Nomadë të punës në Evropë

0
145

nomadeSpeciale/ Studimet më të fundit tregojnë që evropianolindorët, që kërkojnë punë, përbëjnë vetëm 20 përqind të migracionit aktual të punës. Akoma më shumë lëvizje vjen nga Polonia, Çekia dhe Hungaria

 

Që kur kriza ka arritur para së gjithash Evropën Juglindore, gjithnjë e më shumë njerëz nga vendet e reja të BE kërkojnë punë jashtë vendit. Interesi i tyre drejtohet para së gjithash në vendet gjermanofone.

Maja Majçrzak është me origjinë nga Polonia. Që prej festës së fundit të Krishtlindjeve ajo punon si mësuese skijimi në qendrën luksoze të skijimit St. Moritz. Ajo është një nga nomadet e reja të punës të Evropës: e shkolluar, e gatshme për aventura dhe u përshtatet situatave. Përpara se të vinte në Zvicër, mësuesja e anglishtes punoi për pesë vjet në një shkollë gjuhësh të huaja në Milano. Kur në Itali arriti kriza ekonomike, ajo vendosi të vazhdojë rrugën. “Zvicra më tërhiqte, sepse ndodhet në mes të Evropës dhe ofron mundësi të jashtëzakonshme të mira fitimi”, thotë Maja, që flet disa gjuhë.

Njohuritë e gjuhëve të huaja ua lehtësojnë shumë migrantëve nga Evropa Lindore qasjen për në tregun e punës në Zvicër. “Po të ishte fjala vetëm për skijim, do të kishim pasur mjaft njerëz edhe nga Italia dhe Gjermania,” thotë Franco Moro, drejtor i shkollës zvicerane të skive St.Moritz. “Përsa u përket evropianolindorëve, vërtet që kanë shpesh deficite në mënyrën e të konceptuarit të shërbimeve, por nga ana tjetër shumë prej tyre flasin rusisht — dhe ky është një kualifikim shumë i rëndësishëm.”

 

Liri lëvizjeje me kufizime

Që prej vitit 2011, për emigrantët e punës nga vendet e BE është lehtësuar ardhja në Zvicër, për shkak të një marrëveshjeje bilaterale me BE. Liberalizimi erdhi në të njëjtën kohë me hapjen e plotë të tregut të punës brenda BE në të njëjtin vit. Një vit më vonë, Zvicra i rivendosi kuotat për qëndrime afatgjata. Por nëse ato mbarojnë, mund të kërkohet edhe më tej një vizë për qëndrim deri në një vit në Zvicër.

Megjithë këto kufizime, shpërngulja e evropianolindorëve dhe evropianoqendrorëve për në Zvicër nuk ka të ndalur. Fajin për këtë e ka kriza financiare dhe ekonomike në pjesën tjetër të Evropës. “Franga e fortë zvicerane natyrisht që e bën më tërheqëse Zvicrën”, deklaron Herbert Brücker nga “Instituti i Studimeve të Punës dhe Profesioneve” në Nürnberg. Studimet më të fundit tregojnë që evropianolindorët, që kërkojnë punë, përbëjnë vetëm 20 përqind të migracionit aktual të punës. Akoma më shumë lëvizje vjen nga Polonia, Çekia dhe Hungaria. “Ata preferojnë që ta hedhin vështrimin më tepër në vende si Gjermania, ose Zvicra”, thotë Brücker.

 

Shanset në turizëm

Kërkesën e ndiejnë edhe hotelet dhe gastronomitë, të cilat nuk janë përballur kurrë me kaq shumë aplikime nga evropianolindorët. Vërtet që deri tani ata përfaqësojnë një minoritet, por pjesa e tyre është në rritje të vazhdueshme. Sepse ajo që vlen për hotelet, vlen edhe për shkollat e skijimit: kërkohet personel, që di shumë gjuhë. “E para në perspektivë kjo është e drejtë, sepse është në rritje edhe numri i turistëve nga vendet e reja të BE,” thotë Michael Wagner, pronar i një hoteli në Pontresina në afërsi të St.Moritzit. Këtu pronari i hotelit ka të punësuar në sezonin e dimrit deri 60 vetë, më shumë se 80 përqind e tyre janë të huaj, midis tyre edhe sllovakë dhe hungarezë. “Shpesh këta janë të rinj me arsim të mirë dhe që përshtaten shumë lehtë me kushtet – pikërisht ajo që kërkojmë.”

 

Rrugës drejt Veriut

Njëra prej tyre është Kristina Malekova. Ajo punon në hotelin “Te Rosaçët”, si punonjëse shërbimi për të dytin vit me radhë. Gruaja, që ka studiuar filozofi, nuk gjeti punë për të qenë në vendin e saj. Fillimisht ajo donte të shkonte në Turqi, ose në Greqi, por pastaj erdhi kriza dhe ajo vendosi që të kërkojë punë në Zvicër. “Këtu pagesa dhe atmosfera e punës janë të shkëlqyera”, thotë sllovakja.

Niveli i lartë i pagave dhe monedha e fortë në mes të krizës së euros e bëjnë Zvicrën një nga vendet më tërheqëse të Evropës. Por ajo është një treg relativisht i vogël pune, ndaj pritet që shumë nomadë pune, që largohen tani nga jugu i Evropës, të shpërngulen më tej në drejtim të Veriut. Për shembull drejt Gjermanisë. Numri i migrantëve për në Gjermani është shtuar që tani në mënyrë të konsiderueshme. Dhe një fund i këtij zhvillimi nuk duket.

DW

 

 

Oligarkë të fuqishëm, shtresë e mesme e varfër

Hendeku midis të varfërve dhe të pasurve në Evropën Juglindore është veçanërisht i thellë. Këtu përpiqet që të zërë vend një shtresë e re e mesme. Por ajo vetë shpesh kërcënohet nga degradimi social.

 

Shumë e varfër, për t’u quajtur e pasur, shumë e pasur, për të qenë e varfër: kjo vlen për shtresën e mesme në Rumani. Në dekadën e parë pas kthesës politike të vitit 1989 kjo shtresë – në shtetet perëndimore një shtyllë mbajtëse e shoqërisë- thuajse ka munguar krejtësisht. Siç del e qartë në disa studime, në vitin 2008 vetëm 20 përqind e popullatës në Rumani mund të llogaritej se bënte pjesë në këtë shtresë. Kriza ekonomike dhe financiare megjithatë ka bërë që rrogat të ulen edhe më tej dhe ka çuar pjesërisht në një përgjysmim të shtresës së mesme. Për krahasim: gati dy të tretat e njerëzve në Gjermani marrin 70 deri 150 përqind të të ardhurave mesatare dhe bëjnë pjesë në këtë mënyrë në shtresën e mesme. Ngjashëm si në Rumani është situata edhe në vendet e tjera evropianolindore. Po të nisesh nga të ardhurat, në Serbi dhe në Kroaci në shtresën e mesme bëjnë pjesë vetëm dhjetë përqind e popullit, në një kohë që në Bullgari madje flitet për një shtresë “të padukshme” të mesme: sepse në bazë të studimeve aktuale, në të bëjnë pjesë vetëm katër deri në tetë përqind të punonjësve. Në një popullatë prej 7,5 milionë banorësh, këtu kemi të bëjmë me 100.000 deri 200.000 vetë: kryesisht punonjës të mirëpaguar të sipërmarrjeve të huaja, banka dhe sigurime, të cilët megjithatë kërcënohen nga degradimi social, sapo punëdhënësi i tyre të largohet nga Rumania.

 

Shtresa e mesme si motor i demokratizimit

Por shtresa e mesme nuk përkufizohet vetëm përmes kritereve ekonomike. “Me konceptin e shtresës së mesme lidhet edhe kuptimi që ka për veten një grup social, që është shtresa bartëse e rendit demokratik si dhe e shoqërisë së konkurencës politike dhe ekonomike,” thotë Wolfgang Höpken nga Shoqata e Evropës Juglindore. Megjithë disa përjashtime, bën pjesë në doktrinën e teorisë historike-sociologjike se një shtresë e formësuar qartë e mesme është në thelb e interesuar që të krijojë raporte stabile demokratike dhe ekonomike si dhe që t’i ruajë ato , thekson eksperti i Ballkanit. Por në Evropën Juglindore, shtresa e mesme ka qenë e pranishme, që para Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së sistemit socialist, vetëm në formë rudimentare. Ideologjia komuniste e luftës së klasave kontribuoi në mënyrë vendimtare që edhe ajo pak borgjezi që ishte të zhdukej thuajse krejtësisht. “Në kohën komuniste, shtresa e mesme përfaqësohej thuajse krejtësisht nga e ashtuquajtura inteligjencë, nga profesionet akademike ose përfaqësues të burokracisë,” por kjo është diçka krejt tjetër në krahasim me atë që ne quajmë shtresë e mesme.”

 

Gabime të së shkuarës

Kthesa në fillim të viteve 90 nuk çoi patjetër në forcimin e shtresës së mesme. Në Bullgari, për shembull, presidenti i parë jokomunist i vendit, Petar Stojanov pranon se paratë u derdhën në qarqet e vjetra të pushtetit, të cilat e patën ruajtur ndikimin edhe pas kthesës politike. Këtë Stojanovi ia tha pak kohë më parë gazetës bullgare “24 orë”. Funksionarë partiakë të vjetër, si dhe punonjës të shërbimit të fshehtë u bënë brenda natës kapitalistë: kështu në ekonomi dhe politikë u ndërtuan struktura oligarkike, të cilat e pengojnë deri sot konkurencën e lirë në shumë fusha të shoqërisë, tha Stojanovi.

 

Të pasurit e rinj përcaktojnë tonin

Kjo “shtresë e re e mesme”, e quajtur kështu vetëm duke u nisur nga pasuria, nuk e ka siguruar këtë pasuri përmes shkollimit apo të rendimentit të sipërmarrjeve, por “i ka bërë paratë në zonën gri të legalitetit” dhe prandaj nuk duhet vlerësuar si “shtresë e mesme e legjitimuar demokratike”, thekson Wolfgang Höpken. Ajo nuk është fare e interesuar për një “shtet juridik mirëfunksionues”, por për “marrëdhënie klienteliste dhe në struktura politike, që i mundësojnë asaj të veprojë edhe më tej në atë mënyrë si është mësuar.” Prandaj ajo nuk mund të krahasohet patjetër me shtresën e mesme klasike të tipit evropianoperëndimor.

Kjo pasqyrohet edhe në një fenomen tipik për Ballkanin: “në njëkohësinë e të panjëkohshmeve”, thotë Gabriela Schubert, profesore e slavistikës në Universitetin e Jenës. “Nga njëra anë, banorët e qyteteve kanë tendencë drejt teknikës më të fundit, drejt modës më të re dhe arritjeve më të reja, siç i njohin ato nga Perëndimi. Nga ana tjetër, ato preferojnë ende simbolet e vjetra patriarkale dhe vlerat patriarkale.” Përfytyrime seksiste për gratë lënë gjurmët e tyre në kulturën pop thuajse në të gjitha vendet e Evropës Juglindore është e përhapur muzika shoviniste mashkullore “turbo-folk”.

 

Migrimi si rrezik dhe shans

Edhe vazhdimi i “largimit të trurit” drejt Perëndimit paraqet një rrezik për shtresën e mesme në Evropën Juglindore. Janë para së gjithash të rinj të shkolluar mirë, dinamikë dhe kreativë ata që migrojnë. Por në plan afatgjatë, procese të tilla nuk janë vetëm negative, ato mund të kenë edhe ndikim pozitiv tek shoqëria- për shembull kur njerëzit të kthehen nga bota e jashtme dhe t’i përcjellin normat e përvetësuara, ose kur ata krijojnë lidhje ekonomike me atdheun, mendon Wolfgan Höpken.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency