Vrasje e ftohtë e letërsisë!

0
219

libra

Enkeleda Peti

Kur vendi është tejet i elektrizuar nga politika, ku televizionet nuk ofrojnë veç debateve politike, sa edhe frigoriferin ta hapësh ndonjë kokë politikani të del në vend të kavanozit me reçel – në këtë pamundësi dritareje, fuqia e librit duket e zbehtë! Nga ana tjetër prirja për ta bombarduar lexuesin me libra të servirur si histori e lexueshme joshkencore ka çorientuar leximet sot. Letërsia vazhdon të injorohet nëpër trotuare e bordura lulishtes bashkë me mbeturinat e bibliotekave të komunizmit që shiten buzë Lanës. Ja, kjo panoramë vjen përgjatë vitit 2012, kur rrekemi të vozitim nëpër libraritë e kryeqytetit për të kryer një sondazh modest mbi interesat e lexuesve për vitin që shkoi. Por edhe në përpjekje për të kuptuar se sa letërsia shqiptare i është afruar lexuesit të saj, kur dihet se në çdo fundvit ka një sistem vlerësues nga Ministria e Kulturës, që mund të shërbente si orientuese në tregun e librit. Kjo e fundit, në fakt, siç pohohet nga librarët, është krejt e papërfillshme sa i takon ndikimit që mund të kishte mbi zgjedhjen e librit, letërsisë shqipe. Referuar çmimeve të fundit në letërsi, libraret thonë se as nuk kanë dëgjuar për to se kush mund të ketë fituar. Kjo, si duket, përjashton fare edhe interesin e lexuesve për letërsinë tonë. Atëherë lind pyetja: Në ç’kontekst ndahen çmimet vjetore nga ministria, kur lexuesi vazhdon të jetë krejt injorant për prurjet letrare në një vit? Tregues të vetëm për t’iu referuar, si duket, është panairi i librit, pasi librarët thonë se çmimet që ndahen aty kanë më shumë impakt tek lexuesi.

Megjithatë, gazeta “standard” në përpjekje për të orientuar në treg çfarë lexohet prej shqiptarëve ka kryer një sondazh nëpër disa librari të kryeqytetit, ku vazhdon të shihet e zymtë dhe gjendja e kioskave ku librat tregtohen. Megjithatë, para pak kohësh kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, pati deklaruar se do të stimulonte këtë vit hapjen e librarive, duke mos i përfshirë në taksën lokale, interesi për të shtuar mjediset në kushte komode për shitjen e librave është larg ëndrrës së ndonjë pasionanti. Librat vazhdojnë të tregtohen në rrugë apo në kioska jashtë standardit dhe dinjitetit të autorit, ku ende nuk mund të imagjinojmë të kemi ndarjen midis librave bulevardeskë dhe atyre klasikë.

 

 

Cilët janë librat më të shitur për 2012-ën në libraritë shqiptare?

Libraritë në Tiranë na japin disa tituj librash. Një nga më të lexuarit me sa duket mbetet Kadareja. Përvjetori i pavarësisë ka bërë të vetën, duke u shitur disa tituj librash që kanë lidhje me Shqipërinë e sidomos mbi festimet e 100-vjetorit të pavarësisë si libri i Ilir Ikonomit “Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit”, “Shqipëria 1911-1914” i Romeo Gurakuqit apo “Flamuri i Kombit Shqiptar, Jaho Brahaj”. “Përveç librave me temë Shqipërinë janë shitur gjithashtu shumë edhe librat e Dan Brown-it”, – thotë librashitësja Nezi. Ndërsa, sipas librashitëses Etleva, nga librat më të shitur janë edhe librat psikologjikë, pra librat mbi filozofinë e se si duhet të jetojmë, si për shembull libri “Si të mposhtësh shqetësimet dhe të fillosh të jetosh”, i Dale Carnegie. Një nga librat që bien dakord të gjitha libraritë është “Steve Jobs” i Walter Isaacson, i cili edhe në 2011 ka qenë nga librat më të shitur. Duhet theksuar se të gjitha libraritë, nëse i pyet se cilët libra u shitën më shumë në 2012-ën, me fare pak ndryshime të japin të njëjtët tituj. Madje, librashitësja e librarisë “Adrion” thotë se nëse i kam marrë titujt tek Eva, janë shumë të saktë.

 

Si ndikojnë çmimet që jep Ministria e Kulturës për letërsinë?

Çmimet që jep Ministria e Kulturës për letërsinë duket që kanë fare pak ndikim në shitjen e librave. “Nuk e di fare kush ka marrë çmim nga Ministria e Kulturës, di që libri “Rënia e qytetit”, i profesor Artan Fugës, ka ecur shumë, pasi mori çmimin në panair, por ky ishte çmim që e dha panairi. Për çmimet e Ministrisë së Kulturës nuk kam ndonjë informacion”, – thotë librashitësja Etleva. E ndërsa i përmendim librat që kanë marrë çmime nga Ministria e Kulturës, ajo pranon se libri i Visar Zhitit “Rrugët e ferrit: burgologji” ecën si libër. “Në përgjithësi librat e Visar Zhitit ecin, por të tjerët që po më thua, nuk shiten, madje disa nuk i njoh fare si libra”, – thotë Etleva.

Ndërsa librashitësi i librarisë “E Përshtatshme” thotë se çmimet që jep Ministria e Kulturës kanë shumë, shumë pak ndikim në shitjen e librave. “Ndikojnë shumë, shumë pak. Duhet të kesh parasysh diçka, se janë libra shqiptarë”, – thotë librashitësi i librarisë “E Përshtatshme”. Ndërsa një tjetër librashitës, Kastrioti, thotë se në përgjithësi çmimet që jepen, ndikojnë në përzgjedhjen e librave, pasi lexuesit nuk mund të lexojnë të gjithë librat që dalin në treg, kështu që shpesh bazohen edhe tek çmimet që jepen. “Për çmimet që jep Ministria e Kulturës nuk di të them, por di se çmimet shpesh bëhen arsye që njerëzit blejnë libra, pastaj ka shumë rëndësi edhe se sa reklamë i bën librit, nëse i bën një reklamë të mirë, ndikon shumë në shitjen e librit”, – thotë Kastrioti, një librashitës.

 

Kioska apo librari? Si shiten librat

Shumë librari ngjajnë me një barakë të vjetër dhe me një sistemim të librave që jo vetëm lë për të dëshiruar, por është për të ardhur keq për mënyrën se si trajtohen njohuritë dhe kultura, me një hapësirë të vogël, që përveçse të lejon të mbash një numër shumë të kufizuar librash, janë në gjendje mjaft të mjerueshme për nga mirëmbajtja e librit. Ka librari si “Adrion” “E Përshtatshme” apo “Etleva”, që i mirëmbajnë librat. Por, librashitës të tjerë kanë një kioskë aq të vogël, sa përveçse e mbushin plot, i nxjerrin librat jashtë, madje ka që i vendosin librat edhe në tokë (pa llogaritur ata që nuk kanë as një kioskë të vogël, por thjesht i shesin librat në tokë), duke bërë të mundur që pluhuri i tokës, por edhe i makinave të shkrihet me kapakët apo fletët e librave. Hapësira e këtyre librarive është kaq e vogël, sa nuk mund të kuptosh se si rri brenda edhe librashitësi dhe jo më të hysh të shikosh për ndonjë libër. Përveçse nuk mund të hysh, nëse i kërkon një libër, ka shumë mundësi që do të të duhet të shkosh ditën tjetër për ta marrë, pasi nga mbivendosja për shkak të hapësirës shumë të vogël, ka rrezik (gjë që më ka ndodhur) që librashitësi të mos e gjejë se ku e ka vendosur librin. Në librat e shumtë që janë vendosur përtokë tek libraria në qendër më ra në dorë edhe libri i profesor Zyhdi Dërvishit “Vështrime të kryqëzuara në det” (literaturë që për vlerën që ka, është përkthyer edhe në anglisht “The crossed glimpses on the sea” nga Jakup Mato), i cili përveçse ishte bërë tërë pluhur, i ishte përthyer edhe kapaku. Më erdhi vërtet keq, dhe jo sepse e kam lexuar librin apo njoh autorin, por sepse natyrisht nuk është i vetmi libër dhe është për të ardhur keq për mënyrën aspak të përshtatshme me të cilën trajtojmë librin. “Ne përpiqemi me shpirt, se thesari libri është, lum ai që lexon. Ne mundohemi shumë me tonën, por këtu ku jam unë është e pamundur t’ia dalësh”, -thotë Agimi, një librashitës. Por përveçse t’i nxjerrin në tokë ka nga ata librashitës që kanë gjetur edhe mënyra të tjera, si për shembull në arka, tavolina apo siç mbahen gazetat. Natyrisht që duke qenë buzë rrugëve kryesore, as këta libra nuk i shpëtojnë dot pluhurit. Praktikisht, edhe pse i nxjerrin shumicën e librave jashtë këto librari, nuk i shpëtojnë dot kaosit që krijohet brenda për shkak të hapësirës shumë të vogël që zënë. “Praktikisht unë marr një numër të kufizuar librash. Marr librat më të lexuar që qarkullojnë në treg për njëfarë kohe. Librat që qarkullojnë shpejt, që shiten, si edhe librat për fëmijë që i shes pa problem. Libra që e vërtetojnë veten që janë të kërkuar si për shembull librat e Dan Brown-it, libri i Hitlerit apo Sekreti etj. Pra, marr vetëm librat më të shitur, të tjerët nuk i marr unë, se kaq është hapësira”, – thotë Kastrioti, një librashitës.

 

10 librat më të shitur në 2012

1.“Mosmarrëveshja” Ismail Kadare

2. “Enver Hoxha” Blendi Fevziu

3. “100 vjet shtet shqiptar” Blendi Fevziu

4. “Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit” lir Ikonomi

5. “Sidorela” Fatos Kongoli

6. “Rënia e qytetit” i Artan Fugës

7. “Pesëdhjetë hijet e Greit” E.L. James

8. “My Kampf” Hitleri

9. “Steve Jobs” Walter Isaacson

10.“ Sekreti” Rhona Byrne

 

 

 

Çmimet e letërsisë

 

Çmimi i Madh i Letërsisë për vitin 2011

I jepet shkrimtarit Visar Zhiti për prurjet në nivel të lartë artistik e estetik që ka përcjellë në letërsinë bashkëkohore shqipe, nëpërmjet korpusit letrar të veprës së krijuar prej tij.

 

Çmimi “Petro Marko” për vitin 2011

I jepet shkrimtarit Zija Çela për romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, për kodet e ligjërimit dhe risitë e përcjella nëpërmjet një forme autentike të narracionit, duke pasuruar me vlera të qenësishme prozën romanore shqipe.

 

Çmimi “Mitrush Kuteli” për vitin 2011

I jepet shkrimtarit Moikom Zeqo për vëllimin me tregime “Klepsidra”, për prurje origjinale në vijimësi në artin e tregimtarisë si dhe një stil unik letrar.

 

Çmimi “Lasgush Poradeci” 2011

I jepet poetit Rudian Zekthi për vëllimin me poezi “Panair”, nëpërmjet të cilit autori spikat në thurjen e monologut poetik që tirret përmes imazheve e formave meditative, duke përcjellë vlera dhe risi origjinale në poetikën shqiptare.

 

Çmimi “Faik Konica” 2011

I jepet studiuesit Shaban Sinani për veprën studimore “Camaj i paskajuar”, për trajtimin në nivel të lartë shkencor dhe origjinalitetin e mendimit kritik mbi veprën letrare të Martin Camajt, për rolin që ajo ka luajtur në rrjedhat e Letërsisë Shqipe.

 

Çmimi “Gjergj Fishta” 2011

I jepet shkrimtares Mira Meksi, për librin eseistik “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura”, për këndvështrimin origjinal të trajtimit dhe përcjelljen e një mendimi analitik e sistematik mbi protagonistë e dukuri të pazakonta të shfaqura në botën e letrave.

 

Çmimi “Fan Noli” 2011

I jepet përkthyesve Bashkim Shehu e Edlira Hoxholli për përkthimin mjeshtëror të veprës “Nokturnet e Kilit” të shkrimtarit të shquar Roberto Bolanjo, duke shënuar prurje me vlera të spikatura në traditën e përkthimit të autorëve të rëndësishëm nga letërsia e huaj, në gjuhën shqipe.

 

Çmimi “Jusuf Vrioni” 2011

I jepet përkthyesit të njohur Aleksandër Zoto, për kontributin e gjithanshëm e të shumëçmuar në përkthimit dhe promovimit e dhjetëra shkrimtarëve dhe veprave të letërsisë shqipe në gjuhën dhe kulturë franceze.

 

Çmimi “At Donat Kurti” 2011

I jepet shkrimtarit Ruzhdi Gole me librin “Kureshtja për t’u rritur” duke e vlerësuar veprën e tij si një hop emancipues të zhanrit të letërsisë sonë për fëmijë dhe të rinj.

 

Çmimi “Migjeni” 2011

I jepet shkrimtarit debutues Plator Ulqinaku për vëllimin poetik “Libri i qëndresës”, duke e vlerësuar për një hap të parë të pjekur dhe premtues në poezinë shqipe.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency