KURUM, drejt blerjes së 4 HEC-eve, qeveria miraton ofertat

0
171

 Ervin Kaduku

bistricaBistrica, Bistrica 2 dhe Ulëz-Shkopet, miratohen ofertat

 

Kompania turke “Kurum International”, e pranishme në tregun shqiptar në sektorin e metalurgjisë së zezë, por me licencë edhe në sektorin e energjetikës, ka hedhur dje një hap më tej drejt blerjes së katër hidrocentraleve, pas njohjes nga Këshilli i Ministrave të ofertës më të mirë në tenderin për privatizimin e tyre.

 

Bistrica 1 dhe 2
Këshilli i Ministrave vendosi: Miratimin e raportit përfundimtar të vlerësimit të ofertave, paraqitur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, për privatizimin e shoqërisë “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a.
-Miratimin e ofertës së shoqërisë “Kurum International”, sh.a., si fituese për blerjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., me vlerë 52 000 000 (pesëdhjetë e dy milionë) euro. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të negociojë dhe të nënshkruajë kontratën me kandidatin fitues, shoqërinë “Kurum International”, sh.a.. Ngarkohet Ministria e Financave, që, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të bëjë identifikimin e vlerës së TVSH-së së rimbursueshme për shoqërinë “Kurum International”, sh.a., përpara firmosjes së kontratës.
 

Hidrocentrali i Ulëzës

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u miratuar dhe vendimi për hidrocentralet Ulëz-Shkopet. Qeveria miratoi e raportin përfundimtar të vlerësimit të ofertave, paraqitur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për privatizimin e  shoqërisë “HEC, Ulëz – Shkopet”, sh.a. “Miratimin e ofertës së shoqërisë “Kurum International”, sh.a., si fituese, për blerjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë  “HEC, Ulëz – Shkopet”, sh.a., me vlerë 57 500 000 (pesëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind mijë) euro. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të negociojë dhe të nënshkruajë kontratën me kandidatin fitues, shoqërinë “Kurum International”, sh.a. Ngarkohet Ministria e Financave, që, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të bëjë identifikimin e vlerës së TVSH-së së rimbursueshme për shoqërinë “Kurum International”, sh.a., përpara nënshkrimit të kontratës”- përcakton vendimi i qeverisë

 

Lufta kundër krimit të organizuar në fushën ekonomike, një shtysë e re

Ervin Kaduku

 

4 dikastere qeveritare dhe Prokuroria e Përgjithshme angazhohen për t’i dhënë një ritëm të ri luftës kundër krimit të organizuar. Ministria e Financave, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve Publike dhe Prokuroria e Përgjithshme nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit me agjencinë e administrimit të pasurive të sekuestruara duke u angazhuar për një zbatim edhe më efektiv të ligjit për sekuestrimin e pasurive të krimit, i njohur ndryshe edhe si ligji “Antimafia”.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Alexander Arvizu, nënvizoi rëndësinë e sekuestrimit të pasurive të krimit, si dëshmi e funksionimit të shtetit. 4 ministrat firmëtarë të memorandumit e cilësuan si të suksesshëm ecurinë e deritanishme të zbatimit të ligjit “Antimafia”, duke nënvizuar rëndësinë që ka goditja e krimit përmes dobësimit ekonomik. Megjithatë, sipas ministrit të Financave, në kushtet aktuale sfida e re që lind është ajo e menaxhimit me eficiencë të pasurive që sekuestrohen, në mënyrë që shteti të përfitojë të ardhura.

Duke shprehur angazhimin institucional për të bashkëpunuar në betejën ekonomike kundër krimit të organizuar, kryeprokurori Adriatik Llalla tha se është detyrë themelore përdorimi i të gjitha mjeteve që janë në dispozicion. Gjatë vitit 2012, në kuadër të ligjit “Antimafia” janë sekuestruar rreth 13.8 milionë euro asete. Në tre vite që ky ligj është në fuqi, në total janë sekuestruar asete me vlerë mbi 28 milionë euro.

 

Ndërtimet e paligjshme po mbushin Durrësin, Bashkia kërkon ndihmën e qeverisë

Artur Ajazi

 

Durrësi prej disa muajsh ka nisur të mbushet me objekte pa leje. Statistikat e marra në bashki tregojnë se vetëm në muajt e fundit të 2012, zona e plazhit, Currilat, ish-Kënetë sheshet mes pallateve në shumicën e lagjeve, apo edhe shtesa ballkonesh e pallatesh pa leje, janë kthyer në diçka të zakonshme duke rritur ndjeshëm numrin e objekteve të paligjshme. Kjo situatë ka detyruar bashkinë e Durrësit, të kërkojë ndihmën e qeverisë dhe strukturave të saj. Legalizimi i ndërtimeve pa leje në Durrës vazhdon të mbetet në fazën përfundimtare edhe pse procedurat kanë disa vjet që kanë nisur. Pengesa kryesore padyshim mbeten objektet e paligjshme që hedhin shtat çdo ditë. Në degën e ALUIZNI-t Durrës deklaruan për “standard” se “banorët e zonave informale nuk i janë përgjigjur thirrjes për legalizimin e banesave të tyre, kurse një situatë e tillë ka favorizuar ndërtimin e objekteve, pikërisht në ato zona ku janë ngritur disa mijëra ndërtime pa leje”. Kaosi krijuar midis ndërtimeve pa leje, pronarët e të cilëve kanë aplikuar për legalizim por nuk e kanë finalizuar atë, dhe atyre që janë duke u ndërtuar dhe pronarët e tyre nuk kanë aplikuar për legalizim, ka krijuar mjaft vështirësi për t’u kontrolluar. Ndërtimet e paligjshme vazhdojnë në zonën e ish-Kënetës, në zonën e kodrave të Durrësit, Shkozet dhe në plazh. Burime zyrtare nga bashkia dhe ALUIZNI, deklaruan se “në këto zona janë bërë kontrolle për të njohur gjendjen e ndërtimeve pa leje të ngritura pas skadimit të aplikimeve për legalizim”. Në Durrës organet e ngritura për të penguar ndërtimet pa leje kanë informacione lidhur me ndërtimet që po kryhen në zonat informale pas skadimit të afatit të aplikimit për legalizimin e tyre. Në zyrën e ALUIZNI-it në Durrës shprehen se “nuk mbajmë asnjë përgjegjësi për ndërtimet pa leje, pasi sektori i tyre janë ndërtesat, pronarët e të cilëve kanë aplikuar për legalizim”. Sipas punonjësve të kësaj agjencie, rezulton se në zonat informale në Durrës vazhdon të ndërtohet, si zona ish-Kënetës, zona Shkozetit, plazhit dhe kodrave të qytetit. Gjithmonë kur është dashur të ndërhyhet për t’i krijuar mundësi realizimit të projektit të rrugës që lidh unazën e plazhit me parkun energjetik në Porto Romano, janë dashur fadromat e MT, gjë e cila u konstatuar edhe me prishjen në tetor 2012, të 140 ndërtime pa leje, pronarët e të cilave nuk kishin aplikuar për legalizim. E gjendur në një situatë të tillë, qeveria urdhëroi agjencinë e ALUIZNI-it në Durrës si dhe ZRPP për të proceduar për legalizimin e tyre edhe pse jashtë afateve. Vetëm pasi u vendos masa e dëmshpërblimit, këto banesa u shembën. Ndërtimet pa leje në zonat informale vazhdojnë me të njëjtën skemë sikurse është vepruar në vitet ’90. “Pronarë” trojesh në Durrës ua shesin nevojtarëve në Durrës. Ndërkohë, procesi i legalizimeve për ndërtimet e ngritura disa vjet më parë ka ecur normalisht, pavarësisht se janë 8 mijë dosje të gatshme për aplikim, por pronarët hezitojnë të paguajnë paratë.

 

 

 

Durrës, zyrtarët debitorë me faturat e energjisë dhe ujit. Prokuroria nis hetimet

Artur Ajazi

 

Zyrtarët e disa institucioneve kanë rezultuar debitorë në arkën e CEZ-it dhe Ujësjellësit në Durrës. Megjithëse numri tyre mbahet i fshehtë, burime zyrtare thane se “zyrtarë, duke nisur nga titullarë institucionesh, drejtorë ndërmarrjesh, shefa sektorësh, gjyqtarë, prokurorë, këshilltarë bashkiakë dekanë e pedagogë, madje edhe biznesmenë prej muajsh nuk paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm në Durrës”. Burimet pranë CEZ dhe Ndërmarrjes së Ujësjellësit, u shprehën se “prej vitesh zyrtarë të institucioneve nuk paguajnë faturat e ujit dhe energjisë elektrike, kjo pasi janë dhënë urdhra për të mos faturuar nën emrin e tyre vlera monetare duke ja kaluar shpenzimet arkës së ndërmarrjeve, duke rënduar vetëm xhepat e qytetarëve dhe paguesve të rregullt të tyre”. Denoncimet e CEZ-it dhe Ujësjellësit kanë shkuar në organin e akuzës të cilët kanë zbuluar faturat e papaguara. Prej muajsh janë mbushur fatura me vlera 600 lekë të reja apo me zero kilovat, duke u bërë atyre favore të cilat rëndojnë arkën e dy kompanive. Shkak për plasjen e skandalit duket se u bë largimi nga puna i disa punonjësve të ndërmarrjeve respektive, të cilët u detyruan të zbulojnë fijet e korrupsionit dhe abuzimit. Megjithëse po mundohet të mbahet e fshehtë, duket se hija e skandalit ka ardhur deri në dyert e Prokurorisë, e cila ndoshta formalisht do të nisë hetimin duke qenë e detyruar nga sinjalizimet e marra. Organi akuzës do të kërkojë edhe ndihmën e KLSH, duke nisur bashkëpunimin me këtë institucioni. Vlera e abuzimit llogaritet në miliona lekë, dhe nuk përjashtohet edhe ndjekja penale ndaj shumicës prej tyre, por dhe ish-drejtuesve të CEZ dhe Ujësjellësit Durrës. Ndjekje penale do të ketë edhe ndaj faturuesve të ujit dhe energjisë, që natyrisht kanë qenë të detyruar verbërisht të binden ndaj urdhrave të drejtuesve por edhe si bashkëpunëtorë të tyre në skandalin e zbuluar. E ndërsa sportelet e pagesave të ujit dhe energjisë mbushen çdo ditë me hallexhinj që vetëm sa protestojnë, dhe pastaj paguajnë faturat e kripura afrofe, duket se abuzuesit ende vegjetojnë dhe abuzojnë duke harxhuar energji dhe ujë pa limit duke mos paguar ose duke paguar fatura qesharake. Nga ana e saj Prokuroria e Durrësit ka deklaruar se pas sinjalizimeve mbetet detyra jonë nisja e hetimeve, jemi ende në fazën e verifikimeve, por shumë shpejt do të dalim me rezultate konkrete pas fazës së parë të verifikimeve në CEZ dhe Ujësjellës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency