Info/kult

0
134

libraNjë pastor ungjillor përkthen Marin Barletin

Në kuadër të 545-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe të 500-vjetorit të vdekjes së Marin Barletit, Muzeu Historik Kombëtar dhe shtëpia botuese “Onufri” organizojnë promovimin e librit të parë të historiografisë shqiptare, “Rrethimi i Shkodrës” nga Marin Barleti (1504) në përkthimin e parë në anglisht dhe botim i ri i plotësuar shqip. Promovimi bëhet nesër në orën 18.00. Është përkthyesi David Hosaflook që ka marrë përsipër t’u japë botës anglisht folëse “Rrethimin e Shkodrës”. David, që sapo kishte mbërritur si misionar nga SHBA, e që tanimë prej 20 vitesh jeton në Shqipëri, mbeti i mrekulluar nga kjo vepër e cila ishte krejtësisht e panjohur në perëndim dhe kjo për arsyen e thjeshtë se “Rrethimi i Shkodrës” nuk ishte përkthyer kurrë në anglisht. “Kam kërkuar ta gjeja librin në anglisht sepse thashë që me gjithë këtë histori, me këtë autor kaq të madh duhet të jetë patjetër në anglisht diku. Por nuk ishte. Atëherë thashë; po mirë do të punoj pak nga pak në kohën time të lirë ta përkthej. Nuk e dija se çfarë po ndërmerrja sepse ishte një punë kolosale”, – ka rrëfyer David për mediat.

David Hosaflook është një pastor ungjillor që duket qartë lidhja me priftin Marin Barleti si ndjekës. Për të përgatitur botimin në anglisht, David u mbështet në botimin në shqip të përkthyer nga Henrik Lacaj si dhe në variantin latinisht të Marin Barletit, i cili më 1474-ën në rrethimin e parë të Shkodrës ishte dëshmitar i ngjarjes dhe katër vjet më pas, më 1478-ën në rrethimin e dytë mori pjesë vetë në luftime.

Re. Ku.

 

 

Standardizimi i gjuhës, një libër me alternativa

Konsiderohet ndër të paktat studime të mirëfillta sociolinguistike për gjuhën shqipe dhe planifikimin gjuhësor në Shqipëri libri i Janet Byron. “Përzgjedhje midis alternativash në standardizimin e gjuhës dhe shkrime të tjera”, botimet “Dituria”, përfshin një studim të gjatë, ku bëhet një shqyrtim – i mbështetur në korniza teorike e me një njohje të gjerë të literaturës shqipe dhe të huaj – i procesit të standardizimit të shqipes, i kritereve, parimeve e vendimeve që patën parasysh planifikuesit gjuhësorë; dhe dy shkrime analizuese, që sjellin një pamje reale të zhvillimit të planifikimit gjuhësor në Kosovë. “Një libër i domosdoshëm për studentët, studiuesit, por edhe për të gjithë ata që kanë për zemër çështjet e gjuhës kombëtare”, – thuhet në deklaratën për mediat nga zyra për shtyp. Ky libër i përkthyer nga Marlana Ymeri, veçon ndër të tjera se përmban “analiza të holla, të trajtuara në sfondin e një njohjeje të thellë të teorive modern rreth procesit të standardizimit të gjuhëve në shoqëritë në zhvillim dhe të një njohjeje po aq të mirë të proceseve të vetë shqipes”. Bëhet fjalë për një analizë tërësore dhe sistematike e kritereve mbi bazën e të cilave janë kryer përzgjedhje të ndryshme standardizuese në të gjitha nivelet e gjuhës shqipe.

 

Re. Ku.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency