Shpërndarja e mandateve, Paloka: Anëtarët e majtë në KQZ, qëndrime politike

0
128

Florenc Drizari

palokaDy qëndrimet për ndarjen e mandateve, Biba: Zgjidhja në Kuvend, antiligjore. Muho: KQZ, e ndarë nga politika

 

Shpërndarja e mandateve vazhdon të shkaktojë përplasje qëndrimesh si mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës ashtu edhe mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Deputeti i PD-së, Edi Paloka, bën përgjegjës anëtarët e majtë në KQZ për qëndrime politike në vendimmarrjet e tyre, duke thënë se qëndrimet e mbajtura ndikojnë negativisht në procesin parazgjedhor. Por qëndrimet kontradiktore lidhur me shpërndarjen e mandateve vijojnë edhe brenda anëtarëve të KQZ-së. Nënkryetari i këtij komisioni, Denar Biba, thotë se dërgimi i kësaj çështjeje për t’u zgjidhur nga Kuvendi i Shqipërisë është antiligjore. Nga ana tjetër, anëtari i propozuar nga mazhoranca në KQZ, Ilirjan Muho, thotë se skadimi i afateve për ta ankimuar çështjen në Kolegjin Zgjedhor bën që komisioni t’i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë për të marrë një vendim. Ndërkaq, projektvendimi për shpërndarjen e mandateve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk mori votat e mjaftueshme në fund të vitit që shkoi, për shkak se anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ votuan kundër draftit. Por sipas Kodit Zgjedhor, deri më 7 mars Kuvendi duhet të miratojë skemën e re të shpërndarjes së deputetëve nëpër qarqe, bazuar në lëvizjen e popullsisë.

Edi Paloka

“Që tani përfaqësuesit e PS-së në KQZ kanë filluar të mbajnë qëndrime politike dhe jo teknike. Nuk duhet të ndodhë kështu, sepse normalisht nëse do të ndodhte që për çdo lloj ndryshimi që duhet të pasqyrohet, qoftë në mandate qoftë në të gjithë procesin tjetër zgjedhor atëherë mjaftonte që 2 apo 3 komisionerë të vendosin për gjithçka dhe të mos kemi proces zgjedhor pastaj. Pra, nëse janë nisur me idenë për të bllokuar mund të ndodhemi në situata jo të mira”, – tha Paloka.

Denar Biba

“A mundet Kuvendi të miratojë një anëtarë të Gjykatës Kushtetuese si anëtarë të Gjykatës së Lartë pa ardhur dekreti propozues i Presidentit?! E njëjta gjë është dhe me rastin në fjalë, duhet të vijë propozimi nga KQZ dhe të miratohet nga Kuvendi. Për sa kohë që nuk ka një propozim të tillë por ka një vendim për të mos marrë vendim, Kuvendi nuk e gjej të ligjshëm që të nisë një procedurë për miratimin e mandateve. Nuk mund të adaptohet ndarja e mandateve të realizuara në 2009 në vitin 2013, do të ishte antikushtetuese”, – deklaroi Biba.

Ilirjan Muho

“KQZ, në kushtet kur çështja nuk u ankimua në Kolegj, tashmë është i detyruar të njoftojë Kuvendin e Shqipërisë dhe i takon Kuvendit të ndërmarrë një vendim për ndarjen e mandateve… Kam përshtypjen që çështje të caktuara, të cilat janë thjesht dhe vetëm administrative, politika ka pasur ndikimin e vetë”, – ka thënë Ilirjan Muho.

 

KQZ miraton me konsensus modelet e shenjave dalluese në zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me konsensus modelet e procesverbaleve të administrimit të materialeve zgjedhore që do të përdoren në Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Gjithsej u miratuan 13 procesverbale të cilat do të plotësohen nga anëtarët e komisioneve për të dokumentuar procesin zgjedhor nga komisionet e nivelit të dytë dhe të tretë. Komisioni miratoi modelin e dhomës së fshehtësisë për votuesit si dhe modelin e dhomës së fshehtësisë për personat me aftësi të kufizuar. Dhomat e fshehtësisë do të jenë si ato të zgjedhjeve pararendëse, me ngjyrë të bardhë dhe me stemën e Republikës së Shqipërisë. Me unanimitet u miratuan gjithashtu edhe modelet e zarfeve të sigurisë në të cilat do të futen fletët e votimit sipas vlerësimit të tyre dhe materialet zgjedhore të cilat do të përdoren në zgjedhjet e datës 23 qershor 2013. Gjithashtu, me 7 vota pro u miratuan modelet e shenjave dalluese të cilat do të përdoren si pjesë e logjistikës zgjedhore nga komisionet zgjedhore për identifikimin e komisionerëve, ambienteve zgjedhore, si dhe të objekteve të rëndësishme, siç janë kutitë e votimit dhe kutia e materialeve zgjedhore në funksion të identifikimit të komisionerëve dhe materialeve zgjedhore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency