Mazhoranca: Koalicioni me LSI-në, solid, nuk ka pse të mos vijojë në 2013-ën

0
140

Ina Jano

tritanShehu: Nuk shoh asnjë arsye pse koalicioni me LSI-në të mos përsëritet

Paloka: PD, e hapur për të gjitha partitë e majta

Bllokimi i statusit, Tritan Shehu: Rama, krim kombëtar, marrja e tij, e mundshme në pranverë

 

Mazhoranca qeverisëse duket e vendosur për të vijuar koalicionin me LSI-në, pasi e cilëson atë si një bashkëpunim të suksesshëm. I këtij mendimi është deputeti demokrat Tritan Shehu, i cili në një prononcim për gazetën “Standard” nënvizoi se bashkëpunimi me Lëvizjen Socialiste për Integrim është totalisht i mundshëm për të vijuar edhe në 2013-ën. Në gjykimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, koalicioni me LSI-në ka funksionuar më së miri dhe në bilancin afro 4-vjeçar, mund të quhet si i suksesshëm, gjë që natyrisht do të çonte drejt vijimësisë së bashkëpunimit. “Unë personalisht nuk shoh ndonjë arsye që koalicioni mos të vijojë edhe në 2013-ën, sepse ai ka funksionuar mirë, ka qenë efikas, demokratik, me hapësira reciproke. Zoti Berisha ka ditur të ndërtojë një koalicion funksional dhe demokratik. Unë nuk shoh ndonjë arsye pse të mos ripërsëritet prapë, megjithatë kjo i takon forcave politike përbërëse që të marrin një vendim në kohën e duhur. Unë mendoj që ky bashkëpunim jo vetëm do vazhdojë por do të zgjerohet edhe më shumë për të shembur murin e bllokimit. Duhet një mobilizim i të gjitha forcave demokratike në Shqipëria për të shembur këtë mur bllokimi që zoti Rama ngriti në mënyrë krejtësisht absurde për të gjithë shqiptarët, dhe të ardhmen e Shqipërisë”, – tha deputeti Shehu. Ky i fundit pohoi se nga ana e PD-së nuk ka asnjë problem, madje ai siguroi se në zgjedhjet e qershorit, koalicioni që do të udhëhiqet nga demokratët do të jetë shumë i gjerë. Normalisht ish-ministri i jashtëm Shehu tha se të gjitha vendimet do të bëhen publike nga partitë në momentin e duhur, kur do të njoftohen edhe aleancat përkatëse dhe se ai nuk mund të flasë në emër të forcave të tjera politike.

Në të njëjtën linjë u shpreh ditën e djeshme edhe nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili tha se kjo forcë politike është përgatitur për një koalicion të gjerë. Ai njoftoi se PD është e hapur për të pritur në gjirin e saj edhe parti të majta, të cilat janë të gatshme të punojnë për integrimin e Shqipërisë. “Partia Demokratike është e hapur të zgjerojë koalicionin me partitë e majta përtej LSI-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, – tha Paloka, duke shtuar se forca që ai përfaqëson po përgatitet t’i fitojë vetë zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, ligjvënësi Paloka përjashtoi çdo mundësi për koalicion me Frymën e Re Demokratike.

Statusi

Nga ana tjetër, deputeti Shehu bllokimin e statusit nga ana e opozitës e cilësoi si një krim kombëtar i bërë ndaj të gjithë shqiptarëve dhe integrimit të tyre. “Çështja e bllokimit të statusit është një krim kombëtar që zoti Rama ka bërë ndaj interesave të vendit, ndaj interesave të shqiptarëve kudo që janë dhe ndaj interesave dhe stabilitetit të rajonit, duke bllokuar statusin kandidatit në BE për Shqipërinë. Është një vepër cinike, e pashembullt në historinë e Shqipërisë dhe që unë jam i bindur që do ndëshkohet thellësisht nga elektorati shqiptar në qershor të këtij viti. A ka mundësi ta marri përpara zgjedhjeve? Unë them që ka mundësi sepse mënyra se si e diskutoi këshilli dhe e la të hapur këshillim është e tillë që ata presin miratimin e tre ligjeve nga ne dhe unë jam i bindur që pastaj këshilli do marrë një vendim pozitive në bazë të rekomandimit të komisionit. Kjo është e vërteta. A do ta bëjë zoti Rama këtë gjë, a do ta hapë këtë dritë jeshile për Shqipërinë? Varët nga ndërgjegjja e tij. Unë uroj që ta bëjë dhe të mos mbajë në ndërgjegjen e tij, një peshë dhe një mëkat kaq të madh ndaj vendit të vet. Ne qeverisja, PD, zoti Berisha jemi impenjuar totalisht për të realizuar të gjitha objektivat për të përmbushur të gjitha objektivat dhe detyrimet tona edhe në përmbushje të hapave tona të mëtejshme të integrimit, por fatkeqësisht kjo çështje varet nga votat e socialistëve për të votuar në Parlament ato ligje që kërkojnë edhe votën e tyre. Kjo është e vërteta e madhe dhe ky është realiteti”, – u shpreh zoti Shehu. Deputeti demokrat u shpreh i dyshimtë për ndryshimin e qëndrimit të opozitës për votimin e tre logjeve, duke argumentuar se ajo është një parti plot oscilacione gjatë gjithë historisë së saj. “Është gjë shumë e vështirë të parashikosh zotin Rama sepse fatkeqësisht PS-ja gjatë gjithë këtyre viteve nga viti ‘90 ka pasur një ecuri gjithë oscilacione, të paparashikueshme, me qëndrime revolucionare dhe të dhunshme në disa momente, pastaj janë ulur dhe kanë bashkëpunuar si për kodin zgjedhor, ose siç pranuan të bashkëpunojnë me shumë vështirësi për imunitetin, pastaj përsëri kanë kaluar në momente mosbashkëpunimin, në momente negativizmi, bllokimi pra për mua është një qëndrim politik i tyre tërësisht i paparashikueshëm dhe jo racional. Ne jemi të gatshëm për çdo kompromis për ato tre ligje, në bazë të amendamenteve që ata mund të dhe të propozojnë, ashtu siç bënë edhe për çështjet e tjera. Ky është maksimumi që mund të bëjë mazhoranca dhe PD, të tjerat janë në dorën e tyre. Unë e kam të vështirë të parashikoj duke pasur parasysh oscilacionet e tyre”, – u shpreh për “Standard” ish-ministri Tritan Shehu.

 

Manjani: Ftesa e Ramës, jo serioze

Lëvizja Socialiste për Integrim refuzoi para dy ditësh ftesën e kryesocialistit Edi Rama për koalicion parazgjedhor. Për nënkryetarin e LSI-së, Ylli Manjani, oferta e kreut të PS-së nuk është zyrtare dhe si e tillë nuk mund të merret në konsideratë. Ai thotë se kërkesa të tilla të bëra në Twitter nuk janë serioze dhe për më tepër në momentin që asgjë nuk është bërë zyrtare. “LSI nuk ka ende një qëndrim zyrtar për koalicionet, edhe pse mund të them që ne nuk kemi ndaluar koalicionin. Por oferta e bërë nga Rama nëpërmjet Twitterit nuk ishte serioze”, – tha dje Manjani. Më tej numri dy i LSI-së nënvizoi se kjo forcë politike nuk mund të jetë ushqim për orekse të dy partive të mëdha PD dhe PS, duke saktësuar se koalicionet partiake duhet të mbështeten mbi vlera. “Ne nuk jemi ushqim për PD dhe PS. Koalicioni në vitin 2009 me PD ishte i sforcuar, por solli stabilitet politik”, – nënvizoi ai.

 

 

Edi Rama të tregojë burimin e 100 milionëve të bashkëshortes

Reagimi i fëmijëve të Kryeministrit

 

Për të disatën herë ka reaguar dje vajza e kreut të qeverisë, Berisha, zonja Argita Malltezi, e cila për t’iu kundërpërgjigjur akuzave të ardhura nga ana e opozitës ka sqaruar se të ardhurat e saj janë bërë disa herë tërësisht transparente dhe janë deklaruar në Institutin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, institucion ky i cili është shprehur se nuk ka asnjë paqartësi në deklaratën e dorëzuar të pasurisë. Referuar biznesmenit pakistanez, që nuk përfundoi projektin e tij në Shqipëri, të përmendur në deklaratë nga deputeti socialist Taulant Balla, zonja Malltezi shprehet se ky zotëri nuk e finalizoi projektin në vendin tonë për arsye tërësisht personale, duke hedhur poshtë të gjitha aludimet e bëra nga opozita. “I dalë boje nga mashtrimet 13-ditore mbi të ardhurat tona dhe burimin e tyre, tellalli i paguar i Ramës doli sot për gënjeshtrën e radhës, të cilën e ka përtypur pa sukses edhe para fushatës elektorale të 4 viteve më parë. Sqaroj se çdo e ardhur që kam fituar në kohën kur kam ushtruar aktivitetin e avokatisë, duke zbatuar tarifat sipas vlerës së tregut dhe normës së fitimit të studiove ligjore në kryeqytet, është deklaruar në ILDKP e organe tatimore dhe tatuar sipas ligjit. Zotëria në fjalë nuk e finalizoi kurrë projektin për shkaqe personale. Asnjë shumë nuk është marrë prej tij apo çdo biznesmeni tjetër pa u deklaruar në organet tatimore dhe ILDKP”, – thuhet në deklaratën e posaçme dërguar medias nga vajza e Kryeministrit. Për këtë të fundit standardi i Ramës është shpifja dhe fshehja e pasurisë. Më tej, zonja Malltezi shprehet se ajo ka dhënë sqarime për transparencën e të ardhurave dhe do të vijojë ta bëjë një gjë të tillë, pasi nuk kanë asnjë gjë për të fshehur. Gjithashtu, në deklaratë, vajza e Kryeministrit nënvizon se të ardhurat e saj janë nga burime të ligjshme dhe të pastra, në diferencë kjo me gruan e Edi Ramës, bashkëshortja e të cilit deklaron se ka marrë hua pa interes 100 milionë lekë nga një dhurues anonim. Zonja Malltezi sqaron se të ardhurat e saj janë krijuar nga aktiviteti profesional, mësimdhënie, kërkim shkencor, botime profesionale librash apo pjesëmarrje në konferencat kombëtare dhe ndërkombëtare. “Këto institucione kanë bërë kontrollet e tyre sipas viteve dhe kanë dalë me njoftim zyrtar duke i konsideruar ato transparente dhe konform ligjit. E kundërta vlen për ju z. Rama, sepse të ndryshme janë standardet e tua. Siç provohet nga deklarata e pasurisë, bashkëshortja juaj deklaron në mënyrë zyrtare se ka marrë pa interes 100 milionë nga një dhurues anonim. Refuzimi juaj për të treguar dhuruesin dhe arsyet që i shtyjnë njerëzit të jenë kaq bujare me ju janë një kambanë e frikshme për standardet që ju zbatoni dhe i ofroni këtij vendi. Sa realiste duken sot akuzat që ju kanë bërë publikisht ndërtuesit e Tiranës se u ke kërkuar miliona euro për një leje ndërtimi. Çdo student i Drejtësisë do të pyeste mbi një rast të tillë, të denjë për t’u studiuar në orët e seminareve dhe leksioneve: A mos është 100-milionëshi i marrë nga gruaja juaj, Linda Basha, një tentativë për të pastruar dhe ligjëruar një pjesë të parave”, – përfundon deklarata e vajzës së zotit Berisha.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency