Zbardhet inspektimi 10 personat që u liruan nga gjyqtarja

0
253

Elton Qyno

mirelaKLD: Rastet janë të qëllimshme, për uljen e dënimit

Mishgjoni u ndryshonte akuzat tregtarëve të drogës

 

Zbulohen dhjetë dosjet e abuzimit me detyrën të gjyqtares Mirela Mishgjoni, e cila dy ditë më parë u sulmua poshtë pallatit të saj me acid për dezinfektimin e banjave, duke i dëmtuar disa pjesë të fytyrës. Janë plot 10 çështje, në të cilat gjyqtarja Mishgjoni është kapur me shkelje nga ana e inspektorëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku si pasojë e këtyre shkeljeve, disa nga të pandehurit kanë arritur të përfitojnë lirinë, përfshirë këtu edhe një person që akuzohej nga prokuroria për grabitjen e 4 milionë dhrahmive në Vlorë. Disa nga të pandehurit që kanë përfituar nga parregullsitë në proceset gjyqësore të gjyqtares Mishgjoni, janë shtetasit Viron Qejvani, Haxhi Hoxha, Cuman Grabova, Veiz Veizaj, Dolor Kutulla e Zaho Memushi, si dhe katër të pandehur të tjerë emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur. Tërheq vëmendjen fakti që nga dhjetë vendime të marra, janë ankimuar në Gjykatën e Apelit Vlorë nëntë vendime dhe të gjitha ato janë prishur duke rindryshuar cilësimin ligjor në bazë të nenit 283 të Kodit Penal e duke caktuar dënimet në bazë të kësaj dispozite. Në të gjitha rastet, gjyqtarja Mishgjoni ka bërë kualifikimin e gabuar të veprave penale, ku në mënyrë të qëllimshme ajo më pas u ka dhënë mundësi të pandehurve për lirimin ose uljen e masës së dënimit në mënyrë të ndjeshme. Të tilla manovra janë bërë në dhjetë dosje, që Prokuroria e Vlorës kishte dërguar për gjykim në gjykatë për akuza të ndryshme, si: “Prodhim dhe tregtim të drogës”, “Grabitje me armë”, “Vjedhje” etj.

Zbardhet vendimi i KLD-së

Në vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë përmenden si veprime në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës një seri vendimesh gjyqësore, ku ka qenë gjyqtare edhe kërkuesja, që kanë të bëjnë me shkeljen e kërkesave procedurale për pushimin e çështjes penale, ndryshime të cilësimit ligjor të veprave penale me tendencë zbutje të dënimit për të gjykuarit të cilat, për natyrën e tyre dhe pasojat që kanë sjellë, trajtohen si veprime në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës. Janë dhënë dhjetë vendime gjyqësore për çështje penale duke ndryshuar padrejtësisht cilësimin ligjor të veprës nga ajo e mbajtjes, prodhimit e shitjes se lendeve narkotike (neni 283/1 i K. Penal), në atë të mbajtjes së pajisjeve për prodhimin e narkotikëve me tendencë zbutje dënimi. Rezulton se nga Mirela Mishgjoni dhe gjyqtarët Agim Hysi e Anila Tega, në 10 raste është vendosur ndryshimi i cilësimit ligjor të veprës, nga ajo e prodhimit, mbajtjes, ofrimit për shitje, shpërndarja me çdo mënyrë e çdo lloj droge narkotike ose substancë psikotrope parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal, në atë të mbajtjes së substancave që përdoren për prodhimin e drogës narkotike e substancave psikotrope parashikuar nga neni 285 i Kodit Penal. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për këto raste, ka arritur në përfundimin se janë bërë me qëllim për të dhënë masa të ulëta dënimi ndaj personave të gjykuar, duke patur parasysh se dënimi për veprat penale të parashikuara nga neni 283 i Kodit Penal është me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet, ndërsa për veprat penale të parashikuara nga neni 285 i Kodit Penal, është nga tre gjer në dhjetë vjet. Rastet e mësipërme vërehen në vendimin nr. 120, datë 30.5.2001 për të pandehurin Haxhi Hoxha, nr. 183, datë 26.6.2001 për të pandehurin Cuman Grabova, nr. 151, datë 6.7.2001 për të pandehurin Veiz Veizaj, nr. 171, datë 26.7.2001 për të pandehurit Dolor Kutulla e Zaho Memushi etj. Tërheq vëmendjen fakti që nga dhjetë vendime të marra si më sipër, janë ankimuar në Gjykatën e Apelit Vlorë, 9 vendime dhe të gjitha ato janë prishur duke rindryshuar cilësimin ligjor në bazë të nenit 283 të Kodit Penal e duke caktuar dënimet në bazë të kësaj dispozite.

Gjyqtarja refuzoi KLD-në

Për rreth katër herë me radhë Mirela Mishgjoni nuk është paraqitur në KLD, megjithëse kjo e fundit e njoftonte rregullisht. Më datën 14.7.2002, ajo i dërgon një shkresë KLD-së, ku shprehet: “Më 13.7.2002 mora dijeni për shqyrtimin e procedimit disiplinor me datën 15.7.2002. Për shkak të gjendjes shëndetësore, sikurse dhe në mbledhjen e mëparshme, nuk mund të jem e pranishme në mbledhje”, dhe ka dërguar raportin mjekësor të datës 13.7.2002, me të cilin i jepej pushim deri më datën 16.7.2002. I ndodhur përpara këtij qëndrimi, që sa herë që ankuesja merrte njoftim për datën e mbledhjes së KLD-së ajo paraqiste raport, pa iu përgjigjur faktit që nëse nuk ishte në gjendje vetë të përfaqësohej me avokat, KLD-ja ka shqyrtuar çështjen dhe vendosi shkarkimin e saj nga detyra unanimisht. Duke iu referuar fakteve të mësipërme, mbetet i papranueshëm pretendimi i ankueses Mirela Mishgjoni se ndodhemi para një procesi të parregullt ligjor, sepse ajo nuk është dëgjuar para se të vendosej marrja e masës disiplinore. Konkretisht procesi i zgjidhjes së çështjes është bërë në pajtim me kërkesat ligjore. Është e qartë se KLD-ja duhet të marrë vendimet pasi të ketë dëgjuar personin, pretendimet e tij e t’i verifikojë ato. Por, është e kuptueshme se këto kërkesa zbatohen kur gjyqtari për të cilin pretendohet se ka kryer shkeljen, është edhe vetë i interesuar për të realizuar të drejtat e tij e jo t’u shmanget atyre në mënyra të ndryshme. KLD-ja ka zbatuar të gjitha kërkesat ligjore dhe për disa muaj, pasi ka respektuar procedurat e njoftimit, i ka kërkuar ankueses që të paraqitej për shqyrtimin e çështjes, por ajo, duke gjetur rrugën e marrjes së raporteve mjekësore, nuk i ka dhënë mundësinë KLD-së që ta dëgjonte para se të merrte vendimin për shkarkimin e saj nga detyra e gjyqtares.

 

Mishgjoni del nga spitali

Policia e Vlorës shoqëron 20 persona

pritet ballafaqimi i fotove me gjyqtaren

 

Gjyqtarja Mirela Mishgjoni ka lënë ambientet e spitalit të Vlorës, duke u rikthyer në banesën e saj, ku dhe do ndiqet nga bluzat e bardha gjatë qëndrimit në të. Sipas mjekëve, gjendja e gjyqtares nuk shfaq rrezikshmëri dhe se aktualisht problem mbetet vetëm syri i saj i majtë dhe pjesa e buzës së sipërme, që lidh gojën me hundën. Ndërkohë që lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia e Vlorës ka shoqëruar rreth 20 persona të cilët dyshohet se janë agresorët e gjyqtares Mirela Mishgjoni. Personat e shoqëruar gjatë marrjes në pyetje kanë deklaruar se nuk kanë gisht në ngjarje, ndërkohë secilit prej tyre u është bërë fotografi me qëllim ballafaqimin e saj me gjyqtaren e dëmtuar në incidentin e djeshëm. Burime pranë, policisë janë shprehur se kanë ngritur dyshime për një person por që nuk kanë marrë, ende konfirmimin nga gjyqtarja Mishgjoni nëse i ndaluari është personi që i hodhi acid gjyqtares apo jo. Pritet që pas përmirësimit të gjendjes dhe shikimit, gjyqtarja do të njihet me fotografitë e personave të shoqëruar nga ku do të tregojë nëse ndonjëri prej tyre është autori i spërkatjes me acid ose jo. Gjatë këtyre 24 orëve, policia e Vlorës ka bërë një sërë verifikimesh, duke kaluar në skaner edhe dosjet e fundit që ka shqyrtuar gjyqtarja e dëmtuar.

 

Emrat e të pandehurve

  1. Viron Qejvani
  2. Haxhi Hoxha
  3. Cuman Grabova
  4. Veiz Veizaj
  5. Dolor Kutulla
  6. Zaho Memushi
  7. Dhe katër të tjerë

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency