Bija e Hënës dhe e Diellit

0
282

henaIsh një nënë, kish një djalë. Të vetëm e kish. E donte me përgjëratë. Djali dilte për gjah. Nëna e porositi:

– Bir, bir. Gjithë maleve të gjuash, veç në mal të kuçedrës mos gjuaj. Se kuçedra është shumë e keqe bir, të ha të përpin. Atje kanë shkuar shumë trima e nuk janë kthyer prapë…

Djali nuk e dëgjoi nënën por e dëgjoi vashën e zemrës.

Ajo i tha:

– Trim, në më do mua, në asnjë mal të mos gjuash, vetëm

në mal të kuçedrës të gjuash!

Trimi e donte shumë vashën e bukur e nuk ia shkelte kurrë fjalën. Pra, u ngrit e shkoi të gjuante në mal të kuçedrës. Sapo u ngjit atje lart, zuri të lëkundet dheu, me gjithë gurë e drurë. Na i doli përpara kuçedra e madhe me shtatë krerë dhe shtatë brirë, me sytë si pishtarë të ndezur, me gojën sa një shpellë, me flatra në kurriz si krahët e lakuriqit të natës, po shumë të mëdha. Nxirrte tym e flakë të verdha nga goja. Kjo flakë digjte e përvëlonte barin, lulet, shkurret. Përpoqi tri herë bishtin dhe u bë tërmet i madh. Djali nuk u tremb: vuri shigjetën në hark. Shigjeta u nis, fërshëlleu po nuk i bëri asgjë kuçedrës. I ra me shtizë, por as shtiza nuk i bëri gjë. Nxori shpatën, po kuçedra lëshoi një grahmë kaq të fortë sa shpata i ra nga dora. Kështu trimi mbeti përballë kuçedrës pa shigjeta, pa shtizë, pa shpatë. Kuçedra qeshi me të shtatë gojët, iu afrua, e përcëlloi me flakë dhe i tha:

– Tani unë do të ha o djalë se ti shkele malin tim. Nuk ke dëgjuar ti se ai që shkel këtë mal nuk mbetet i gjallë? Këtu kanë ardhur shumë trima të tjerë përpara teje dhe të gjithë i kam ngrënë. Edhe ty do të ha, bëhu gati.

– Moj kuçedër stërkuçedër, unë e shoh se ti do më hash. Me të vërtetë qenke shumë e fortë. Të lutem vetëm për një gjë: më lër të shkoj gjer në shtëpi që ti kërkoj nënës uratën e vdekjes. Pastaj do të kthehem këtu që të më hash.

– Ç’do të më japësh ti mua po të të lë të shkosh?

– Do të të jap besën time!

– Mirë, nëma besën e shko.

Djali i dha besën kuçedrës, zbriti malin, shkoi drejt e në shtëpi e i tha nënës:

– Zonja mëmë, mua më zuri kuçedra në malin e saj tek po gjuaja e tani do më hajë. Unë i dhashë besën se do të kthehem dhe ajo më lëshoi. Tani falmë uratën e vdekjes se do shkoj të më hajë. Nëna lëshoi kujën: qau, bubutiu:

– Bir, o bir! Ç’tu desh të shkoje në mal të kuçedrës?

Pse s’më dëgjove mua? Mos shko!

– Jo nënë do shkoj se i kam dhënë besën kuçedrës.

Trimi buzëqeshi hidhur e u përgjunj që nëna t’i japë uratën e vdekjes: ai i puthi dorën, ajo i fali uratën, u vesh me të zeza, u mbyll në shtëpi…

Djali shkoi tek vasha e zemrës e i tha:

– Të falem moj e bukura ime! Kam ardhur të të lë lamtumirën se unë do të shkoj e nuk kthehem më. Do të më hajë kuçedra se më zuri tek gjuaja në malin e saj. Shigjeta nuk i bëri gjë, shtiza nuk e preku, shpata më ra nga dora kur u mata ta qëlloj. I dhashë besën se do kthehem prapë të më hajë. Pra mbeç gëzuar moj e bukur!

Vasha vuri buzën në gaz.

– Të vjen keq që do të të hajë kuçedra?

– Jo moj e bukur. Ti më ke falur kaq ngazëllime me bukurinë tënde e me buzëqeshjen tënde sa shkoj në vdekje pa asnjë pengesë. Qofsh e lumtur e rri me shëndet, se dua të arrij sa më shpejt, më pret kuçedra.

– Prit djalë se do të vij dhe unë në mal me ty..

Djali i vrenjt.

– Mos eja moj e bukura ime se atje tunden gurët dhe drurët: kuçedra është shumë e keqe, të ha të përvëlon, të përpin.

– Unë nuk vij po të rrish dhe ti me mua përngaherë.

– Nuk mund moj vashë, i kam dhënë besën kuçedrës dhe nuk e shkel dot… Më mirë i vdekur së besëshkelur.

– E bukura qeshi dhe i tha:

-Do të vij me ty!

Vasha i hipi një kali të bardhë, trimi i hipi një kali të zi e ia morën përpjetë malit të kuçedrës. Vasha dukej si e veshur me dritë. Djali e shikonte dhe drithërohej. Thosh me vete: “Qysh ta hajë këtë bukuri kuçedra? Ah sikur të kisha tre jetë… Do t’ia falja të tria kuçedrës që ta linte vashën të kthehej në shtëpi dhe të jetonte e lumtur”.

E bukura e vuri re se ai diç bluante në mendje dhe e pyeti:

– Ç’mendon ti o trim?

Ai tha ç’mendonte:

– Të kisha pasur moj e bukur, tri jetë, do t’ia falja të tria kuçedrës që ti të shpëtoje e të ktheheshe përsëri në shtëpi e të rroje e lumtur.

Ajo e vështroi tërë gaz.

– Edhe pa ty?

– Qoftë edhe pa mua…

– Kaq shumë më do?

– Shumë…

Ndërkaq bubulloi tërë mali, u tundën gurët dhe drurët. Doli kuçedra me shtatë krerë dhe ia mori këngës:

– Lumja unë e lumja! Kisha një mu bënë dy! Po më vjen një vashëz e njomë. Do ta ha ta përpij”

Vasha e bardhë qeshi e ia ktheu:

– Mjerë ti mjerë moj kuçedër! Kishe një e s’ke asnjë. Dhe ti vetë do hysh në fund të dheut, se ky mal është i njerëzve dhe do jetë i njerëzve.

Vasha e trimi iu afruan kuçedrës. Kjo zuri të mprehë dhëmbët e të lëshojë zjarr nga goja. Po me një të shikuar vasha e mbërtheu në vend. Kuçedra u tremb, u mundua të prapset.

– Cila je ti moj vashë e bardhë, që më kall të ngjethura në shtat? Ç’është kjo dritë që të furfurin në fytyrë? Ç’është ky zjarr që po më djeg kështu?

– Jam bija e hënës dhe e diellit, jam pika e qiejve që bie kudo, në male e fusha, mbi kryet e të liqve për të mirën e të mirëve për shpëtimin e njerëzve.

– Ç’e ke ti këtë trim moj vashë e bardhë?

– E kam shoqin e jetëve.

– Vashë mbi vashëzat e dheut, – i tha kuçedra, – kthehu e gëzuar. Trashëgofsh të ritë tënd me trimin e zgjedhur. Paski qenë të dy të besës e më mundët.

– Po ti moj kuçedër e stërkuçedër, ç’do të bësh tani? – e pyeti bija e hënës dhe e diellit, që mbante në dorë një shigjetë drite: pikë e qiellit.

– Meqë ti më munde, unë s’kam vend në këtë botë: do të hyj në fund të dheut e nuk do të dal kurrë më.

Dhe kuçedra u zhduk e nuk doli më: ndofta u dogj u bë hi, ndofta u fut në fund të dheut.

Ata të dy – vasha e bardhë dhe trimi i besës – rruan e trashëguan jetë pas jete. Edhe në mal të kuçedrës gjahtarët zunë të venë për gjah si në gjithë malet e tjerë. Atje zunë të kumbojnë këmborë koperash dhe sëpatë druvarësh.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency