Pyetja “enigmë”, me vlerë 850 milionë euro: I ka apo jo Taçi paratë?

0
209

Ervin Kaduku

albpetrolNuk kuptohet se çfarë ka ndodhur, por askush nuk konfirmon kalimin në buxhetin e shtetit të një shifre, jo 850 milionë eurosh, por as 85 milionë të sigurimit të ofertës, as 170 milionë të sigurimit të garancisë

 

Si nga Ministria e Financave ashtu dhe nga Ministria e Ekonomisë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për pagesën e 20% të garancisë së kontratës për Albpetrol. Burime nga Ministria e Ekonomisë kanë pohuar se janë ende në pritje të pagesës prej 170 milionë euro, që Vetro Energy duhet të kryejë si garanci kontrate për privatizimin e kompanisë së naftës Albpetrol. Tashmë, vetë kreu i kompanisë që duhet të privatizojë Albpetrolin, Rezart Taçi, në dy-tri deklarata për shtyp deklaroi zyrtarisht se paratë për pagesën prej 170 milionë eurosh, shuma prej 20% e garancisë së kontratës për blerjen e Albpetrolit, janë “rrugës”, duke ardhur nga banka Raiffeisen. Një gjë e tillë nuk u konfirmua as nga ky instotucion prestigjioz bankar, as nga qeveria, të paktën deri në këto momente.

Albpetroli iu “shit” disa muaj më parë grupit Vetro Energy, për një shumë rekord prej 850 milionë eurosh. Aksioneri kryesor i kompanisë, që bleu Albpetrol, është biznesmeni shqiptar i njohur në fushën e naftës Rezart Taçi. Ndonëse kanë kaluar muajt nga nënshkrimi i marrëveshjes (ku afati tashmë u shkel dy herë), mbetet ende e paqartë se si do të jetë ecuria e privatizimit më të madh në historinë shqiptare të pas viteve ‘90.

Ajo që shtrohet sot me të drejtë nga të gjithë – zyrtarë dhe shqiptarët, që janë pronarë, nëpërmjet shtetit të tyre, të pasurisë së nëntokës – është një pyetje “enigmë” 850 milionë euroshe: do të kalojnë ndonjëherë këto para në buxhetin e shtetit? Në pritje është autoriteti kontraktor, i cili, sipas vendimit përkatës të qeverisë shqiptare është ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Në pritje është buxheti i shtetit, që do të kishte në dispozicion një shumë të konsiderueshme për të vijuar normalisht ndërtimin e veprave të infrastrukturës apo për të blerë në import energjinë që i mungon herë pas here sistemit energjetik shqiptar. Në pritje janë edhe disa kompani të tjera, që kanë marrë pjesë në procesin e privatizimit, kanë bllokuar dhjetëra miliona euro garanci bankare në favor të sigurimit të ofertës së tyre, shuma që mund t’i përdornin normalisht për të kryer veprimtarinë e tyre të biznesit, pa u detyrua të marrin kredi apo të rishikojnë planet e tyre të zhvillimit strukturor.

 

Vendimi

 

E çuditshme për gjithë opinionin mbetet fakti se, sipas VKM nr. 107, datë 1.2.2012 “Për miratimin e rregullave për paraqitjen, hapjen dhe vlerësimin e ofertave për privatizimin e shoqërisë “Albpetrol” sha, Patos”, kreu VIII, pika 3, “Nënshkrimi i kontratës”, “Brenda 30 (tridhjetë) ditëve pas shpalljes së fituesit kandidati fitues duhet të nënshkruajë kontratën me ministrinë dhe të dorëzojë garancinë e kontratës. Në të kundërt, negocimet do të fillojnë me kandidatin e klasifikuar i dyti dhe, pastaj me kandidatët e tjerë, të klasifikuar pas tij, në përputhje me të njëjtën procedurë. Afati i treguar në pikën 3.1 të kreut VIII, mund të shtyhet sipas marrëveshjes ndërmjet palëve për 30 (tridhjetë) ditë, por jo më shumë se një herë.

Garancia e kontratës do të jetë 20% e çmimit të blerjes dhe do të jetë sipas formatit në shtojcën 2, bashkëlidhur këtyre rregullave.

Garancia e kontratës do t’i kthehet blerësit, pas pagimit të plotë të çmimit të kontratës, sipas kushteve të përcaktuara në të (në kontratë).

 

Miratimi i kontratës

 

Kontrata, pasi nënshkruhet nga ministri përgjegjës dhe blerësi, miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe ratifikohet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”.

Këto janë rregullat e vendosura nga qeveria. Ato mund të ndryshojnë vetëm me një VKM të dytë, për të cilën askush nuk ka dijeni, tani për tani.

Me VKM nr. 634, datë 3.10.2012 “Për miratimin e raportit përfundimtar të vlerësimit të ofertave dhe shpalljen e fituesit të tenderit për privatizimin e shoqërisë “Albpetrol” sha Patos”,
n mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8 të ligjit nr. 10 490, datë 15.12.2011 “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Patos, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave vendosi sa më poshtë:

Miratimin e raportit përfundimtar të vlerësimit të ofertave për privatizimin e shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Patos, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi, të përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në zbatim të vendimit nr. 107, datë 1.2.2012 të Këshillit të Ministrave dhe klasifikimin e kandidatëve, si më poshtë vijon:
– Vetro Energy PTE. Ltd. 97.79 pikë;
– Win Business 44.39 pikë;
– Bankers Petroleum Ltd. 30.83 pikë.
2. Shpalljen e kandidatit “Vetro Energy PTE. Ltd.” fitues të procedurës së tenderit.
3. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, që, në bazë të klasifikimit të përcaktuar në pikat 1 e 2 të këtij vendimi, të fillojë negocimet dhe nënshkrimin e marrëveshjes me kandidatin fitues “Vetro Energy PTE. Ltd.”, sipas kapitullit VIII, pikat 2 e 3 të vendimit nr. 107, datë 1.2.2012 të Këshillit të Ministrave.
Ky vendim hyri në fuqi menjëherë dhe u botua në Fletoren Zyrtare.

 

Pyetja 850 milionë euro
Nuk kuptohet se çfarë ka ndodhur, por askush nuk konfirmon kalimin në buxhetin e shtetit të një shifre, jo 850 milionë eurosh, por as 85 milionë të sigurimit të ofertës, as 170 milionë të sigurimit të garancisë.

Duket se dikujt një ditë do t’i sosë durimi dhe do të pyesë se si është puna me mosrespektimin e rregullave që ka vendosur qeveria lidhur me kontratën për shitjen e objektit më të madh në pronësi të shtetit shqiptar. Këtu ka disa opsione. Në rast se METE ka sjellë në tryezën e bisedimeve me Taçin një material për ta firmosur me mangësi, atëherë le të gjendet fajtori për këtë vonesë, që kushton miliarda dhe të penalizohet për dëmin që i shkaktoi vendit. Ky mund të jetë edhe ministri i këtij dikasteri, kryetari i Komisionit të Privatizimit apo kushdo tjetër. Shqiptarët dhe qeveria nuk ka pse të vuajnë nga moskompentenca e dikujt që mbahet në pushtet me manovra partiçkash.

Në rast se vonuesi është “manjati” Taçi, ai duhet të lerë urgjentisht vendin për kompaninë që ka zënë vendin e dytë në renditjen e shpallur në VKM. Por askush nuk ka të drejtën të vijojë më tej me bllokimin e një procesi që është shpallur si maja e diamantit të strategjisë së privatizimeve në Shqipëri.

Më tej, ministria e Ekonomisë ka shpallur një numër të madh objektesh që do të privatizoheshin, në përputhje me kërkesën e qeverisë. Po të shohësh ato arrijnë të dalin në ankand nga ministria e Financave, sërish mund të mendohet se këtu kemi të bëjmë me një paaftësi totale apo mosdashje të qëllimshme për të realizuar brenda afateve të mandatit qeverisës programet e privatizimit. Kjo ministri po mjaftohet vetëm me shitjen e HEC-eve të nivelit të vogël, duke harruar se privatizimi është një strategji, që jo vetëm sjell fonde të konsiderueshme në buxhetin e shtetit, po njëkohësisht është edhe një hap përpara në drejtim të liberalizimit të ekonomisë shqiptare, në favor të biznesit privat, në favor të menaxhimit më të mirë të objekteve prodhuese apo infrastrukturore.

Të gjitha këto janë pyetje që presin përgjigje. Por, përgjigje më të madhe se pyetja “enigmë” vështirë se ka.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency