Kontestimi i zgjedhjeve si prolog i pas 23 qershorit

0
123

zgjdhjetNga Nebil Çika
Duket se opozita e ka filluar shumë keq fushatën e zgjedhjeve politike të qershorit. Përtej deklaratave optimiste live apo në Twiter të z. Rama për “fitore referendare” vihet re një kujdes i PS-së për të denoncuar publikisht “defekte” apo shkelje të procesit zgjedhor nga qeveria apo institucione të tjera që lidhen me zgjedhjet si KQZ-ja. Dje, sekretari elektoral i PS-së, Damian Gjiknuri, njoftoi përfaqësitë diplomatike në Tiranë për shekeje, sipas tij, të Kushtetutës nga KQZ-ja, duke e shënuar kështu denoncimin e parë ndërkombëtar të procesit zgjedhor gjashtë muaj para zhvillimit të tyre. Në pamje të parë duket sikur nuk ka asgjë shqetësuese në këtë veprim të opozitës, por po të kemi parasysh historitë apo më mirë qëndrimin e z. Rama me zgjedhjet e mëparshme, sigurisht që ky prolog i denoncimit të zgjedhjeve përbën një mesazh, por edhe një alarm për atë që mund të ndodhë në 23 qershor e sidomos pas tij. Gjendja e dëshpëruar në të cilën opozita e z. Rama po futet në këto zgjedhje politike, është e evidentueshme lehtë për publikun, por përpjekjet për të goditur që në fillim procesin zgjedhor i japin edhe më shumë kontrast zymtësisë së kësaj gjendjeje. Ankesat publike, por edhe deklarimi i iniciativave të tilla si krijimi i “policisë zgjedhore” nga PS-ja synojnë të krijojnë në opinion një klimë klime denigruese ndaj procesit zgjedhor, legjitimitetit dhe objektivitetit të tij, gjë që u paraprin skenave të z. Rama për justifikimin e një humbjeje kaq të mundshme të zgjedhjeve në 23 qershor. Nuk ka forcë politike që beson se do të fitojë zgjedhjet ta nisë atë me krijimin e një fryme të tillë disfatiste si kjo që z. Rama dhe vartësit e tij politikë po mundohen të mbjellin që në nisje të fushatës elektorale. Për çdo shqiptar, përfshi edhe ata socialistë, që arrijnë të gjykojnë me ftohtësi, kjo do të thotë se më shumë se për fitoren e zgjedhjeve Rama po kujdeset për të justifikuar humbjen e saj. Por, ndërsa mundohet të qëmtojë “shkeljet zgjedhore”, shumica e njësive të qeverisjes vendore të drejtuara nga socialistët kanë bllokuar afishimin e listave zgjedhore, gjë që, sipas ligjit elektoral shqiptar, duhet të kishte përfunduar në datën tre janar. Pjesë e këtij bllokimi nuk janë zona të izoluara, por njësi të mëdha e me rendësi elektorale, siç janë Vlora, Fieri apo Durrësi, që me justifikime nga më idiotet si p.sh.: nuk kemi bojë e letër, po konsumojnë një shkelje të rëndë të Kodit Elektoral në Shqipëri. Po t’i hysh në hollësi historisë së këtyre zgjedhjeve, që fillon me mbarimin e atyre të mëparshme, duket qartë qp bllokuesja e përpjekjeve për një mbarëvajtje më të mirë të tyre ka qenë opozita socialiste. Kodi aktual Elektoral i hartuar kryesisht mbi propozimet e PS-së që në zgjedhjet e 2009-ës shfaqi probleme në ato zgjedhje dhe OSBE/ODIHR-it rekomanduan ndryshime të pjesshme të tij që fatkeqësisht nuk u arritën në kohë si pasojë e bojkotit dhe kushteve bllokuese që z. Rama vendosi në përpjekjet bipartizane për realizimin e rekomandimeve të OSBE-së. Si pasojë, Shqipëria është në zgjedhje me të njëjtin ligj të Edi Ramës, që, pavarësisht problemeve të evidentuara nga ndërkombëtarët, garanton zgjedhje të lira e të drejta. I vetmi problem i këtij kodi është fakti që favorizon partitë e mëdha politike, në mënyrë të veçantë partinë fituese të zgjedhjeve. Ky ishte edhe problemi i Ramës me të pas humbjes së zgjedhjeve 2009, pasi ligji i përgatitur nga ai vetë favorizoi e i garantoi një qeverisje të sigurt kundërshtarit të tij politik, Berisha. Pikërisht këtë garanci të fituesit të zgjedhjeve tentoi të ndryshonte z. Rama kushtet e vëna për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por që sigurisht nuk mund të pranoheshin nga kundërshtarët e tij politikë, edhe pse kjo pjesë e ligjit nuk kontestohej apo prekej nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. U ktheva pak mbrapa e solla këtë fakt, për të kuptuar më mirë raportin e opozitës së z. Rama me ligjin zgjedhor dhe zgjedhjet në përgjithësi, me të cilin nuk ka zënë karar kurdo që llogaritë nuk i dalin mirë, edhe pse është hartuar e është shkelur kryesisht prej tij.
Besoj se përveç opinionit publik shqiptar, edhe institucionet e përfaqësuesit ndërkombëtarë e kanë të qartë faktin se nuk është ligji dhe shkeljet e pretenduara të tij shkaku që me gjithë dëshirën e madhe z. Rama nuk i fiton dot zgjedhjet e nuk vjen dot në pushtet. Sigurisht që ketë gjë e di edhe ai, por edhe të tjerët në PS, që u konvenon për projektet e planet e tyre politike një situatë e tillë. Kontestimi i procesit zgjedhor e ndoshta edhe krejt zgjedhjeve ka të bëjë më shumë se me politikën kombëtare me zhvillimet e brendshme të pritshme në PS. Sidomos, ato pas 23 qershorit. Humbja aq e mundshme e zgjedhjeve nga PS-ja mund të jetë e tmerrshme për Ramën, por për të tjerë në PS pritet të jetë krejt e kundërta. Ka disa rivalë, aktorë faktorë të njohur të opozitës që më shumë se humbjen e Berishës presin atë të Ramës, gjë që natyrisht z. Rama e ka të qartë shumë më mirë se ne. Me gjithë përpjekjet e dukshme për të justifikuar një humbje të pritshme, nuk besoj se z. Rama do të mund të justifikojë një disfatë tjetër elektorale e sidomos të jetë sërish në krye të opozitës edhe pas kësaj. E vetmja gjë që duket e sigurt në këtë start zyrtar të zgjedhjeve politike, është ajo që më shumë sesa për fitoren e zgjedhjeve lidershipi opozitar mendon më shumë për justifikim e humbjes së tyre, e thënë ndryshe, për pas 23 qershorin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency