Intervista Statusi, ambasadorja gjermane: Interesi kombëtar, parësor, reformat të votohen për shqiptarët

0
138

 

holtkemperHoltkemper: Zgjedhjet e 23 qershorit, tregues të pjekurisë së Shqipërisë dhe institucioneve të saj

Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper, pohon se qeveria dhe opozita duhet të mbajnë në vëmendje interesin kombëtar të Shqipërisë. Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Holtkemper theksoi se tri ligjet duhen votuar sa më parë dhe se vendi duhet të shënojë progres në reforma. Ndërkohë lidhur me zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, ambasadorja gjermane nënvizon rëndësinë e tyre në kuadër të pjekurisë politike dhe institucionale të Shqipërisë në raport me Bashkimin Evropian. Sipas ambasadore gjerman është në dorën e vetë vendeve që aspirojnë anëtarësimin të dëshmojnë vullnetin politik dhe vendosmërinë për të përmbushur kushtet e rrepta dhe të ndershme të BE-së.

 

Zonja Müller-Holtkemper, nga viti 2012 Shqipëria ka të bartur një mosrealizim: mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Ju keni mendimin se ky vlerësim erdhi për shkak të mosvotimit të tri ligjeve nga Parlamenti apo dhe për shkaqe të tjera? Çfarë pritmërie keni për këtë vit që sapo ka nisur në realizmin e këtij objektivi?

“Ne qëndrojmë përkrah Shqipërisë dhe e mbështesim atë në mënyra të shumëllojshme në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian. Por në rrugëtimin drejt BE-së nuk ka shkurtime. Është në dorën e vetë vendeve që aspirojnë anëtarësimin të dëshmojnë vullnetin politik dhe vendosmërinë për të përmbushur kushtet e rrepta dhe të ndershme të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst secili vend do të vlerësohet në varësi të progresit individual lidhur me reformat: këtu, krahas miratimit të ligjeve, do të mbikëqyret edhe stadi aktual dhe i besueshëm i zbatimit të reformave, përfshirë ndërtimin e shtetit ligjor dhe të sistemit të pavarur të drejtësisë, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vitin 2012 Shqipëria ka miratuar një sërë ligjesh të rëndësishme si dhe ka përmbushur disa prej 12 kritereve kyçe. Kjo vlerësohet pozitivisht prej nesh. Mungojnë ende tre projektligje të rëndësishme si dhe ekziston ende nevoja e zbatimit të mëtejshëm të reformave. Është mjaft e rëndësishme të forcohen përpjekjet në këtë drejtim. Por është gjithashtu e qartë, që Shqipëria këto reforma nuk i zbaton për BE-në, por për vete. Rezultatet e tyre shkojnë në të mirë të popullsisë shqiptare në formën e një sigurie ligjore më të madhe dhe të një zhvillimi më të mirë ekonomik dhe social. Ndaj uroj që për vitin 2013, qeveria dhe opozita, pavarësisht zgjedhjeve parlamentare të fund-qershorit, të mbajnë në vëmendje interesin kombëtar të Shqipërisë dhe të vazhdojnë të angazhohen edhe më tej në realizimin e reformave të nevojshme”.

Në bazë të informacioneve që ju keni a përbën problem për autoritetet zyrtare të vendit tuaj shtimi i kërkesave për azil i qytetarëve shqiptarë që përfitojnë nga lëvizja pa viza në zonën Shengen të BE-së?

“Liberalizimi i vizave, i arritur në fund të vitit 2010, ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë. Mundësia për të udhëtuar më lirshëm, lehtëson në masë të konsiderueshme edhe shkëmbimin e shumëdëshiruar edhe prej nesh në sektorë të ndryshëm, qoftë në ekonomi, shkencë, kulturë, turizëm, apo edhe thjesht vizitat tek të afërmit. Gjithsesi Gjermania është një prej vendeve më të prekur prej rritjes së ndjeshme të shifrave të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku duhet thënë se pothuaj të gjitha aplikimet për këtë qëllim në fund të fundit mbeten të pasuksesshme. Autoritetet shqiptare po ndërmarrin përpjekje të mëdha për ta marrë nën kontroll këtë problem, dhe bashkëpunimi mes organeve përkatëse gjermane dhe shqiptare është i mirë. Gjithsesi autoritetet kompetente gjermane janë duke e ndjekur me shqetësim këtë zhvillim”.

Viti që sapo ka nisur është një vit elektoral për Shqipërinë. Deri më tani disa çështje të infrastrukturës zgjedhore duken se kanë nisur me kontestime nga palët. Si një ndjekëse e zhvillimeve në vend, si e vlerësoni situatën e deritanishme për përgatitjet e zgjedhjeve të qershorit të këtij viti?

“Zgjedhjet e fund-qershorit janë të një rëndësie të veçantë: realizimin korrekt të tyre ne e konsiderojmë si një tregues të pjekurisë së Shqipërisë dhe institucioneve të saj në kontekstin e BE-së. Vitin e shkuar partitë kanë rënë dakord për zbatimin e rregullave të reja. Pikërisht këto rregulla të vetëvendosura duhet të gjejnë një zbatim të tillë, që zgjedhjet të zhvillohen të lira, të ndershme dhe transparente, në përputhje me standardet evropiane, dhe që rezultati i tyre të pasqyrojë korrektësisht vullnetin e zgjedhësve. Kjo do të thotë ndër të tjera që vendimet e natyrës kryesisht teknike në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve duhet të merren pa ngarkesë emocionale dhe politizim, që anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të përmbushin detyrat e tyre në mënyrë të pavarur dhe të lirë nga presionet politike, dhe që afatet e parashikuara në kodin zgjedhor të respektohen”.

Në raportet mes dy vendeve ka një çështje që publikisht duket se ka problem. E kam fjalën për projektin e interkoniuksionit Shqipëri – Kosovë, ku KfW-ja gjermane nuk gjeti dakordësi me palën shqiptare për procesin e tenderimit të fondeve. Cili është fati i këtij projekti? A ka ndikim ky zhvillim në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Gjermanisë?

“Marrëdhëniet tona dypalëshe janë të mira e miqësore. Kjo natyrisht nuk përjashton faktin, që në çështje të caktuara kemi opinione të ndryshme. Por ne kemi besim se kushtet për një financim nga Banka për Zhvillim KfW do të plotësohen dhe se ky projekt i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Kosovën së shpejti do të mund të realizohet”.

 

 

 

Shtetësia, shqiptarët e Luginës së Preshevës përfitojnë të parët

Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të jenë të parët që do të përfitojnë nga marrja e shtetësisë shqiptare. Burime pranë qeverisë shqiptare kanë bërë të ditur për portalin “Presheva jonë” se shqiptarët e Luginës do të jenë të parët që do të përfitojnë nga nisma e shpallur pak kohë më parë nga qeveria shqiptare. Përveç qytetarëve, banorë të komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, shtetësi do të marrin të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi, por edhe të gjithë pjesëtarët e diasporës që banojnë në Evropë, SHBA e Kanada. Kushti i vetëm për këta qytetarë është që vendi ku banojnë të ketë marrëveshje për të lëvizur pa viza në hapësirën Shengen. Më pas me daljen e aktit ligjor, kushdo që dëshiron të marrë shtetësinë shqiptare mund të aplikojë formularët që do të shpërndahen në përfaqësitë diplomatike shqiptare, por edhe në zyrat e gjendjes civile në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Në këtë formë ato do të marrin shtetësinë sipas ligjit. Në mbledhjen e tri ditëve më parë të Këshillit të Ministrave, kreu i mazhorancës, Berisha, bëri me dije se shtetësinë shqiptare do ta përfitojnë me dëshirë të gjithë ata persona të cilët jetojnë dhe punojnë në vendet e zonës Shengen. “Me vendim qeverie, bazuar në ligjin nr. 8389, datë 5.8.1998, i ndryshuar, “Për shtetësinë”, neni 9 pika 7, për interesa kombëtare, shtetësia shqiptare do t’u jepet sipas dëshirës së tyre, me aplikim, të gjithë qytetarëve me origjinë ose kombësi shqiptare, me dokumente të rregullta në vendet e zonës Shengen, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjetra me lëvizje të lirë pa viza në zonën Shengen. Për qytetarët shqiptarë me banim në Kosovë, kjo çështje duhet të zgjidhet mbi bazën e marrëveshjes me qeverinë e Kosovës dhe ky proces nuk mund të cenojë apo ndërhyjë në procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës me Bashkimin Evropian”, – pohoi Kryeministri Berisha.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency