Pallati dhe kredia 100-milionëshe, Rama: Akuzave nuk u përgjigjem, publikut më vonë

0
140

Gëzim Saliu

ramaKoalicionet, Rama: LSI-në dhe FRD-në nuk i kam ftuar, mbetet zgjedhje e tyre, PS fiton edhe pa to

 

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk pranon t’u përgjigjet akuzave të mazhorancës lidhur me pallatin e bashkëshortes së tij dhe të kredisë hua prej 100 milionë lekësh me burim anonim. Në bashkëbisedimin e parë me gazetarët për vitin 2013, i pyetur lidhur me këto akuza, kryesocialisti u përgjigj duke thënë: “Autorët e kësaj ofensive nuk meritojnë përgjigje, por përbuzje. Ndërsa opinioni publik meriton një shpërblim të plotë dhe do ta ketë. Se si, kur dhe ku, nuk e vendosni ju”, duke shtuar se deklaratat e pasurisë janë të depozituara dhe aty gjendet e vërteta.

 

Koalicionet

Gjatë komunikimit me gazetarët në selinë rozë, kryetari i Partisë Socialiste mohoi të ketë bërë ftesa të drejtpërdrejta për LSI-në dhe FRD-në për koalicion në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Ramës, u takon këtyre forcave të vendosin fatin e tyre në zgjedhjet e 23 qershorit. “Nuk kam bërë ftesë as për LSI-në, as për FRD-në, i jam përgjigjur një pyetjeje duke nënvizuar një koncept. Është LSI që duhet të vendosë. Pa dyshim, koalicioni ynë do të jetë një koalicion për programin “Për një rilindje shqiptare”. Mos harroni që në një koalicion të gjitha palët nuk mund të pretendojnë 100% të programit të tyre, kur bashkohem me palën fituese apo kur janë pjesë e një koalicioni fitues që ka një parti të madhe fituese”, – u shpreh Rama. Më tej, i pyetur nëse mund të bashkëqeverisë PS me një njeri që e ka akuzuar për korrupsion, duke iu referuar kreut të LSI-së, Meta, lideri socialist tha: “Unë hyj tek njerëzit që ka bindjen se çështja e korrupsionit është një çështje sistemi. Ne do të rimodelojmë sistemin. Kjo nuk është një çështje personash, por një çështje e interesit publik. Këtë mund ta bëjmë me këdo që vendoset përballë Berishës”.

 

Ekonomia dhe programi

Duke e cilësuar situatën ekonomike në vend në kolaps, kryesocialisti pohoi se arka e shteti është bosh dhe se borxhi publik vazhdon të rritet. “Pas gjashtë muajsh, PS do të marrë një vend me arkën e boshatisur. Ministri i Financave fajëson institucionet për vonesat ne pagesa. Sipas Ministrit të Financave, qeveria dhe institucionet nuk janë të lidhura bashkë. Kriza energjetike është mbi të gjitha përgjegjësi e privatizimeve të papërgjegjshme të qeverisë. Siç po privatizohen edhe katër HEC-et, pasi në to u bënë investime dhe janë rentabël. Privatizimi është një proces që mund të ndodhë vetëm nëse shteti nuk arrin të administrojë si duhet një aset të caktuar, por jo kur ai është fitimprurës. Ky është një tjetër rast korrupsioni dhe nëse kompania do të fitojë hidrocentralet, ne do t’ia heqim”, – tha Rama. Në këtë kontekst, kreu i selisë rozë bëri të ditur edhe alternativën e opozitës, duke nënvizuar se në 100 ditët e para të qeverisjes do të hiqet taksa e biznesit të vogël. “Ne jemi në rrugën e detajimit të programit. Ajo që do të ndryshojë thelbësisht me programin tonë do të jetë raporti i qeverisë me opinionin publik. Ne nuk do të rrisim taksat. Kush fiton më shumë do të paguajë më shumë, kush fiton më pak do të paguajë më pak. Ne nuk do të ulim asnjë rrogë. Por nga ana tjetër kush nuk paguan taksa, do të gjejë belanë në këtë vend. Do ngremë një agjenci të posaçme, e cila do ta ndjekë deri në fund çdo abuzues që nuk paguan taksën”, – u shpreh kreu i PS-së, Edi Rama.

 

Reagimi, PD: PS votoi kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit të saj Gert Bogdani, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Deputeti i Partisë Demokratike, Gert Bogdani, u shpreh: “Rama ka urdhëruar deputetët e Partisë Socialiste të votojnë kundër rritjes së rrogave dhe të pensioneve. Qeveria ka bërë të mundur rritjen me 110% të pensioneve në fshat. Ai që flet për heqje taksash, gjatë kohës që ishte në pushtet i hoqi ato për kupolën e tij. Partia Demokratike do vazhdojë me rritjen e rrogave sa herë do votohet nga qytetarët”, – tha Bogdani.

 

Bregu: Rama shmangu me gënjeshtra përgjigjen, ka marrë një grua me pajë të majme

Në një reagim ndaj deklaratave të kryesocialistit Rama lidhur me akuzat e mazhorancës për pallatin dhe kredinë hua 100-milionëshe të bashkëshortes së tij Linda Basha, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi se kreu i PS-së është mësuar të gënjejë. “Edi Rama, në konferencën e sotme për shtyp, shmangu me përbuzje përgjigjen ndaj pyetjeve të gazetarëve mbi 100-milionëshin dhe pallatin e bashkëshortes së tij; siç bën gjithmonë jo vetëm me gazetarët, por edhe me të gjithë qytetarët. Është mësuar të përbuzë e gënjejë, sepse deri më sot s’është përballur siç e meriton me ligjin. Por “na qetësoi tani!” S’ka vetëm 3000 euro në vit. Ka marrë një grua me pajë të majme!”, – tha ministrja në rrjetin social Facebook.

 

 

 

Konferenca në Twitter, Rama: Kërkesa e KQZ-së për mandatet, e paligjshme

Kryetari i Partisë Socialiste ka zhvilluar dje një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetin social Twitter, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të tyre. Kryesocialisti është shprehur se kur të vijë në pushtet, PS-ja do të rishohë të gjitha kontratat e çdo privatizimi e koncesioni që nuk ka përmbushur kushtet kontraktuale. Nga ana tjetër, Rama e ka cilësuar si të paligjshme dhe të papranueshme kërkesën e KQZ-së që ndarjen e mandateve ta bëjë Parlamenti.

A do të pezullohen kontratat e qeverisë së tanishme me firmat fantazmë për sektorët me rëndësi kobtare?

Ne do rishohim kontratat e çdo privatizimi e koncesioni që nuk ka përmbushur kushtet kontraktuale.

Si e gjykoni kërkesën e KQZ-së që ndarjen e mandateve ta bëjë Parlamenti?

E paligjshme dhe e papranueshme.

Keni në plan një këngë të re për fushatën e këtij viti? 🙂

Pranë të 50-ave të kënduarit në publik është punë gjenish ose mediokrish, s’i përkas asnjërit soj:-)

Kur do ta paraqitni në popull programin e PS (rilindje)?

Programi është në rrugën e shkrimit te tij dhe në fakt ai paraqitet e zhvillohet dita-ditës.

Do të vazhdojnë rrjedhjet e deputetëve që votohen nga e majta të shkojnë djathtas?

Uroj që jo dhe do të bëj çmos që të mos ndodhë.

Në qytetet që ka fituar PS, nuk thuhet që janë vjedhur votat, por vetëm kur humbni e thoni këtë?

Vjedhja e votës nuk është bërë në çdo qytet e në çdo kuti, po aty ku hajdutët kanë dashur dhe mundur të vjedhin.

A do t’u hapësh rrugën “intelektualëve” tanë të ikin në shtëpi (BE) se ngrinë së ftohti? Bëjua këtë nder se kanë marrë mision:)

Peticionet antiopozitë i firmos kush rri ngrohtë brenda sqetullës së këtij pushteti tribal, jo ata që vuajnë pasojat e mosintegrimit.

Cili është programi juaj për arsimin?

Është më i gjatë se një tweet:-) Konkurrencë dhe meritë! Do rilindim arsimin profesional.

A do t’i votoni ligjet dhe të na integroni në Evropë duke lënë pas të gjitha përplasjet e interesit?

Barcaletën e integrimit me tre ligje ia kemi lënë Saliut e tellallëve të tij. Integrimi është shumë më serioz se kaq.

FRD thotë se s’bën koalicion me partitë e vjetra, po mund të bashkëpunojë për mbrojtje votash. Hapje a interes meskin?

Jam i gatshëm ta dëgjoj propozimin konkret të FRD për bashkëpunim në funksion të mbrojtjes së votës.

Ftesa juaj për LSI të dielën e shkuar u refuzua nga LSI. Pse i ftoni ata çorbaxhinj?

S’kam bërë ftesë për LSI, po kam dhënë një përgjigje: LSI të zgjedhë, patericë për Saliun apo kthim në identitet(?).

 

Milo: Rama të mbledhë sa më parë tryezën e opozitës

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kërkoi mbledhjen sa më shpejt të tryezës së partive opozitare, me qëllim zyrtarizimin e frontit të përbashkët për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Ai apeloi për veprime konkrete për të treguar që opozita nuk është e fragmentarizuar. “Të organizohemi nga pikëpamja e strukturës, të shpallim objektivat elektoralë dhe të përcjellim mesazhe optimizmi me qëllim që elektorati ynë të marrë sinjalet e duhura”, – theksoi Milo. Nga ana tjetër mbështet idenë që fronti opozitar të zgjerohet sa më shumë dhe të nisë aksionin e përbashkët për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Partitë duhet të shfaqen tani sepse ka ardhur momenti. Duhet të japin shenjën se janë kundër mazhorancës qeverisëse. Nuk ka kohë për të humbur”, – shtoi Milo.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency