Vodhën autobusin, kapen vëllezërit sekuestrohet arma, drogë e fishekë

0
139

Elton Qyno

policiaKontrolli i 14 banesave zbuloi dy autorët Babush dhe Mesel Ruçi nga fshati Memaj i Tepelenës

Njëri nga vëllezërit kishte pak kohë i kthyer në Shqipëri, ishte dënuar në Greqi për trafik droge

 

Brenda 24 orëve, policia e Gjirokastrës ka bërë arrestimin e dy prej autorëve të grabitjes me armë të autobusit të linjës Sarandë – Tiranë, prej nga arritën të merrnin shumën e parave prej 300 mijë lekë të vjetra dhe sende personale. Autorët e dyshuar të këtij krimi që tashmë kanë rënë në prangat e policisë janë dy vëllezërit Babush Ruçi, 32 vjeç, dhe Melsen Ruçi, 25 vjeç, ku nga verifikimet e kryera rezulton se vëllai i parë kishte pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri, pasi ka qenë në burg në shtetit grek për trafik droge. Dy të arrestuarit janë nga fshati Memaj i qytetit të Tepelenës, të cilët gjatë mbrëmjes së djeshme janë arrestuar nga policia në banesën e tyre. Mësohet se pas dy vëllezërve të arrestuar në kërkim është shpallur dhe personi i tretë që ka qenë së bashku me ta në grabitjen e autobusit me targë SR 6941 B. Gjatë operacionit për kapjen e dy autorëve të dyshuar të krimit policia ka arritur të sekuestrojë dhe një armë automatike, me të cilën dyshohet se është qëlluar katër herë në drejtim të autobusit, në të cilin udhëtonin rreth 20 persona, mes tyre edhe një grua shtatzënë.

Kontrolli në 14 banesa

Zbulimi i autorëve të krimit ka ardhur si pasojë e një kontrolli të imtësishëm në 14 banesa të personave që mendohet se ishin përfshirë në këtë ngjarje kriminale. Gjatë këtyre kontrolleve, të cilat janë drejtuar nga Drejtori i policisë Gjirokastër Ajet Ibro, ka rezultuar se në banesën e dy vëllezërve Melsen dhe Babush Ruçi, janë gjetur shumë sende të vjedhura në banesa e zdrukthëtari, ndërkohë që mes tyre është gjendur një sasi lënde narkotike e llojit hashash, një automatik si dhe municione të tjera. Nisur nga kjo situatë, policia ka bërë menjëherë arrestimin e dy vëllezërve, ndërkohë që nga ana tjetër është bërë dhe sekuestrimi i materialeve të vjedhura. Arma tip automatik model-56, është dërguar tashmë në laboratorin e policisë shkencore, ku do të krahasohen gëzhojat e qitura, ndërkohë që nga marrja në pyetje dy autorët nuk kanë pranuar të jenë ata personat që kanë grabitur udhëtarët e autobusit që drejtohej nga shtetasi Sokol Bërxhaj. Sipas policisë së Gjirokastrës, njëri nga vëllezërit, shtetasi Babush Ruçi, kishte pak kohë që kishte mbërritur në Shqipëri, pas ardhjes së tij nga Greqia, ku kishte vuajtur një dënim me disa vite burg për akuzën e trafikut të drogës në këtë shtet. Dy vëllezërit, njihen në zonë si kontigjent kriminal, ndërkohë që janë përdorues të lëndëve narkotike.

Ngjarja në mesnatë

Ngjarja e rëndë është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes kur autobusi me targë SR 6941 B, ishte duke udhëtuar në drejtim të Tiranës. Teksa ecte me ngadalë, për shkak edhe të rrugës së prishur që ndodhet në fshatin Majkosh të Tepelenës, tre persona kanë dalë të armatosur me automatikë, përpara. Fillimisht drejtuesi i autobusit ka qëndruar, duke mos hapur asnjë nga dyert e mjetit. Pasi ka qëndruar në mes të rrugës, me shpresën se do të vinte ndonjë automjet tjetër, drejtuesi i mjetit është përballur me të shtënat me armë të autorëve të kësaj grabitjeje. Njëri prej tyre ka qëlluar disa herë në ajër dhe më pas një e shtënë e vetme ka goditur xhamin e parë, pranë shoferit të autobusit. I ndodhur në këto kushte, shoferi ka hapur derën e parë dhe pranë saj është afruar një nga grabitësit e maskuar, i cili i ka kërkuar që t’i dorëzonte shumën e parave që kishte mbledhur nga biletat, si dhe t’u mblidhte menjëherë të gjithë lekët rreth 20 udhëtarëve që ndodheshin në autobus. Një veprim i tillë është kryer për rreth 10 minuta, ku veç lekëve, udhëtarëve u janë marrë telefonat personalë dhe unazat. Pati nga ata që telefonat nuk pranuan t’i dorëzonin, gjë e cila ndihmoi më pas që të njoftonin menjëherë policinë e Tepelenës për ngjarjen e rëndë që u kishte ndodhur.

 

Pritet përplasja e radhës

Shpifjet në media, Argita Malltezi padit

deputetit Balla, i kërkon 25 milionë lekë

Pas akuzave politike nga deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, vajza e Kryeministrit Sali Berisha, Argita Berisha, i është drejtuar gjykatës së Tiranës, ku ka depozituar një padi civile kundër Ballës, duke kërkuar prej tij shumën prej 25 milionë lekë të vjetra si dëmshpërblim. Padia është regjistruar në sekretarinë e gjykatës së kryeqytetit katër ditë më parë dhe se, se ka si objekt të saj detyrimin e të paditur Taulant Balla, ti shpërblejë paditëses Argita Malltezi, dëmin jopasuror me shumën 25 milion lekë të vjetra. Aktualisht shorti për këtë padi ka zgjedhur gjyqtaren Marjana Shegani, e cila pritet që shumë shpejt të nisë çeljen e gjykimit. Padia vjen në një kohë, ku pas një seri daljesh në publik deputeti i Partisë Socialiste Balla, ka akuzuar shtetasen Argita Malltezi, se ajo ka shfrytëzuar postin e babait të saj Sali Berisha, për të bërë biznes, duke përfituar shuma të mëdha financiare. Ndërkohë që pak kohë më parë, bashkëshorti i Argitës, Jamarbër Malltezi, paditi Ballën në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar edhe ai si dëmshpërblim shumën prej 20 milion lekë të vjetra. Sipas Jamarbër Malltezit, padi vjen në një kohë kur deputeti Balla, ka hedhur një sërë shpifjesh publike në adresë të personit të tij.

 

Kapet me pistoletë djali i kryebashkiakut të Mamurrasit

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 24-vjeçarin Eduart Ndreca për armëmbajtje pa leje, i cili rezulton të jetë djali i kryebashkiakut të Mamurrasit. Ndreca është emër jo pak i njohur për drejtësinë. Ai është ndaluar në Tiranë rreth orës 01:30 pasi gjatë kontrollit në mjetin e tij tip “Lamborghini”, iu gjet një pistoletë tip “Glock” me 13 fishekë e cila ishte pa lejë. Ndreca është ndaluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në afërsi të ish-hotel Dajtit. Dy vite më parë, Ndreca ishte protagonist i një sherri në qytetin e Laçit, ku plagosi Napolon Doçin nga ky qytet. Ndërkohë që pas sekuestrimit të armës, 24-vjeçari është shoqëruar në komisariatin e policisë, ku ndaj tij tashmë është ngritur akuza e “Armëmbajtjes pa leje”.

 

Grabitje në Lushnjë, një person mbetet i plagosur rëndë

Grabitje me armë me pasojë plagosje ka ndodhur rreth orës 20:30 minuta në Lushnjë pranë stacionit të trenit. Sipas burimeve nga policia, 2 persona të maskuar dhe nën kërcënimin e pistoletave kanë hyrë në dyqanin me materiale ndërtimi. Dy vëllezërit pronarë janë përleshur me agresorët, të cilët kanë qëlluar disa herë me armë zjarri, Jemin Sadikun, 45 vjeç. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, të cilat kanë nisur aksionin për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. I plagosuri është dërguar me urgjencë në spital rajonal nga ku është nisur drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Që prej mbrëmjes së djeshme policia e qytetit po punon me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve të krimit.

 

Kapen 33 kg drogë, tentonte Italinë në kërkim pronari

Duket se droga drejt portit të Durrësit e më tej Italinë nuk ka të ndalur, po ashtu edhe aksionet dhe sekuestrimet nga policia e portit. Policia Kufitare e portit të Durrësit pas një kontrolli ndaj një automjeti ka sekuestruar ditën e djeshme 32.5 kg drogë e llojit kanabis sativa ndërsa ka shpallur në kërkim poseduesin e drogës që kishte braktisur edhe makinën e tij. Burimet policore deklaruan se “pas kontrolleve sasia drogës është gjetur në automjetin me targa AA 533 FN, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i automjetit, 28-vjeçari Neltion Dhanili të cilit i përkiste droga dhe automjeti”. Sipas policisë “shtetasi Neltion Dhanili, 28 vjeç, nga Fieri e kishte braktisur automjetin në portin e Durrësit që prej disa orësh ndërkohë grupi hetimor dhe agjentët antidrogë kanë nisur kërkimet për kapjen e 28-vjeçarit i cili akuzohet për trafik të lëndëve narkotike”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency