Berisha: Mos u ndikoni nga zgjedhjet, zero tolerancë ndaj krimit

0
165

Ina Jano

berishaBëni gjithçka për t’ia prerë tentakulat krimit me gërshërët e ligjit

Motoja e prokurorit të Përgjithshëm, jetike për suksesin në luftën kundër krimit të çfarëdo lloj forme

 

 

Kryeministri Berisha deklaroi dje se të gjitha institucionet që luftojnë krimin, nuk duhet që të ndikohen nga zgjedhjet. Në mbledhjen e Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve dhe Terrorizmit, kreu i qeverisë tha se procesi zgjedhor duhet që të jetë një triumf i shtetit ligjor dhe për këtë arsye të gjitha institucionet që punojnë në këtë drejtim nuk duhet të reshtin asnjë ditë për të plotësuar detyrimin e tyre. Sipas numrit një të mazhorancës, të zhvillohen zgjedhje të drejta do të thotë se ligji ka funksionuar më së miri dhe në të njëjtën kohë të gjitha forcat politike kanë të njëjtën kërkesë, të mos lëshohet pe ndaj asnjë lloji të krimit. “Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe zgjedhjet janë, në njëfarë mënyre, dasmat e demokracisë, festat e saj, ku qytetarët ripërtërijnë, shprehin në mënyrë periodike vullnetin e tyre. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për këtë vend se, ju, qoftë edhe një ditë të vetme të mos e dobësoni luftën, përpjekjen tuaj, përballjen tuaj me krimin e organizuar. Zgjedhjet janë çështje e garës së forcave politike e pjesëmarrjes ë qytetarëve. Ndërkohë zgjedhjet në fund të fundit janë triumf i shtetit ligjor. Pra, sa më mirë të funksionojë ligji, aq më të mira do të jenë edhe zgjedhjet. Kështu që, pavarësisht nga fushatat, ju duhet të përqendroheni me vendosmërinë më të madhe për “zero tolerancë” ndaj krimit të organizuar. Jam i bindur se kjo është kërkesë e të gjitha forcave politike të vendit dhe e të gjithë qytetarëve. Ata duhet të shohin partitë në mitingje, ndërsa institucionet në funksionim të plotë, në interesin më të mirë të qytetarëve”, – u shpreh zoti Berisha. Më tej kreu i kabinetit qeveritar nënvizoi edhe faktin se gërshëra e ligjit nuk duhet të vonojë për të rënë mbi të gjitha tentakulat e krimit. Sipas Kryeministrit, zgjatjet e krimit përpiqen që të shtrihen në të gjitha pistat e mundshme, por janë pikërisht organet dhe ligji të cilët duhet që të realizojnë një luftë të madhe për të mos e lejuar një gjë të tillë. “Të bëni gjithçka për t’ia prerë këto tentakula me gërshërët e ligjit. Dhe unë kam besim të madh në përkushtimin tuaj, të bashkëpunëtoreve tuaj se kjo luftë e një rëndësie jetike do të ngrihet në një nivel më të lartë”, – ju drejtua lideri i mazhorancës të gjithë anëtarëve të komitetit, pjesë e të cilit ndër të tjera janë edhe ministrat e Mbrojtjes, ai i Brendshëm dhe ai i Financave, Bode.

Por gjithashtu, gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha vlerësoi përpjekjet e bëra në vitet e fundit dhe u shpreh se lufta kundër krimit të organizuar, të të gjitha varianteve, me epiqendër krimin ekonomik, trafiqet dhe terrorizmin është dhe mbetet objektivi i parë dhe më madhor i të gjitha agjencive të zbatimit të ligjeve, si dhe agjencive të tjera, në mënyrë që të garantojë jetën e qytetarëve, të garantojnë rendin publik dhe atë kushtetues të vendit. Ai bëri thirrje për një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes agjencive në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit. Ai u shpreh se ka një përpjekje serioze për një bazë ligjore më të mirë në luftën kundër pastrimit të parave dhe për këtë është bashkëpunuar ngushtë me MONEYVAL, institucion i Këshillit të Evropës. Ndërkohë, për t’u vlerësuar, sipas shefit të qeverisë, mbetet asgjësimi i mbi 200 grupeve kriminale. Berisha bëri thirrje që toleranca ndaj krimit në çdo fushë të jetë zero dhe të punohet me të gjitha mënyrat dhe mjetet që disponohen. Gjatë fjalës së tij në komitet, Berisha vlerësoi edhe moton e prokurorit të ri të Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili në ditën e parë të marrjes së detyrës deklaroi se në fillim lufta duhet të fillojë nga institucioni që drejtojmë secili prej nesh. “Prokurori i Përgjithshëm i vendit nisi detyrën e tij me një moto, të cilën unë e konsideroj jetike për suksesin e punës në secilën nga agjencitë tuaja. Ai e shpalli publikisht: do të luftoj lidhjet me krimin në institucionin tim. Absolutisht, ky është kushti i të gjitha kushteve për suksesin e punës suaj. Ky është kushti më vendimtar. Në qoftë se nuk plotësojmë këtë kusht, suksesin do ta ketë pala tjetër, do ta ketë krimi, dhe jo ne. Ndaj, dhe është e domosdoshme që të gjithë ju, agjencitë e kontrollit që keni brenda jush për institucionet t’i fuqizoni dhe të bëni gjithçka për integritetin e plotë të institucioneve që drejtoni”, – tha Kryeministri. Mbledhja e parë për këtë vit e këtij komitetit vjen menjëherë pas plagosjes pak ditë më parë të shefit të Krimeve të Burrelit, Musa Skura, gjatë një operacioni policor.

 

Marku: Lufta ndaj korrupsionit, në qendër të fushatës së PD-së

Lufta kundër korrupsionit do të jetë një nga shtyllat kryesore të fushatës elektorale që do të zhvillojë Partia Demokratike. I këtij mendimi është deputeti Mark Marku, i cili ndër të tjera deklaroi se në këtë pikë ka ende shumë punë për të bërë. Ndërkohë, edhe në sektorin e administratës publike, mbeten pika për të cilat duhet të punohet fort. Ndërsa i pyetur për zgjerimin e koalicioneve, Marku u shpreh se koalicion i mundshëm është ai me partinë e Paskal Milos, pra me Partinë Demokracia Sociale. Gjithashtu, ligjvënësi demokrat nuk përjashton as koalicionin me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut të Vangjel Dules, duke pasur parasysh se bashkëpunimi mund të ndodhë edhe me parti të spektrit të majtë. Këtë qeverisje katërvjeçare Marku e konsideron si të suksesshme dhe shprehet se ka disa fusha ku janë bërë vërtet përparime të mëdha. “Partia Demokratike ka një sërë suksesesh me të cilat përballet në këtë fushatë, siç është infrastruktura, proceset integruese, por duhet të tregojë angazhim në mënyrë të veçantë për luftën ndaj korrupsionit, një nga kartat me të cilat erdhi në pushtet në 2005-ën”, – tha Mark Marku. Ky i fundit komentoi edhe deklaratat e ditëve të fundit për familjarët e Kryeministrit apo të familjarëve të kreut të opozitës, duke e cilësuar këtë situatë si shterpësi alternativash.

 

 Artistët i bashkohen peticionit për Ramën: Voto ligjet!

Piktorë të rinj dhe me përvojë, shkrimtarë të rinj e të mëdhenj, aktore dhe aktorë të dashur, futbollistë e sportistë, skenografë dhe instrumentistë kanë shtuar 64 firma të tjera, duke e çuar në 256 numrin e atyre që bashkojnë firmat në letrën drejtuar zotit Rama, ku i kërkojnë votimin e tri ligjeve. Tashmë është bërë një listë e gjatë emrash, të cilët i janë bashkangjitur peticionit për Ramën, por ajo që mbetet e pandryshuar deri më tani është qëndrimi i kreut të selisë rozë në lidhje me këtë çështje. Kështu, ndër artistët më të fundit mund të veçojmë shkrimtarin Fadil Kraja, aktorët Monika Lubonja, Zef Deda, Zyliha Miloti, piktorët Juka, Kalaja, por edhe balerinat Enada Hoxha dhe Helga Saraçi. Këto personalitete të të gjitha fushave i janë bashkuar grupit nismëtar të emrave më të mëdhenj të mjekësisë, edhe si reagim i fyerjes dhe gjuhës së urrejtjes të përdorur nga zoti Rama kundër elitës shqiptare. Të gjithë bashkë, si gjithë shqiptarët, ata kërkojnë një gjë të thjeshtë: që zoti Rama të lejojë deputetët e tij të votojnë tri ligjet e të mos bllokojë më rrugën e shqiptarëve drejt shtëpisë evropiane. Me herët këtë peticion e kanë firmosur edhe pasardhësit e firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë, por edhe mjekë dhe intelektualë të tjerë.

 

Nënshkruhet marrëveshja në kuadër të TAP

 

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, firmosi dje marrëveshjen e bashkëpunimit për furnizimin me gaz me kompaninë zvicerane “Axpo tranding ag” në mjediset e METE-s. Haxhinasto vlerësoi se “marrëveshja me kompaninë zvicerane është me rëndësi për konkretizimin e projektit të gazsjellësit TAP”. Gjithashtu, ministri i METE-s njoftoi se pritet të firmoset shumë shpejt marrëveshja qeveri-konsorciumi TAP. Kjo kompani është e interesuar të mbështesë krijimin e një tregu gazi shqiptar të gazit, përmes ofrimit të furnizimeve me gaz nga blerësit potencial të gazit natyror në Shqipëri. Nga ky bashkëpunim METE parashikon si fillim një furnizim me gaz me rreth 250 milionë metra kub në vit, pas përfundimit të projektit TAP. Aksionerë të këtij konsorciumi janë shteti i Azerbajxhanit, kompania angleze “British Petrelum”, që ka pjesën kryesore të aksioneve, “Total” e Francës dhe kompania norvegjeze “Statoil”, e cila është edhe aksioneri kryesor në projektin TAP. Sikurse është njoftuar, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje kuadër midis Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë në vjeshtë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, do të vijojnë një numër marrëveshjesh dypalëshe, që duhet të sigurojnë tërësinë e dokumenteve që kërkohen për miratimin përfundimtar të linjës ndërkombëtare të gazit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency