KLSH-Prokurori, binom efikas kundër korrupsionit

0
151

Nga Laert Islami  

 

kontrolliStrategjia Ndërsektoriale e Parandalimit, Luftës kundër Korrupsionit dhe Qeverisjes Transparente 2008-2013 e qeverisë kërkon një bashkëpunim më të ngushtë të institucioneve kryesore që e luftojnë korrupsionin, të bazuar në angazhime të përbashkëta të institucionalizuara. Organi i Prokurorisë së Përgjithshme ka regjistruar procedimin penal dhe ka nisur këto ditë hetimet për disa raste të referuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në fund të muajit dhjetor 2012 dhe në fillimin e këtij muaji. Ai po zhvillon hetime për 32 zyrtarë të niveleve të ndryshme, të kallëzuar penalisht nga KLSH për vepra penale që lidhen me ushtrimin e funksioneve publike. Kjo ndihmon shumë në parandalimin e korrupsionit në administratën tonë shtetërore, pse më parë KLSH kallëzonte me pikatore dhe asgjë nuk ndodhte. Tani frika nga hapja e hetimeve në prokurori prej kallëzimeve të kontrollorit kryesor në administratën shtetërorë (KLSH-së) do t’i bëjë abuzuesit në shtet të mendohen dy herë, përpara se sa t’ia punojnë shtetit. Prokuroria dhe KLSH po arrijnë t’i kthejnë shpresën dhe besimin çdo shqiptari, por edhe organizmave e partnerëve ndërkombëtarë e institucioneve evropiane se edhe në Shqipëri mund të funksionojnë institucionet kushtetuese. Këto dy struktura sot po japin një model për çdo person politik apo jo politik, që vendoset, emërohet apo votohet në krye të institucioneve publike dhe përbëjnë shembull për të gjitha institucionet dhe pushtetet në Shqipëri, e në mënyrë të veçantë për atë të ekzekutivit, gjyqësorit dhe ligjvënësve. Ato po ndezin shpresën e qytetarëve. Një komshi më tha dje se kishte shumë probleme me pronën e tij, që s’po ia jepnin. “Do të shkoj të takoj Bujar Leskajn”, – m’u shpreh, “Thonë se ai i takon të gjithë”. Është kjo shpresë popullore që duhet të ushqehet, ky besim që duhet të rritet, që korrupsioni të zvogëlohet realisht. Kryeministri i vendit me të drejtë ka nisur betejën për një mandat tjetër qeverisës. Dhe motori kryesor i fushatës duhet të jetë lufta efikase kundër korrupsionit. Shumica që kryeson ai ka zgjedhur në këto dy poste jetësore për shtetin e së drejtës në Shqipëri, Bujar Leskajn dhe Adriatik Llallën. Prokuroria dhe KLSH duhet të mbështeten në vetën e parë nga Kryeministri, për përkushtimin e përgjegjshmërinë që po tregojnë në kontrollin e shpenzimeve të fondeve publike apo në spastrimin e radhëve të prokurorëve nga ata të paaftë apo të dyshuar për abuzime. Këto dy institucione, kështu si e kanë nisur, janë aleatët më me vlerë të Kryeministrit në luftën e tij me tolerancë zero ndaj korrupsionit e abuzimeve me pronën publike. Është në lojë besimi popullor që ky vend bëhet, nëse ky binom KLSH-Prokurori funksionon si duhet. “Frika e ruan vreshtin” thotë populli dhe nëse ky binom, me ndihmën dhe përkrahjen pa rezerva të ekzekutivit, çon përpara drejtësisë një aradhë të kalbur abuzuesish dhe të korruptuarish nga të gjitha nivelet, shteti do të duket dhe ndihet më shtet këtu tek ne. Le të marrim një shembull konkret. Shumica e shkeljeve, abuzimeve, lejeve te ndërtimit të dhëna në kundërshtimin me ligjin në qytetin e Sarandës, që sot pasqyrohen në raportet e KLSH-së, kanë qenë pjesë e çështjeve gjyqësore pambarim me pare. Shume prej vendimeve gjyqësore lënë për të dëshiruar, pasi më shumë iu ngjajnë vendimeve të mara nga një familje patriarkale, sesa nga një gjyqtar apo trupë gjyqësore profesionale. A mund të shpresojnë e të besojnë qytetarët e Sarandës në lidhje me veprimet e qëndrimet e gjyqtarëve dhe Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Sarandë, nëse këto çështje të ankimuara dhe referuara nga KLSH nuk rishqyrtohen ? Kurrsesi jo! Raportet dhe dosjet e kontrollit të KLSH-së në rrethet Sarandë, Përmet, Pogradec etj, të bëra publike kohët e fundit, pasqyrojnë jo vetëm dëmin e madh ekonomiko-financiar të shkaktuar Buxhetit të Shtetit nga abuzimet, por edhe elementë të pashembullt të korrupsionit. Konkluzionet e këtyre kontrolleve përbëjnë një denoncim e thirrje për klasën politike, opozitën, shumicën qeverisëse apo pjesëtarët e koalicionit, që të heqin dorë njëherë e mirë nga abuzimi e përfitimi, përlyerja apo mbrojta e militantëve dhe anëtarëve të formacioneve të tyre politike. Sot, më shumë se kurrë, jo vetëm nga politika, por nga gjithë opinioni qytetar, kërkohet jo vetëm distancimi nga veprimet abuziviste, por denoncim e mbështetje e organeve kompetente për të bërë parandalimin e ndëshkimin e tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency