Sulmohet me armë autobusi, tre persona u marrin lekët udhëtarëve

0
150

Elton Qyno

autobuziNgjarja në mesnatë, autorët të maskuar. Qëlluan me automatik në drejtim të shoferit, asnjë i lënduar

Grabisin 300 mijë lekë, telefona dhe sende me vlerë. Policia, 20 të shoqëruar, asnjë të arrestuar

 

Një autobus i linjës Sarandë-Tiranë është sulmuar nga tre persona të maskuar dhe me maska, teksa kishte dalë nga Tepelena dhe po udhëtonte në drejtim të Tiranës. Sulmi i maskave është shoqëruar me të shtëna armësh, duke sjellë panik mes udhëtarëve të autobusit, pasi një nga plumbat ka çarë xhamin e përparmë, duke hyrë brenda në autobus, por që fatmirësisht nuk ka prekur asnjë nga pasagjerët. Vetëm një pasagjer ka pësuar dëmtime të lehta nga ciflat e xhamave. Pas këtyre të shtënave, shoferi i autobusit ka hapur derën e parë dhe brenda në autobus ka hyrë njëri nga autorët e grabitjes. Ai i ka kërkuar që të lërë timonin dhe t’u mbledhë të gjitha paratë rreth 20 udhëtarëve, si dhe sendet personale të tyre duke ua dhënë grabitësve. Një gjë të tillë drejtuesi i mjetit, Sokol Berxhaj, e ka bërë për disa minuta, dhe se së bashku me lekët e biletave të tij, ua ka dorëzuar tre grabitësve të armatosur. Pas marrjes së shumës së parave, që shkonte rreth 300 mijë lekë të vjetra dhe dhjetëra sendeve personale, si telefona dhe unaza, tre autorët e maskuar janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur, duke mos u arrestuar ende nga ana e policisë së Gjirokastrës dhe Tepelenës. Sipas dëshmitarëve tre grabitësit nuk kanë hipur në asnjë moment në autobus, por kanë drejtuar nga jashtë drejtuesin e mjetit Sokol Berxhaj, se çfarë veprime duhet të bënte.

Ngjarja në mesnatë

Ngjarja e rëndë është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes kur autobusi me targë SR 6941 B, ishte duke udhëtuar në drejtim të Tiranës. Teksa ecte me ngadalë, për shkak edhe të rrugës së prishur që ndodhet në fshatin Majkosh të Tepelenës, tre persona kanë dalë të armatosur me automatikë, përpara. Fillimisht drejtuesi i autobusit ka qëndruar, duke mos hapur asnjë nga dyert e mjetit. Pasi ka qëndruar në mes të rrugës, me shpresën se do të vinte ndonjë automjet tjetër, drejtuesi i mjetit është përballur me të shtënat me armë të autorëve të kësaj grabitjeje. Njëri prej tyre ka qëlluar disa herë në ajër dhe më pas një e shtënë e vetme ka goditur xhamin e parë, pranë shoferit të autobusit. I ndodhur në këto kushte, shoferi ka hapur derën e parë dhe pranë saj është afruar një nga grabitësit e maskuar, i cili i ka kërkuar që t’i dorëzonte shumën e parave që kishte mbledhur nga biletat, si dhe t’u mblidhte menjëherë të gjithë lekët rreth 20 udhëtarëve që ndodheshin në autobus. Një veprim i tillë është kryer për rreth 10 minuta, ku veç lekëve, udhëtarëve u janë marrë telefonat personalë dhe unazat. Pati nga ata që telefonat nuk pranuan t’i dorëzonin, gjë e cila ndihmoi më pas që të njoftonin menjëherë policinë e Gjirokastrës për ngjarjen e rëndë që u kishte ndodhur. Njoftimi i policisë është bërë menjëherë pas largimit të grabitësve, ndërkohë që drejtuesi i autobusit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, pasi kishte frikë nga ndonjë goditje me automatik në drejtim të mjetit. Pasi kanë ecur disa kilometra, shoferi Sokol Berxhaj, ka ndaluar autobusin në një vend të sigurt, pranë një restoranti nate në zonën e Tepelenës. Pikërisht në ambientet e këtij komisariati janë marrë në pyetje të gjithë udhëtarët nga ana e policisë së Gjirokastrës, ndërkohë që në vendngjarje ka shkuar edhe drejtori i Qarkut Ajet Ibro.

Shoqërohen 20 persona

Pas marrjes së deklarimeve të rreth 20 personave dhe shoferit të autobusit, policia gjatë ditës së djeshme ka filluar hetimet me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve të këtij krimi të rëndë. Gjatë ditës së djeshme në komisariatin e Tepelenës, janë shoqëruar rreth 20 persona, që njihen në zonë si kontigjent kriminal. Ata janë marrë në pyetje nga strukturat policore dhe më pas janë lënë të lirë. Ndërkohë që me shumë përparësi po shikohet edhe mundësia e gjetjes së ndonjë gjurme në gëzhojat e automatikut të sekuestruara në vendngjarje, megjithëse nga reshjet e shiut ato ishin të lagura dhe për pasojë gjurmët mund të jenë fshirë nga uji. Lidhur me ketë ngjarje të rëndë, aktualisht, policia është duke hetuar në disa drejtime, por që deri ditën e djeshme asnjë nga personat si autorë të kësaj grabitje me maska, nuk është arrestuar.

 

 

Berat krimi në familje

Djali 26-vjeçar, pas sherrit banal qëllon

në mes të rrugës babain me thikë, arrestohet

Ende pa u shuar jehona e vrasjes së babait nga djali në qytetin e Vlorës, një tjetër ngjarje kriminale e njëjtë është regjistruar, por këtë herë krimi ka ndodhur në Berat. Fatmirësisht, sherri mes dy anëtarëve të një familjeje ka përfunduar me një të plagosur dhe jo me vdekjen e tij, megjithëse babai i autorit të krimit vazhdon të qëndrojë i shtruar në spitalin rajonal të Beratit. Burime pranë policisë së Beratit thanë se gjatë ditës së djeshme një 46-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë nga thikat e të birit. Sipas bluve të këtij qyteti ngjarja ka ndodhur në lagjen “30-vjetori” ku Astrit Pisku është qëlluar katër herë me thikë nga djali i tij. Mësohet se ata janë grindur në mes të rrugës, debat i cili ka përfunduar tragjikisht. Nuk dihen ende shkaqet e ngjarjes, ndërsa vijojnë hetimet. Aktualisht, Pisku ndodhet në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ndërsa i riu Hajdar Pisku është vënë në prangat e policisë. Gjatë marrjes në pyetje, Pisku ka treguar se ka qenë në gjaknxehtësi e sipër, në momentin kur ka qëlluar disa herë me thikë babain e tij Astrit Pisku. 26-vjeçari ka shfaqur pendesë për krimin e rëndë, ndërkohë që sipas policisë ai njihet në zonë si person me precedent penal.

 

Ministri peruan: Deportoni Millerin, zbatoni parimin e reciprocitetit

Megjithëse nuk ka një arrestim për ish-ministrit Peruan Blacker Miller nga ana e policisë shqiptare, autoritetet peruane vazhdojnë të insistojnë për deportimin e Millerit në një shtet tjetër me qëllim, arrestimin e tij nga ana e Interpolit. Pas deklaratës së prokurorit Arbizu, ditën e djeshme ministri i Brendshëm i Perusë, Wilfredo Pedraza, është shprehur në media se Shqipëria do të duhet të deportojë Augusto Blacker Miller, bazuar në parimin e reciprocitetit. Ministri peruan është shprehur për mediat vendase, se mes vendit të tij dhe Shqipërisë nuk ka një marrëveshje, por po punohet pikërisht bazuar në parimin e reciprocitetit. Ai ka pohuar se Peruja nuk ka një përfaqësi diplomatike ose zyrë konsullore në Shqipëri. Ministri Pedraza ka bërë të ditur se agjentët e Interpolit shqiptar kanë liruar ish-zyrtarin e lartë peruan Augusto Blacker Miller, pasi në Shqipëri nuk ka asnjë kallëzim në adresë të këtij personi.

 

Vrasja e Pajës, hetimet shtrihen tek familjarët e gruas

24-vjeçari Marsel Paja, nga Fushë-Mamurrasi i cili u gjet i vdekur të dielën në një rrugë dytësore në fushë Gjorm të Kurbinit është vrarë, jo me një plumb, por me tre të tillë. Ekspertiza mjekoligjore ka gjetur në trupin e të riut 3 plagë të shkaktuara me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë njollë gjaku, duke shtuar dyshimet se viktima do jetë transportuar dhe hedhur në kanal pasi është qëlluar me parë për vdekje. Pranë trupit të viktimës u gjet edhe një telefon celular në gjendje pune, i cili u sekuestrua për të analizuar telefonatat e kryera 24 orët e fundit para se të gjendje i vdekur. Policia ka ngritur dhe pistat e para të hetimit, ku kryesorja ka lidhje me konfliktet e viktimës me familjen e gruas. Pista e dytë për policinë është ajo e ndonjë pazari të prishur me persona te tjerë. Policia e Kurbinit ka shoqëruar 15 persona në shoqëri dhe njohje me të riun Paja. 24-vjeçari Marsel Paja ishte i martuar dhe me një fëmijë dhe kishte vetëm një precedent penal atë të “prodhimit dhe mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve luftarake”.

 

Policia, hetime për shpërthimin në farmacinë e ish-prokurorit

Hetimet për dy shpërthimet e ndodhura të shtunën në Tiranë, duken në qorrsokak. Në të dyja rastet, nuk pati dëme në njerëz, ndërsa ngjarjet kanë qenë kërcënim për biznesin. Burimet policore thanë se në shpërthimin e ndodhur në rrugën Bogdani, janë duke u hetuar konfliktet e mundshme Ilia Banos, pronar i depos farmaceutike, në qepenin e të cilit ishte vendosur eksplozivi. Bano mësohet se më herët ka ushtruar edhe detyrën e prokurorit. Në rastin e shpërthimit në Qesarakë, në godinën në ndërtim të biznesmenit të lokaleve Ardian Markgjini, policia ka përjashtuar konfliktin për pronësinë apo për nxjerrjen në shitje të objektit. Sipas të njëjtave burime, edhe në këtë rast shkaku po kërkohet mes problemeve personale të pronarit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency