I dehuri terrorizon me kallashnikov familjen, dorëzohet pas rrethimit

0
174

Elton Qyno

terrorizonGjergji Laçi qëlloi për rreth 30 minuta. “Do vras këdo që më del përpara dhe më pas do vetëvritem”

41-vjeçari u vetëdorëzua pas mbërritjes së forcave RENEA. Kallashi gjendet poshtë dyshekut

 

Një person i dehur ka terrorizuar për 30 minuta me radhë familjen e tij dhe banorët e rrugës “5 Maji” në zonën e Alliasit, pasi teksa kishte pirë alkool në një nga lokalet e zonës, kishte shkuar në banesën e tij, ku edhe ka marrë automatikun, duke qëlluar me të në ajër. Breshëritë e armës kanë vënë në alarm banorët e zonës, të cilët së bashku me fëmijët e tyre janë futur me shpejtësi në banesa, ndërkohë që pas një telefonate në sallën operative në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë së Tiranës. Personi që hapi zjarr në ajër quhet Gjergji Laçi, i cili për rreth 30 minuta ngriti në këmbë të gjithë Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe repartin RENEA. Me një armë në duar, babai i tre fëmijëve ka qëlluar disa herë në ajër dhe më pas është futur brenda në banesë, duke mbajtur të mbyllur të gjithë anëtarët e familjes së tij. Nisur nga kjo situatë, policia ka urdhëruar rrethimin e banesës, ndërkohë që një negociator i repartit RENEA ka filluar t’i flasë me altoparlant 41-vjeçarit, duke i kujtuar atij se ishte i rrethuar dhe se duhet të linte të lirë anëtarët e familjes që mbante të mbyllur. Pas disa minutash negociata, 41-vjeçari Gjergji Laçi ka vendosur të lirojë gruan dhe fëmijët, ndërkohë që më pas ai ka fshehur armën tip “Kallashnikov” në dyshekun e krevatit dhe është vetëdorëzuar tek efektivat e repartit RENEA. Ngjarja që tronditi të gjithë banorët e zonës dhe që vuri në lëvizje dhjetëra forca policie, fatmirësisht përfundoi pa asnjë të lënduar, ndërkohë që pas arrestimit të Laçit, ndaj tij u ngrit akuza e “Prishjes së qetësisë publike” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”.

Kërcënimi për vrasje

Teksa breshëritë e automatikut vazhdonin, zona është rrethuar rreth orëve të mesditës nga forca të patrullës “Shqiponja”. 41-vjeçari sapo ka parë praninë e efektiva të policisë, ka nxitur duke hyrë brenda në banesën e tij, duke qëndruar në katin e dytë dhe qëlluar me intensitet në ajër. Gjatë kësaj kohe, ai ka kërcënuar efektivat e policisë, se nëse do i afroheshin shtëpisë së tij, Laçi do të vriste këdo që i dilte përpara, familjen e tij dhe më pas do vriste dhe veten. Efektivat e komisariatit nr. 4 që kishin shkuar të parët në vendngjarje, i kanë kërkuar 41-vjeçarit që të dorëzohej dhe të linte të lirë anëtarët e familjes. Mirëpo kësaj kërkese Gjergji Laçi i është kundërpërgjigjur me breshëri kallashnikovi. Për shkak të agresivitetit të tij, policia ka kërkuar ndihmën e specializuar të efektivave të repartit RENEA, me qëllim ndërhyrjen në situatën e ndërlikuar që u krijua brenda në shtëpinë e shtetasit Gjergji Laçi. Në vendngjarje ka qenë i pranishëm dhe nëndrejtori i Tiranës Shkëlzen Breçani, ndërkohë që operacioni për neutralizimin e personit të armatosur kishte filluar nga efektivët e RENEA. Nëpërmjet një furgoni të blinduar ata i janë afruar banesës, ndërkohë që një negociator fliste me altoparlant, ku i kërkonte Gjegji Laçit me origjinë nga Dibra që të linte të lirë familjarët dhe të vetëdorëzohej. Nga ana tjetër, efektivët e komisariatit nr. 4 kanë urdhëruar të gjithë banorët e zonës që të hynin në banesa dhe të mos shihnin ngjarjen, pasi në ato momente mund të kishte shkëmbim zjarri mes policisë dhe personit të armatosur që ndodhej brenda shtëpisë së tij. Gjatë negocimit, Gjergji Laçi ka pranuar të lerë të lirë anëtarët e familjes dhe se pas disa minutash më pas, ai ka fshehur automatikun me dy karikatore në dyshekun e krevatit dhe ka dalë me duar lart nga banesa e tij. Menjëherë në këtë moment kanë ndërhyrë forcat e repartit RENEA, të cilët bënë arrestimin e 41-vjeçarit, duke e shoqëruar me shpejtësi në drejtim të Drejtorisë së Policisë Tiranë.

Në gjendje të dehur

Pas ndalimit të 41-vjeçarit, policia ka mësuar se ai ishte nën efektin e pijeve alkoolike. Disa nga dëshmitarët e pyetur lidhur me këtë ngjarje kanë treguar se në orët e para të mëngjesit kishin parë, Gjergji Laçin në ambientet e një lokali, afër zonës ku ai ishte duke konsumuar alkool. Pasi ka pirë disa gota raki, 41-vjeçari është drejtuar për në banesën e tij, ku ka marrë automatikun dhe ka filluar të qëllojë me breshëri në ajër. Sipas policisë së Tiranës, të gjitha këto veprime 41-vjeçari i ka kryer nën efektin e alkoolit, ndërkohë që fatmirësisht nuk ka qëlluar në drejtim të ulët, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve të zonës, por edhe disa fëmijëve të lagjes që ishin duke luajtur në ato momente në një fushë, para shtëpisë nga vinin të shtënat. Ndërkohë që pas marrjes në pyetje, 41-vjeçari ka shfaqur pendesë për atë që kishte kryer duke pohuar se s’ka pasur qëllim të vriste askënd. Gjatë marrjes në pyetje ai ka shfaqur dhe probleme mendore.

 

Depresioni, Lena Grizhaj vdes në Spitalin Ushtarak

“Dua të vdes në një ditë me vëllain”, pi bar miu

dhe vdes motra e të mbyturit në tragjedinë e 9 janarit

Nuk kanë të mbaruar fatkeqësitë për familjen Grizhaj në Lezhë, ku pas mbytjes në tragjedinë e 9 janarit 2004 të djalit dhe nuses së tyre, tashmë një tjetër vdekje ka trokitur në banesën e tyre. Lena Grizhaj, 22-vjeçarja që humbi të vëllanë e saj Mark Grizhaj dhe nusen e këtij të fundit, ka vendosur ti japë fund jetës së saj, duke u vetëflijuar duke pirë helmin e barit të miut. “Dua të vdes në ditën e vdekjes së vëllait tim. Ai ka qenë më i mirë në familje”. Këto ishin fjalët e vetme që Lena Grizhaj kishte shkruar në një letër përpara se të ndërmerrte aktin ekstrem të konsumimit të helmit. E reja, që në vitin 2004 ka qenë vetëm 13-vjeçe, është gjendur në gjendje shumë të rëndë në banesën e saj, duke bërë që familjarët ta transportojnë me shpejtësi në drejtim të Spitalit Ushtarak. Me gjithë ndërhyrjen e bluzave të bardha, 22-vjeçarja ka humbur jetën në spital, pikërisht në datën 9 janar, datë kjo kur dhe u mbyt në kanalin e Otrantos, vëllai i saj, i cili po udhëtonte me një gomone të mbushur me klandestinë në drejtim të Italisë. Familja Grizhaj, e cila banon në fshatin Torovicë të Lezhës, është më e dëmtuara në tragjedinë e 9 janarit. Pasi humbi djalin 19-vjeçar dhe nusen e tij, kryefamiljari Mark Grizhaj, një vit më parë humbi gruan dhe djalin e tij të dytë, të cilët u vetëflijuan duke pirë bar miu. Të gjitha vdekjen e një pas njëshme kanë ardhur si rezultat i depresionit të thellë që kanë pësuar anëtarët e kësaj familje, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në ujërat e detit Jon. Familjarët kanë kërkuar me insistim zbardhjen e të vërtetës rreth këtij incidenti dhe ndëshkimin e personave që ushtronin funksione publike, të cilët megjithëse kishin marrë lajmin për rrezikun e mbytjes së gomones nuk kanë marrë asnjë masë për ti shkuar në ndihmë. Pavarësisht kësaj ngjarje të rëndë, dje familjarë të 27 viktima të 9 janarit, kanë përkujtuar njerëzit e tyre,duke hedhur lule në det.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency