Shtëpitë diskografike: Po falimentojmë! Rrijmë, pijmë kafe, se punë nuk ka!

0
560

 Enkeleda Peti

rihanaE vështirë të këndosh në Shqipëri?! Shtëpitë diskografike shpallin falimentimin; Youtube, mungesa e të drejtës së autorit nuk zbulojnë asnjë klasifikim në tregun muzikor shqiptar. Gazeta “standard” nga një vëzhgim modest në shtëpitë diskografike dhe dyqanet që tregojnë albume muzikore, sjell jo vetëm shijet orientuese se çfarë muzike dëgjojnë shqiptarët, por edhe një nga problemet më të mprehta që po dalin sot përballë teknologjisë

 

Pas vitit 1995 dolën shumë këngëtarë të rinj në Shqipëri, duke sjellë një “boom” artistësh dhe këngësh, pasojë kjo si duket e mbylljes që patëm në komunizëm. Edhe pse me muzikë të vjedhur dhe pa ndonjë vlerë të theksuar artistike, albumet shiteshin dhe ecnin mjaft! Por çfarë duhet të quhet art dhe çfarë nuk është art, edhe pse shitet? Një nga problemet që kanë pasur këngët, dhe që si duket vazhdojnë të kenë përderisa edhe kënga fituese e festivalit u përfol për një “vjedhje” të muzikës, vazhdon ende të mbetet debat në konsumin e përditshëm muzikor në Shqipëri. Mosnjohje e artit apo nevojë për të fituar sa më shumë para, pa marrë parasysh vlerat, apo ndoshta pasojë e mospasjes së një kritike arti, apo një kompleksitet i të tërave bashkë dhe që sjellin atë që mund të quhet hibridizim apo bastardim i tregut muzikor? Nuk mund të thuhet se është mosnjohje e artit të vërtetë, përderisa ata po marrin këngë të artistëve shumë të mëdhenj. Sigurisht që të gjithëve u duhen paratë dhe nevoja për të fituar sa më shumë të çon në krijimin e një muzike komerciale.

Sa ka të bëjë kjo me shtëpitë diskografike dhe sa është përgjegjësi e vetë artistëve që ajo që nuk është art po shitet si art? Sigurisht që shtëpitë diskografike kanë përgjegjësitë e tyre për të përzgjedhur këngëtarët që ia vlejnë vërtet, por nga ana tjetër artistët e kanë për detyrë të edukojnë publikun me art të mirëfilltë.

Por sa shiten albumet tani dhe a ka ndikuar teknologjia në shitjen e albumeve apo këngëtarët vazhdojnë të shesin si më parë, edhe pse të gjithë kanë mundësinë që për të dëgjuar një këngë të hyjnë në Youtube dhe ta dëgjojnë aty, pa pasur nevojë të blejnë albumin e një këngëtari. Në fakt, shumë këngëtarë kanë bërë të mundur që të mos shkarkojnë këngët e tyre, në mënyrë që disqet muzikore të shiten.

 

A shitet muzika dhe cilat janë albumet ?

Shitja e albumeve nuk është më ajo e dikurshmja. Duket se teknologjia ka bërë punën e saj dhe njerëzit preferojnë më shumë që t’i dëgjojnë këngët në internet sesa të blejnë një album muzikor. Të paktën kjo është ajo që thonë shitësit dhe pronarët e shtëpive diskografike. “Nuk ka punë fare. Diskografitë kanë falimentuar. Rrimë pimë kafe se punë nuk ka. E mbyti Youtube. Shkarkojnë pa të drejtë autori. Është shumë keq puna. Nuk kam sesi të them se cilat janë albumet më të shitura kur nuk po shiten fare”, – thotë shitësja e shtëpisë diskografike “Elrodi Music”. Po të njëjtën gjë thotë edhe pronari i “Super Sonic”. “Nuk po bëhen më këngë, se nuk shiten më disqet, na mbyti Youtube”, – thotë pronari i “Super Sonic”. “Megjithatë, për aq sa shiten, albumi më i shitur është ai i “Këngës Magjike 2012”. Më pas vijnë “Hite Vere 2012”, Pirro Çako me albumin e tij “Ashensor”, Inva Mula me albumin “Për ty atdhe”, Florian Mumajesi me albumin “Detaj”, Dafina Zeqiri dhe Alban Skënderaj”, – përfundon pronari i “Super Sonic”. Ndërsa pronari i “BBF”, Fejzo Subashi, thotë se tregu i albumeve ka rënë dhe disa shtëpi diskografike kanë falimentuar, nuk është më ai “boom” që ka qenë në vitet 2003 – 2008. Arsyeja nuk është shtimi i këngëtarëve, por mosmenaxhimi i mirë i vetë shtëpive diskografike. Ndërsa shitësi i shtëpisë diskografike “Fenix” nuk pranon t’i përgjigjet pyetjes sonë, pasi pronari është jashtë shtetit dhe nuk mund të përgjigjet pa leje!

 

E vështirë të këndosh në Shqipëri?

Duket që albumet kushtojnë, sidomos kur ke dëshirë që një album ta realizosh jashtë vendit.

“Albumet variojnë, nga 3 mijë euro deri në 10 mijë euro”, – thotë Fejzo Subashi, drejtori i “BBF Studio”. Po të njëjtën gjë thotë edhe drejtori i një shtëpie tjetër diskografike. “Po, çmimet e albumeve variojnë, varet se ku dhe se si ke dëshirë ta bësh ti. Për shembull nëse e bën këtu në Shqipëri, albumi do të shkojë nga 3 mijë në 5 mijë euro, por nëse do ta realizosh në Dubai, për shembull, kam dëgjuar se klipi për në Eurosong i Aurela Gaçes ka kushtuar 1 milion euro”, – thotë pronari i një shtëpie diskografike. Ndërsa drejtori i “Super Sonic” thotë se çmimet e albumeve me videoklip variojnë nga 3000 – 5000 mije euro dhe të gjithë ata që thonë se albumet shkojnë në 20 000 mijë euro, gënjejnë”, – thotë drejtori i “Super Sonic”.

 

Muzikë të lehtë, tallava, popullore apo klasike, çfarë preferojnë shqiptarët?

Sipas shitësve, nuk ka rivalitet, dhe ajo muzikë që shitet më shumë, është muzika e lehtë apo moderne, pasi muzika tallava ka rënë dhe nuk shitet. “Jo, nuk ka një luftë, pasi ajo që shitet më shumë është muzika moderne, tallavaja nuk ecën me”, – thotë Arseni, shitësi i “Super Sonic”. Po të njëjtën gjë pohon dhe shitësja e “Book Store”. “Nuk ka rivalitet, pasi ajo që preferohet më shumë, është muzika e lehtë. Muzikën tallava njerëzit mund ta pëlqejnë shumë në dasma, por kur vjen puna për të blerë një album, ajo që pëlqehet më shumë është muzika e lehtë”.

Cilat janë grupmoshat që blejnë më shumë? Duket se këtu nuk bien dakord, pasi shitësi i “Super Sonic” thotë se rinia nuk blen dhe ata që blejnë janë mosha 25 e lart. Ndërsa shitësja e “Book Store” thotë: “Adoleshentët më shumë. Pastaj vijnë moshat e pjekura nga 20 – 40 vjeç”.

Cilat këngë shiten më shumë? Këtu të gjithë bien dakord, që ajo që shitet më shumë është muzika shqiptare. “Shiten më shumë këngët shqiptare sesa të huaja”, – thotë shitësja e “Book Store”. Po ashtu thotë edhe Arseni, shitësi i “Super Sonic”. “Këngët që preferohen më shumë, janë këngët shqiptare sesa të huaja”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency