Ministri Olldashi prezanton në Vlorë projektin e Unazës së Re

0
127

Ervin Kaduku

 

olldashiËshtë prezantuar dje në Vlorë, në prani të ministrit të Transportit Sokol Olldashi, projekt i by-pass-it, i cili anashkalon në tërë gjatësinë qytetin e Vlorës. Ky projekt për herë të parë është publikuar në gazetën “Standard” për publikun shqiptar.

Ai prek Vlorën, Ujin e Ftohtë, Kaninën, Babicën dhe Radhimën. Gjurma është studiuar në bazë të projekteve më të mira të inxhinierëve me emër dhe është projektuar mbi gjurmën më të mirë e me pamje nga deti, që kalon në të gjitha kodrat e Vlorës dhe komunave rreth saj.

By-pass-i fillon që në hyrje të Vlorës, ku përfundon autostrada Fier – Vlorë dhe kalon në kodrat rreth Vlorës në Babicë, në cep të varrezave të qytetit, vazhdon mbi spital, del në Kaninë, në Tragjas dhe përfundon në urën e Orikumit. I gjithë projekti është parashikuar të shtrihet në 29 km rrugë me një pamje të mrekullueshme.

Në takim, veç ministrit Olldashi, ndodheshin prefekti i Vlorës, sekretari i qarkut dhe përfaqësues të komunave dhe bashkive që preken nga ky projekt. Në fjalën e tij, Olldashi tha se me këtë projekt madhor ne anashkalojmë trafikun nëpër Vlorë dhe të gjithë vijën bregdetare, e cila në verë mbingarkohet nga trafiku i automjeteve .

 

Ndërtimi

 

“Pas autostradës Fier – Levan, që e lidh me atë Levan – Vlorë, ne së shpejti do të fillojmë punimet edhe për by-pass-in e vogël, që lidh fundin e autostradës dhe lidhim autostradën me rrugën transballkanike”, – deklaroi ministri. Ai vuri në dukje se BE do të japë 63 milionë euro për ta realizuar këtë vepër infrastrukturore mbi kodrat e Vlorës.

Gjithashtu, është prezantuar me pamje vizive dhe grafike çdo detaj i gjurmës, ku do të kalojë rruga, e cila është e gjatë 29 km, me 2 korsi secila nga 2.73 metra dhe herë-herë, ku ka zona malore, me tri korsi. Në të përfshihen gjithashtu 6 ura, të cilat variojnë nga 20, deri 30 metra, me mure mbajtëse betoni mbi Kaninë. Gërmimet në total do të jenë 1.8 milion metra kub, nga të cilat 1.3 milionë do të jenë në shkëmb e do të përdoren për bazamentin.

Kostoja e rrugës është 2.1 milionë euro për kilometër dhe ajo zgjidh përfundimisht trafikun në verë. Nga momenti i fillimit, do të duhen 2 vjet e gjysmë deri në përfundim të punimeve.

Firma projektuese është një nga kompanitë më prestigjioze në vend E-GISS, e cila ka projektuar edhe Kalimashin, Qafë-Thanën, Pogradecin etj.

Për këtë by-pass është punuar 20 muaj për konsultim e projektim.

 

 

Nis puna për rrugën Kukës – Shishtavec

Ervin Kaduku

 

Ka nisur puna për hapjen e aksit rrugor Kukës – Shishtavec, i bllokuar prej afro një muaji si rrjedhojë e rrëshqitjes së një sasie të madhe shkëmbinjsh e dherash nga skarpatet anësore në trasenë e rrugës në një gjatësi prej afro 200 metrash të rrugës. Sipas inxhinierit që drejton punimet, Konstandin Nakollari, “i gjithë procesi që do të çojë në rihapjen e rrugës do të zgjasë më tepër se një muaj, pasi volumi i punimeve është i madh”.
“Nga kompania që ka marrë përsipër rihapjen e këtij segmenti rrugor do të kryhet jo vetëm largimi i dherave e gurëve të rënë në trasenë e rrugës, por edhe rindërtimi i trasesë qe do mundësojë qarkullimin e lirshëm të automjeteve”, – thotë Nakollari. Të gjitha punimet po kryhen përmes fondit të akorduar nga Ministria e Brendshme.
Fillimi i punimeve është mirëpritur nga banorët e komunave të Shishtavecit dhe Topojanit që qëndronin të izoluar prej afro një muaji. “Kërkojmë përshpejtimin e ritmeve të punës, pasi transporti po na rëndon shumë në xhepa”, – tregon Remzi Bala nga fshati Shishtavec. Ai tregon se bileta vajtje- ardhje nga qyteti në fshati dhe anasjelltas është dyfishuar, veç rrezikut që është vazhdimisht i pranishëm në lëvizjen përmes një tuneli, i ngritur për tubat e hidrocentralit që po ndërtohet aty pranë.
Rruga Kukës – Shishtavec u dëmtua rëndë si rrjedhojë e rënies së dherave e gurëve në afërsi të fshatit Nimcë, rreth një muaj më parë. Kjo erdhi si rrjedhojë e punimeve që po kryhen për ndërtimin e një hidrocentrali të vogël, duke i detyruar banorët e dy komunave të lëvizin nga një tunel që është një kanal i ngritur për tubacionet e grumbullimit të ujit që shfrytëzohet nga një hidrocentral që është në ndërtim.

 

Fullani: Politikat, të orientuara drejt stabilitetit financiar

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka dhënë opinione e këndvështrime për krizën dhe të ardhmen në Evropë, gjatë fjalës që ai ka mbajtur në simpoziumin e ekonomistëve Kinë-Evropë.
Sipas Fullanit, Evropa dhe BE-ja ofrojnë një mjedis të pjekur ligjor, ku ka mbrojtje të duhur për investitorët dhe për pronësinë intelektuale. “Politikat makroekonomike mbeten të orientuara ndaj stabilitetit dhe sistemi i saj financiar është i pjekur dhe i shëndoshë”, – është shprehur Fullani. Ai veçoi gjatë fjalës së tij rëndësinë e investimeve të huaja në vendet joanëtare të Eurozonës, por që janë vende kandidate potenciale për t’u anëtarësuar në BE, siç është edhe Shqipëria. Në këtë kuadër, guvernatori Fullani e cilësoi si mjaft të rëndësishme nxitjen e pjesëmarrjes së institucioneve financiare kineze në sektorin bankar shqiptar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency