A duhet të shkarkohet ministri? Deklarata skandaloze: S’jemi të aftë të mbrojmë kishat, t’i mbrojë vetë komuniteti!

0
154

Violeta Murati

onufriMinistria e Kulturës tregon paaftësinë për të menaxhuar e mbrojtur monumentet e kulturës. Dje në deklaratën për shtyp në lidhje me vjedhjen e dëmtimin e afreskut unikal të Onufrit, viti 1554, përfaqësuesi i saj, Olsi Lafe, është shprehur se ministria nuk mund t’ia dalë ta mbrojë e ta mbikëqyrë trashëgiminë?! Kjo është një nga përgjigjet më absurde lëshuar ndonjëherë nga dikasteri i lartë i kulturës duke shkatërruar gjithë filozofinë pse një shtet duhet të ketë përgjegjës për kulturën një institucion të posaçëm. Fjalë për fjalë, deklarata e lëshuar dje nga ministria mbi përgjegjshmërinë e saj për mbrojtjen e trashëgimisë është: “Duke qenë se numri i monumenteve të kultit është tepër i madh do të ishte praktikisht e pamundur të survejoheshin 24 orë në 24 orë të gjitha këto monumente, siç është sugjeruar nga disa këto ditët e fundit…” Me idenë se kjo do të kërkonte një numër të madh njerëzish dhe një infrastrukturë të posaçme, ministria duket se heq dorë nga “pushteti” që ka për mbrojtjen dhe shërbimin publik, duke harruar se paratë me të cilat mbahet nuk janë nga xhepi personal i ministrit as nga bizneset private të njerëzve të ministrisë, por janë para të taksapaguesve që nuk meritojnë përgjigjen e mësipërme. Duke pasur parasysh se afresku i Onufrit i Kishës së Shën Premtes përbën monument të kategorisë së parë, më e pakta do të ishte dorëheqja e ministrit për mungesë së aftësisë për të menaxhuar e mbrojtur kulturën dhe jo deklaratat e papërgjegjshme që lëshohen nga zyra e tij.

Një ditë më parë, gazeta “standard” denoncoi rastin më flagrant të vjedhjes e dëmtimit të një prej afreskeve unike të Onfurit në kishën e Shën Premtes, Vlash të Elbasanit. Ishte restauratori dhe arkitekti Gentian Stratobërdha, ndodhur në vendngjarje, duke bërë të ditur edhe këtë seri të dëmtimeve të monumenteve tona duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet respektive. Por ironia ndaj kësaj ngjarje ka ardhur dje nga një përgjigje e befasishme e Ministrisë së Kulturës, pas mesditës. Ngjarja siç njoftohet ka ndodhur në mbrëmjen e fundit të ndërrimit të viteve, pra kanë kaluar 10 ditë dhe nga Ministria e Kulturës përveç ditës së djeshme nuk ka pasur reagim. Nuk është hera e parë kur ngjarjet, pasi dalin në media e pasi u japin kohë hajdutëve të zhduken pa gjurmë të vënë në lëvizje rutine institucionin përgjegjës. Por kjo do ishte më e pakta përballë përgjigjes dhe deklaratës absurde që ka bërë Ministria përmes përfaqësuesit të saj për punët e trashëgimisë, Olsi Lafe.

E quan dhunim Ministria e Kulturës vjedhjen dhe dëmtimin e afreskut të Onufrit, duke shpjeguar në mënyrë të rëndomte se ka shkuar deri në vendngjarje, se ka takuar njerëz të kishës, se kanë nisur hetimet… ironike, po fatlume se policia e Elbasanit i ka bërë me dije ministrisë se dosja ka kaluar menjëherë në prokurori, duke përmbushur për rastin vendimin e plan-veprimit kombëtar “për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të veprave të artit të kulturës”… Kjo fjali që shënojmë në thonjëza, në fakt, nuk ka fare kuptim të përdorej nga z. Lafe, pasi tashmë nuk bëhet fjalë për “parandalim”, po për zhdukje, dëmtim, krim kulturor!

Paradoksi vazhdon në këtë pjesë të deklaratës kur thotë se kanë “bashkëpunim të plotë me të gjitha organet që kanë kompetenca të ndara brenda rrethit të Elbasanit: se “kanë ngritur një tryezë teknike të posaçme për monitorimin e ngjarjes”… dhe përmend gjithë njerëzit e institucionet e mundshëm që janë përfshirë në këtë “ngjarje”, për monitorimin e plotë të situatës! Nuk e dimë çfarë imazhi ka Ministria e Kulturës dhe Bumçi për Shqipërinë e veçanërisht për monumentet e kulturës dhe për trashëgiminë historike që kemi, pasi deri këtu duket sikur po krijon një luftë imagjinare dhe njerëzit janë bukëfike që vetëm gëlltisin çfarë gatuhet me “dorën” e ministrisë!

A i jep dum Bumçi gjuhës së përgjegjshmërisë që ka, bashkë me përfaqësuesit e ministrisë? Në të kundërtën nuk do kishim deklaratën skandaloze që ju servir dje mediave në mënyrë të rrufeshme, e krejt të papërgjegjshme lidhur me vjedhjen dhe dëmtimin e afreskut të Onufrit, pikturuar më 1554 në Kishën e Shën Premtes, shpallur monument të kategorisë së parë. Përfaqësuesi i ministrisë për monumentet, në deklaratën e tij ka treguar se i kanë kryer detyrat sa munden ata, por pasi është vjedhur afresku, dhe është shpëtuar një pjesë duke “lumturuar” ministrinë se hajduti ishte pa përvojë në shkuljen e afreskut. Zyrtarisht nga inspektimi i bërë deklarohet se “Afresku është dëmtuar, goditur, prerë dhe shkulur në mënyrë të dhunshme dhe mekanike nga mjete të forta dhe persona të pa ndërgjegjshëm dhe të pa informuar mbi procesin e shkuljes apo heqjes së një pikture murale. Grabitja është bërë e fragmentuar dhe e fokusuar në pjesët e portreteve të shenjtëve kryesore të ikonografisë biblike. Në tentative për t’u vjedhur por në pamundësi për t’u shkulur ka qenë portreti tek figura e Shën Mërisë me Krishtin tek altari, portreti i figurës së Shën e Premtes (i cili është shenjti të cilit i është dedikuar kisha), shkrime të ndodhura në pjesën e brendshme të altarit (ndër to është shkruar emri i piktorit të kishës Onufri), figura mbi nike, pjesë të portretit të dëmtuar të një shenjti në të majtë të absides (portreti i të cilit është dëmtuar gjatë shkuljes dhe është lënë i fragmentuar në kishë. Grabitja dhe humbja e këtyre fragmenteve të rëndësishme e ka dëmtuar pikturën nga ana artistike, vizuale, duke bërë të pakthyeshëm dëmin e kësaj pasurie të trashëgimisë kombëtare”. Pra siç shihet nga raporti i ministrisë “hajduti” ka pasur kohë të godiste mbi afreskun dhe ta shkulte me qetësi, vetëm se nuk ka pasur fuqi fizike si duket, ndoshta nga puna e rëndë që po bënte, që ta hiqte gjithë pikturën e Onufrit! Pas deklarimit të këtij “relacioni teknik” mbi dëmtimin, z. Lafe është shprehur se ministria ka siguruar derën duke e mbyllur me dy kyçe dhe është larguar për t’u kthyer në një moment më të vonë! Indiferencë totale që të paktën do çonte në burg qoftë përfaqësuesin e ministrisë ashtu dhe vetë Bumçin! Justifikimi për këtë është banal: “Duke qenë se ky ka qenë një skenë krimi dhe duke qenë se ngjarja ka qenë në hetim sipër ministria i ka krijuar të gjitha hapësirat e duhura policisë për ndjekjen e saj!” Për këtë arsye është krejt e pakonceptueshme se si një ministri lëshon deklarata ku i kërkohet komunitetit të mbajë përgjegjshmëri kur nga ana tjetër ky komunitet paguan taksa për mbrojtjen e trashëgimisë. E themi kaq thjesht këtë arsye pasi zëri që duhej të vinte nga ministria së paku do ishte sensibilizimi dhe rritja e ndjeshmërisë qytetare për të bashkëpunuar para se punët të shkojnë për dreq, dhe trashëgimia të na zhduket nga hajdutë ordinerë që gjejnë derën hapur, dhe pa asnjë lloj rezistence shtetërore. Specifikisht kur alarmet mbi vjedhjen e trashëgimisë kanë mbërritur në gjendjen SOS, asnjë hap mbi forcimin dhe marrjen e masave mbrojtëse apo strategji nuk kemi parë të propozuar nga Ministria. Së paku të jetë e siguruar dhe jeta e “rojeve”!

 

 

 

Reagimi

Vidhet dhe demtohet afresku i Onufrit

Gentian Stratobërdha

Në këto ditë të ndërrimit të viteve është vjedhur dhe dëmtuar rëndë dy herë afresku i pikturuar nga Onufri në kishën e Shën e Premtes pranë fshatit Vlash të Elbasanit. Kjo kishë e vogël dhe e thjesht në pamje, një nefëshe, me hajat nga perëndimi, por me unike për sa i përket vlerës së afreskut, e pikturuar nga dora e Onufrit në vitin 1554 ka qenë gjithmonë një ekzemplar studimesh, analizash kimike, kërkimesh dhe temash të ndryshme diskutimesh shkencore në fushën e trashëgimisë kulturore. Janë të shumta referencat dhe botimet ku preken vlerat dhe teknikat e përdorura nga Onufri në këtë kishë.

Por këto nuk vlejnë asgjë për dëmtuesit dhe grabitësit e këtyre ditëve, të cilët të qetë dhe të pa shqetësuar as nga organet e rendit vazhdojnë “detyrën” e tyre të dëmtimit të një nga kryeveprave të trashëgimisë tonë kulturore.

Ndërhyrja e parë ka ndodhur në datën 30 dhjetor është konstatuar vonë nga banorët e fshatit, të cilët menjëherë kanë njoftuar policinë, drejtorinë rajonale të monumenteve të kulturës dhe Kishën Ortodokse Autoqefale. Dëmtimet dhe grabitjet e konstatuara ishin tepër të rënda. Keqbërësit duke mos qenë profesionistë të çmontimeve të afreskeve kanë dëmtuar afreskun me mjete primitive duke tentuar ta shkëpusin atë nga muri.

Pjesë të mëdha afresku të thërrmuara gjendeshin në tokë, dhe pjesë të tjera qe mungonin fare. Duke mos hyrë shumë në detaje të cilat mund t’i vlejnë më mirë ekspertizës dhe restauratorëve, tendenca ka qenë të çmontohen kokat e shenjtorëve duke numëruar rreth pesë dhe përfshirë këtu edhe shenjtoren e kishës, Shën e Premten, ikona e të cilës nuk ekziston më. Është e rëndësishme të theksojmë se objekt i kësaj grabitje është bërë edhe pjesa e mbishkrimit në zonën e sipërme të ikonostasit prej guri, e cila ishte jo vetëm pjesë e artit të kësaj kishe, por edhe burim informacioni.

Pas këtyre konstatimeve kisha u mbyll përsëri me çelësa të rinj. Por duket që reagimi i vakët dhe pothuaj i papërfillshëm nga organet kompetente bëri të krijohej një situatë e sigurt për keqbërësit, të cilët jo më shumë se gjashtë ditë më vonë rreth datës katër janar, realizuan një ndërhyrja të re dhe këtë radhë të suksesshme duke marrë tashmë edhe pjesë të tjera afresku. Pavarësisht se duket e pabesueshme por afresku i Onufrit vazhdon të vidhet ritmikisht dhe keqbërësit të pa shqetësuar nga organet e rendit të cilët ose janë të pa aftë ose na bën të mendojmë se janë bashkëpunëtore të tyre, vazhdojnë punën e tyre te re tashme të grabitjeve të afreskeve në monumentet ortodokse të Shqipërisë. Duket sikur një periudhë e re po fillon, ajo e vjedhjes së afreskeve, pasi u erdhi edhe fundi vjedhjeve në vazhdimësi të ikonave, ikonostaseve, froneve dhespotësh, amvoneve dhe pjesë të tjera arti të interjereve të kishave në zonën e Myzeqesë, në zonën e Gjirokastrës, në zonën e Korçës etj. Dhe si zakonisht gjendemi përballë organeve kompetente për ruajtjen ligjërisht të tyre të cilat kanë qenë dhe janë në një inkompetencë të plotë për kryerjen e detyrë së tyre.

Duke u përpjekur kaq vjet dhe duke protestuar në forma të ndryshme kundër këtyre fenomeneve të rënda të dëmtimit të trashëgimisë sonë kulturore dhe përballë paaftësisë së shtetit për t’i mbrojtur, por edhe indiferencës së tij e cila është një temë tjetër për t’u diskutuar, destinacioni dhe prognoza duket e qartë, do të kemi humbje totale të trashëgimisë se krishterë, e cila përbën pjesën më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. Dhe në përfundim, mund të shtojmë pyetjen se kujt i intereson një trashëgimi kulturore me vlerat e dëmtuara rëndë të artit kishtar ortodoks, të cilat vijojnë t’u nënshtrohen në vazhdimësi ngjarjeve të tilla si ajo që përmendëm më sipër.

 

 

 

Zhduket filmi kosovar “Homazh për Charlie Chaplin-in”   

Mesazhet në shishe me shekuj janë shfrytëzuar si mënyrë komunikimi. Legjenda flet për porosi që janë dërguar përmes oqeaneve e deteve. Porosi lufte a mesazhe dashurie. Në vitin 1999, regjisori Luis Mandoki do të realizonte filmin “Message in the Bottle”. Por, një shishe asnjëherë nuk kishte bartur edhe një shirit filmik. Kjo derisa regjisorit Orhan Kerkezi t’i shkrepte një ide. Një mesazh në shishe, në të cilën do të vendoset shiriti filmik i “Homazh për Charlie Chaplin-in” do të varroset në ndonjë vend të botës. Por, ky vend do të mbetet sekreti që do të ndajnë vetëm dy regjisorët e filmit, derisa dikush të rastisë në mesazhin me shishe. Audienca e një festivali francez, për një kohë do të mbetet e vetmja që ka pasur fat të shohë “Homazhin për Charlie Chaplin-in”. Krijuesit e filmit që i dedikohet ikonës së kinematografisë botërore kanë vendosur ta varrosin atë. Filmi 15-minutash, me protagonist piktorin shqiptar me nam botëror, Omer Kaleshi, është shfaqur vetëm një herë në festivalin “South East European Film Festival” në Paris. Datën e një shfaqjeje tjetër të filmit që është realizuar nga Orhan Kerkezi e Adem Rusinovci e di vetëm koha.

“Koha ditore”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency