100-vjetori i policisë, Berisha: Çoni përpara arritjet tuaja

0
154

100 vjetPolicia nderohet me Urdhrin e Flamurit Kombëtar

 

13 janari shënoi 100-vjetorin e themelimit të policisë shqiptare dhe me këtë rast në kryeqytet u mbajtën një sërë aktivitetesh. Kështu, gjatë fjalës përshëndetëse së tij, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, përveç urimeve tha se policia duhet që të vijojë të çojë përpara arritjet e deritanishme, ndërsa këtë 100-vjeçar që kaloi, e quajti si një histori suksesi. Kryeministri Berisha uroi me këtë rast, në emër të qeverisë shqiptare, të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit, burra dhe gra, dhe vlerësoi përkushtimin e tyre, ndjenjën e lartë të atdhetarisë, profesionalizmin e dëshmuar, që i bën ata të përmbushin me nder dhe dinjitet misionin e tyre të rëndësishëm. Numri një i mazhorancës gjatë fjalës së tij tha se duhen pasur parasysh të gjitha arritjet dhe të gjitha ndryshimet që ka pasur polica gjatë këtyre viteve, por duke iu referuar të tashmes, ai tha se janë në fuqi ligjet më të mira me të cilat policia do të arrijë ndryshime më të mëdha. “Është një nder i madh, kënaqësi e veçantë, të uroj sot në emër të qeverisë shqiptare të gjithë gratë dhe burrat e policisë së shtetit, të cilët me një përkushtim të madh, me ndjenje të lartë atdhetarie, profesionalizëm të shkallës më të lartë, vijnë sot në këtë jubile, krenarë për përmbushjen me nder dhe dinjitet të misionit të tyre të rëndësishëm. Funksionimi i saj bazohet në ligje te reja, në norma dhe standarde të reja, por funksionimi i saj bazohet para së gjithash në përkushtimin, trimërinë, vendosmërinë, e efektivave të saj”, – pohoi Berisha. Duke u fokusuar në vitet e fundit të punës së policisë, e cila funksionon tashmë mbi ligje, norma dhe standarde të reja Kryeministri tha se ky institucion i ka bërë vendit dhe kombit shërbime të jashtëzakonshme. “Shqiptarët admirojnë tek ju shkallën jashtëzakonisht të lartë të zbulimit, goditjes, çka bën një dekurajim dhe e bën të pashpresë revanshin e krimit në Shqipëri. Ju jeni bërë në kohë një partner i shkëlqyer i policisë simotra i të gjitha vendeve të rajonit dhe të Evropës”, – u shpreh Kryeministri. Me vlerësimin më të madh për kontributin e Policisë së Shtetit në bashkëpunimin ndërkombëtar të Shqipërisë, zoti Berisha shprehu bindjen se eksperienca dhe arritjet e mëdha pozitive të këtij 100-vjetori, do të zhvillohen në të ardhmen në interesin më të mirë të të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë. Ai vlerësoi si të rëndësishme punën për kapjen e bandave dhe në këtë kuadër tha: “Policia dhe shteti njohu zhvillime të fuqishme pas vitit 1920 dhe në vazhdim. Në mënyrë të veçantë pas vitit 2005 në luftën kundër bandave të cilët në simbiozë me pushtetin u bënë famëzeza në mbarë Evropën, pas shpartallimit dhe çmontimit, vendosjes para ligjit të bandave të Aldo Bares, Nehat Kullës, Lul Berishës dhe 206 grupeve e organizatave të tjera kriminale, të cilat bënin ligjin në rrugët, portet, aeroportet dhe institucionet e vendit, Shqipëria, shqiptarët nuk do të ishin dot anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut”.

Aktivitetet me rastin e 100-vjetorit nisën me vendosjen e kurorave me lule tek memoriali kushtuar të rënëve në Qendrën e Formimit Policor, ku ndër të tjerë ishin të pranishëm ministri i Brendshëm Famur Noka, drejtori i Përgjithshëm Hysni Burgaj, si dhe familjarë të të rënëve në krye të detyrës. Më pas, aktivitetet vijuan me prezantimin e një dokumentari për historikun dhe zhvillimet e Policisë së Shtetit, shpërndarjen e medaljeve të akorduara nga ministri i Brendshëm si dhe shpërndarjen e certifikatave të lavdërimit punonjësve të vlerësuar. Gjatë ceremonisë, Presidenti Nishani e nderoi Policinë e Shtetit me Urdhrin e Flamurit Kombëtar me motivacionin: Për merita dhe sakrificë të jashtëzakonshme për mbrojtjen, forcimin e rendit dhe sigurisë publike në Republikën e Shqipërisë, duke dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij. Kryetari i Shtetit ia dorëzoi urdhrin e lartë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i shtetit vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe historik, që ka luajtur Policia e Shtetit në sigurimin e rendit publik dhe zbatimin e ligjit gjithmonë në shërbim të qytetarëve. “Ne, sot, në këtë ditë të shënuar për Policinë e Shtetit, shprehim nderimin e thellë dhe kujtojmë me krenari sakrificën sublime të të gjithë atyre që dhanë jetën në krye të detyrës, në mbrojtje të ligjit, rendit, institucioneve, flamurit dhe shtetit”, – u shpreh Presidenti Nishani.

 

Noka: Polica, standarde për të përmbushur misionin e saj

Duke përshëndetur efektivat e Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm Flamur Noka u shpreh se Policia e Shtetit është pjesë e pandashme e historisë së shtetit shqiptar, me misionin fisnik në ruajtje dhe mbrojtje të sigurisë dhe rendit publik, në ruajtje të jetës, pronës së qytetarëve dhe në respektimin e të drejtave dhe lirive të tyre. “Policia e Shtetit, sot në 100-vjetorin e themelimit të saj mbart pjekurinë dhe standardet e nevojshme për të përmbushur me sukses misionin e saj, në mbrojtje të komunitetit”, – tha ministri i Brendshëm Flamur Noka. Ministri Noka theksoi se Policia e Shtetit zotëron përvojën, aftësinë, profesionalizmin dhe ka gjithë motivimin e duhur për të përmbushur me sukses misionin e saj fisnik. “Ajo përvetëson dhe përdor në punën e saj format dhe metodat më bashkëkohore dhe eksperiencën e vyer të homologëve evropianë dhe të ShBA-së, duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për ndihmën e pa kursyer që partnerët ndërkombëtarë kanë dhënë dhe vijojnë të japin për modernizimin e plotë të saj”, – tha ai. Ministri i Brendshëm, duke uruar edhe një herë organizatën për 100-vjetorin e themelimit të saj, nënvizoi se “Policia e Shtetit do të vijojë me sukses dhe përkushtim të plotë luftën kundër krimit, korrupsionit, gjithmonë dhe vetëm në shërbim të qytetarit, në garantimin e plotë të sigurisë dhe rendit publik”, – përfundoi ministri Noka.

 

Historiku i Policisë së Shtetit

Policia shqiptare, e krijuar më 13 janar të vitit 1913, është ndër institucionet e para të krijuara me një akt të posaçëm të Kryeministrit të asaj kohe të Qeverisë së Vlorës, Ismail Qemali. Në qershor të po atij viti u vendos për herë të parë uniforma e rregullt kombëtare e xhandarmërisë. Ndërsa në vitin 1919, për herë të parë, u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Qetësisë Publike, si dhe u ngritën 14 zyra të policisë në prefektura e nënprefektura. Regjimi mbretëror i dha një status të veçantë policisë dhe xhandarmërisë. Në atë kohë u formuan disa polici, si: ajo e Sigurisë Publike, Policia Bashkiake, Policia Rurale dhe Policia Kufitare. Fundi i vitit 1944 e gjeti Shqipërinë nën një regjim të ri. Komunistët vendosën pushtetin e tyre ushtarak në gjithë vendin. Pas miratimit të statutit të RPSH-së, me ligjin e 9 dhjetorit 1946, Policia Popullore u përcaktua si organ ekzekutiv i administratës shtetërore dhe ishte një prej organeve të diktaturës së proletariatit, e ndërtuar sipas parimeve marksiste-leniniste, të luftës së klasave, vijës së masave etj. Përmbysja e sistemit komunist dhe vendosja e sistemit demokratik pas vitit 1991 solli ndryshime të rëndësishme edhe në polici. Nga prill i vitit 1991 u krijua Ministria e Rendit Publik dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Nga viti 1991 e deri më sot, policia shqiptare ka pësuar ndryshime të rëndësishme për sa i përket strukturës dhe mënyrës së organizimit për parandalimin e krimit, si dhe për t’u ndier më afër qytetarëve të saj.
Nga viti 2006 e në vijim, me synim për të sjellë ndryshime cilësore në funksionimin e strukturave të Policisë së Shtetit, u ideua e realizua një proces i tërë reformimi, i cili synonte krijimin e standardeve më të mira për rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të policisë, si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ofruar ndaj komunitetit. Ky proces u zhvillua jashtë ndikimeve politike në përzgjedhjen e personelit, si dhe me asistencën e misioneve të huaja PAMECA, ICITAP dhe OSBE. Tashmë, përqafimi i filozofisë së policimit në komunitet nga Policia e Shtetit mundëson përfitime të cilat konsiderohen thelbësore si: ndryshim të mendësisë, krijimin e një kulture moderne menaxhimi, ndërtimin e partneritetit, përmirësimin e infrastrukturës, krijimin e një imazhi në rritje për Policinë e Shtetit, duke e lidhur këtë dhe me krijimin e besimit.

 

Përkujtohen policët e rënë në krye të detyrës

Me rastin 100-vjetorit të krijimit të policisë, në Shkollën e Formimit të Policëve, u kujtuan ditën e diel policët e rënë në detyrë. Në ceremoninë përkujtimore të organizuar nga Policia e Shtetit, ministri i Brendshëm Flamur Noka, kreu i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, si dhe familjarë të policëve të rënë në detyrë kujtuan dhe nderuan të rënit në detyrë, duke vendosur kurora pranë memorialit kushtuar policëve që dhanë jetën për jetën. Ceremonia e zhvilluar në shkollën e formimit të policëve, ishte aktiviteti i parë i zhvilluar për ditën sotme, në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit festoi dje100-vjetorin e krijimit të saj. E krijuar më 13 janar të vitit 1913, pak javë pas shpalljes së pavarësisë së vendit, policia shqiptare ka përshkruar një rrugë të gjatë, duke u përballur me sfida të mëdha, transformime rrënjësore si në aspektin strukturor e organizativ, ashtu edhe në atë legjislativ e konceptual, për të ardhur në ditët e sotme, si një strukturë e rëndësishme e shtetit, që aplikon filozofinë bashkëkohore të policimit në komunitet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency