Berisha: Fronti i Ramës, “fundërrina bashkohuni kundër PD-së”, e ka vendin në Lanë

0
140

Ina Jano

berishaTakimi me krerët e rretheve, Kryeministri: Derë më derë për fitoren e 23 qershorit
Anëtarësimi në NATO dhe lëvizja e lirë, Berisha: Arritjet më të mëdha në vend falë PD-së

 

Në vijim të strategjisë elektorale që është duke u përgatitur për zgjedhjet e qershorit, Kryeministri Berisha mblodhi dje kryetarët e Partisë Demokratike në rrethe dhe krerët e grupseksioneve të Tiranës. Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratikëve, duke u shprehur për kundërshtarët e tij, ironizoi duke thënë se fronti i mbledhur nga ana e socialistëve, realisht e ka vendin në Lanë. Në takimin me kryetarët e rretheve zoti Berisha e përmendi disa herë togfjalëshin “fundërrina të të gjitha llojeve bashkohuni për të fituar kundër Sali Berishës” si moto dhe thirrje që opozita bën për koalicionin e saj. Sipas numrit një të qeverisë, PD ashtu si edhe herët e tjera do të ofrojë vetëm vlera përpara çdo qytetari shqiptar, ndërsa për fundërrinat vendi është në Lanë. “Le të bashkohen të gjithë fundërrinat, por ju jap fjalën e nderit, në mënyrën më solemne, i përgatitur me gjithë shpirt, për fushatën më të bukur. Për fundërrinat përveç Lanës, vend tjetër nuk mund të kesh. Zgjedhja është e tyre. Por të dalësh me moton: Fundërrina bashkohuni, të mundim Berishën, kjo është dëshmia e dështimit total, kjo është thirrja e njeriut që ka humbur çdo shpresë, e njeriut që ka për shtrojë e mbulojë disfatat e njëpasnjëshme dhe pastaj dëgjon thirrjen: Fundërrina bashkohuni për të fituar kundër Sali Berishës”, – tha Kryeministri. Gjithashtu numri një i qeverisë, duke folur për reagimin e qytetarëve në këto zgjedhje, tha se të gjithë, edhe socialistët, nuk donin që integrimi të pengohej, por PS-ja ka vendosur të bëjë muratorin e bllokimit. “Nuk ka sot qytetar më të zhgënjyer se ata, të cilët katër vjet më parë votuan për PS-në, sepse pas 22 vitesh pluralizëm e shohin atë sërish bllokuese, e shohin në rolin e muratorit fatkeq që lartëson murin e bllokimit, në kundërshtim flagrant me aspiratat e socialistëve shqiptarë, në kundërshtim flagrant me aspiratat e mbarë shqiptarëve”, – u shpreh Berisha. Ai uroi që fitorja e 23 qershorit të jetë si ajo e 22 marsit dhe Kryeministri tha se këto do të jenë dy data binjake në historinë e Partisë Demokratike.

Porositë

Takimi i djeshëm në selinë e PD-së duket se do të sjellë edhe një organizim të gjerë në bazë. Drejtuesit e degëve në rrethe morën udhëzime të qarta nga ana e kreut demokrat në lidhje me veprimet e para që do të ndërmerren në muajt e parë të organizimit të fushatës, ndërkohë që në kohën zyrtare të fushatës, nuk përjashtohet dërgimi i figurave të larta të partisë në bazë për të drejtuar shtabet elektorale. Gjithsesi, Kryeministri tha se një nga mënyrat për të ndërgjegjësuar qytetarët për të votuar do të jetë ajo e të trokiturit derë më derë për të paraqitur programin për të bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar. Ai nënvizoi se nuk do të duhet që të mbizotërojë vetëkënaqësia, por në të njëjtën kohë edhe të kontrollohet çdo rezultat i punës për të pasur qëndrueshmëri. “Kjo votë meritohet atëherë kur ne, në mënyrën më të vendosur, më të njerëzishme, më eficente, më reale, të kemi trokitur në çdo zemër, në çdo derë, në çdo vatër shqiptare, kur në punën tonë të kemi kthjelluar dhe të largojmë çdo akt ineficence. Të mos pranojmë kurrë të vetëmashtrohemi, të kontrollojmë çdo rezultat të punës, në mënyrë që ajo të jetë e qëndrueshme”, – theksoi Berisha. Ai nënvizoi se edhe militantët duhet që të distancohen edhe nga çdo akt që është ineficent dhe nuk duhet të vetëmashtrohen.

Arritjet

Duke u ndalur në analizën e këtyre viteve në qeverisje, udhëheqësi demokrat tha se anëtarësimi në NATO dhe lëvizja e lirë mbeten arritjet më të mëdha të PD-së. “Kjo parti është faktuar në mënyrë të përsëritur para shqiptarëve se ajo disponon të gjithë potencialin kombëtar të integrimit të vendit në familjen euroatlantike. “Ne, në 22 vite, nuk i kemi zënë rrugën askujt që të bëjë detyrat e veta në procesin e integrimit, por historia është kjo: Është Partia Demokratike që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Evropës, është Partia Demokratike që firmosi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në, pas marrëveshjes së tregtisë me BE-në. Është Partia Demokratike që mori ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Është Partia Demokratike që anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Është PD në pushtet bashkë me aleatët e vet, ajo që bëri të mundur lëvizjen e lirë të shqiptarëve në mbarë Evropën”, – vlerësoi Kryeministri në takimin me drejtuesit e rretheve. Ai pohoi se në këta 7 vjet vendi ka ndryshuar më shumë se në çdo periudhë tjetër, duke kaluar në një vend me të ardhura të mesme. Ai nuk la jashtë fjalës së tij edhe përmirësimet dhe ndryshimet rrënjësore në infrastrukturë, në shëndetësi, arsim, por edhe në fushën e shërbimeve. Një pikë kyçe në komunikimin e Berishës zuri edhe fakti që Shqipëria nuk ra në recension dhe në ndryshim nga vendet e Evropës ajo pati një rritje ekonomike 4 herë më të lartë se vendet e rajonit. “Gjithçka që është realizuar, ka në themel, para së gjithash, mundin e djersën e qytetarëve shqiptarë. Edhe ata, të cilët përpiqen të errësojnë këto suksese, shkelmojnë kontributin e çdo qytetari. Natyrisht, të gjitha këto arritje janë edhe rezultat i suksesit të reformave të thella që ndërmori kjo qeveri dhe i guximit të madh që u tregua për ndërmarrjen e këtyre reformave, i besimit të palëkundur të qeverisë, të Partisë Demokratike, të mazhorancës tek liria e potencialet e saj të jashtëzakonshme. Kjo është baza mbi të cilën ne kemi nisur e vazhdojmë betejën tonë elektorale, betejën e fitores”, – përfundoi numri një i mazhorancës. Duke shprehur besim për vendosmërinë si dhe përkushtimin e të zgjedhurve në rrethe, lideri i PD-së tha se në këto zgjedhje forca që ata përfaqësojnë do të jetë fituese.

 

Kryeministri: Greqia, përpjekje pozitive për të dalë nga kriza

Kreu i qeverisë pati dje një takim me ambasadorin e ri të Greqisë, Leonidas C. Rokanas. Kryeministri, në emër të qeverisë shqiptare, i përcolli qeverisë greke dhe kombit grek urimet më të mira, jo vetëm për kapërcimin me sukses të këtyre vështirësive, por edhe për zhvillimin dhe modernizimin e mëtejshëm të vendit. Ambasadori e siguroi zotin Berisha se Greqia mbështet dhe do të vijojë të mbështesë fuqishëm qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për anëtarësimin sa më të shpejtë në BE dhe se ambasada greke në Shqipëri dhe ai personalisht mbeten të gatshëm për të kontribuar në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe të bashkëpunimit të suksesshëm dhe të frytshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë për të dy popujt. Ai u shpreh se Greqia i qëndron fuqishëm projektit të njohur si axhenda 2014, i cili konsiston në bashkëpunimin dhe mbështetjen e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për të ecur përpara me shpejtësi drejt anëtarësimit në BE. Takim me kreun e ri të diplomacisë greke pati edhe kryetarja e Parlamentit zonja Jozefina Topalli. Zoti Rokanis, një nga ekspertët e çështjeve BE-së dhe ofroi gatishmërinë e plotë në mbështetjen e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Kryetarja e Kuvendit, duke i uruar ambasadorit Rokanas shumë suksese në detyrën e re, theksoi se mënyra më e mirë për forcimin e marrëdhënieve mes vendeve është shkëmbimi i vizitave për të prekur nga afër realitetin.

 

Berisha përshëndet me portretin e tij 360 mijë miqtë në Facebook

Kryeministri i vendit, Berisha, ka vendosur që me anë të një postimi të përshëndesë dhe të falënderojë në të njëjtën kohë të gjithë miqtë e tij, jo të paktë në numër në faqen e tij zyrtare në Facebook. Me një mënyrë tejet origjinale, një prej fansave të kryetarit demokrat ka realizuar portretin e zotit Berisha. Është pikërisht ky portret të cilën kreu i qeverisë e ka postuar mesditën e djeshme, bashkë me një falënderim të përzemërt jo vetëm për 360 mijë fansat në Facebook, por edhe për të gjithë fansat që flasin për të. Fotos Kryeministri i ka bashkangjitur këtë tekst, ku shpjegon dhe mënyrën e realizimit të portretit të tij: “Të dashur miq! Sot ne u bëmë 360 mijë në FB tonë, rrjetin social me rritjen më të shpejtë, komunikimin më intensiv me rreth 2 milionë shikues në jave dhe me 12.9 milionë miq të miqve tanë në mbarë botën. Për t’ju përshëndetur ju, me mirënjohjen me të thellë, për suksesin e rrjetit tonë përzgjodha njërin prej jush, z. Gledi Disha, që ka hedhur në Youtube videon në të cilën ai, duke dëgjuar himnin tonë “Shqipëria po ndryshon”, realizon me një talent të veçantë portretin tim. Faleminderit Gledis! Faleminderit të gjithëve ju, miq të dashur!”

 

Përgjigjja, Malltezi: S’ka konflikt interesi, investimi i Ansar, privat

Akuzat e PS-së kanë marrë dje një tjetër përgjigje nga vajza e Kryeministrit. Me anë të një deklarate të posaçme ajo ka nënvizuar se investimi i biznesmenit Ansar ishte tërësisht privat dhe kështu që në këtë pikë nuk ka asnjë konflikt interesi. Zonja Malltezi sqaron se prona që do të përdorej për investimin ishte tokë private. “Z. Rama, bëhesh qesharak kur kërkon t’i shpëtosh transparencës publike duke krahasuar veprimtarinë time legjitime avokatore private me vendim-marrjen tënde publike. Çdo shqiptar e di se midis tarifave të mia avokatore të vendosura sipas ligjit mbi avokatinë dhe denoncimeve për gjobë vënie në pozicionin e kryetarit të bashkisë nuk ka asgjë të përbashkët. Biznesmeni në fjalë, si dhe çdo aktivitet tjetër në të cilin jam angazhuar, ka qenë mbi investime me fonde private dhe jo me fonde shtetërore; toka e ofruar ka qenë private dhe pronari sigurisht që e vendos vetë çmimin sipas tregut. Të gjitha të ardhurat e mia janë të deklaruara, transparente dhe të tatuara konform ligjeve në fuqi”, – shprehet zonja Malltezi. Ajo deklaron se mungesa e vizionit politik të zotit Rama e rrëzon çdo ditë në llumin e shpifjeve dhe sulmeve të rëndomta. Sipas saj riciklimi i përsëritur i tyre pas katër vitesh do ta çojë kreun e PS-së në të njëjtin përfundim, humbjen, të cilën nuk ka ditur kurrë ta përballojë me dinjitet. “Në përpjekjet e tij për të mbuluar shkeljet flagrante të ligjit, me vendimet e marra në konflikt interesi për lëshimin e lejes së ndërtimit të pallatit 5-katësh të bashkëshortes së tij Lindita Basha, leje të lëshuara në kundërshtim me nenin 62 te ligjit “Për urbanistikën” për një ndërtim në një shesh midis pallateve, me qëllim për të zhurmuar deklaratat e ndërtuesve të Tiranës të cilët haptas e kanë akuzuar se u ka kërkuar miliona euro në shkëmbim të vendimmarrjes së tij publike për lëshimin e lejeve të ndërtimit, z. Rama ka lëshuar arsenalin e tij me shpifje dhe spekulime ndaj aktivitetit tim privat avokator të 6 viteve më parë”, – përfundon deklarata e vajzës së Kryeministrit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency