21-vjetori i FRESSH-it, PS hap fushatën për zgjedhjet e 23 qershorit

0
139

Gëzim Saliu

rilindja“Do rilindim Shqipërinë”, Rama: Kryeministri do jetë taksapaguesi më i madh

 

Partia Socialiste hap zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Në ceremoninë e organizuar me rastin e 21-vjetorit të themelimit të FRESSH-it, kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe përfaqësues të tjerë të lartë të selisë rozë lëshuan mesazhe të forta politike lidhur me zgjedhjet e ardhshme, duke nënvizuar se vendi do të ndryshojë pas qershorit të këtij viti. “Unë sot jam edhe më i bindur se një vit më parë se së bashku jo vetëm do fitojmë, por me fitoren ne do rilindim Shqipërinë”, – tha Rama. Më i drejtpërdrejtë në fjalën e tij në këtë ceremoni, anëtari i kryesisë së PS-së Pandeli Majko, bëri të ditur çeljen zyrtare të fushatës së PS-së, duke thënë: “Ne kemi të drejtë të themi se nga kjo sallë po fillojmë fushatën për të fituar zgjedhjet e 23 qershorit”.

 

Ceremonia

E parashikuar për të nisur në orën 16:00 të pasdites, ceremonia e përvjetorit të 21-të të themelimit të forumit rinor socialist, e organizuar në pallatin e Kongreseve, nisi me më shumë se 30 minuta vonesë. Në fillim në sallë mbërritën të rinjtë, anëtarë të forumit rinor dhe më pas erdhën një nga një deputetët socialistë dhe krerët e PS-së në rrethe. Ndër të parët që mbërritën në sallë nga përfaqësuesit socialistë ishin anëtari i kryesisë Pandeli Majko dhe koordinatori i koalicionit në selinë rozë Ndre Legisi, dy figura që kanë qenë njëkohësisht ish-kryetarë të FRESSH-it. Kreu socialist Rama ka mbërritur me pak minuta vonesë, për shkak të një takimi që zhvilloi më parë më krerët socialist në rrethe, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi. Ndërkohë në këtë ceremoni mungoi ish-kreu i FRESSH, aktualisht kryetari i LSI-së Ilir Meta dhe ish-kryetarja Monika Kryemadhi. Nga ana e tij, kryesocialisti Rama pasi përshëndeti ditëlindjen e FRESSH, theksoi në fjalën e tij para të pranishmëve se Forumi Rinor do të luajë një rol vendimtar në atë që socialistët e cilësojnë si Rilindje të Shqipërisë. Sipas Ramës, përmes fitores së socialistëve në zgjedhjet e qershorit do të rilindë edhe Shqipëria. “Faleminderit të gjithë atyre që një vit më parë ishin këtu dhe faleminderit të gjithë atyre që erdhën gjatë këtij viti. Ju të gjithë bashkë, vajza dhe djem, që ishit dhe u bashkuat në këtë rrugëtim, gjatë një viti të REFRESSH-it e rilindem FRESSH. Faleminderit dhe gjithë më të rriturve që i dhanë një dorë bujare kësaj rilindjeje. Jam i bindur që kjo organizatë, sot 21-vjeçare do të luajë një rol vendimtar. Le ta shijojmë sot edhe faktin që ndërsa FRESSH bëhet 21 vjeç, një numër i madh 21-vjeçarësh i janë afruar FRESSH-it. Ju provuat se gjërat mund të bëhen ndryshe. Fale jush unë sot jam i bindur se ne jo vetëm do të fitojmë zgjedhjet e qershorit, por me fitoren ne do të rilindim Shqipërinë”, – u shpreh Rama. Më tej, kreu socialist u mbështet tek programi dhe alternativa që ofron PS, duke theksuar se me zbatimin e saj, kryeministri i vendit do të jetë taksapaguesi më i madh në sektorin publik. “Ne s’mund të kemi një Shqipëri të drejtë nëse s’kemi një qeverisje të drejtë, një vend qeveriset përmes shembullit dhe kur qeveria e jep më së keqi këtë ç’mund të presim nga të tjerët. Kur kultura e pandëshkueshmërisë mungon ç’mund të presim. Ne do të qeverisim me drejtësi. Qeveritarët do të paguajnë më shumë taksa se sot, ndërsa mësuesit, mjekët e policët më pak. Kryeministri do të jetë taksapaguesi më i madh në sektorin publik”, – deklaroi Rama. Më herët në këtë ceremoni, foli kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, Saimir Tahiri, i cili theksoi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare përbëjnë zgjidhjen e vetme për të dalë nga situatë e rëndë ku sipas tij qeveria ka futur vendin “Duhet ta kthejmë vitin 2013 në vitin e ndryshimit. Ngrihuni në këmbë dhe merrni në dorë fatin e jetës tuaj. Premtojini njëri-tjetrit që nuk do të lejoni të vihet dorë mbi vota”, – tha Tahiri. Po ashtu, edhe kryetarja e FRESSH, Elisa Spiropali, dha thuajse të njëjtin mesazh, ku nënvizoi se Partia Socialiste do të ketë një qeveri gjithëpërfshirëse. “Do të punojmë të gjithë së bashku për të arritur ndryshimin. Vendi ynë nuk u përket hajdutëve. Më 23 qershor ne do ta fitojmë Shqipërinë”, – pohoi ajo. Edhe këtë vit, ashtu si një vit më parë, lideri politik Rama si edhe përfaqësuesit e tjerë që morën fjalën në ceremoni, nuk përmendën thuajse asnjë nga kontribuuesit e themeluesit e FRESSH-it, duke u përqendruar më shumë tek mesazhet politike në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

 

Rama dhe Ruçi mbledhin krerët e PS-së në rrethe, diskutohet strategjia e fushatës

Rreth 1 orë para nisjes së ceremonisë për 21-vjetorin e themelimit të FRESSH, lideri i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruçi zhvilluan një takim me krerët e PS-së në rrethe. Temë kryesore e diskutimit në këtë takim mësohet se ka qenë strategjia e fushatës për parlamentaret e 23 qershorit dhe listat e zgjedhësve. Rama dhe kreu i grupit parlamentar Ruçi kanë nënvizuar disa prej piketave kryesore të strategjisë organizative dhe elektorale të PS-së në këtë takim. Sipas asaj që mësohet nga burimet pranë selisë rozë, konkretisht Rama u ka kërkuar krerëve të rretheve bashkërendimin të punës për të garantuar fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Më parë, në asamblenë socialiste është miratuar strategjia organizative, e cila ka marrë edhe konsensusin e kryesisë së PS-së. Kjo strategji ka një skemë të përcaktuar qartë, ku sipas saj grupi i punës do të ketë shkallën e parë të kontaktit anëtarët e Kryesisë të deleguar në të dymbëdhjetë qarqet e vendit.

 

Dokle rrëfen prapaskenat e FRESSH ‘92-‘96: Metën e kam bërë unë nënkryetar të PS-së

Në kuadër të përvjetorit të FRESSH dhe debatit të fundit lidhur me përplasjet që kanë ndodhur në kohë mes këtij forumi dhe PS-së, deputeti i Partisë Socialiste Namik Dokle, rrëfen disa nga ngjarjet më të diskutuara. Dokle theksoi në intervistën për “Ora News” se në situata më të vështira të PS-së, ka pasur lëvizje të forta për ti vënë kundër njëri-tjetrit drejtuesit e selisë rozë, duke e përdorur si një mundësi forumin rinor eurosocialist. Po ashtu, Dokle i përgjigjet edhe deklaratën së një prej aktivisteve të themelimit të FRESSH, Monika Kryemadhi se kreu i atëhershëm i PS, Fatos Nano tentoi të vinte Ilir Metën kundër Namik Dokles dhe Servet Pëllumbit. “Kujtoj që në kohën e mocionit të Nanos, pas vjedhjes së votave të 96, Ilir Meta ka qenë anëtar i kryesisë dhe ka qenë nënkryetar i PS-së i propozuar nga unë. Ai ka mbajtur një qëndrim në përputhje me ato të Partisë Socialiste”, – tha deputeti socialist. Ndërkohë lidhur me themeluesit e FRESSH, Dokle pohoi: “Në atë kohë unë drejtoja sektorin politik të PS-së. Në këto zyra erdhën dhe kërkuan takim me mua 6 të rinj, që ishin edhe iniciatorët e FRESSH. Ata ishin Pandeli Majko, Ilir Zela, Arian Kokoshi, Haki Morina, Flamur Metallari dhe Lavdërim Krashi. Kujtoj që dy prej tyre erdhën edhe me pandofla. Ishte një herezi. Ato u pritën në mënyrë shumë të ngrohtë nga të gjithë drejtuesit e PS-së”. Ndërkohë një ndër themeluesit e FRESSH, Ndre Legisi, theksoi se forumi rinor socialist ka qenë një ndër arritjet më të mëdha të PS-së. “Ka pas edhe problemet e veta, si një forum që ishte në rritje por padyshim ka qenë gjëja më e mirë që PS bëri në atë kohë. U krijua hapësira maksimale për këtë forum të ri”, – u shpreh koordinatori aktual i PS-së për koalicionin.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency