Çfarë po ndodh me Albpetrolin?

0
119

 Ervin Kaduku

 

albpetrolTë krijohet ideja se privatizimi i fundit dhe më i madh strategjik – më i rëndësishmi i kryer në vendin tonë, Albpetrol – me qëllim u “harrua” të përmendej edhe në listën e analizës vjetore të vitit 2012 të Ministrisë së Ekonomisë

 

Mbi kompaninë “Vetro Energy” janë ngritur tashmë një sërë pikëpyetjesh, nëse a do të bëhet ndonjëherë ajo pronarja apo jo e Albpetrolit. Kjo përforcohet nga fakti se as vetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, përballë çështjes së kalimit të afatit ligjor të kësaj kompanie për kryerje e pagesave, nuk ka një përgjigje të prerë, ndërsa thotë se zëvendësministri po ndjek të gjitha procedurat për të kërkuar garancinë nga Banka që ka hyrë garant.

“Është një proces, për të cilin është bërë një transparencë e jashtëzakonshme; transparente ka qenë dhe gjithë ngritja e procesit të vlerësimit të ofertave. Kompania nuk arriti të konkludonte kontratën për blerjen e aksioneve, në këtë moment Zëvendësministri po ndjek të gjitha procedurat për të kërkuar garancinë nga banka që ka hyrë garant”, – tha ai gjatë një emisioni televiziv ditët e fundit.
Kjo tregon se ky dikaster ka hyrë në një qorrsokak të plotë lidhur me fatet e kalimit të pronësisë së objektit më të madh industrial në vend, që përfshin një sasi gjigante të burimeve natyrore që vendi i ka me shumicë. Por, ministri duhej të ishte personi më i mirinformuar lidhur me këtë proces, duke u nisur edhe nga fakti se ai ndodhet në pozicionin numër dy të qeverisë shqiptare. Me një të ngritur supesh nuk mund të shmanget një përgjigje për një pyetje të tillë, që u intereson të gjithë shqiptarëve, por gjithnjë e më shumë u intereson edhe ndërkombëtarëve: kush do të komandojë këtej e tutje naftën e Shqipërisë? Ndërkohë, që qeveria është në pritje edhe të përgjigjes tjetër: kur do të jetë në gjendje ministria e Ekonomisë të zhbllokojë situatën e privatizimit të Albpetrolit, duke i dhënë një mundësi të jashtëzakonshme buxhetit të shtetit të përballojë situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga kriza globale, të cilën deri tani ajo e ka menaxhuar më së miri, por më burime që sa vijnë e pakësohen.

 

Privatizimi

 

Të krijohet ideja se privatizimi i fundit dhe më i madh strategjik – më i rëndësishmi i kryer në vendin tonë, Albpetrol – me qëllim u “harrua” të përmendej edhe në listën e analizës vjetore të vitit 2012 të Ministrisë së Ekonomisë. Kreu i kësaj ministrie, Edmond Haxhinasto, duke renditur një sërë suksesesh të institucionit që ai drejton, kur erdhi fjala te privatizimet, preferoi të ndalej te katër hidrocentralet. “Proceset e privatizimit janë zhvilluar në përputhje të plotë me çdo germë të ligjeve të vendit. Besoj se procesi i privatizimit të HEC-ve të Bistricës dhe Ulzës e Shkopetit do të konkludohet me sukses, duke pasur qëllimin që këto vlera dhe asete publike të vendosen sa më mirë në funksion të mirëqenies e rritjes së mëtejshme të vendit”, – tha Haxhinasto.

Këto do të ishin dhe fjalët e vetme të ministrit për privatizimet, ndërkohë që lidhur me interesin e medias për të pyetur rreth Albpetrolit, kjo nuk u pranua.

Ndër pikat ku u përqendrua në analiza dje ishte projekti “TAP”. Lidhur me këtë projekt, zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, nënshkroi një marrëveshje me përfaqësuesin e kompanisë zvicerane “AXPO” për gazin. Marrëveshja i hap rrugë sigurisë energjetike të vendit përmes gazit, e lidhur kjo me projektin “TAP”. “Me marrëveshjen që realizuam sot garantojmë furnizimin e tregut shqiptar të energjisë me sasi të konsiderueshme gazi, të cilat arrijnë deri në 250 milionë metra/kub në vit si fillim”, tha Haxhinasto.

Nga ana tjetër, në këtë linjë, zv.ministri i Ekonomisë dhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Sokol Dervishaj, sqaroi dje procedurat për privatizimin e hidrocentraleve Bistrica 1, Bistrica 2, Ulëz dhe Shkopet, për të cilat ofertat më të larta i afroi kompania turke “Kurum” me total, 109,5 milionë euro. Dervishaj tha se pas pranimit të ofertave për blerjen e HEC-eve në 21 dhjetor 2012, Komisioni pranoi ofertat afruar nga “Kurum”, që rezultuan më të larta edhe nga vlerësimet e konsulentit ndërkombëtar, IFC. “Nga vlerësimet e konsulentit ndërkombëtar dhe lokal, vlera e aseteve për dy HEC-et Bistrica 1 dhe 2 është përcaktuar 44.657 738 euro, për HEC-et Ulëz dhe Shkopet 31.734.626 euro, me një total 76.392.409 euro”, – tha Dervishaj.
Sipas tij, nga metodologjia e kontabilitetit për vlerësimet në HEC-et Bistrica 1 dhe 2, vlera e llogaritur arrin 44. 657.783 euro dhe 31.736.626 euro për Ulzën dhe Shkopetit dhe në total, 76.392.409 euro. Dervishaj tha se dhe vlera e transaksioneve përcaktonte për HEC-et e Bistricës vlerën 29.617.500 euro dhe 48.618.000 euro për Ulzën dhe Shkopetin.

 

Deklarata
Dervishaj iu referua disa privatizimeve për HEC-e të ngjashme në dy vitet e fundit në Bullgari, Kili, Kinë, Filipine, Gjeorgji, Turqi, Vietnam. Sipas tij, “çmimi mesatar në këto vende llogaritet në 1,2 milionë euro/megavat”.
Sërish, as ky zyrtar i lartë nuk ishte në gjendje të thoshte dy fjalë për ecurinë e procesit të privatizimit të Albpetrolit, që duket qartë tashmë se po mbahet peng nga Rezart Taçi, që u mburr muaj më parë se i kishte paratë gati për ta blerë atë. Sa do të jetë e aftë METE ta detyrojë këtë biznesmen të plotësojë premtimet e bëra, nga kjo varet edhe fati i buxhetit të shtetit, ecurisë së investimeve dhe realizimit të shumë projekteve në këtë vit elektoral, shumë të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Loja me afate e letra nuk bëhet për herë të parë nga “blerësi” i klubit të futbollit Milan apo Bolonja, apo Malaga të Spanjës. Në të gjitha këto raste, ai ka dalë “pa u lagur” nga transaksione që janë bërë vetëm për show. Ndryshon puna me një privatizim kaq strategjik, me të cilin nuk mund të lejohet të tallet njeri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency