Ministria e Financave: Viti 2013, do të rriten sërish pagat, vijojnë investimet

0
140

Ervin Kaduku

dorianIntervista, sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, Dorian Teliti, bën të ditur për “Standard” se ku do të përqendrohen financat publike

 

Lajm i mirë për shqiptarët: pavarësisht nga kriza globale dhe rajonale, qeveria edhe këtë vit ka në projekt rritjen e pagave dhe pensioneve. Financat publike gjatë vitit 2013 do të fokusohen në përfundimin e projekteve të nisura, kryesisht në infrastrukturë, çka pritet t’i japë një ndikim direkt rritjes së besimit të qytetarëve, por edhe klimës së biznesit. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave Dorjan Teliti në një prononcim për median tha se viti 2012 nuk ishte një vit i lehtë për menaxhimin e financave publike, por thekson ai Ministria e Financave ja doli mbanë të menaxhojë mjaft mirë financat në kushtet e realitetit ekonomik që po kalon jo vetëm Shqipëria por edhe e gjithë Evropa.

Gjatë këtij viti, tha ai, do të vijojë politika e rritjes së pagave dhe pensioneve, si dhe do të përfundojnë investimet e nisura. “Ndikimi i faktorëve të jashtëm pritet të jetë më i zbutur, por edhe studimet e fundit të institucioneve ndërkombëtare flasin për një përmirësim klime për biznesin si dhe rritje të besimit të tej. Kjo na bën optimist se do të kemi një rritje ekonomike rreth 3.5-4% të PBB-së. Kjo rritje ekonomike, por edhe një menaxhim më i mirë i financave publike na lejon të vijojmë me politikën tonë të rritjes së pagave dhe pensioneve. Prioritet do të vijojnë të mbeten pensionet e fshatit dhe pagat e ulëta. Pagat e larta do të kenë një rritje të moderuar”, – thekson Teliti.

“Në vitin 2012 parashikohet të ketë patur një rritje ekonomike reale rreth 1.5-2% që edhe pse jo në nivelet e programuara në fillim të viti është sërish pozitive duke pasur parasysh faktin se vendet e tjera të rajonit kishin ulje të rritjes ekonomike”, – deklaroi Teliti.
Sipas tij, ekonomia shqiptare duke qenë një ekonomi e vogël dhe në kushtet kur partnerët tanë kryesore Italia dhe Greqia nuk po përjetojnë një lulzëim ekonomik, por shumë problematika sa i takon menaxhimit të fondeve të tyre ka patur një ndikim të madh negativ në ekonominë shqiptare. “U hapën rreth 485 projekte në vitin 2012 dhe janë paguar të gjitha projektet që kanë prezantuar faturat në Drejtorinë e Thesarit. Investimet publike rezultuan me një realizim të lartë sidomos në infrastrukturë”, – deklaroi Teliti. Ai siguroi se të gjitha projektet e nisura një vit më parë do të përfundojnë brenda këtij viti. Ne besojmë, shprehet Teliti se do të ketë hapësira për të hapur projekte të reja edhe gjatë këtij viti.
Norma e rritjes së të ardhurave, theksoi ai, rezultoi 0.8%, ndërsa shpenzimet patën rritje të moderuar rreth 3-4 milionë lekë krahasuar me vitin 2011. Teliti vuri në dukje se deficiti buxhetor i vitit 2012 vlerësohet ë jetë 3.2% nga 3.5% që u parashikua në aktin normativ. Në 2013-ën, vijoi ai, parashikohet një deficit 3.5% të PBB-së, nivel i borxhit publik 62-63% të PBB-së, nga 61.7% që ishte në fund të vitit 2012.
“Ne mendojmë se menaxhimi i borxhit publik nuk është problem nga qeveria shqiptare, pasi problem do të ishte nëse ky borxh është i pariciklueshëm, pra nëse nga ana e individit, bankave apo institucioneve ndërkombëtare qeveria nuk do të shihej si e besueshme për të rishitur borxhin e tij. Kjo problematikë nuk ka ndodh. Të dhënat dhe ankandet e fundit rezultuan me një kërkesë më të lartë nga bankat dhe individët se sa kërkesa e shpallur e Ministrisë së Financave. Kjo tregon nivel të lartë besueshmërie ndaj bonove të thesarit dhe na bën të besojmë se nuk do të kemi probleme për menaxhimin e buxhetit dhe borxhit gjatë vitit 2013”, – deklaron Teliti.
Duke u ndalur në një ndër çështjet e debatuara së fundmi që ka të bëjë me garancitë që qeveria shqiptare ka dhënë për KESH-in për sigurimin e furnizimit me energji elektrike të qytetarëve gjë që çoi automatikisht në rritjen e borxhit publik, Teliti shpjegon se është mision i qeverisë jo vetëm menaxhimi i financave publike por edhe sigurimi i shërbimeve ndaj qytetarëve. “Dhënia e garancive për KESH-in për vitin 2013 na çoi të nxjerrim borxhin publik jashtë tavaneve buxhetore. Garancitë që qeveria jep për KESH-in janë të domosdoshme pasi përveç ruajtjes së financave publike, detyrë e qeverisë është edhe mirëqenia sociale. Qeveria ka detyrë të ofrojë dhe sigurojë shërbimet ndaj qytetarëve, ndaj ne e morëm këtë hap”, – thotë Teliti. Sipas tij, në total janë dhënë si garanci për KESH-in deri tani 9 miliardë lekë, ndërsa qeveria së fundmi ka autorizuar ministrin e Financave, përmes një vendimi, që të lëshojë si garanci për KESH-in edhe 4.3 miliardë lekë.
Teliti bëri të ditur se duke qenë se buxheti i vitit 2013 u hartua duke u bazuar në faktikun e 10-mujorit, ne besojmë se kemi bërë një buxhet realist. Kjo do të thotë, sipas tij, se gjatë këtij viti nuk do të lindë nevoja për shtrëngime të tjera buxhetore, por nëse do të ketë një performancë të mirë mund të ketë edhe një zgjerim të buxhetit.

 

 

             Shqipëri-Kosovë, METE nuk krijon hapësira për bashkëpunimin normal ekonomik

Kukeli: Bashkëpunimi duhet të fillojë në disa fusha, si sistemi fiskal, ku së pari duhet të hiqen tarifat doganore, por edhe në arsim, shëndetësi dhe bujqësi

Ervin Kaduku

 

Shqipëria dhe Kosova janë ende larg potencialit real sa u takon shkëmbimeve tregtare vlerësojnë ekspertë të ekonomisë dhe ministria e Ekonomisë duket se nuk ka krijuar hapësira reale për biznesin në të dy anët e këtij kufiri për të realizuar një bashkëpunim më se të natyrshëm dhe me leverdi shumë të madhe reciproke. Edhe pse dy shtetet ë të njëjtit komb dhe kufitare, janë larg potencialit real, por duhet të bashkëpunojnë duke nisur që me hartimin e strategjive të përbashkëta për të rritur bashkëpunimin ekonomik. Ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli deklaroi dje se bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve e sheh në strukturat e BE. Sipas tij, tashmë bashkëpunimi duhet të shihet në kuadër të Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë, CEFTA-s, por edhe me tej në marrjen e statusit të vendeve kandidate për anëtarësim në BE. Të gjitha këto, sipas Angjelit, janë dhe shinat e bashkëpunimit ekonomik. “Ajo që është thirrur sot bashkëpunim ekonomik ndjek një rrugë të përbashkët që ndjekin dy shtetet tona dhe nuk duhet parë asnjëherë jashtë kuadrit të proceseve integruese që dy vendet tona tashmë kanë filluar drejt BE-së. Në këtë këndvështrim unë besoj se proceset që kanë ndodhur me marrëveshjet e Tregtisë së Lirë, marrëveshjet e CEFTA-s dhe bashkëpunimin bilateral, plotësimin detyrimeve që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, apo nga statusi i pritshëm për vendin tonë dhe më vonë për Kosovën janë ato shina mbi të cilat duhet të eci një bashkëpunim real ekonomik midis dy vendeve tona”, – deklaron Angjeli.
Nga ana e tij, eksperti i ekonomisë Agim Kukeli thotë se bashkëpunimi duhet të fillojë në disa fusha si sistemin fiskal, ku së pari duhet të hiqen tarifat doganore, por edhe në arsim, shëndetësi dhe bujqësi. “Bashkëpunimi midis këtyre dy ekonomive, dy entiteteve, duhet të fillonte me hartimin e strategjive të të dy vendeve që mund të harmonizoheshin, shkëmbimin e grupeve të ekspertëve ku mund të fillonte menjëherë bashkëpunimi në fusha të tilla si arsim shëndetësi, hartimin e politikave fiskale sa i takon qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve, apo heqjen e një sërë tarifave dhe pastaj me harmonizimin e lejeve të biznesit”, – deklaron Kukeli.

Ndërsa drejtoresha ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Floreta Luli-Faber thotë se biznesi amerikan e ka vëmendjen për treg të gjerë rajonal, prej të cilit do të mund të përfitonin Shqipëria dhe Kosova. Duke e komentuar për Radio Kosovën takimin ndërmjet Dhomës Amerikane të Tregtisë së Shqipërisë dhe Dhomës Amerikane të Tregtisë së Kosovës, ajo tha se ky ishte një takim shumë interesant për nivelin e takimit dhe çështjet që u diskutuan. “Ky ishte një takim në nivelin e bordeve dhe u bë me iniciativën e Dhomës Amerikane të Tregtisë së Kosovës. Takimi u zhvillua në Shqipëri, duke pasur pikësynimin për të parë se çfarë në fakt mund të bashkëpunojmë më konkretisht midis dy vendeve”.
“Së pari, është menduar që ne të kemi mundësi të bëjmë ndoshta një formë studimi, i cili nga të dy anët e kufirit të mund të na thotë se cilat janë ato pika që e ndihmojnë më shumë bërjen biznes në të dy vendet, apo e zbehin, apo ka problematika në bërjen biznes ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe, pastaj gjithnjë e më shumë të flasim për mundësinë e investimeve të huaja, patjetër me fokus kryesor investimet amerikane, që do të vijnë mundësisht në rajon. Më tej, ne duke filluar ndërmjet këtyre dy vendeve, por edhe goxha më gjerë se kaq, pasi kemi filluar të flasim gjithnjë e më shumë për një takim ndërmjet “AmCham”-eve (Dhomave Amerikane të Tregtisë), të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, në mënyrë se si mund ta lehtësojmë ne ardhjen e investitorëve amerikanë apo investitorëve të tjerë të fuqishëm, të cilët këtë rajon e shohin gjithnjë e më shumë si një treg të madh dhe të tërin, duke mos u nisur nga vende që kanë 2 milionë, 3 milionë, 4 milionë banorë, por ta shohin të gjithin si një treg të madh. Flasim për kompani që janë mësuar të punojnë me tregje të mëdha, janë mësuar që të punojnë me të tillë mënyra. Kështu që, përse të mos i sjellim edhe ata në rajon!?”, – theksoi Floreta Luli-Faber.

Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës janë bërë objekt i diskutimeve në forume dhe tryeza të ndryshme, ku shqetësimi kryesor i artikuluar është ai i një bashkëpunimi jo në potencialin maksimal të tij. Shkëmbimet tregtare gjatë 11 mujorit të vitit të kaluar mes dy vendeve llogariten respektivisht, importet në 4.6 miliardë lekë dhe eksportet në 16.4 miliardë lekë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency