Ambulantët, Basha ironizon Ramën: U premtoi heqjen e një takse që nuk ekziston

0

Blerta Mrishaj

Loading...

bashaBasha: 1 milion dollarë në dispozicion të urbanizimit të Kodër-Kamzës

Bumçi-Mustafa: Bashkia e Tiranës ktheu sytë nga njësia 11

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka shprehur vendosmërinë tij për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të biznesit jo vetëm përmes reduktimit të taksave dhe tatimeve për bizneset që i paguajnë ato, por edhe me ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për ta. Basha ka ironizuar dhe ish-kryebashkiakun Rama, i cili u premtoi tregtarëve ambulantë, të cilët nuk paguajnë taksa, se do t’ua heqë ato. “Ky është një lajm i mirë për tregtarët e Laprakës, për të gjithë ata tregtarë të licencuar dhe që paguajnë taksat minimale, edhe për tregtarët ambulantë që takoi dje zoti Rama dhe që nuk paguajnë asnjë taksë dhe që ai u premtoi që t’u hiqte taksën, që ata nuk paguajnë. Në këtë kontekst, dua të theksoj edhe një herë vendosmërinë tonë për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të biznesit të qytetit tonë, duke filluar nga biznesi i vogël, si punëdhënësi kryesor i qytetit dhe pa dyshim këto investime dhe shpërndarjen e tyre në mënyrë proporcionale janë dhe mbeten një nga garancitë kryesore, që përtej fjalëve, kjo bashki është e vendosur me vepra, me fonde, me buxhet, t’u vijë në ndihmë të gjithë qytetarëve të Tiranës, t’i vijë në ndihmë ekonomisë së qytetit për një jetë më të mirë dhe për shanse më të mira për punësim dhe mirëqenie”, – tha Basha.

Takimi

Deklarata e Bashës ka ardhur gjatë inspektimeve të punimeve për ndërtimin e unazës së Kodër-Kamzës. Kryebashkiaku, i shoqëruar nga deputeti i zonës z. Aldo Bumçi dhe kryetari i njësisë bashkiake numër 11 z. Haki Mustafa, ka deklaruar se kjo rrugë, e cila kalon në një zonë me ndërtime të reja, do të ketë të gjithë parametrat e nevojshëm, gjelbërim, ndriçim, trotuare në të dyja anët e saj, rrjetin e kanalizimeve etj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, bëri të ditur se një fond prej 1 milion dollarësh është në dispozicion të urbanizimit të kësaj zone. “Ndër zonat e harruara dhe të diskriminuara të Tiranës pa dyshim, në 10 vitet e fundit, ka qenë njësia bashkiake numër 11. Në vitin e fundit, falë një bashkëpunimi midis njësisë bashkiake numër 11 dhe kryetarit të saj, zotit Haki Mustafa, Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj, të qeverisë shqiptare dhe kryetarit të saj, u vu në dispozicion një fond prej afro 1 milion dollarësh. Me anë të këtij fondi ne do të urbanizojmë plotësisht këtë pjesë të qytetit të Tiranës, do të sjellim parametra modernë të lëvizshmërisë së transportit në një pjesë të rëndësishme të rrjetit ekonomikë të qytetit, përkatësisht të një prej tregjeve të qytetit, duke përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve të Tiranës që jetojnë këtu. Ne rikthejmë besimin tek çdo qytetar i Tiranës, se Tirana as fillon dhe as mbaron me “Bllokun” dhe zonën rreth e qark shtëpisë së kryetarit apo ish-kryetarit. Ne po avancojmë me planet tona të investimit për një Tiranë moderne evropiane, e cila mund të jetë e tille nëse shtrihet në të gjithë territorin e saj, me këto parametra, me këto standarde”, – u shpreh z. Lulzim Basha.

Investimet

Ndërsa deputeti i zonës, Aldo Bumçi, ka falënderuar Bashkinë e Tiranës që i ka kthyer sytë nga njësia bashkiake numër 11, ku në një vit është zgjidhur problemi i furnizimit me ujë, sikundër është ndërhyrë në infrastrukturën e nevojshme rrugore dhe arsimore. “Dëshiroj që të falënderoj Bashkinë e Tiranës, e cila për të disatën herë po rikthehet në të njëjtën zonë, në Kodër-Kamëz. Kemi investimin madhor që është bërë për ujësjellësin. Kjo zonë nuk ka më probleme për ujësjellësin, siç po zgjidhet në pjesën më të madhe të njësisë numër 11. Investimi që po bëhet në kanale, janë dy kanale të rëndësishme që kanë krijuar probleme në zonën tonë, njëra që lidhet me Paskuqanin tjetri këtu afër, investim i Bashkisë Tiranë. Sot kemi këtë rrugë që krijon një unazë. Kemi inauguruar më përpara rrugën përgjatë shinave. Pra ka një kthim vëmendje në një kohë shumë të shkurtër. Bashkia e Tiranës ka më shumë se katër projekte për zonën e Kodër-Kamzës. Dëshiroj që të falënderoj Bashkinë për këtë vëmendje që i ka sjellë kësaj zone të harruar”, – tha Bumçi. Për kryetarin e njësisë bashkiake, unaza e Kodër-Kamzës do të ketë një impakt të madh tek banorët dhe një ndihmë në qarkullimin e 2000 nxënësve të shkollës 9-vjeçare të Kodër-Kamzës. “Projekti që nis është një ndër projektet më madhorë që i bëhet deri tani njësisë 11. Ka një gjatësi prej 1400 m, ka një gjerësi rruga prej 7 m, gjerësi trotuare në të dyja anët e rrugës nga 1.5 m. Ka 2800 ml kanalizime të ujërave të bardha, është edhe ndriçimi i plotë në të dyja anët e rrugës dhe gjatë gjithë gjatësisë së saj. U shërben 15 mijë banorëve në këtë zonë. Mbi gjitha është një shkollë e cila ka rreth 2000 nxënës dhe është kryesore ky shërbim. Gjej rastin të falënderoj kryetarin e bashkisë për përkushtimin e jashtëzakonshëm që ka për zonën tonë. Për këtë vit në këtë zonë janë miratuar edhe pesë studime blloqesh, të cilat natyrisht do të fillojnë këtë vit, sipas premtimit të Kryetarit. Uroj që të na shikojë vazhdimisht me këtë sy që na ka parë deri më sot”, – u shpreh Mustafa.

 

 

Shërbimi

Tregu i gjësë së gjallë zhvendoset në Kashar

Tregu aktual i gjësë së gjallë do të zhvendoset jashtë qytetit, për t’u vendosur në Kashar. Kryebashkiaku Lulzim Basha ka bërë të ditur se brenda disa javësh nis zhvendosja e këtij tregu, për t’u vendosur në të gjithë parametrat e duhur për një treg të tillë. Basha tha se në këtë treg do të sistemohen tregtarët e kësaj njësie që sot tregtojnë në kushte jonormale siç janë ata përgjatë rrugës nacionale në Kodër-Kamëz. “Këtu afër ndodhet edhe për pak ditë tregu i gjësë së gjallë, i cili ka luajtur funksionet e veta për këtë periudhë, por që faktikisht është kthyer një burim shqetësimi për banorët. Duke dëgjuar shqetësimet e tyre, të përcjella drejtpërdrejtë në zyrën time, por edhe nga kryetari i njësisë bashkiake numër 11, Bashkia e Tiranës ka marrë vendimin ta zhvendosë këtë treg, zhvendosje e cila do të kryhet në javët e ardhshme në bashkëpunim me Komunën e Kasharit, ku do të bëhet edhe një sistemim më i mirë nën mbikëqyrjen rigoroze të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit dhe agjencive të tjera shtetërore për të garantuar një cilësi edhe më të lartë të tregtimit të mishit dhe të gjësë së gjallë. Ndërkohë që tregu këtu do të ripërshtatet për të përmirësuar kushtet e tregtarëve të njësisë bashkiake numër 11, të tregtarëve që ndodhen këtu afër arteries kryesore kombëtare të lëvizjes, por edhe ndonjë tregu tjetër, i cili mund të ndodhet në pozita jo të favorshme, qoftë nga pikëpamja e hapësirës apo cilësisë së shërbimit që u ofron qytetarëve, qoftë nga pikëpamja e impaktit që ka tek trafiku brenda në qytetin e Tiranës”, – u shpreh Basha.

 

Kequshqyerja

Rreth 19.3% e fëmijëve, të shkurtër për moshën

Rreth 19.3% e fëmijëve të moshës 6-59 muaj janë të shkurtër për moshën e tyre, i lidhur ky fenomen me kequshqyerjen. Sipas të dhënave të Studimit Demografik Shëndetësor, më shumë se 31 mijë nga 163 mijë fëmijë janë më të shkurtër sesa gjatësia normale për moshën që kanë. Ndërkohë, studimet e ndryshme botërore tregojnë një lidhje midis shtatit të shkurtër për moshën me aftësinë njohëse të fëmijëve. Dëshmi të sjella në studime tregojnë se fëmijët e shkurtër për moshën nisin dhe shkollën më vonë, por kanë dhe ecuri më të ngadaltë gjatë shkollës dhe rezultate të përgjithshme më të ulëta. Nga ana tjetër, një numër studimesh kanë dokumentuar një lidhje të drejtpërdrejtë midis të rriturve me gjatësi të vogël dhe të ardhurave të reduktuara në punën fizike. Sa i takon gjendjes së ushqyerjes të fëmijëve, edhe pse është përmirësuar gjatë 5 viteve të fundit, afërsisht 19% e fëmijëve nën moshën 5 vjeç paraqesin prapambetje në rritje. Studimet e ndryshme tregojnë se prapambetja në rritje është më e shpeshtë në zonat malore (28%) dhe në fëmijët e familjeve të varfra (27%).

 

 

 

 

Loading...