Jozefina Topalli: 3 ligjet presin votën e opozitës, do të jenë çdo seancë plenare

0
161

Florenc Drizari

topalliKryetarja e Kuvendit priti në takim senatorin Rene Van Der Linden, ish-president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

 

Pak ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi se tri ligjet e integrimit do të jenë në axhendë deri në ditën kur opozita do të japë votën e saj pro miratimit të tyre. Duke i bërë thirrje lidershipit të majtë të votojë tri ligjet, Kryetarja e Kuvendit tha se vota pro tyre nuk është për qeverinë por për qytetarët shqiptar. “3 ligjet, presin votën e opozitës dhe do të vazhdojnë të jenë në rend të ditës në çdo seancë plenare, derisa opozita të vendosë të japë kontributin e saj si detyrim ndaj popullit që e ka votuar. Miratimi i 3 ligjeve nuk bëhet për qeverinë, por për qytetarët shqiptar dhe për projektin e tyre të integrimit në Bashkimin Evropian”, – tha Kryetarja e Kuvendit.Deklarata e Topallit u bë gjata takimit të parë zyrtarë që ajo zhvilloi në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë.

Takimi

Kryetarja e Kuvendit priti dje në një takim senatorin Rene Van Der Linden, ish-president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe ish-president i Senatit të Holandës. Znj. Topalli tha se bashkëpunimi ndërparlamentar, si bashkëpunim mes përfaqësuesve të zgjedhur direkt nga qytetarët, është shumë i rëndësishëm dhe konkret në afrimin mes vendeve. Duke vlerësuar transformimet pozitive dhe progresin e Shqipërisë, Van Der Linden, theksoi se mbështet dhe inkurajon hapat e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit tha se arritjet e rëndësishme gjatë kësaj periudhe janë njohur dhe vlerësuar nga BE-ja dhe janë reflektuar edhe në raportin që Komisioni Evropian, ku rekomandohet edhe statusi i vendit kandidat, pas miratimit të tre ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament.

Përplasja per 3 ligjet

Mosgjetja e konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës për votimin e tri ligjeve të integrimit çoi në dështimin e radhës për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Pas rekomandimit të Komisionit Evropian për dhënien me kushte të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian në fillim të muajit tetor, palët thelluan mosmarrëveshjet që kishin për miratimin e tyre. Krerët e mazhorancës kërkuan votën e përfaqësuesve të opozitës, ndërkohë që lidershipi i majtë këmbënguli në zgjidhjen e çështjes së këshilltarëve në Qarkun e Fierit. Konsensusi mes pozitës dhe opozitës mungoi edhe pse skaduan afatet kohore më datë 21 nëntor të vendosura nga KE-ja. Gjatës sesionit të shkuar tri ligjet, si drafti për Gjykatën e Lartë, rregullorja e parlamentit dhe pr/ligji për nëpunësin civil, ishin në axhendën e Kuvendit në çdo seancë plenare. Por ky fakt ka sjellë debate të vazhdueshme mes palëve lidhur me miratimin e tyre dhe përgatitjen përfundimtare të drafteve. Gjatë kohës së votimit të projektligjeve në parlament, Kryetarja e këtij institucioni, Jozefina Topalli, ka apeluar që përfaqësuesit e opozitës të votojnë tri nismat ligjore, por deputetët e majtë kanë deklaruar se draftet nuk janë gati për t’u votuar dhe mazhoranca spekulon me thirrjet publike për të kërkuar votën e opozitës. Debatet për votimin e tri ligjeve pritet të rikthehen sërish me nisjen e sesionit të fundit parlamentar për këtë mandat katër vjeçar, ndërkohë partitë politike ende ndodhen larg gjetjes së një konsensusi mes tyre.

 

 

“3 ligjet presin votën e opozitës dhe do të vazhdojnë të jenë në rend të ditës në çdo seancë plenare, derisa opozita të vendosë të japë kontributin e saj si detyrim ndaj popullit që e ka votuar. Miratimi i 3 ligjeve nuk bëhet për qeverinë, por për qytetarët shqiptarë dhe për projektin e tyre të integrimit në Bashkimin Evropian…”

 

Berisha takon Kryetarin e Senatit holandez, Van Der Linden, vlerësohet bashkëpunimi mes dy vendeve

Kryeministri Berisha gjatë takimit që zhvilloi me Kryetarin e Senatit holandez Rene Van Der Linden, i cili shoqërohej nga një grup investitorësh holandezë, u shpreh se kjo vizitë do ti shërbejë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, si dhe të bashkëpunimit në shumë fusha me interes të përbashkët. Nga ana e tij Kryetari i Senatit holandez Rene Van der Linden e falënderoi Kryeministrin për mikpritjen dhe i shprehu atij përgëzimet për arritjet e Shqipërisë, kryesisht në fushat ekonomike dhe politike. Van der Linden u shpreh se Holanda është një vend mik i Shqipërisë dhe se kjo vizitë ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit mes vendeve, si dhe të Shqipërisë me Evropën. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i falënderoi bashkëbiseduesit për propozimet shumë të vlefshme në fushën e arsimit dhe formimit të menaxherëve të rinj, si dhe të agrobiznesit. Ai u shpreh se interesi i qeverisë shqiptare në këtë drejtim është parësor dhe se reforma të shumta janë ndërmarrë për të sjellë këto sektorë në nivelet e sotme dhe për të përgatitur zhvillime dhe reforma të mëtejshme.

 

Ndarja e mandateve, PS: Të bëhet në KQZ. PD: Alibi për të justifikuar humbjen

Ndarja e mandateve vazhdon të shkaktojë përplasje qëndrimesh mes mazhorancës dhe opozitës,ndërkohë që ende kjo çështje nuk ka gjetur zgjidhje përfundimtare që pas ngërçit të krijuar në KQZ në muajin dhjetor të vitit të shkuar. Aktualisht përfaqësuesit e mazhorancës shprehen se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ende kohë për ta zgjidhur këtë çështje deri në javën e parë të muajit mars, ndërkohë që mazhoranca duket se i qëndron skemës së 2009-ës. Përfaqësuesi ligjor i opozitës në KQZ, Genc Gjonçaj, thotë se mosgjetja e një zgjidhjeje për këtë çështje, çon në një rrezik serioz për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në vend. “Kam dëgjuar arsyetime që mund të përdoren shifra dhe numra të 2009-ës, jo, një gjë e tillë nuk mund të bëhet. KQZ-ja ka vendosur në 2009-ën dhe vendimi i saj lidhet vetëm me zgjedhjet e 2009-ës. KQZ-ja do të duhet të marrë një vendim për ndarjen e mandateve. Mund ta marrë në çdo kohë para datës 7 mars dhe kjo çështje merr zgjidhje vetëm në këtë mënyrë”, – deklaroi Gjonçaj për “AS”. Nga ana e tij, deputeti demokrat Tritan Shehu, kundërshtitë e selisë rozë për këtë skemë i sheh si një justifikim për humbjen e pritshme. “Ne nuk jemi aspak të shqetësuar dhe të tensionuar për këtë gjë, siç janë kolegët socialistë që përpiqen t’i përdorin këto gjëra si një alibi për të justifikuar humbjen e tyre të mëtejshme. Ne fitoren tonë nuk e bazojmë tek mënyra e ndarjes së mandateve apo ndonjë ndryshimi që mund t’i bëhet këtij procesi. Ne fitoren tonë e bazojmë tek një votë e gjerë popullore për ato që kemi bërë në këto vite”, – deklaroi Shehu. Ndërkaq, deputeti socialist, Damian Gjiknuri, njëherësh sekretar për çështjet zgjedhore në PS deklaron se i vetmi organ që mund të bëjë shpërndarjen e mandateve është KQZ-ja. Në asnjë rast sipas tij nuk mund të mbetet në fuqi ndaja e mandateve të 2009. Aktualisht skema e ndarjes së mandateve duket se ndodhet ende në udhëkryq. Ngërçi i krijuar në KQZ për mos marrjen e një vendimi për mungesë votash dhe mos ankimimi i mazhorancës në Kolegjin Zgjedhor ka bërë që edhe disa nga përfaqësuesit e komisionit më të lartë të administrimit zgjedhor të mos jenë të qartë lidhur me skemën që do të ndiqet në zgjedhjet e 2013-ës për ndarjen e mandateve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency