Kronika shkurt

0
144

policiaItali

Rrëfimi para gjykatës, Kapllani: E vrava gruan, se nuk duroja dot shkatërrimin e familjes

Burhan Kapllani rrëfen para gjykatës arsyet që e çuan drejt kryerjes së krimit të dyfishtë të pak ditëve më parë në Akuila të Italisë. “Nuk e pranoja dot shkatërrimin e familjes sime”. Ky ka qenë justifikimi i 48-vjeçarit, i cili ditën e enjte qëlloi në një qendër tregtare për vdekje ish-gruan Erjeta Boshti, 36 vjeçe, dhe të dashurin e saj, Shpëtim Hana, 39 vjeç. Pas krimit, 48-vjeçari kishte rënë në qetësi absolute, nën gjendje shoku për krimin që kishte kryer. Por, dje, gjatë seancës së masës së zhvilluar në ambientet e burgut “Costarelle”, Kapllani, baba i katër fëmijëve të mitur ka deklaruar gjithçka rreth motivit të krimit të rëndë. Para gjyqtarit Giuseppe Romano Gargarella, ai ka filluar të kujtojë dhe të shpjegojë gjithçka ndodhi atë ditë. Pranë ka pasur edhe avokatin e tij, Tommaso Colella. 48-vjeçari ka shpjeguar se ka qenë rastësisht në të njëjtën qendër tregtare kur ka takuar po “rastësisht” edhe ish-gruan dhe të dashurin e saj në parking. Teza e takimit rastësor nuk është besuar aspak nga hetuesit, ndërsa dyshohet se krimi ka qenë i parapërgatitur. Megjithatë, për këtë çështje mbeten ende të paqarta momenti i gjetjes së armës tip beretë të kalibrit 7.65 me të cilën kreu krimin e dyfishtë. Arma e krimit rezulton e vjedhur në vitin 2010 në një banesë të rrënuar nga tërmeti i vitit 2009. Policia bën me dije se dyshohet për vrasje me paramendim nga ana e Kapllanit, pasi e ka vrarë gjakftohtësisht brenda automjetit “Opel Zafira” ish-gruan dhe të dashurin e saj, ndërsa në automjet ndodhej dhe ish-vjehrra. “Nuk do t’i bëja kurrë keq ish-vjehrrës sime” ka deklaruar para gjykatësit 48-vjeçari, kur është pyetur mbi momentin e krimit. Ndërkohë që, përveç zbardhjes së krimit, një tjetër moment për familjet e viktimave është transporti i trupave të pajetë drejt Shqipërisë për ceremoninë mortore. Kushton 5 mijë euro dhe familja e Boshtit është duke mbledhur paratë e nevojshme për të mundësuar transportin e tyre drejt vendit të origjinës.

Tiranë

Pas shitjes së një makine, zënkë dhe të shtëna armësh

Një shitje makine është bërë shkak për nisjen e një përplasjeje mes dy personave, çka ka sjellë deri përdorimin e armës së zjarrit. Sipas burimeve të para, ngjarja ka ndodhur në afërsi të Rrugës së Durrësit, ndërsa personat e përfshirë në këtë ngjarje kanë qenë dy. Policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ka bërë me dije se dy persona janë konfliktuar me njëri-tjetrin pas shitjes së një makine, ndërkohë që në zënkë e sipër ata kanë qëlluar edhe me armë. Burime policore bëjnë me dije se nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency