“Topi i Artë”, si votuan komisarët teknikë dhe kapitenët

0
156

 Altin Vorpsi

topi i arteZyrtarizimi i fituesit të Topit të Artë, me Lionel Mesin në podium për herë të katërt radhazi, nuk e ka habitur shumë opinionin sportiv, por ajo që ka surprizuar disi ishin zgjedhjet e disa trajnerëve dhe kapitenëve të kombëtareve të ndryshme…

 

FIFA bëri dje publike votat që ndanë çmimin prestigjioz “Topi i Artë 2012”. Në listën që publikoi në sajtin e vet organi më i lartë futbollistik në botë shoi shumë kuriozitete, pasi zbuloi se për cilin kishin votuar të tërë ata që kishin të drejt të bënin diçka të tillë. Komisarët teknikë dhe kapitenët e skuadrave përfaqësuese së bashku me “ndihmën” e gazetarëve kanë zgjedhur më të mirin…

 

Cana dhe De Biazi kanë “shije” të ndryshme

Nga lista e bërë zyrtare nga FIFA shihet se kapiteni i përfaqësues sonë i ka dhënë pesë pikë Kristiano Ronaldos, tri pikë Lionel Mesit dhe vetëm një pikë Andres Iniestës. Ndryshe nga futbollisti i Lacios ka menduar komisari teknik i Shqipërisë, Xhani de Biazi. Italiani i ka dhënë pikët maksimale Lionel Mesit. Ndërkohë, në vend të dytë dhe të tretë ka renditur Kristiano Ronaldon dhe Çavi Alonson.

 

K. T. “besnik” lojtarëve të vet

Komisarët teknikë të përfaqësueseve të mëdha nuk kanë kursyer surprizat, pasi kanë votuar lojtarët e tyre. Kështu, trajneri i Gjermanisë, Hoakim Lëv, i ka dhënë pikët maksimale Mesut Ëzillit, ndërkohë që në vend të dytë e të tretë ka renditur përkatësisht Manuel Nojerin (3 pikë) dhe Çavi Hernandezin (1 pikë). Ndërkohë, homologu i tij tek Spanja, Vinsente del Boske ka votuar për Kasijasin (5 pikë), Çavin (3) dhe Iniestën (1). Ndryshe nga iberiku komisari teknik i Italisë ka preferuar që t’i japë diçka edhe fituesit, duke renditur Andrea Pirlon (5 pikë) dhe Xhixhi Bufonin (3) para Leo Mesit (1). Nga ana tjetër, surprizë nuk mund të quhet edhe votimi i Alehandro Sabelës. Komisari i teknik i Argjentinës i ka dhënë pesë pikë Mesit, tre Agueros dhe një Radamel Falkaos. Më “i arsyeshëm” ka qenë Paulo Bento. Tekniku i Portugalisë, ndryshe nga homologu i vet tek Argjentina, i ka dhënë një pikë Leo Mesit (rivali direkt i Ronaldos), ndërkohë që në dy vendet e para renditi Kristiano Ronaldon (5 pikë) dhe Radamel Falkaon (3). Sa i përket teknikut të Brazilit, Menezes (që ishte ende në këtë detyrë pasi votimi u krye në nëntor) preferon Kristiano Ronaldon (5 pikë), Lionel Mesin (3) dhe Radamel Falkaon (1).

 

Kasijasi “tradhton” Del Bosken

Dy net më i parë, nuk u dha vetëm “Topi i Artë”. Me një çmim të përafërt u nderua edhe tekniku i vitit që për shumicën e votuesve ishte Vinsente del Boske. Për shumicën… por jo për Iker Kasijasin. Kapiteni i Spanjës dhe i Realit të Madridit ka “tradhtuar” De Bosken, duke i dhënë atij vetëm tri pikë. Sipas portierit iberik, tekniku më i mirë është Hoze Murinjo. Një gjë e tillë mund të shpjegohet vetëm me faktin se votimi është kryer në nëntor… konflikti mes tyre filloi vetëm në dhjetor.

 

Profesionist

Tekniku i Irlandës, Trapatoni, ka treguar se është një profesionist i vërtetë, pasi ka votuar Mesin (5 pikë), Ronaldon (3) dhe Çavin (1). Po ashtu Alberto Zakeroni ka treguar se di të zgjedhë. Komisari teknik i Japonisë i ka dhënë votat e tij Ronaldos, Mesit dhe Pirlos. Këta tri emra gjenden edhe në listën e përpiluar nga Don Fabio Kapelo. Për komisarin teknik të Rusisë më i miri është Mesi që ndiqet nga Pirlo dhe Ronaldo.

 

0,09% i kotë

Dje u mor vesh se disa prej atyre që kishin mundësi vote, kishin çuar dëm një rast të tillë. Ata janë vetëm 0.09% e të anketuarve. Flasim për gazetarin e Ishujve të Virgjër (Aron Grej) dhe të Kirgistanit (Pavel Louzanov). Këta të dy kanë bërë të mundur që të vota të mos u merret parasysh… meritojnë të përmenden se janë të rrallë ata që u jepet mundësia për të vendosur për Topin e Artë dhe të mos bëjnë diçka të tillë.

 

 

 

Murinjo e ka hundën e gjatë

Nuk shkoi në ceremoninë e “Topit të Artë”, se ndoqi të birin

Polemikat nuk kanë të sosur në Spanjë. E përditshmja spanjolle “AS” (është shumë pranë Realit) duket se është bashkuar me tifozët, pasi preferon që të “të bardhët” të largojnë menjëherë Hoze Murinjon. Në faqen e saj të parë dje, “AS” ka zbuluar arsyet e vërteta të mungesës së trajnerit të Realit në ceremoninë e “Topit të Artë” nuk ka qenë për arsye pune, por thjesht për shkak se portugezi e dinte shumë mirë se ai nuk do të shpallej trajneri më i mirë i vitit 2012. Murinjo e kishte justifikuar mungesën e tij me përgatitjet për ndeshjen e kthimit të Kupës së Mbretit ndaj Seltës. Por “AS” e ka kapur mat duke ndjekur një stërvitje të skuadrës së djalit të tij në orën 19:45, ekzaktësisht kur kishte nisur ceremonia e çmimeve të mëdha në Zyrih. Tashmë, veç lojtarëve dhe tifozëve që ka bërë armiq, nuk e duan më as mediat pranë klubit. “AS” nuk e kurseu foton e portugezit në faqen e parë të gazetës me titullin e madh: “Mu gënjeu”! “ESPN”, “Mundo Deportivo”, “O Jogo”, “Sport” dhe “Corriere dello Sport” nuk e anashkaluan një fakt të tillë. Ndërkohë, sipas “AS”, gjestin e “Specialit” nuk e ka pritur mirë as presidenti Florentino Perez, sepse teksa rivalët katalanas udhëtonin “familjarisht” drejt Zvicrës, presidenti i Realit nuk ndihej aspak komod, ndërsa shoqëronte i vetëm 5 “galaktikët” e tij. Divorci trajner-klub në fund të sezonit nuk diskutohet, por e gjithë kjo përçarje në kampin madrilen shoqërohet edhe me aromë ndarjeje përpara muajit gusht.

 

Deklarata

Stojçkovi zbulon të ardhmen e Pep Guardiolës

Legjenda e Barcelonës, Hristo Stojçkov,është shprehur se Pep Guardiola do të zgjedhë stolin e Mançester Sitit në fund të sezonit. Ish-trajneri i Barcelonës konfirmoi se ai do të rikthehet në treg në përfundim të sezonit, duke rindezur edhe një herë luftën mes klubeve evropiane. “Unë e shoh Pepin të zgjedhë stolin e Mançester Sitit. Ai bashkë me Titon kanë bërë historinë me Barçën dhe besoj se të njëjtën gjë do ta bënte edhe në Angli”, – deklaroi ish-sulmuesi bullgar për radion “Esports Cope”. Stojçkov parashikoi se miku i tij do të kishte të njëjtin sukses edhe në stolin e kampionëve të Anglisë.

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency