e qëlluar me grushte dhe sende të forta. Si rezultat i kësaj situate, edhe efektivi i policisë ka reaguar duke u përplasur fizikisht me dy personat e dyshimtë. Gjatë këtij sherri njëri nga autorët ka rrëmbyer një tullë dhe e ka qëlluar efektivin e policisë në pjesën e përparme të fytyrë, gjë e cila i ka sjellë një frakturë në hundë dhe në pjesën e faqes. Pas kësaj dy autorët janë larguar me shpejtësi, ndërkohë që Kujtim Vreka ka kërkuar ndihmën e kolegëve të tij të Durrësit, për transportimin në spital dhe hetimin e plagosjes së tij.

Përplasja në mëngjes

Ka qenë ora 04:00 kur shefi i krimeve Kujtim Vreka, ka lënë shërbimin e turnit të tretë, dhe është larguar në banesën e tij. Teksa ka parkuar makinën dhe ka vendosur të ngjisë shkallët e pallatit, Vreka ka konstatuar dy persona të dyshimtë që ishin pranë lokalit të tij. Menjëherë ai ka menduar se kishte të bënte me dy grabitës të cilët kishin hyrë në lokal, dhe nisur nga kjo situata u ka kërkuar atyre që të ndalonin dhe ti kontrollonte pasi ishte oficer policie. Pavarësisht kësaj dy personat të cilët kanë qenë të pamaskuar kanë reaguar dhunshëm duke tentuar të largohen me vrap, por nuk janë lejuar nga punonjësi i policisë, të cilin ata e kanë kundërshtuar me forcë duke e qëlluar me sende të forta dhe grushte. Nisur nga kjo situatë, me forcë ka reaguar dhe shefi i Krimeve, i cili gjatë përplasjes fizike është qëlluar me tullë në fytyrë nga njëri prej autorëve. Si rezultat i kësaj goditjeje, shefi i krimeve është gjakosur, ndërkohë që dy personat janë larguar me vrap në drejtim të paditur. Që prej ditës së djeshme shefi i Krimeve Kujtim Vreka ka qenë i shtruar në spitalin rajonal të Durrësit, ku dhe ka marrë mjekimin e nevojshëm nga bluzat e bardha. Sipas këtyre të fundit, Vreka ka dëmtime në kockën e hundës si dhe disa fraktura të lehta në kokë.

Hetimet e policisë

Të njoftuar nga kolegu i tyre lidhur me këtë ngjarje të rëndë, shërbime të komisariatit të Durrësit kanë mbërritur në vendngjarje, ku i kanë dhënë ndihmën e parë kolegut të tyre. Në vendngjarje janë sekuestruar edhe disa materiale të vjedhura në lokalin e Kujtim Vrekës, të cilat ishin braktisur në një çantë, që u gjet në rrugë. Gjatë ditës së djeshme policia e Durrësit bëri shoqërimin e rreth 20 personave, të cilëve pasi ju morën deklarimet paraprake dhe ju bënë fotografitë, u lanë sërish të lirë. Gjatë ditës së djeshme këto fotografi janë ballafaquar me të dëmtuarin Kujtim Vreka, i cili mësohet se u ka dhënë kolegëve të tij edhe disa karakteristika të tjera që mund të shërbejnë për identifikimin dhe arrestimin e dy agresorëve të shefit të krimeve.

 

 

Problemet në rrugë

Rrëshqitja e dherave në rrugë, vështirësi në qarkullim në zonat malore

Reshjet e dëborës, që ranë ditëve të fundit në qarkun e Kukësit, kanë krijuar një sërë problemesh në akset e ndryshme rrugore, kryesisht ato rurale të zonave të verilindjes. Shkrirja e borës në zonat fushore, ka bërë që nga skarpatet anësore të rrugëve të rrëshqasin masive të mëdha dherash dhe gurësh duke shkaktuar probleme për drejtuesit e automjeteve. Problematike paraqitet situata për këto shkaqe dhe në akset Kukës – Peshkopi, Kukës – Draj Reç, Kukës – Krumë, Kukës – Shishtavec, në të cilat është punuar për largimin e dherave edhe nga drejtuesit e automjeteve që janë të parët që ndeshen me probleme të tilla. Kjo nuk është hera e parë që në këto akse rrugore, ka rrëshqitje dherash dhe probleme në qarkullim, pasi reshjet e shumta apo i ftohti i acartë gjithmonë sjell probleme në akset e mësipërme.

 

Bllokohen 15 kg

Pranga italianit, futi drogën në dyert e makinës

Një shtetas italian është prangosur nga policia kufitare e Kakavijës pasi u kap me 15 kg kanabis. Shtetasi, Iginio De Filipis, tentoi të kalonte drejt Greqisë sasinë e drogës, të cilën e kishte fshehur në pjesën e brendshme të dyerve të mjetit të tij “Opel” me targa BF 561 XT. Lënda narkotike mendohet se është blerë në fshatin Lazarat, ndërkohë që zbulimi i saj është bërë pas kontrollit me aparaturat përkatëse dhe qenit antidrogë. Ky i fundit ka dhënë sinjale për efektivët e antidrogës, se kishte nuhatur diçka të dyshimtë, dhe lidhur nga kjo situatë, sërish kontrollorët në doganën e Kakavijës, kanë hapur makinën duke e verifikuar me imtësi çdo pjesë të saj. Pas hapjes së dyerve dhe kontrollit të brendshëm, të tyre rezultoi se sasia e drogës prej 15 kg ishte fshehur në dy dyert e mjetit. Lidhur me këtë ngjarje policia e Gjirokastrës ka nisur hetimet për zbardhjen e emrave të tjerë të përfshirë në këtë trafik.

 

Bllokohen 50 kg hashash

Shmanget postblloku i policisë, droga transportohet me mushka

Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar 50 kilogramë hashash ndërsa ka shpallur në kërkim transportuesin e drogës. Burime nga policia bëjnë me dije se lënda narkotike është sekuestruar pranë kodrave tek Uji i Ftohtë. Sipas policisë, droga po transportohej me mushkë nga një person, i cili e ka braktisur atë sapo ka parë policinë. Ky shtetas është identifikuar nga uniformat blu dhe është shpallur në kërkim. Ndërkohë që në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy çanta me nga 25 kg hashash secila. Policia e Gjirokastrës, tashmë është duke verifikuar disa persona të tjerë të cilët mendohet se kanë bashkëpunuar me shtetasin që kishte marrë përsipër transportimin e drogës me mushkë, me qëllim shmangien e postbllokut policor që është ngritur në zonën e Ujit të Ftohtë.

 

Akuza pezullon dosjen e fajdexhiut

të zhdukur, nuk mund të gjendet

Armando Abdullai dyshohet se u zhduk nga borxhlinjtë

Pezullohet dosja hetimore për fajdexhiun e humbur në Korçë. Prokuroria e Korçës ka pezulluar dosjen, pasi gjatë 9 muajve hetim nuk u arrit të gjendje asnjë gjurmë e tij. Armando Abdullai, 30 vjeç, pasi ishte kthyer nga Greqi merrej me dhënien e parave me fajde. Sipas familjarëve, ditën që ai u zhduk kishte dhënë 1.4 milionë lekë një personi ende të paidentifikuar. Mbyllja e hetimeve ka shkaktuar reagimin e ashpër të familjarëve të cilët kërkojnë rihetimin e çështjes për gjetjen e djalit të tyre. Lidhur me zhdukjen e tij, policia e Korçës kreu një sërë kontrollesh në banesa dhe vende të ndryshme, që frekuentoheshin nga Abdullai, por pa rezultat. Ndërkohë që shumë persona, përfshirë këtu edhe disa femra të komunitetit Rom, janë marrë në pyetje, me qëllim zbulimin e vendndodhjes së 30-vjeçarit, por që në fakt asnjëri prej tyre s’ka dhënë të dhëna të sakta për Armando Abdullai. Policia e Korçës, gjatë hetimeve të kryera për zhdukjen e tij zbuloi se 30-vjeçari nuk kishte ndonjë aktivitet tregtar, por ushtronte në mënyrë ilegale profesionin e fajdexhiut, duke i dhënë para me këste personave të ndryshëm. Kohët e fundit, ai ishte hedhur në “sulm” për mbledhjen e parave të cilat au kishte dhënë disa personave, dhe që nuk e kishin shlyer. Shumë nga këta persona, janë marrë në pyetje por asnjëri prej tyre s’ka pranuar se ka gisht në zhdukjen e 30-vjeçarit. Ndërkohë dyshimet për Armando Abdullain flasin se ai mund të jetë vrarë ose është larguar në Itali.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency