Shaban Norja me antiplumb në gjykatë, kërkon gjykim të shkurtuar

0
204

Sonja Caka/Artur Ajazi

shabaniPara gjykatës: “Jam penduar për vrasjen e Aishes”. Shtyhet seanca për më 24 janar, vendimi për kërkesën e 80-vjeçarit

 

Kreu një nga vrasjet më makabre në vend dhe bën përpjekjen e fundit për t’i shpëtuar burgimit përjetë. Shaban Norja i kërkon gjykatës të gjykohet me gjykim të shkurtuar, vendim ky që pritet të jepet nga gjykata më 24 janar. I veshur me jelek aniplumb për të shmangur ndonjë moment të pakëndshëm, 80-vjeçari është shfaqur para trupit gjykues mesditën e djeshme. Në sallë nuk ka pasur asnjë familjar të pranishëm, si nga ana e të pandehurit, ashtu dhe nga ana e viktimës, Aisha Vata. Ishte një seancë mjaft e shkurtër, as 15 minuta, ku i pandehuri Norja do t’i drejtohej trupit gjykues me një pendesë të thellë për krimin e kryer dhe përmes avokatit të tij do të kërkonte aplikimin ndaj tij të gjykimit të shkurtuar. Kërkesa drejtuar gjykatës nga avokati i monstrës është pranuar edhe nga prokurori Nishani, ndërsa gjyqtari Ervin Metalla ka vendosur që për këtë kërkesë të shprehet më 24 janar. Para gjykatës, Norja është shprehur: “Jam thellësisht i penduar për krimin që kam kryer dhe kërkoj nga trupi gjykues gjykim të shkurtuar”.

 

Seanca

 

Seanca e parë ndaj të etiketuarit si monstër është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie. Pas hapjes së seancës nga kreu i trupit gjykues, Ervin Metalla, avokati mbrojtës, Osman Dashi, ka kërkuar nga trupi gjykues që Norja të gjykohet me gjykim të shkurtuar, pasi klienti i tij është tepër i penduar për aktin që ka realizuar ndaj të viktimës. Ndërkohë që këtë kërkesë e ka pranuar dhe organi i akuzës, nëpërmjet prokurorit Sokol Nishani, i cili ka marrë parasysh gjendjen e rënduar psikologjike të 80-vjeçarit. Prokurori i çështjes Sokol Nishani tha se “i pandehuri e ka kryer këtë krim me paramendim, ndaj do të ndiqen procedurat ligjore”. Trupi gjykues i kryesuar nga kryetari i gjykatës se Durrësit Ervin Metalla, ka analizuar ekspertizën e prokurorisë dhe pritet të marrë një vendim pas dy javësh lidhur me kërkesën për gjykim të shkurtuar të çështjes. Sipas prokurorit Nishani, “Shaban Norja kishte krijuar një lidhje intime gjatë dy-tri viteve të fundit me viktimën, muajt e fundit, 18-vjeçarja kishte mbetur shtatzënë, ndërsa Norja i ka kërkuar vajzës të ndërpresë shtatzëninë”. Nëse kjo kërkesë pranohet nga gjykata, 80-vjeçari përfiton ulje të 1/3-ës së dënimit, duke shpëtuar në këtë mënyrë nga burgimi përjetë.

 

Ngjarja

 

18-vjeçarja Aishe Vata u masakrua mbrëmjen e 11 tetorit të vitit të kaluar, ndërsa trupi i saj u gjet pak orë më pas në afërsi të mbikalimit të Fllakës në Xhafzotaj, ndërsa koka e së resë u gjet tri ditë më vonë, pas rrëfimit të 80-vjeçarit para oficerëve të Policisë Gjyqësore. Sipas skemës së kryerjes së krimit makabër, mësohet se fillimisht 18-vjeçarja u qëllua me një plumb në kokë dhe më pas autori i krimit i ka prerë kokën me sëpatë, duke ia larguar nga vendi i ngjarjes. Shkak i këtij akti, sipas prokurorisë, është bërë shtatzënia e Aishes dhe mospranimi nga ana e 80-vjeçarit të kësaj gjendjeje. Shaban Norja akuzohet për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj personit shtatzënë si dhe armëmbajtje pa leje”, akuza të cilat mund ta dënojnë atë me burgim të përjetshëm.

 

Elbasan

Arratisja e trafikantes Beqiraj, lirohen dy policët e turnit

 

Policët që ruanin trafikanten e marijuanës Ermira Beqiraj dolën nga qelitë dhe u lanë me masën “Detyrim paraqitje” një herë në javë para prokurorisë. Vendimi është marrë dje nga gjyqtari i masave në Gjykatën e Elbasanit për dy policët Neki Xhike dhe Gëzim Ago. Të dy policët u akuzuan për “Neglizhencë” dhe “Shpërdorim të detyrës” për shkak se 39-vjeçarja Beqiraj u arratis nga Katund i Ri ku ndodhej në “Arrest shtëpie” me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Kjo masë iu caktua pas arrestimit të saj në Kakavijë, sepse në mjetin tip “Mitsubishi” me targa greke BOK 19 66, që drejtohej prej saj u zbuluan 25 kg marijuanë. E pandehura Ermira Beqiraj, e cila ndodhej në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe për këtë arsye gjykata kishte caktuar masën “Arrest shtëpie”, është larguar nga banesa e së motrës në Katund të Ri, ndërsa dyshohet të jetë larguar drejt bashkëjetuesit të saj grek.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency