Azil në Kanada, kreu i gjaqeve Marku dhe një shtetas nën hetim

0
161

azilKreu i Komitetit të Shpëtimit të Gjaqeve sajoi me dokumente false hasmërinë për shtetasin Abdullah Skeja

 

Në kulmin e akuzave nga Bashkimi Evropian për rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria, por edhe vende të tjera të rajonit, policia e Tiranës ka nisur hetimet në gjendje të lirë për kreun e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve, Gjin Marku. Fillimi i hetimeve për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” është bërë dy ditë më parë, pasi emri i Markut ka dalë pas arrestimit të shtetasit Abdullah Skeja në aeroportin e Rinasit. Këtij të fundit, gjatë procesit të kontrollit fizik, i janë sekuestruar disa dokumente, të cilat ishin lëshuar nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve, të cilat mbanin firmën e kryetarit të këtij komiteti, shtetasit Gjin Marku. Pas këtij konstatimi, policia ka bërë verifikimin dhe ka rezultuar se nëpërmjet këtyre dokumenteve, shtetasit Abdullah Skeja i është ndezur drita jeshile për të kërkuar azil politik në Kanada, pasi në Shqipëri i rrezikohet jeta, si pasojë e një konflikti hasmërie me një familje nga Dibra. Nisur nga kjo situatë, strukturat e Policisë së Shtetit kanë bërë verifikimet e mundshme dhe nga kontrolli dhe pyetja në teren e njerëzve lidhur me hasmëritë e shtetasit Abdullah Skeja ka rezultuar se ky i fundit nuk ka pasur konflikt hasmërie me asnjë person. Veç dëshmitarëve, një fakt të tillë e kanë treguar edhe dokumentet e Drejtorisë së Policisë së Dibrës, të cilat kanë kthyer përgjigje se në ngarkim të shtetasit Skeja, por edhe të anëtarëve të familjes së tij, gjatë këtyre viteve nuk kanë regjistruar asnjë ngjarje kriminale.

Korrupsioni në komitet

Për shkak të dëshirës së madhe të njerëzve për të përfituar azilin politik në vendet e BE-së, disa prej tyre janë të gatshëm të paguajnë mijëra euro, me qëllim përpilimin e dokumenteve dhe stisjen e ngjarjeve kriminale, sikur vërtet janë qëlluar me armë zjarri apo ndodhen në konflikt hasmërie me banorë të tjerë të fshatit apo të qytetit. Një skemë të tillë kishte ndjekur edhe shtetasi i arrestuar në Rinas, Abdullah Skeja, i cili falë pagesave të majme që dyshohet se i ka bërë kreut të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve, shtetasit Gjin Marku, ka arritur të nxjerrë dhjetëra dokumente, të cilat janë të nevojshme për të kërkuar një azil politik në Kanada. Për shkak të kësaj situate, policia ka vendosur të fillojë hetimet në gjendje të lirë edhe për 54-vjeçarin Marku, duke e akuzuar këtë të fundit për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve”. Gjatë marrjes në pyetje, Marku ka pretenduar se ai nuk ka bërë lëshimin e dokumenteve, duke mënjanuar veten nga ky rast kriminal. Aktualisht, materialet hetimore lidhur me këtë ngjarje i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës, e cila në ditët në vijim pritet të marrë sërish në pyetje dy personat e vënë nën hetim, shtetasin 27-vjeçar Abdullah Skeja dhe 54-vjeçarin Gjin Marku. Ky nuk është rasti i vetëm që Policia e Shtetit arrin të sigurojë dokumente të falsifikuara që lëshohen nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve, të cilat më pas përdoren nga persona të ndryshëm për të kërkuar azil politik, me pretendimin se në Shqipëri u rrezikohet jeta e tyre, por edhe e familjarëve të tjerë.

BE-ja, rrezik për vizat

Në kushtet e një fluksi tepër të madh të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian, Brukseli ka reaguar duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare që të marrë masa të menjëhershme për uljen e numrit të azilkërkuesve. Pak kohë më parë në Tiranë, mbërritën dhe disa specialist nga Belgjika, të cilët zhvilluan një takim me drejtorin e Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, të cilët gjatë takimit i vunë në dukje se shumë persona janë duke mashtruar dhe falsifikuar dokumentet në Shqipëri, me qëllimin e vetëm kërkimin e azilit politik në BE. Shumë persona, si kryepleq, kryekomunarë, por edhe funksionarë të tjerë të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve, lëshojnë dokumente të falsifikuara, duke u dhënë mundësi personave të ndryshëm, që të udhëtojnë në drejtim të Bashkimit Evropian dhe më pas kërkojnë azilin politik. Pak kohë më parë, policia e Tiranës arrestoi kryetarin e Komunës së Zall-Herrit, Gani Alushi, dhe kryeplakun e fshatit Katnur, Pëllumb Gjoka. Këta të fundit kishin sajuar një ngjarje kriminale që më pas ishte shoqëruar gjoja me hasmëri disavjeçare, duke i lëshuar disa dokumente një shtetasi që kërkonte azilin politik.

 

 

Aksidenti në Tufinë

Makina bie mbi varreza, plagosen dy femrat në automjet

 

Një makinë në të cilën udhëtonin dy femra, del nga rruga në zonën periferike të Tufinës dhe përfundon në varreza. Burime policore të Tiranës bëjnë me dije se nga dalja e makinës janë plagosur dy femrat që ndodheshin në makinën me targa të Durrësit, tip “Renault”. Të plagosurat, të cilat ktheheshin nga një përkujtimore në momentin e aksidentit janë nisur për mjekime në Spitalin Ushtarak, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Nga verifikimet e para ka rezultuar se dy të dëmtuarat kanë qenë me shpejtësi tej normave të lejuara dhe për pasojë kanë dalë nga rruga, duke hyrë në një nga parcelat e varrezave në Tufinë. Aktualisht, ndaj drejtueses së mjetit tip “Renault” policia ka marrë vetëm masën administrative. Nga ky aksident janë dëmtuar vetëm disa varreza.

 

 

U kapën në flagrancë

Durrës, vidhnin automjete, arrestohen tre persona

 

Policia e Durrësit ka goditur një rrjet kriminal që vidhte automjete luksoze në zonën e plazhit në Durrës. Në pranga kanë rënë Eduart Xaka, 24 vjeç, dhe Naim Murati, 44 vjeç, nga Kruja. Falë operacionit të koduar “Start 2013”, u zbulua se ata janë autorë të të paktën 10 vjedhjeve automjetesh luksoze, kryesisht në lagjen nr. 13 në Durrës dhe sektorin “Apolonia”. Ata u arrestuan në flagrancë në kohën kur po kryenin vjedhjen e automjetit tip “BMW – X5”. Si provë materiale janë sekuestruar dy automjete, kasetofonë të markave të ndryshme, koka sediljesh etj. Ndaj tyre rëndon vepra penale e vjedhjes në bashkëpunim. Ndërkohë, për këtë grup kriminal vijojnë hetimet me qëllim zbardhjen edhe të rasteve të tjera të grabitjeve të automjeteve.

 

 

U keqtrajtua nga bashkëshorti, 28-vjeçarja Ajazi humb foshnjën e saj 4-muajshe

 

Ka humbur fëmijën gruaja që u dhunua fizikisht disa javë më parë nga burri i saj në qytetin e Korçës. Sipas burimeve të spitalit të Korçës, Rudina Iljazi, 28 vjeçe, humbi foshnjën katërmuajshe dhe shkak i saj është dhuna që ajo ka pësuar, prej së cilës qëndroi edhe disa ditë nën kujdesin e mjekëve. Për këtë ngjarje agresori Olsi Iljazi ndodhet në paraburgim në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Vdekja e foshnjës ka rënduar gjendjen e 28-vjeçares, e cila gjatë kësaj jave ka qëndruar e shtruar në spitalin rajonal të Korçës. Keqtrajtimi i Iljazit u krye nga bashkëshorti i saj Olsi Iljazi, ku pas një sherri mes nuses dhe vjehrrës, për shkak se nusja nuk kishte bërë punët e shtëpisë, 28-vjeçarja është larguar në banesën e prindërve të saj në Korçë. Sapo ka mësuar një gjë të tillë, Olsi Iljazi që kishte vetëm pak muaj që ishte kthyer nga emigracioni në Itali, ka shkuar në banesën e vjehrrës së tij, ku ndodhej edhe bashkëshortja Rudina Iljazi. Pasi ka takuar vjehrrën, ai ka bërë sikur kishte dhimbje të forta në bark dhe nisur nga kjo situatë e ka urdhëruar të vjehrrën të shkonte të merrte disa ilaçe në farmaci për stomakun. Por pikërisht sapo është larguar nëna e 28-vjeçares Rudina Iljazi, kjo e fundit është përballur me një dhunë barbare, duke u qëlluar nga bashkëshorti me karrige, grushte dhe mjete të tjera të forta. Dhuna e rëndë ndodhi kur 28-vjeçarja ishte shtatzënë në muajin e katërt. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë autori i krimit është larguar nga banesa, duke u arrestuar disa orë pas krimit. Teksa mbahej i izoluar në qelitë e paraburgimit, Olsi Iljazi ka ndier pendesë dhe ka tentuar të vrasë veten, duke e përplasur kokën në murin e qelisë. Kanë qenë efektivat e policisë ata që kanë bërë të mundur parandalimin e vetëvrasjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency