Berisha hedh hapin e parë konkret për Ligën Mbarëkombëtare

0

Altin Vorpsi

berishaBerisha, Bumçit: “Të lidhesh me ministrin e Sportit në Kosovë dhe të fillojmë regjistrimin nga Gjirokastra deri në Kukës të klubeve sportive të të gjitha qyteteve të trojeve etnike shqiptare”

 

 

Kryeministri Berisha do të tentojë gjithçka për të kthyer në realitet ëndrrën e miliona sportdashësve shqiptarë. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, shefi i kabinetit ftoi ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që në bashkërendim me homologun nga Kosova të nisë regjistrimi i klubeve sportive të qyteteve kosovare për organizimin e Ligës së Futbollit mbarëkombëtar.

 

Hapi konkret

Berisha, gjatë mbledhjes së qeverisë së ditës së mërkurë, riktheu në skenë idenë e krijimit të një Lige Mbarëkombëtare të Futbollit. Kësaj here ai përcaktoi edhe hapat e parë të kësaj nisme, që, pasi u propozua dhe u hedh për diskutim, mori përgjigje negative nga FIFA. Megjithatë, kreu i ekzekutivit shqiptar i kërkoi ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumci, që të ulet e të punojë me homologun e tij kosovar për shkrirjen në një të ligës së futbollit për të dyja vendet. “Zoti ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të gjitha qytetet e vendit të nisin regjistrimin e klubeve sportive të qyteteve kosovare, në mënyrë që të marrë fund kjo lloj zhurme vulgare e këtyre internacionalistëve të shquar, që u mblodhën dhe nuk lanë mashtrim pa ia paraqitur shqiptarëve, se kjo nuk mund të bëhet. Ata t’i lëmë në pamundësinë e tyre, ne të bëjmë Ligën e Futbollit Mbarëkombëtar. Natyrisht, e theksoj edhe një herë se kjo nuk mund të ketë implikim për përfaqësim ndërkombëtar, por ndeshjet vëllazërore nuk mund të mos i pranojmë dhe nuk mund të mos pranojmë se tifozët kuqezi janë zgalema e mesazhit të bashkimit kombëtar”, – tha Berisha.

 

Ideja

Në kohë të ndryshme e kanë quajtur me emra të ndryshëm. Për herë të parë ishte “Liga Kombëtare”, pastaj evoluoi në “Superliga Mbarëkombëtare” dhe tani njihet si “Liga e Futbollit Mbarëkombëtar”. “Krijesa” që është në dëshirat e të tërë shqiptarëve ka qenë një ide e “Tifozave Kuqezi”, që në 2005, me një paraqitje në qendër të Prishtinës, me një tabelë të improvizuar ku ishin të renditura disa nga ekipet më me emër në Shqipëri e Kosovë. Vitin e kaluar ishin një numër mediash që e risollën në vëmendje këtë projekt, duke vjelë mendimet pro dhe kundër. Shumë u fol, por askush nuk e mori mundimin të konkretizojë ndonjë plan në letër, se si mund të arrihet ky objektiv. I vetmi hap u mor me zhvillimin e kupës “Pavarësia”, mes skuadrave të Shqipërisë zyrtare, të shqiptarëve të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe Kosovës, por liga e përbashkët në futboll mbeti vetëm ëndërr. Futbolli i Kosovës ka shumë kualitete, çka duket edhe në numrin e lojtarëve të përtej kufirit zyrtar me kombëtaren kuqezi, mirëpo kampionati i tyre luhet sa për të thënë, pasi skuadrat fituese nuk mund të marrin pjesë në garat evropiane. Këtë izolim ndërkombëtar do ta zhbënte në njëfarë mënyre Liga Mbarëkombëtare.

 

Pengesa

Një projekt të i tillë ka shumë kundërshtarë. I pari quhet FIFA. Qeveria e futbollit botëror i ka dhënë fund projekt-idesë së bashkimit të Superligës shqiptare me atë të Kosovës apo edhe kalimit të disa skuadrave kosovare ne ligën shqiptare. FSHF-ja, u tha vitin e kaluar, ka dërguar në këtë institucion kërkesën e saj për të parë mundësinë e një lige të përbashkët mbarëkombëtare. FIFA, pas kërkesës së disa skuadrave të Kosovës për të marrë pjesë në kampionatin tonë, ka kthyer këtë përgjigje negative: “FIFA rikujton edhe një herë pikën 79-të të statutit të saj, ku saktësohet se anëtarët e FIFA-s apo anëtarët e përkohshëm të konfederatës nuk duhet të luajnë ndeshje apo të kenë kontakte sportive me lojtarë apo klube që nuk janë anëtarë të FIFA-s apo anëtarë provizorë të konfederatës”. Kjo do të thotë që, nëse një skuadër kosovare, fjala vjen, siguronte kualifikimin për në kupat e Evropës nëpërmjet kampionatit shqiptar, atëherë FIFA dhe UEFA nuk do ta lejonte të merrte pjesë. Kjo, për shkak se e konsideron Kosovën shtet jo anëtar në kompeticionet e veta. Refuzimi më i fundit që iu bë kërkesës së palës kosovare për të luajtur minimalisht ndeshje miqësore me kombëtaren e madhe tregon për pamundësinë e bërjes realitet të idesë së proklamuar disa herë, e risjellë në vëmendje së fundi edhe nga Kryeministri Sali Berisha. Kosova, edhe pse ka disa vite që është shtet i pavarur, akoma nuk është njohur si anëtare e FIFA-s apo UEFA-s. Të dyja institucionet futbollistike në fjalë kanë nxjerrë si kusht pranimin e Kosovës në OKB, si fillim, që të anëtarësohet edhe pranë tyre. Deri atëherë, duket shumë i vështirë edhe krijimi i Ligës Mbarëkombëtare të Futbollit.

 

 

Merkato

Edhe Torinoja kërkon Ujkanin

Samir Ujkani është duke kaluar momente të vështira në Sicili. Numri një i portës së Palermos, përveç golave që ka pësuar, i duhej që të merrte edhe lajmet e merkatos. Gjithmonë e më shumë, këto të fundit, tregojnë se e ardhmja e tij është shumë larg Palermos. Dje ka dalë në skenë një tjetër skuadër që interesohet për të. Flasim për Torinon që në fakt ka shprehur interes edhe për zëvendësuesin e Ujkanit, Benusin. Sipas gazetës torineze “Tuttosport”, ekipi “granta” kërkon që të marrë masat, pasi mendohet se portieri i vet Zhile do të pezullohet nga drejtësia sportive italiane për shkak se ka qenë i implikuar në disa ndeshje të fiksuara. Për këtë fakt skuadra që ka për president Urbano Kajron po mendon të afrojë një tjetër portier. Sipas të përditshmes torineze, Palermoja ka nisur kontaktet me skuadrën e Venturës. Po dje u mor vesh se Ujkani është në listën e përpiluar nga Xhani de Biazi për miqësoren që Shqipëria do të luajë më 6 shkurt kundër Gjeorgjisë.

 

Seferi takon Berishën

Kryeministri Shqiptar, Sali Berisha, prit dje në zyrën e tij boksierin Nuri Seferi, moment të cilin e ka ndarë përmes faqes së tij në Facebook me të gjithë miqtë në këtë rrjet social: “Të dashur miq! Për mua takimi me boksierin e madh shqiptar Nuri Seferi, kampion disa herë në peshën e tij në Evropë, ishte i veçantë dhe mbresëlënës. Ai ishte i çiltër dhe shumë njerëzor në bisedë, ndonëse kundërshtarët e quajnë ‘Nuriu i tmerrshëm’. Unë e quajta Nuri fitimtari dhe nuk mund ta quaja ndryshe. Në 33 ndeshje ndërkombëtare që ka zhvilluar si boksier i Federatës Shqiptare të Boksit ka fituar 27 dhe ka humbur 6 nga to. 20 herë kundërshtari doli nga ringu me nokaut, ndërsa vetë ka rënë vetëm një herë. Nuriu kishte vetëm dy dëshira; pasaportën shqiptare me shqiponjë që i mungonte, të cilën donte ta vendoste edhe në ring, aty afër flamurit kombëtar, dhe e dyta të zhvillonte një ndeshje për titull kampion i botës në Shqipëri. Ne ramë dakord për të dyja. Le t’i urojmë së bashku Nuriut fitimtar fitore të tjera të mëdha”, – shkroi Berisha në Facebook.

 

Tirana

Bardheblutë vihen në kërkim të një sulmuesi

Largimi i befasishëm i Shpejtim Arifit e ka gjetur të papërgatitur Tiranën. Edhe pse nuk ishte mbyllur asnjë marrëveshje, bardheblutë besonin se me të do të kompletonin sulmin. Kjo ka bërë që stafi teknik të mendojë për një tjetër alternativë për këtë repart. Ndonëse kjo është disi e vështirë, pasi tregu vendës nuk ofron lojtarë që u interesojnë kryeqytetasve. Edhe ata që realisht vlejnë janë nën kontratë. Kjo ua komplikon punën drejtuesve të klubit, megjithatë ata janë në shqyrtim të ndonjë alternative, pse jo edhe nga Kosova. Në rast se do të mbyllet me sukses edhe kontrata e binjakëzimit me klubin e Prishtinës, atëherë bardheblutë, veç Mentor Mazrekajt, mund të kërkojnë edhe ndonjë element tjetër nga ky ekip. Për momentin nuk ka asnjë emër konkret.