Vendimi Kreu veprime të turpshme me të miturin, 2 vjet burg me kusht për Ndue Lukën

0
140

Sonja Caka

vendimGjykata: 65-vjeçari mashtroi dhe më pas kreu veprime intime në ambient publik me një të mitur nën 14 vjeç. Pezullohet dënimi me burg, i moshuari nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës

 

Dy vjet burg më kusht i ka kushtuar një 65-vjeçari mashtrimi dhe më pas kryerja e veprimeve të turpshme me një të mitur nën 14 vjeç në ambientet e Kodrave të Liqenit Artificial. Ka qenë konstatimi i largimit të të miturit nga një i njohur i familjes së këtij të fundit që alarmoi babanë e fëmijës dhe më pas edhe policinë e kryeqytetit. Policia mundi që brenda një kohe të shkurtër të vinte në pranga 65-vjeçarin, ndërsa merrte mjekim në Spitalin Ushtarak, ndërsa dëshmia e të atit të minorenit dhe të njohurit të babait të tij, çuan në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Një ndihmë të madhe si në njoftimin e familjes, por edhe në zbardhjen e ngjarjes ka dhënë dëshmitari Naim Pasha, i cili ka deklaruar se ka parë momentin kur i dëmtuari është larguar me të pandehurin Ndue Luka, faktin se i dëmtuari ka shkuar vetë me të pandehurin, njoftimin e familjarëve të të dëmtuarit, telefonatën që i ka bërë të dëmtuarit, faktin se ai po qante dhe se i kishte thënë se një burrë donte “të bënte gjëra të këqija me të”, njoftimin e babait të të dëmtuarit, si dhe reagimin e babait të të dëmtuarit dhe familjarëve të tij. Të gjitha këto momente, duke shtuar edhe dëshminë e babait të djalit, të vetë të dëmtuarit, por edhe personave të tjerë që kishin dijeni për ngjarjen, bënë që gjykata të shpallë fajtor dhe të dënojë me 3 vjet burg të pandehurin. Për shkak të pranimit të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, 65-vjeçari u dënua përfundimisht me 1 vit e 7 muaj burg, dënim që iu pezullua duke vendosur që të jetë Shërbimi i Provës që ta monitorojë për një periudhë deri në 2 vjet. Vetë i pandehuri ka pranuar pjesërisht faktet duke pretenduar i dëmtuari kishte ardhur me vullnetin e tij nga Kodrat e Liqenit dhe e kishte puthur sepse ishte djalë muhabetqar.

Ngjarja

I pandehuri Ndue Luka është banor i zonës së Paskuqanit, Tiranë, dhe herë pas here dilte për shëtitje dhe aktivitet fizik në zonën e Kodrave të Liqenit, Tiranë. Me datë 29.7.2012, rreth orës 13:00, i dëmtuari G. F., 13 vjeç, ka qenë në afërsi të parkut “Rinia”, në qendrën e Tiranës, kur i është afruar i pandehuri dhe ka nisur të bëjë muhabet me të. Pasi e ka qerasur edhe me një akullore, i pandehuri i ka kërkuar të dëmtuarit që të shkonin nga Kodrat e Liqenit dhe me anë të mashtrimeve dhe me pretendimin “se ishte djalë i mirë”, i pandehuri ka arritur ta çonte deri pranë Kodrave të Liqenit Artificial. Aty i pandehuri, duke përfituar edhe nga ambienti disi intim, ka filluar ta puthë të dëmtuarin në faqe dhe në buzë, por i dëmtuari është frikësuar dhe ka filluar të qajë. Në një moment, i dëmtuari Gentian ka arritur të shkëputet nga i pandehuri dhe është larguar me vrap për t’u kthyer në afërsi të parkut “Rinia”. I dëmtuari i ka treguar babait të tij H. F. për atë që i ka ndodhur dhe kanë filluar të kërkonin të pandehurin në Kodrat e Liqenit. Pasi e kanë konstatuar në afërsi të lokalit “Dreri”, i dëmtuari dhe babai i tij kanë debatuar me të pandehurin dhe midis tyre ka filluar edhe një grindje fizike. I pandehuri dhe babai i fëmijës kanë goditur reciprokisht njëri-tjetrin me mjete rrethanore, por i pandehuri ka arritur të largohet me vrap. Disa orë më vonë, kur i dëmtuari dhe babai i tij kanë shkuar për të marrë mjekimin e nevojshëm në Spitalin Ushtarak, kanë njohur dhe identifikuar të pandehurin, i cili gjithashtu po mjekohej për shkak të përleshjes. Pas njoftimit të policisë është bërë ndalimi në flagrancë i të pandehurit dhe kanë filluar procedurat ndaj tij.

 

Gjykatë

Suedezi i kapur me 9 pistoleta, ankesë për zgjatjen e afateve të hetimit

Suedezi i kapur me 9 pistoleta nga policia e Muriqanit kundërshton zgjatjen e afateve të hetimit ndaj tij, duke iu drejtuar Gjykatës së Krimeve të Rënda. Personi nën hetim Lars Tommy Rosen i është drejtuar gjykatës me një kërkesë, ku ankohet për tejzgjatje të hetimeve. Çështja është regjistruar pak ditë më parë dhe pritet të shqyrtohet nga gjyqtari Dritan Hallunaj. 32-vjeçari nga Suedia mësohet të jetë arrestuar në pikën kufitare të Muriqanit, ndërsa u konstatua se në çantën e tij të shpinës kishte të fshehura 9 pistoleta. Suedezi Lars Tommy Rosen po udhëtonte në autobus së bashku me 50 pasagjerë të tjerë në linjën e autobusit Prishtinë-Hamburg, Gjermani, kur atij i janë gjetur 9 pistoleta të markës “Ekol Special” me krehrat e tyre, por pa fishekë.

Tiranë

U kap me disa kg kanabis, përfundon hetimi për Binon

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për të pandehurin Xhani Bino, i cili akuzohet për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 283/a/1 – 22 dhe 283/1 të Kodit Penal. Dosja penale e regjistruar pak ditë më parë do të gjykohet nga gjyqtarja Etleva Deda. Sipas akuzues, 53-vjeçari Xhani Bino udhëtonte me autobusin e linjës Sarandë – Igumenicë – Athinë, ku pas kontrollit të pasagjerëve në Qafë-Botë iu gjetën katër pako me kanabis. Pas arrestimit të tij, policia i gjeti në banesë një tjetër sasi droge, e cila në total shkonte 3 kg.

Gjykatë

Përfundojnë hetimet për studentin, u kap me 5.2 kg marijuanë

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet dhe në ditën e fundit të vitit 2012 ka dorëzuar për gjykim dosjen në ngarkim të studentit të Universitetit të Gjirokastrës “Eqrem Çabej”, i akuzuar për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 283/a/1 – 22 i Kodit Penal. Dosja në ngarkim të të riut Olsian Rondo do të gjykohet nga trupit gjykues i kryesuar nga gjyqtari Luan Hasneziri, ndërsa mësohet se i riu është kapur në pikën kufitare të Kakavijës me 5.2 kg marijuanë. Sipas akuzës, 24-vjeçari është arrestuar pasi gjatë kontrollit në mjetin e tij me targa GJ 66 91 A rezultoi se në shasinë e automjetit në kanalin që kalon malvida e automjetit ishte sajuar një dhomë e vogël e salduar me fletë metalike me qëllim maskimin, ku brenda saj janë konstatuar pako me lëndë narkotike. Sipas policisë në brendësi të dhomës së krijuar në shasinë e automjetit u gjetën 8 pako me madhësi e peshë të ndryshme, të mbështjella me letër alumini dhe me natriban transparent të lyera me graso, ku brenda tyre kishte 5.2 kilogramë marijuanë. Policia thekson se 24-vjeçari Rondo e ka blerë lëndën narkotike në Lazarat dhe do ta trafikonte për në Athinë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency