BE, 70 mijë euro për Shoqatën e Bashkive, Basha: Besim në projektet tona

0
159

Blerta Mrishaj

beMbështetja nga BE-ja për “Fuqizimin e kapaciteteve të bashkive shqiptare, nëpërmjet programit të binjakëzimit të bashkive”. Basha: BE, besim tek Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, si një organ gjithëpërfshirës

 

70 mijë euro është fondi i akorduar nga Bashkimi Evropian për Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë për të mbështetur projektin “Fuqizimi i kapaciteteve të bashkive shqiptare, nëpërmjet programit të binjakëzimit të bashkive”. Shoqata e Bashkive është lider në këtë projekt, i cili është pjesë e programit “Evropa për qytetarët”. Në këtë projekt janë të përfshirë 9 partnerë, mes të cilëve edhe Shoqata Franceze e Këshillit të Rajoneve dhe Bashkive Evropiane, e drejtuar nga ish-kryeministri Alain Juppé. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Lulzim Basha, tha se binjakëzimi do t’u japë mundësinë e ndërveprimit dhe shkëmbimit të eksperiencave, jo vetëm drejtuesve vendorë, por të gjithëve, që nga të rinjtë, intelektualët e deri tek qytetarët më të thjeshtë. “Shqiptarët sot, – tha Basha, – kanë shumë për t’i treguar botës, për artin, kulturën, historinë etj.”.

Mbështetja

Më tej në fjalën e tij kreu i bashkisë u shpreh: “Shpreh kënaqësinë e veçantë, si kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, për besimin me të cilin BE po investon në këtë projekt, besim tek kapacitetet e bashkive shqiptare, besim tek shoqata e bashkive të Shqipërisë, si një organ përfaqësues, legjitim dhe gjithëpërfshirës. Në këtë kuadër, dua të theksoj edhe një herë që bashkitë shqiptare futen në këtë projekt, të financuar nga BE, në këtë “dritare” modeste por të shumëpritur, jo vetëm me dëshirën për të përfituar konkretisht nga mundësitë e rritura të bashkëpunimit nëpërmjet binjakëzimit por edhe duke ofruar, pasi sot ne kemi se çfarë t’u ofrojmë miqve tanë, kemi se çfarë t’u ofrojmë bashkive tona mike, kemi se çfarë të tregojmë, qoftë kapacitetet dhe aftësitë tonë tona për të përballuar situata të veçanta apo për t’u marrë me çështje dhe problematika komplekse. Jam i bindur se ky projekt do të nxisë bashkitë tona, për të bashkëpunuar më ngushtësisht me bashkitë e shteteve anëtare dhe në këtë kuadër do të jetë edhe një kontribut për afrimin më të shpejtë të Shqipërisë në praktikat e BE-së, sepse në fund të fundit në horizontin tonë politik, edhe të pushtetit vendor ka dhe mund të ketë vetëm një objektiv, përfundimi i procesit të integrimit evropian të vendit”. Ministri i Brendshëm Flamur Noka e ka konsideruar këtë proces shumë të rëndësishëm, në forcimin e kapaciteteve të njësive vendore për të tërhequr sa më shumë fonde për projektet e tyre dhe në këtë mënyrë, për t’u shërbyer sa më mirë qytetarëve. Ministri Noka shprehu kënaqësinë që Shoqata e Bashkive të Shqipërisë po kryen sot misionin e saj, si një shoqatë sa më gjithëpërfshirëse. “Unë besoj se në prioritetin evropian, rritja e kapaciteteve të bashkive apo këshillave të tyre, mundësia e tyre për të tërhequr sa më shumë fonde, si pjesë e projekteve të përbashkëta apo individuale, me ato homologë të vendeve të BE-së është përparësi dhe ka një domethënie shumë të madhe në punën tuaj të përditshme, në shërbim të qytetarit. Besoj se kryefjala e administratave lokale është dhe do të ngelet “të parët janë qytetarët”. Të gjitha përpjekjet edhe në këtë proces, duhet dhe besoj se do të synojnë konsolidimin e shërbimeve për qytetarët, rritjen e shkëmbimeve në hapësirat tuaja dhe në ato evropiane. Uroj gjithashtu që ky projekt të ketë sukses dhe të jetë një ndër frytet më të arrira të politikës së kryetarit të Shoqatës së Bashkive z. Basha, për të realizuar një shoqatë sa më gjithëpërfshirëse, një shoqatë të gjithë palëve dhe që të ridimensionojë e të kontribuojë sa më shumë për të gjithë njësitë tuaja dhe qytetarët në përgjithësi”, – u shpreh z. Noka. Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, e ka konsideruar shumë të rëndësishëm rolin e pushtetit vendor në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe konsolidimin e demokracisë. Për këtë arsye, Sequi premtoi se ndihma e Bashkimit Evropian në realizimin e projekteve të pushtetit vendor do të vazhdojë të jetë e konsiderueshme. “BE kërkon të ofrojë mbështetjen e tij. Ne besojmë se të shkuarit drejt BE-së është objektivi juaj dhe besojmë se kjo mund të aktivizohet përmes punës dhe përkushtimit tuaj. Qeverisja qendrore dhe rajonale kanë një peshë të rëndësishme në vizionin tonë të përbashkët, për të përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët dhe demokracinë. Kjo është arsyeja kryesore se përse ne vlerësojmë decentralizmin dhe vetëqeverisjen vendore, përmes programeve të ndihmës së madhe për vendet e para-aderimit”.

Ndihma

“BE u ofron ndihmë autoriteteve shqiptare, për të përmirësuar infrastrukturën rurale, lidhur me një akses më të thjeshtë ndaj shërbimeve themelore dhe tregjeve për banorët e zonave rurale, për të përmirësuar ujësjellës-kanalizimet dhe për të nxitur turizmin dhe trashëgiminë kulturore në zonat vendore. Autoritetet vendore e rajonale, së bashku me Shoqatën e Bashkive janë aktorët kryesorë, në bashkëpunimin ndërkufitar, gjithashtu. Ata janë kyç në dialogun dhe bashkëpunimin midis banorëve nga vende të ndryshme dhe komunitetet, në shkëmbimet ndërkulturore dhe në nxitjen e të drejtave të minoriteteve në nivel vendor dhe rajonal”, – theksoi Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi. Për ambasadoren franceze Christine Moro, binjakëzimi u mundëson shqiptarëve dhe të huajve të punojnë së bashku, për realizimin e projekteve të tyre por zhvillon gjithashtu miqësinë mes popujve: “Bashkëpunimi i decentralizuar që ne synojmë përmes këtij projekti, do t’u lejojë bashkive të mësojnë se cilat janë programet evropiane nga të cilat ato mund të përfitojnë, se si paraqesin kandidaturën, se si të administrojmë fondet dhe të japin llogari për to. Kështu, qytetarët shqiptarë do të kuptojnë konkretisht se çfarë është Evropa, se çfarë mund t’ju sjellë ajo dhe se çfarë kërkon në këmbim. Me një fjalë, ky projekt do t’i ndihmojë qytetarët shqiptarë, nëpërmjet bashkive të tyre, të përvetësojnë Evropën. Kam kënaqësinë e madhe t’ju jap sot lajmin se Ministria franceze e Punëve të Jashtme, me ndihmën e ambasadës sime do të organizojë në Tiranë, në shtator 2013, takimin e ardhshëm të bashkëpunimit të decentralizuar mes Francës dhe të gjithë vendeve të Ballkanit”, – u shpreh në fjalën e saj znj. Moro. Kryebashkiaku Basha e ka konsideruar vendimin e Ministrisë së Jashtme Franceze, për të zhvilluar takimin e ardhshëm të bashkëpunimit të decentralizuar mes Francës dhe të gjithë vendeve të Ballkanit në Tiranë, si vlerësim për rolin e Shqipërisë, në aspiratën integruese të gjithë rajonit. “Kjo është një shenjë e besimit të qartë tek roli që ka Shqipëria, jo thjesht në kontekstin e rajonit por në veçanti në rolin e Shqipërisë, për aspiratën integruese të gjithë rajonit. Është një besim i ligjshëm, pasi ne jemi krenarë për rolin që luajmë, si pararojë e integrimit evropian të rajonit tonë, edhe për faktin e thjeshtë, pasi besojmë se kjo është rruga e zgjidhjes së të gjithë problemeve të mbetura pezull historikisht, qoftë ndërmjet shteteve apo edhe problemeve me të cilat ne hasemi përditë, sfidat me të cilat ndeshen qytetarët dhe që duam t’i zgjidhim”, – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha.

 

Takimi

Myslimanët marrin OK-in e qeverisë, xhamia e re nis ndërtimin në mars

 

Xhamia e re e Tiranës nis së ndërtuari në muajin mars, konfirmimi është dhënë nga qeveria, në një takim me kreun e Komunitetit Mysliman, Selim Muça, dhe kryebashkiakun Lulzim Basha. Gjatë takimit, u bisedua për avancimin e procedurave si dhe për problemet që dalin për realizimin e saj. Kryeministri shprehu kënaqësinë që ka filluar puna e projektimit të kësaj xhamie, që do të ngrihet në vendin tradicional dhe historik të Namazgjasë. “Ajo do të jetë xhamia e të gjithë shqiptarëve dhe një monument i shkëlqyer i arkitekturës islame, që do të mishërojë edhe traditën e gjatë dhe origjinale të xhamive shqiptare. Duhet të kujtoj me këtë rast se hapja e xhamisë së Ethem Beut në Tiranë për shërbimet fetare ka qenë një nga veprimet e para të Partisë Demokratike”, – u shpreh Kryeministri. Kryeministri Berisha e siguroi z. Selim Muça se qeveria do të marrë të gjitha masat dhe do të japë të gjithë mbështetjen që punimet për xhaminë e re të fillojnë në muajin mars. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, që mori pjesë në takim, e garantoi Haxhi Selim Muçën për përfundimin e shpejtë të procedurave të dhënies së lejes së ndërtimit, sapo projekti të jetë dorëzuar. Në takim mori pjesë edhe drejtori i Fondacionit Sema, z. Mustafa Oxhan, i cili është një nga financuesit e këtij ndërtimi. Zoti Selim Muça shoqërohej nga arkitekti i xhamisë, nga nënkryetarët e Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu dhe Gazmend Aga, si dhe kancelari Ali Zaimi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency