Ben Blushi: Statusi në pranverë? Do të negociojmë me PD-në pas 23 qershorit

0
145

 

ben blushiAnëtari i kryesisë së PS-së: Bashkim me Kosovën, por me një Shqipëri ndryshe

Anëtari i kryesisë së PS-së, Ben Blushi, deklaron se vetëm pas zgjedhjeve të 23 qershorit do të rinisin negociatat me Partinë Demokratike lidhur me mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. I ftuar në emisionin “Bugajski Hour” në “AS”, Blushi e cilësoi si të pamundur marrjen e statusit në pranverën e këtij viti. Nga ana tjetër, deputeti socialist flet në intervistë lidhur me fushatën elektorale, koalicionet e mundshme për këto zgjedhje, si edhe shpreh qëndrimin e tij lidhur me situatën në rajon.

 

Meqë po flasim për qeverinë dhe opozitën, zyrtarët evropianë të krahëve të ndryshëm politikë i kanë akuzuar të dyja palët, disa herë se merren me politika përçarëse, të polarizuara; për bllokimin e legjislacionit, për bërjen e politikës së rrugës, që mund të minojë stabiliteti në vend. Duhet të presim konflikte të tilla, një paqëndrueshmëri të tillë para zgjedhjeve?

Jo. Kemi arritur në fazën ku qëllimi ynë është një proces më paqësor. Para zgjedhjeve do përpiqemi të qetësojmë ethet elektorale, të promovojmë një proces zgjedhor paqësor dhe sigurisht do përpiqemi të qetësojmë mbështetësit tanë, të cilët, për t’ju thënë të drejtën, gjithnjë kanë dyshime në këtë qeveri, kanë frikë mos ajo u manipulon votat. Edhe pse diçka e tillë ka ndodhur gjatë 20 viteve të fundit, disa herë, madje, sidomos kur z. Berisha ka qenë në pushtet, siç e thashë, do tentojmë të jemi të gatshëm për t’u thënë të gjithëve që duam një fushatë të qetë, se mendojmë që vendi ka nevojë për diçka të tillë. Vendi meriton stabilitet, padyshim, por mbi të gjitha, ky vend meriton zgjedhje të drejta. Ne do bëjmë gjithçka që ta mundësojmë diçka të tillë.

 

Për sa u përket koalicioneve parazgjedhore, madje, edhe atyre paszgjedhore, ka gjasa që Socialistët të hyjnë në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim?

Varet. Varet nëse ata do të dalin nga qeveria parazgjedhjeve. S’kam arsye të vë në dyshim interesat e tyre, por pikë së pari, nëse do të jesh në opozitë, duhet… Kjo është A-ja e politikës. S’mund të jesh në qeveri dhe opozitë…

Njëkohësisht.

Në të njëjtën kohë. LSI duhet të dalë nga qeveria dhe të bashkohen me ne, nëse duan një koalicion parazgjedhor me ne.

14 vjet më parë, por jam i bindur që i ndiqni nga afër zhvillimet në rajon, sidomos çështjen e BE-së. Dua t’ju pyes më specifikisht për çështjen e integrimit ndërkombëtar apo atij në BE. Si mendoni, po bën sa duhet qeveria dhe Parlamenti që Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat, duke marrë parasysh që Parlamenti duhet të miratojë disa ligje specifike që të fitojë statusin, që të plotësojë kriteret. Po bëjnë sa duhet?

Ky është një debat tepër partiak në vend dhe unë jam pjesë e tij dhe nuk jam nga ata që mund të flas jashtë argumenteve apo interesave partiakë, por ajo që ndodhi në vend gjatë vitit të fundit, kur humbëm përsëri, për herën e tretë radhazi, statusin e vendit kandidat në BE. Mendoj se këto argumente do votohen në zgjedhjet e ardhshme. Shqiptarët do ndjekin dështimin e klasës politike për t’i dhënë vendit statusin kandidat për herë të tretë radhazi, kur kroatët pritet të hyjnë, kur maqedonasit e kanë statusin, kur serbët e kanë statusin, kur boshnjakët e kanë, përveç nesh. Besoj se këto argumente do votohen në zgjedhjet e ardhshme dhe kjo është një arsye më shumë që shqiptarët shkojnë të votojnë dhe zgjedhin mes atyre që sipas nesh nuk kanë bërë reforma dhe nuk po përpiqen të arrijnë konsensusin me opozitën, ata e bllokojnë statusin. Nga ana tjetër, nëse votojnë për ne… Pas zgjedhjeve, kur ne të kemi marrë pushtetin, sigurisht që do përpiqemi të arrijmë konsensusin me opozitën me çdo kusht për marrjen e statusit. Ata s’e bënë diçka të tillë.

S’mendoni se ligjet do të miratohen para zgjedhjeve? Po thoni se do të miratohen më pas?

Kështu mendoj. Mendoj se do miratohen pas zgjedhjeve, se koha është shumë e shkurtër dhe asgjë nuk po ndryshon për t’i ofruar konsensus opozitës. Do ta luajmë ndryshe. Me konsensus do përpiqemi të negociojmë me opozitën, diçka që kjo qeveri nuk e bën. Dhe s’është e gatshme ta bëjë.

Si mendoni, kanë edhe Socialistët një pjesë të fajit për këtë bllokim?

Këtë do e shohim gjatë zgjedhjeve. Jua thashë, zgjedhjet do na tregojnë diçka që ende s’e dimë: kush e ka fajin për këtë dështim, ne apo qeveria? Unë mendoj se e ka qeveria, por sigurisht, këtë duhet ta tregojnë shqiptarët.

Ju po thoni se kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së, atëherë mundësia e integrimit me Kosovën ka për t’u rritur?

Kjo është ajo që thonë të gjithë. Unë vetë nuk e di. Unë nuk e di se çfarë duhet të bëjmë më parë: të bashkohemi me Kosovën dhe mandej të hyjmë në BE, si një vend i madh, apo të hyjmë së pari në BE dhe të bashkohemi atje. Por në BE ne do të jemi të bashkuar në po të njëjtën mënyrë me maqedonasit, me serbët, me kroatët, me lituanezët, me sllovakët…

Pra, ju po flisni për bashkim…

Ne po flasim për…

Ju nuk po flisni për një shtet unik politik. Ju po flisni për kriteret e unitetit dhe të integrimit brenda kontekstit të BE-së.

Jo. Të gjithë po flasin. Të gjithë po japin këtë përgjigje kur pyeten se kur do të ndodhë bashkimi, nëse do të ndodhë! Dhe nëse dikush përgjigjet, ‘kur të hyjmë në BE, me gjasë ne do të jemi të bashkuar atje’, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të vendeve që janë pjesë e BE-së. Pyetja ime është: A do të bashkohemi me shqiptarët e Kosovës, ashtu siç do të bashkohemi me sllovakët, britanikët, gjermanët, lituanezët, kroatët e serbët apo do të kemi më parë një tip tjetër bashkimi dhe pastaj do të hyjmë në BE? Nëse do ta kisha unë në dorë ta zgjidhja, do të zgjidhja të dytën, sigurisht. Që ne të kemi një proces më të mirë bashkimi në termat e ekonomisë, arsimimit, kulturës në përgjithësi, medias, dhe pastaj të arrijmë bashkimin e plotë me Kosovën.

Le t’i kthehemi një pyetjeje më personale! Më kanë mbetur vetëm disa pyetje për të bërë. Kemi mbuluar një pjesë të madhe territori. Në termat e ambicieve politike personale, në rast të një situate tejet hipotetike ku Partia Socialiste humbet zgjedhjet e ardhshme parlamentare, gjë e cila mund të jetë shkak për ndryshim të lidershipit, a keni ju aspirata për të udhëhequr Partinë Socialiste?

Askush prej nesh nuk mendon për një ditë të tillë! Ne të gjithë jemi të përqendruar tek këto zgjedhje. Dhe mbas tetë vitesh në opozitë, ne të gjithë mendojmë se jemi më të pjekur dhe më të aftë si dhe më të përgatitur për të ardhur në pushtet. Ne do të na pëlqente të vinim në pushtet si një grup dhe si një parti e cila ka ide të caktuara për të reformuar këtë vend, dhe kjo është detyra e madhe që ne kemi. Shumica prej nesh jemi pak a shumë në të njëjtën moshë. Ne të gjithë e kemi filluar politikën gjatë njëzet viteve të fundit, dhe 20 vjet më parë ne kemi qenë studentë. Pra kjo është koha e volitshme për brezin tonë për të vërtetuar se vendi mund të reformohet dhe mund të ndryshohet nga brezi ynë, sepse çdo brez ka disa përgjegjësi ndaj vendit të tij. Dhe ky është dallimi i madh! Pra, z. Berisha i përket një brezi më të vjetër. Ai e ka bërë tashmë atë çka ka mundur të bëjë për këtë vend. Pra koha e tij ka sosur. Është koha që ne të vërtetojmë se mund të bëjmë diçka të ndryshme, dhe ne kemi për ta bërë.

 

 

Zgjedhjet, PS e ndarë për elementët fitues, disa besojnë tek Rama, të tjerë tek koalicioni dhe alternativat

Tahiri: Lideri dhe programi, arsyet pse duhet të na votojnë shqiptarët

Anëtarët e kryesisë së PS-së, Majko, Blushi, Braçe dhe Malaj, kanë pohuar se nuk mjafton vetëm ideja që Rama do jetë Kryeministri i vendit për të fituar në zgjedhje

Gëzim Saliu

Partia Socialiste shfaq ndasi mes deputetëve të saj lidhur me qëndrimin e tyre për elementët që do të ndikojnë tek një rezultat pozitiv në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Këto dallime brenda kampit rozë kanë të bëjnë kryesisht me ndikimin e fuqishëm apo të pjesshëm të liderit të opozitës Edi Rama në fitoren e zgjedhjeve. Disa nga deputetët socialistë kanë shprehur mendimin e tyre lidhur me këtë çështje, duke nënvizuar se rëndësi për suksesin e socialistëve do të ketë programi, alternativa qeverisë dhe koalicioni që do të krijojë forca më e madhe opozitare. Kështu anëtarët e kryesisë Arben Malaj, Pandeli Majko, Ben Blushi dhe Erion Braçe kanë vënë më shumë theksin tek aspektet e tjera të strategjisë elektorale, duke theksuar në të njëjtën kohë se “Rama Kryeministër” nuk siguron fitoren në parlamentaret e qershorit. Por nga ana tjetër një sërë deputetësh, besojnë se një ndër elementët kryesore të fitores së PS-së në zgjedhje do të jetë pikërisht lideri i saj. “PS konkurron me ide, me ekip dhe liderin e saj. Mund të them që të tria këto i kemi dhe jemi gati për zgjedhje. Është kryesore që më 23 qershor njerëzit përveçse të votojnë për liderin dhe kandidatin e ardhshëm për kryeministër, që është Edi Rama, përveçse të votojnë për ekipin që jemi unë dhe kolegët e mi në qarkun e Tiranës të votojnë dhe për programin tonë”, – u shpreh dje për “AS” deputeti socialist, njëherësh kreu i PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri.

 

Qëndrimet

Ndryshe nga deputeti Tahiri dhe një sërë kolegësh të tij, anëtari i kryesisë së PS-së dhe njëkohësisht nënkryetari i grupi parlamentar socialist, Erion Braçe, ka pohuar se për të fituar zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013 nuk mjafton orientimi i socialistëve drejt idesë së marrjes së mundshme të postit të kryeministrit nga ana e kreut socialist Edi Rama. “Së pari, orientimi i zgjedhësve nga socialistë deri në opozitarë të tjerë, të paanë gjithashtu, vetëm tek “zgjedhja e kryeministrit të ardhshëm” nuk mjafton, edhe pse është e qartë epërsia e kandidatit të opozitës për kryeministër”, – do të shprehej Braçe pak kohë më parë në rrjetin social “Facebook”. Në të njëjtën linjë me Braçen janë shprehur më parë edhe dy anëtarët e tjerë të kryesisë Ben Blushi dhe Pandeli Majko, të cilët kanë theksuar se në zgjedhjet e ardhshme rëndësi parësore ka fitorja e PS-së dhe jo mundësia e kthimit të kreut të opozitës në kryeministër të vendit. “Mendoj se është shumë më e gjerë se diskutimi i fatit të Ramës dhe do të ishte shumë sempliste që gjithë këtë histori ta lidhnim me faktin se ai do të hynte apo jo si kryeministër një ditë pas zgjedhjeve të 2013-ës. Mendoj se edhe ai vetë e di që qenia e tij kryeministër është vetëm një detaj”, – ka deklaruar Majko në një intervistë televizive. Po ashtu, edhe anëtari tjetër i kryesisë Arben Malaj, duke theksuar se listat e deputetëve për zgjedhjet duhet të hartohen me përfshirjen edhe të anëtarësisë së Partisë Socialiste, ka thënë se ekonomia dhe rimëkëmbja e vendit duhet të jenë pikat më kryesore. “Shtyllat kryesore të fushatës së Partisë Socialiste duhet të jenë detajimi i programit dhe mënyra se si do qeverisë Partia Socialiste, ndryshe nga demokratët”, – deklaroi Malaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency