Ebi Uambah, kampionia e papunë

0
168

Marrë nga “Repubblica”

Pia Sundhage dhe Ebi UambahNjë nga surprizat e ceremonisë që u mbajt në Zyrih për “Topin e Artë” ishte triumfi i Ebi Uambah. Sulmuesja e famshme amerikane nuk habiti se fitoi këtë çmim, pasi është një nga më të mirat në rolin e saj. Ajo çka habit botën e futbollit, është fakti se ajo është praktikisht e papunë. Ebi nuk ka një skuadër ku të luajë, pasi në SHBA ende nuk ka një kampionat futbolli për femra.

 

Nëntë gushtin e kaluar ajo së bashku me shoqet e veta mundi Japoninë në “Wembley” në një takim që vlente shumë… Medalja e Artë në Olimpiadë në futbollin për femra i shkoi SHBA-së. Ndërsa të hënën e kaluar, fitoi Topin e Artë në Zyrih. Nëse nuk do të ishte ajo, atëherë me shumë mundësi këtë çmim do ta merrte partnerja e sulmit në përfaqësuese, Selli Morgan. Deri këtu gjithçka është pothuajse shumë mirë. Themi kështu, pasi Ebi Uambah, kur u kthye nga Zyrihu, shkoi drejt e në shtëpi.

32-vjeçarja u kthye në Roçester në Nju Xhërsi, aty ku është rritur me shpresën e madhe që një ditë t’i ngjante Mia Hamit (edhe kjo një futbolliste e famshme e SHBA-së). Ashtu si “mentorja” e saj edhe Ebi vendosi që të dilte kundër rrymës dhe në gjimnaz vendosi që të luante futboll dhe jo basketboll, si gati tërë shoqet e saj. Ndërsa tani i duhet që të “vuajë” disa prej pasojave që i ka sjellë zgjedhja që bëri vite më parë. Tani është kthyer në SHBA. Ebi, pas muajve të lumtur që kalojë në 2012-ën, po sheh teksa në vendlindje ende nuk ka një kampionat futbolli për femra. Ajo sheh teksa një medalje e artë dhe një top i artë të fituar për merita në këtë disiplinë nuk “vlejnë” shumë. Ebi është një golashënuese e madhe (152 gola ka shënuar në 198 ndeshjet e luajtura me përfaqësuesen amerikane) e papunë.

 

Analogjia

Për ata që ende s’e kanë kuptuar, është njëlloj sikur Mesi dhe Iniesta të mos kishin Barcelonën. Të mos kishin një klub ku të stërviteshin, të mos dinin se ku do të stërviteshin dhe të mos kishin një pikësynim të qartë në jetë… pasi do të ishin simbole të një sporti që luhej sa për të kaluar kohën.

Për momentin Ebi mbështetet tek “Magic Jack”, projekti që manjati Dan Borislou ngriti në 2011-ën mes natyrës së bukur, barkave dhe cirkut të Boka Ratonit në Floridë. Por tani nuk luhet më atje. Skuadra “Magic Jack”’ ekziston akoma, por ka humbur misionin e vërtetë. Aty tashmë stërvitjet e rralla që mbahen shfrytëzohen nga fansat për të bërë ndonjë fotografi me idhujt e tyre. Topi ka ndalur tashmë. Së bashku me të edhe emocionet.

 

Terreni, jo “fertil”

Paradoksi më i madh është se ashtu si në pjesën më të madhe të vendeve edhe në SHBA për futbollin për femra askush nuk kërkon t’ia dijë. “WUSA”, Women’s United Association Soccer, liga e parë e futbollit të femrave në SHBA, nisi edicionin e parë në shkurt të vitit 2000. Ky institucion u shty shumë nga titulli botëror, që fitoi përfaqësuesja amerikane me në krye Mia Hamin, por vrulli zgjati pak dhe që në shtator të 2003-shit gjithçka u shua. E prekur nga problemet financiare kjo shoqatë nuk i dha dot vazhdimësi vetvetes, edhe pse qe krijuar nga disa fonde private të disa filantropëve amerikanë (dhuruan plot 30 milionë dollarë). Tifozeria e pakët bëri që futbolli për femra të gjente një terren jo “fertil”.

 

I njëjti fund

Nga ana tjetër edhe WPS (Women’s Professional Soccer) bën një vesh shursh dhe një sy qorr dhe në 2009-ën tenton të ngjitet në malin që nuk ekzistonte. “Ëndrra” zgjati deri maj të 2012-ës. Pak ditë para finales së “Wembley”-t tri prej skuadrave të “ligës” vetofrohen për të krijuar një kampion tjetër, duke tentuar që të regjistrojnë edhe skuadra të reja. Prej asaj dite kanë kaluar gjashtë muaj dhe ende nuk është parë asgjë: “Është një punë shumë e ndërlikuar”, – pranoi pak ditë më parë Sunil Gulati (Presidenti i Federatës Amerikane të Futbollit).

 

Vendimi

Në shtator, gjatë një turneu që u mbajt për të festuar arin olimpik, Ebi shënoi një gol rrokambolesk kundër Australisë (6-2) dhe i tërë publiku i Denverit u çua në këmbë sikur të kishte parë një gol spektakolar: “Kjo është gjithçka për fat të keq”, – tha ish-komisarja teknike e SHBA-së, Pia Sundhage. Suedezja, që fitoi arin olimpik në krye të SHBA-së, tashmë është kthyer në Stokholm, pasi ka marrë drejtimin e përfaqësues së vendit të vet. “Për Amerikën futbolli është akoma një mister. Këtu pasimet rrokamboleske cilësohen si vepra arti”, – tregoi Pia. Në të njëjtën gjatësi vale është edhe Ebi, që e mërzitur, shprehet: “Neve nuk na mbetet gjë tjetër veçse të hedhim sytë nga kampionatet e huaja. Ne do të presim deri në fund të janarit se çfarë do të ndodhë, pastaj do të marrim një vendim. Unë kam shumë dëshirë që të shkoj të luaj në Japoni”. Armiket e “Wembley”-t do ta prisnin krahëhapur…

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency