Përjashtime dhe blerje, Partizani bën pak nga të gjitha

0
140

Altin Vorpsi

 

partixzaniPartizani do të forcojë “ekstremitet”

Lika përjashton një futbollist

 

Në këto ditë merkatoje kur të gjitha klubet duhet që të “arnojnë” skuadrat e tyre, shumë pak lojtarë po lëvizin. Mundësitë financiare janë të vogla, kështu që ekipet e Superiores po mendohen mirë para se të nënshkruajnë me lojtarë të rinj. Një gjë e tillë nuk mund të themi për Partizanin. Me objektivin e qartë për t’u ngjitur aty ku ka vendin skuadra “e kuqe” po bën gjërat si duhet… më në fund.

 

Portier i ri

Një nga problemet që ka shoqëruar ekipin e Partizanit gjatë kësaj faze të parë, është ai i portierit. Deri më tani “të kuqtë” nuk kishin një numër një të vendosur. Që dje mendohet se gjithçka ka marrë fund. Nga Serbia ka ardhur Zlatan Adroviç. 29-vjeçari i cili ka lindur në Beograd dhe është 1.93 i gjatë, ka qenë i pranishëm në stërvitjen e djeshme të “të kuqve”, duke zhvilluar edhe stërvitjen e parë nën urdhrat e drejtorit teknik Hasan Lika. Burime pranë klubit kanë bërë me dije se me serbin është arritur një akord paraprak dhe se ai do të jetë disa ditë në provë, ku do të vëzhgohet nga afër nga trajneri i portierëve Perlat Musta. Do të jetë ky i fundit që do të vendosë përfundimisht për “gardianin” nëse ai do të qëndrojë apo do të largohet nga të kuqtë.

 

Ofensiva për një sulmues

Humbja me Kukësin në miqësore ka ndihmuar drejtuesit e Partizanit që të dallojnë pikat më të dobëta të skuadrës. Kështu, pas këtij takimi, vetëm mbrojtja dhe mesfusha duken se janë repartet më të kompletuara. Për shembull sulmi është ende i paplotësuar, edhe pse ditët e fundit është marrë Malo. Për këtë arsye, drejtuesit po kërkojnë një tjetër lojtar të fortë për këtë pozicion, i cili mund të afrohet në orët e fundit të merkatos dimërore.

 

Lika përjashton Agollin

Ditën e djeshme, bordit drejtues të Partizanit iu desh të mrete një vendim të rëndë. Mesfushori Jurgen Agolli, pas përplasjeve që pati me drejtorin teknik Hasan Lika gjatë ndeshjes miqësore me Kukësin, e cila u luajt dy ditë më parë, nuk është më pjesë e Partizanit. Lika i kërkoi lojtarit të vazhdonte nxemjen, pasi do të futej në fushë, por ky i fundit nuk ka pranuar ta bëjë një gjë të tillë, duke u shprehur se kishte 30 minuta që priste të aktivizohej. Debati mes palëve shkoi edhe më tej, kur lojtari nuk pranoi të hynte në fushë, edhe pse situatën tentoi ta qetësonte presidenti Lulëzim Sallaku. Agolli u largua në mënyrë demonstrative nga fusha e kompleksit “Dinamo” dhe një gjë e tillë duket se nuk është lejuar nga ana e klubit. Në një deklaratë zyrtare për mediat, zyra e shtypit pranë Partizanit ka bërë me dije edhe vendimin e marrë. “Veprimi i futbollistit Jurgen Agolli bie në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe parimet e skuadrës së Partizanit, që do të jetë një ekip model. Askush nuk mund të prishë imazhin e këtij ekipi, i cili ka tifozë në të gjithë vendin. Veprimi i Agollit bie në kundërshtim me parimet e klubit, ndaj edhe bordi drejtues ka vendosur që ai të përjashtohet përfundimisht nga skuadra e Partizanit”, – lexohet në deklaratën e zyrës së shtypit. Në ditët në vazhdim, lojtarit pritet t’i jepet edhe lejekalimi për të vazhduar karrierën e tij në një tjetër skuadër.

 

 

 

Renditja e FIFA-s

Shqipëria nuk fiton asnjë vend

Renditja botërore për muajin dhjetor të vitit 2012 nuk sjell asnjë ndryshim për kombëtaren shqiptare. Në klasifikimin mujor të FIFA-s, kuqezinjtë e drejtuar nga De Biazi ruajnë vendin e 63-të, kjo edhe për faktin se në muajin e fundit të vitit të kaluar nuk kanë zhvilluar asnjë ndeshje. Por nëse kuqezinjtë nuk kanë luajtur nga vendi, nuk ka ndodhur e njëjta gjë për disa nga skuadrat e grupit E eliminator të kampionatit botëror, grup në të cilin është edhe Shqipëria. Kështu, Zvicra, skuadra më e mirë e grupit, ka lëvizur një pozicion në renditje, duke ndërruar vend me Bregun e Fildishtë. Helvetët kanë zbritur nga vendi i 13-të në të 14-in, për faktin se afrikanët kanë qenë aktivë me miqësore gjatë kësaj periudhe. Nuk ka lëvizur nga pozicioni i 26 Norvegjia, ndërsa zbritje në klasifikim pëson Sllovenia, plot 14 pozicione, duke u renditur në vendin e 49-të. Por nëse skuadrat kryesore të grupit kanë pësuar rënie, nuk ndodh kështu me Islandën që rikuperon një pozicion në renditjen e FIFA-s, duke u pozicionuar në vendin e 96-të. Plot 20 pozicione ka humbur Qiproja, që rrëshqet shumë poshtë në vendin e 127-të. Nuk ka ndryshim klasifikimi botëror në 10 vendet e para, me Spanjën që udhëheq, duke u ndjekur nga Gjermania dhe Argjentina.

 

Vendimi

Gjykata e Drejtësisë Federale në Itali rihap Serinë A

Gjykata e Drejtësisë Federale ka pranuar apelin e Napolit dhe ka anuluar penalizimin prej dy pikësh që Komisioni i Disiplinës i Federatës Italiane të Futbollit i kishte dhënë ekipit të Maxarrit për përgjegjësi në skandalin e basteve. Napoli ishte dënuar për ndeshjen Sampdoria-Napoli të vitit 2010. Tashmë, skuadra “e kaltër” ngjitet në vendin e dytë me 42 pikë, po aq sa edhe Lacio, duke iu afruar në -3 pikë Juventusit të vendit të parë. Gjithashtu, i është hequr dënimi mbrojtësve të Napolit, Kanavaro dhe Grava, ndërsa portierit Xhanelo iu ul dënimi në 21 muaj. Në shkallën e parë, Kanavaro dhe Grava ishin dënuar me 6 muaj pezullim nga fushat e futbollit.

 

Bajerni i Mynihut

Rumenige: Pep po mëson gjermanishten ne Nju Jork

Pep Guardiola nuk do të kthehet në hijen e Jup Hejnkesit deri në fund të këtij sezoni. Trajneri katalanas do të qëndrojë në Nju Jork për aq kohë sa në krye të skuadrës do të qëndrojë tekniku gjerman. Lajmin e bën të ditur shefi ekzekutiv i klubit bavarez, Karl Hajnc Rumenige, i cili hedh poshtë zërat për mundësinë e një përplasjeje brenda skuadrës. “Përgënjeshtroj plotësisht zërat për mbërritjen e tij në Mynih të premten. Guardiola do të qëndrojë në Nju Jork për të perfeksionuar gjermanishten. Gjithashtu, ai nuk dëshiron të ndërhyjë në punën e Hejnkesit. Jam i bindur që kur të mbërrijë në 1 korrik, nuk do ta ketë më problemin e gjuhës”, – tha “Kalle” Rumenige. Në vijim të deklaratës për shtyp, Rumenige konfirmoi se Guardiola do të marrë me vete në Mynih edhe dy asistentë dhe shtoi se firma e tij me gjigantët e Bavarisë nuk lidhet me pagën. “Nëse do të bëhej fjalë për çështje ekonomike, nuk do të kishte firmosur për ne. Ai bëri një zgjedhje të menduar, sepse shoqëria jonë është shumë afër konceptit të tij për futbollin”, – vijoi ish-sulmuesi i Bajernit. Një koment në lidhje me emërimin e Guardiolës bëri edhe kapiteni Filip Lam: “Fakti se zgjodhi të merrte drejtimin e skuadrës sonë konfirmon cilësitë që kemi. Është një trajner i ri, me një të ardhme të madhe përpara”. Guardiola do ta drejtojë zyrtarisht skuadrën në fazën përgatitore të Trentinos në Itali, ku skuadra gjermane do të akomodohet në lokalitetin turistik Riva del Garda. Bajern i Mynihut i zhvillon përgatitjet verore në këtë lokalitet që prej epokës së Luis van Galit, duke vazhduar më pas edhe me trajnerin Jup Hejnkes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency