Liga mbarëkombëtare, jo utopi, por realitet

0
142

Dritan Gjyrezi (Menaxher i FIFA-s)

 

ligaSa herë që dëgjojmë deklaratat e personaliteteve të huaja të futbollit në lidhje me çështje të ndryshme, i analizojmë thëniet e tyre pa ndonjë paragjykim. Ajo që është e çuditshme, është se po të dëgjojmë këto deklarata nga liderët shqiptarë e në rastin tonë nga Kryeministri Berisha, për ligën mbarëkombëtare bëhemi paragjykues, ndërkohë që ato nuk thonë apo kërkojnë as më pak e as më shumë nga çfarë kanë kërkuar të huajt, ku mes të cilëve, presidenti i Standard Liezhit (klub i superligës belge) që kërkoi në fund të dhjetorit të vitit të kaluar bashkimin e kampionatit belg me atë holandez. Sipas idesë së tij, 8 klubet më të mira belge të bashkoheshin me 12 klubet më të mira holandeze në një ligë të vetme, e cila do të sillte më shumë përfitime për shumicën e klubeve. Në të kundërt ka deklaruar presidenti i Standard Liezhit se do të shkëputet nga liga belge për t”iu bashkuar ligës franceze në qoftë se ky bashkim s’do të realizohej.

 

Po të ecim në vitet e mëhershme, kemi drejtuesin e futbollit evropian Platini, i cili e ka kërkuar këtë bashkim që në vitin 2009. Mishel Platini ka hedhur idenë e bashkimit të ligës belge me atë holandeze, duke propozuar që 8 klubet më të mira belge të bashkoheshin me 8 klubet më të mira holandeze dhe pjesa tjetër e klubeve të ndaheshin në ligën e dytë e të tretë. Por ky projekt në ato vite nuk gjeti mbështetjen e klubeve përkatëse. Platini ka shkuar edhe më tej, duke thënë se në kohën e ish-Jugosllavisë ka pasur një ligë futbolli më të fortë përmes ekipeve të republikave të ish-Jugosllavisë dhe për këtë arsye, thotë ai, u propozova atyre (shteteve ballkanike) që të bëjnë një ligë ballkanike. Këtu mund të përmendim si argument edhe rastin e Monakos, që Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka njohur si shtet dhe UEFA e ka lejuar të marrë pjesë me një ekip në ligën franceze.

 

Po të shkojmë dhe më tej, në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, do të gjejmë disa liga të përbashkëta ku bëjnë pjesë ekipe amerikane dhe kanadeze, si: NBA (Liga e Basketbollit), NHL (hokej), MLB (bejsbolli) si dhe NFL (futbolli amerikan). Ka edhe raste të tjera si çështja “Bosman”, që të gjitha ekipet brenda BE-së kanë të drejtë të aktivizojnë numër pa limit futbollistësh me pasaportë brenda vendeve të BE-së apo si rasti kur FIFA na lejon edhe ne si agjentë të licencuar të futbollistëve nga Federata Shqiptare e Futbollit, që të kemi të drejtë të jemi agjentë të futbollistëve të të gjitha kombësive.

 

Të gjitha këto raste tregojnë se Kryeministri Berisha nuk kërkoi diçka të parealizueshme, por përkundrazi, diçka që me pak vullnet të mirë të palëve mund të arrihet. Bashkimet e kampionateve në vende të ndryshme rrisin në mënyrë të ndjeshme të ardhurat, promovojnë sa më shumë talentet, rrisin konkurrencën dhe cilësinë. Me të gjitha këto që përmendëm më lart është më se normale që Kryeministri i një vendi të mendojë edhe për sportin dhe perspektivat e tij, pasi detyra e çdo lideri është ta zhvillojë sa më shumë dhe në të gjitha fushat shtetin që drejton. Këto nisma janë nisma që duhen përgëzuar sa më shumë e jo për t’u paragjykuar me keqdashje pavarësisht bindjeve politike. Emocionet e çdo suksesi të kombëtares na takojnë të gjithëve, çfarë jemi shqiptarë pavarësisht kufijve. Ecja përpara drejt suksese, qoftë edhe në sport nuk i shërben më shumë askujt tjetër perverse kombit shqiptar.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency