Fitoi në kazino, e grabisin dhe më pas e vrasin 21-vjeçarin

0
265

Elton Qyno

kufomaVritet djali i biznesmenit në Fier, Andi Prifti u gjet i pajetë në fshatin Seman të Fierit

 

Djali i një biznesmeni në Fier është qëlluar për vdekje dhe më pas është hedhur në një kanal në fshatin Seman të Fierit. Viktima 21-vjeçar quhet Andi Prifti, i cili prej mëngjesit të ditës së djeshme, kur kishte dalë nga banesa, nuk ishte kthyer në shtëpi, duke vënë në alarm të afërmit dhe familjarët e tij, megjithëse mungesën në banesë familjarët nuk janë nxitur ta denoncojnë ngjarjen në policinë e Fierit, pasi kanë menduar se 21-vjeçari mund të ishte me shokët e tij. Mirëpo, rreth orës 18:00 në sallën operative të policisë së Fierit ka mbërritur një telefonatë, ku njoftonte se një person i pajetë ishte gjendur i braktisur në vendin e quajtur Kulla e Ujit në fshatin Seman. Pas këtij informacioni në vendngjarje kanë shkuar efektivat e policisë së Fierit, të cilat bënë ekzaminimet e nevojshme. 21-vjeçari ishte qëlluar me dy plumba në gjoks dhe mendohet se vrasja e tij është bërë në qytetin e Fierit, por për të humbur gjurmët autorët e kanë sjellë viktimën në fshatin Seman, ku edhe e kanë braktisur atë pranë një kanali në vendin e quajtur Kulla e Ujit. Të gjitha këto veprime janë bërë pa i parë askush, ndërkohë që zbulimi i trupit të pajetë të 21-vjeçarit është bërë nga kalimtarët e rastit.

Fitimi në kazino

Nga hetimet e kryera rreth aktivitetit të Andi Priftit dhe itinerarit të tij gjatë ditës së diel, policia ka mësuar prej shokëve të viktimës se 21-vjeçari kishte fituar një shumë të madhe lekësh në njërën nga kazinotë e qytetit. Pasi ka luajtur për disa orë, Prifti ka dalë fitues dhe më pas është larguar nga ambientet e kazinosë duke marrë me vete dhe shumën e parave, që kishte fituar. Nuk dihet me saktësi, por policia e Fierit shpjegon se 21-vjeçari pas largimit nga kazinoja është rrëmbyer nga persona ende të paidentifikuar, të cilët pasi i kanë marrë shumën e parave, e kanë qëlluar me dy plumba. Më pas grabitësit për të fshehur krimin, e kanë transportuar viktimën në drejtim të fshatit Seman, ku dhe e kanë hedhur pranë vendit të quajtur Kulla e Ujit. Burime pranë policisë së Fierit thanë se në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur njolla gjaku, por edhe sende të tjera të viktimës si aparati celular, apo lekët në xhep. Nisur nga kjo situatë, policia ka nisur hetimet për një grabitje të mundshme të tij nga ndonjë prej klientëve të kazinosë, ku kishte fituar sasinë e lekëve 21-vjeçari. Autorët e kanë survejuar Priftin, që nga momenti që ka tërhequr lekët dhe deri kur është larguar nga kazinoja. Siç duket ata i kanë rënë nga pas, duke bërë rrëmbimin e tij dhe më pas grabitjen. Për ti mbyllur gojën, autorët që mendohet se kanë qenë dy persona, kanë vendosur ta vrasim, duke shmangur një denoncim të mundshëm të viktimës në organet policore. Gjatë mbrëmjes së djeshme, policia e Fierit ka marrë në pyetje dhjetëra persona, klientë të kazinosë si dhe punëtorin e saj. Ai ka treguar rreth asaj që kishte parë gjatë kohës kur luante 21-vjeçari Andi Prifti, ndërkohë që ka dhënë detaje dhe karakteristika edhe për klientët e tjerë që kanë qenë të pranishëm në kazino, gjatë kësaj kohe. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme policia nuk kishte arrestuar asnjë person si autor të krimit, ndërkohë që janë shoqëruar rreth 12 persona.

Identifikimi në morg

Për shkak se shumë banorë të zonës së Semanit nuk kishin mundur të identifikonin viktimën, policia ka bërë transportimin e tij në morgun e spitalit të Fierit, duke menduar se 21-vjeçari nuk është banor i zonës, ku ishte gjetur trupi. Nisur nga mungesa e gjatë në shtëpi, familjarët e 21-vjeçarit kanë vendosur të verifikojnë trupin e personit të gjetur nga policia në morgun e spitalit. Mësohet se ka qenë babai disa të afërm të tjerë që janë paraqitur në morg, ku edhe kanë konstatuar se njeriu i paidentifikuar nga ana e policisë ishte djali i tyre. Pas kryerjes së ekspertizës mjekoligjore trupi i pajetë u është dorëzuar familjarëve, ku pritet që ditën e sotme atij ti zhvillohet ceremonia e varrimit.

 

 

Tiranë, kërcënon ish-burrin: Të vras vajzën, nëse s’paguan

Sherret në familje kanë detyruar një 33-vjeçare të kërcënojë me mesazhe telefonike ish-bashkëshortin e saj shqiptaro-maqedonas. Për shkak të mesazheve të shumtë që i dërgonte shtetasit Selim Demiri, 33-vjeçarja Ketjana B. është shoqëruar ditën e djeshme në ambientet e komisariatit nr. 2, ku është marrë në pyetje. Ajo ka treguar se i ka dërguar mesazhe kërcënuese ish-bashkëshortit, për shkak se ai nuk e ndihmon financiarisht atë për rritjen e vajzës. Mirëpo pavarësisht nga këto pretendime, policia zbuloi se mes mesazheve kërcënuese, 33-vjeçarja e kishte dërguar ish-bashkëshortit edhe disa mesazhe të tjera, ku e kërcënonte atë se do t’i vriste vajzën e tij 5 vjeçe. Kjo bërë që policia ta shoqërojë menjëherë në komisariat 33-vjeçaren, duke ngritur ndaj saj akuzën e “Keqpërdorimit të thirrjeve telefonike”. Vetë 33-vjeçarja ka pohuar se ajo i kishte shkruar mesazhet në gjak nxehtësi e sipër.

 

Lushnjë, hidhet nga pallati 52-vjeçari, rëndë në spital

Agron Myftari, një 52-vjeçar nga Lushnja, është hedhur nga kati i pestë i pallatit ku banon, duke marrë dëmtime të rënda në trup. Myftari është hedhur gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme, ku ndodhej i vetëm në banesë. Ai ka hipur në ballkonin e apartamentit të tij dhe prej andej është hedhur nga një lartësi prej rreth 20 metra. Gjatë rënies, Myftari është përplasur me disa tela të cilët i kanë zvogëluar shpejtësinë, dhe për pasojë përplasja me tokën ka qenë më e butë. Pavarësisht kësaj, sërish 52-vjeçari ka pësuar fraktura të mëdha në trup, duke bërë që shëndeti i tij të jetë në gjendje kritike. Të ndodhur në këto kushte, bluzat e bardha të spitalit të Lushnjës, kanë bërë transportimin e Agron Myftarit në drejtim të Spitalit Ushtarak, për një trajtim më të specializuar. Ndërkohë që në vendngjarje ka mbërritur policia e Lushnjës, e cila ka bërë hetimet e nevojshme, duke arritur në konkluzionin se Myftari vuante nga depresioni.

 

Pasaporta biometrike për tre mijë euro, nën akuzë gardisti dhe një grua

Një efektiv i Gardës së Republikës dhe një shtetase janë vënë nën akuzë nga prokuroria e Tiranës, pasi janë kapur në një skemë mashtrimi me nxjerrjen e kartave të identitetit për qytetarët e ndryshëm. Besnik Aga dhe Manushaqe Shehi, janë marrë të pandehur për veprën penale të “Mashtrim kryer në bashkëpunim”, “Falsifikim të letërnjoftimeve ose pasaportave në bashkëpunim” dhe se tashme çështja e tyre është dërguar në gjykatën e kryeqytetit për shqyrtim gjyqësor. Dosja mban nr. 437 dhe se sipas prokurorisë dy të pandehurit i kanë marrë një shtetasi nga Kosova shumën prej 3 mijë eurosh, me premtimin se do t’i siguronin pasaportë biometrike dhe kartë identiteti shqiptare. Historia nis disa kohë më parë, kur gardisti 21-vjeçar takohet me shtetasin kosovar në Kukës, të cilit i premton dokumente të rregullta identifikimi shqiptare kundrejt pagesës prej 3 mijë eurosh. Pasi kishte dhënë një pjesë të parave, dy të arrestuarit i kanë dhënë shtetasit kosovar një kartë identiteti të falsifikuar, duke i thënë se mjeti i identifikimit është i rregullt, ndërsa do t’i siguronin edhe pasaportën biometrike shqiptare. Pas verifikimeve të kryera, rezultoi se karta e identitetit ishte e falsifikuar, ndërsa shtetasi kosovar depozitoi një kallëzim në policinë e Kukësit. Prej rreth dy muajsh janë mbajtur në përgjim dy të dyshuarit, gardisti Besnik Aga dhe bashkëpunëtorja e tij, Manushaqe Shehi, banuese në fshatin Farkë e Madhe në Tiranë. Gjatë dy muajve hetime, prokuroria e Kukësit ka mundur të zbulojë se dy të dyshuarit kanë mashtruar shtetasin kosovar, të cilit i kanë dhënë një kartë identiteti të falsifikuar, duke i marrë edhe një shumë parash. Edhe pse hetimet janë kryer me metoda speciale të hetimit, organi i akuzës dhe policia nuk kanë mundur të zbulojnë laboratorin ku është arritur të falsifikohet karta e identitetit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency