Sytë që duhet të na shohin

0
126

Enver Robelli

syteKur duam të dimë diçka për jetën e përditshme gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, zakonisht duhet të shfletojmë përshkrimet e udhëtarit osman Evliya Çelebi. Në librin e tij “Kosova – Histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, historiani Oliver Jens Schmitt, duke iu referuar Çelebiut, shkruan: “Sa shumë i refuzonte osmanët popullsia e krishterë tregon një rrëfim nga viti 1660 i udhëtarit osman Evliya Çelebi; sipas tij, varri i Sulltan Muratit I në Gazimestan përherë ishte i përlyer, pasi bujqit e krishterë edhe gati tre shekuj pas betejës së vitit 1389 atje e kryenin qëllimisht nevojën e madhe”. Në vitin 1660, Çelebiu vizitoi Vushtrrinë, ku gjeti një popullsi që fliste shqip dhe turqisht. Duket se në Vushtrri, sipas Schmitt-it, udhëpërshkruesi osman nuk kishte takuar serbë. Gjatë qëndrimit në Kosovë nga mesi i shekullit të 17-të Çelebiu “përshkroi një festë të madhe barinjsh në malet e Sharrit, ku mysafirët hanin mish deleje, kos dhe ushqime të tjera. Por zakonisht jeta e barinjve ishte e rëndë dhe skamnore; për t’u mbrojtur nga kafshët e egra dhe nga plaçkitësit barinjtë (edhe ata të krishterë) ishin të armatosur, gjë që atyre u jepte një pozitë të privilegjuar kundrejt banorëve të ultësirave”.
Kur duam të mësojmë mbi jetën e përditshme në Kosovë në fund të shekullit të 19-të, atëherë shumë detaje gjejmë në shënimet e autorit dhe konsullit serb në Prishtinë, Branisllav Nushiq. Pjesë të këtyre rrëfimeve në vitin 1905 u botuan në “Agramer Tagblatt”, një gazetë në gjuhën gjermane që dilte në Zagreb. Në veprën e saj monumentale “Qengji i zi, sokoli i hirtë” shkrimtarja britanike Rebecca West përshkruan Jugosllavinë mes dy luftërave botërore, duke përfshirë edhe Kosovën. Duke e idealizuar jugosllavizmin, West ka ndikuar dukshëm edhe në orientimin proserb të shumë diplomatëve britanikë gjatë shekullit të 20-të. Kapitulli Serbia e Vjetër (siç e quante West Kosovën, duke e përvetësuar kështu në mënyrë jokritike toponimin e shpikur serb) ndahet në këto pjesë: Fushë Kosova I, Graçanica, Prishtina, Fushë Kosova II, Mitrovica e Kosovës I, II, Peja I, II.

West nënvizon se në Fushë Kosovë serbët në vitin 1389 humbën betejën kundër turqve, pastaj përshkruan Manastirin në Graçanicë dhe “historinë serbe” para vitit 1389 – me theks të veçantë jetën e Mbretit Stefan Dushan. Gazetari zviceran Viktor Meier, i cili me të drejtë konsiderohet doajen i korrespondentëve të Ballkanit, menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë në një tekst të gjatë në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ishte ankuar se Perëndimi ende mbetet “peng i serbocentrizmit” edhe për shkak të veprave si “Qengji i zi, sokoli i hirtë” të Rebecca Westit. Një zviceran tjetër, Oliver Jens Schmitt, duke hedhur poshtë mitin serb për “betejën vendimtare” të vitit 1389, shkruan se fatin e Kosovës e vulosi beteja e dytë në Gazimestan, e cila u zhvillua në nëntor 1448 dhe në të cilën nuk morën pjesë serbët, por kryesisht vetëm hungarezët dhe shqiptarët.

Siç shihet nga shembujt e mësipërm, në të kaluarën kanë qenë kryesisht të huajt ata që kanë lënë gjurmë shkrimore për këto treva. Disa shënime mund të jenë paragjykuese, të tjerat të gabueshme, por në përgjithësi tekstet e të huajve janë dokumente të vlefshme që ndihmojnë në kuptimin e një pjese të historisë sonë. Asnjë shoqëri nuk ka ecur përpara duke e përshkruar veten dhe duke i thurur elozhe “kapitujve të ndritur”, “betejave të përgjakshme” dhe “komandantëve legjendarë”. Secilës shoqëri i duhet edhe shikimi nga jashtë. Sytë e huaj shpesh na shohin më mirë, duke vënë në pah përparësitë që i kemi si shoqëri e për të cilat mund të mos jemi të vetëdijshëm, por edhe mangësitë, të cilat kreshnikët tanë të torishtës politiko-kulturore s’i vërejnë fare. Në ditarin e tij të sapobotuar (“Tagebuch, danach geschrieben”, edition suhrkamp [“Ditar i shkruar pastaj”, botoi Suhrkamp, Frankfurt]) autori polak Andrzej Stasiuk përshkruan mikpritjen shqiptare, e cila nganjëherë mund të jetë tepër bezdisëse. Një shembull nga një qytet i Shqipërisë Veriore, ku Stasiuk viziton një familje: “Mora një banane. Zonja e shtëpisë e qëroi menjëherë dhe e preu në copëza. Kisha frikë se me çdo lëvizje sado të vogël do të jepja shenjë se kisha ndonjë dëshirë. (…) Banesa ishte e vogël, por unë u ndjeva si në pallat. Kjo nuk ishte vizitë, por një ceremoni festive. Ishte një inskenim dhe secili luante rolin e tij ashtu siç dinte më së miri. Kurrë në jetë nuk kam qenë më shumë mysafir se këtu”. Kush do të thoshte se një konstatim i tillë s’është i vërtetë? Kush do të thoshte se nuk janë të sakta fragmentet ku polaku kureshtar ankohet për papërgjegjësinë e shqiptarit ndaj ambientit? Por, Stasiuk përmes shembujve lufton edhe paragjykimet e shumta ndaj shqiptarëve. Ai tregon se kuletën ia kishte vjedhur një bandit italian në Bari, pasi kishte zbritur nga anija prej Durrësit. Domethënë paskësh vjedhës xhepash edhe në vende të tjera, jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, siç tingëllon paragjykimi gjithandej në Perëndim.
Sidomos Kosovës në të ardhmen, në rrugën e mundimshme të forcimit të identitetit shtetëror dhe kulturor, i duhet shikimi nga jashtë. Nuk i duhen shoqërisë së Kosovës vetëm gjykatës e prokurorë, të cilët përpiqen të na mësojnë në respektimin e ligjit, por na duhen edhe autorë të huaj, të cilët na nxisin të reflektojmë në mënyrë kritike jo vetëm për përditshmërinë, por edhe për të kaluarën dhe të ardhmen tonë. Shpesh qortimi nga jashtë ka efekt shërues për një shoqëri. Jo rrallë edhe lavdërimet që vijnë nga jashtë mund të jenë më të vërteta se sa vetëlavdërimet vërshuese. Duke pasur parasysh të gjitha këto duket se ka ardhur momenti për më shumë kreativitet në fushën e përmirësimit të imazhit të Kosovës. E kemi parë tashmë që fushata e firmës Saatchi & Saatchi praktikisht nuk solli asgjë për pamjen e jashtme të Kosovës. Paratë i mori filiali izraelit i kësaj agjencie marketingu. Një pjesë e këshilltarëve parazgjedhorë dhe ekonomikë të partisë në pushtet (PDK) vinin pikërisht nga Izraeli. Ekzistojnë mjaft dyshime që gati 6 milionë euro të buxhetit të Kosovës në fakt nuk janë paguar për përmirësim imazhi, por për të barazuar hesapet mes kryeministrit aktual dhe këshilltarëve të tij, njëri prej të cilëve i gëzohet mbiemrit Raubvogel (fjalë gjermane që në shqip domethënë “shpend grabitqar”).
Më kreative do të ishte sikur institucionet kulturore të vendit për çdo vit të ftonin nga një shkrimtar të huaj, i cili do qëndronte tre apo gjashtë muaj në Prishtinë ose Prizren dhe do të ishte i ngarkuar me një detyrë kulturore. Modele të tilla të quajtura “Stadtschreiber” (në përkthim të lirë: [për]shkruesi i qytetit) janë të njohura në shumë qytete në Gjermani, Zvicër e Austri. Qytetet vënë në dispozicion një banesë dhe një shumë të caktuar parash për autorin, i cili në fund mund të shkruajë përshtypjet mbi vendin dhe njerëzit. Natyrisht autori, në radhë të parë, i përkushtohet veprës së tij, por jo rrallë qëndrimet e tilla në vende të tjera i kanë inspiruar autorët të shkruajnë edhe libra për vendin mikpritës. Në qarkun kulturor anglez ky model njihet si “Writer in Residence”. Aktualisht shkrimtari serb Sreten Ugriçiq, i cili para një viti ishte cak i sulmeve mediale nacionaliste, është duke qëndruar në Zürich si “Writer in Residence”.
Shpesh edhe qëndrimet e shkurtra i joshin autorët të lënë ca shënime. Autori i famshëm kroat Mirosllav Kërlezha, pasi kishte parë më 1960(!) shfaqjen e dramës “Cubat” të Friedrich Schillerit në Teatrin Popullor Krahinor të Kosovës, kishte shkruar: “Edhe pse nuk merrja vesh asnjë fjalë, i përcillja me vëmendje artistët në skenë dhe shikoja vjedhurazi reagimet e publikut. Në mua lindi një shfaqje e re, të cilën nuk do ta harroj kurrë, në mua u rrënjos diçka e madhe, të cilën mund ta tregoj vetëm unë. Këto përjetime nuk durojnë përfolje, prandaj do t’i shkruaj vetë dikur…”. Për fat të keq Kërlezha nuk shkroi më gjatë për këtë shfaqje, sepse iku në amshim.
Ndaj të gjallëve dhe kureshtarëve duhet të hapemi si shoqëri. Njëri ndër ta u përmend tashmë: Andrzej Stasiuk do të ishte një autor që do ta begatonte jetën kulturore të Kosovës sikur institucionet tona të kulturës të ishin më kreative dhe më mendjehapura. Një shkrimtar tjetër i denjë për t’u ftuar në Prishtinë është Francesco Micieli – arbëresh, italian, zviceran. Ai jeton në Zvicër dhe në veprat e tij përpunon edhe historinë e migrimit të arbëreshëve nga Kalabria në Zvicër. Në prozën e Micielit dominon gjuha e reduktuar dhe lirike. Përvoja e migrimit është e pandashme me historinë e shqiptarëve të Kosovës, andaj çdo shkëmbim në këtë drejtim mund të jetë vetëm gjallërues për shkretëtirën tonë kulturore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency