Histori Zëri që dëgjohej në Dangëlli!

0
203

Artur Ajazi

 

frasherSeit Frashëri, luftëtari i çetës së Çerçiz Topullit; mik ideali i Mid’hat e Medi Frashërit

 

Dangëllia dhe kryeqendra e saj, Frashëri, njihen si zona ku prej shekujsh kanë dalë burra të mençur, patriotë, njerëz të dijes, penës, por edhe pushkës. Frashëri njihet jo vetëm si vendi ku kanë lindur dhe janë rritur tre vëllezërit Frashëri (Abdyli, Samiu, Naimi) kolosët e dijes kombëtare, por edhe vendi që ka nxjerrë trima, patriotë e luftëtarë në çdo periudhë të vështirë që ka kaluar vendi, si bijtë e tyre Mid’hat e Medi Frashëri etj. Një ndër ata do të ishte edhe Seit bej Frashëri (Skënderi) i cili ishte edhe mbetet njeriu që kurrë nuk u lëkund dhe nuk u përkul nga rrebeshet e kohës, vështirësitë e jetës nga kushdo që ka qeverisur dhe që ka ardhur e ka ikur në Shqipëri në shekullin e kaluar. Seiti apo siç e kishin zakon ta thirrnin Seit Beu, ishte frashërlliu me zemër të madhe, me shpirt të gjerë, me dinjitet burrëror, ai kishte fjalë trimi dhe kishte një influence të madhe në krejt zonën e Dangëllisë e viset e tjera të jugut. Duke pasur një pjekuri të parakohshme Seiti qysh në moshën e re, (vitet 1910-1920) do të ishte mik shtëpie tek dera e Frashërllinjve dhe do të merrte pjesë aktive me armë në dorë qysh në moshën 15 vjeçare në çetën e patriotit Çerçiz Topulli, ku bashkë me njeriun e tij të afërt nga e bashkëshortja e tij Faikeja, trimin Hajredin Tremishti, do të luftonin ndaj hordhive turke, greke e malazeze. Duke qenë njeri me influencë në zonën e Dangëllisë, shumë shpejt do të bëhej ndër burrat dhe miqtë e derës së madhe të Frashërit, si Mid’hat bej Frashëri, e Medi bej Frashërit. Duke folur me fëmijët e tij, Yllin, Aferditn dhe Dallëndyshen, mëson prej tyre se “babai ishte i njohur me shtresat më të larta të qeverisjes qysh nga koha e Turqisë, por edhe pas ardhjes së qeverise së Mbretit Zog në Shqipëri. Ai njihej me rrethet më të larta të bejlerëve të Shqipërisë Jugut, dhe ishte zëri i parë në Frashër”. Ka marrë pjesë në kongresin e Lushnjës në ruajtjen dhe sigurinë e delegatëve, dhe ishte kryetar i parë i komunës në Frashër qysh në moshën 21 vjeçare. Seiti kishte 8 fëmijë, tre djem dhe 5 vajza, por më i spikaturi ishte Hajredini, djali i madh i tij. Pasi kishte kryer mësimet e para në Frashër, Hajredini ka mbaruar gjatë viteve 1939-1942 studimet ne Itali për Financë, dhe ka punuar në Tiranë gjate viteve të luftës, ku ka shërbyer edhe pranë Rezidencës së Mid’hat e Medi Frashërit. Njihej si njeri me emancipim të lartë shoqëror, njeri me zgjuarsi dhe talent në fushën e financës, ku ka shërbyer deri në vitin 1945, në Patos, Durrës, e Tiranë deri ditën e arrestimit. Hajredini ishte mik i shtresave më të larta të Regjencës së viteve 1940-1944, me gradën toger, pranë Medi e Mid’hat Frashërit, dhe njihej si njeri me shumë influencë në Dangëlli e më gjerë. Por le të kthehemi tek Seit Skënderi. Ylli djali i tij sot në moshën 76 vjeçare tregon se “babai ka lindur në një familje të mesme tregtare në Frashër të Përmetit. Qysh në moshe të re u formua me urrejtje mbi pushtimin otoman dhe në vitin 1910 doli në mal me pushkë në dorë bashkë me 10 luftëtarë, e me vonë u bashkua me çetën e Çerçiz Topulllit dhe Mihal Gramenos. Në vitin 1905 u bë, Hyrrjeti nga qeveria otomane e xhonturqve, dhe falja e çetave patriotike u bë në Korçë. Çeta e Çercizit ishte dhe mbeti me armë në dorë Ishte Seit Skënderi që hyri në Korçë me flamurin shqiptar, duke organizuar qindra njerëz që u nisen nga Korça në Ersekë – Leskovik – Përmet, ku atij iu bë një pritje madhështore në Gjirokastër, të drejtuar nga Çerçiz Topulli dhe Mihal Gramenoja”. Mbas “faljes nga xhonturqit” Seiti merret me tregti, kurse ne vitin 1914 kur Greqia pushtoi Shqipërinë e Jugut, Seit Skënderi me 300 patriotë të krahinës së Dangëllisë, luftuan në male kundra grekëve. Si kundërpërgjigje, ushtria greke e dogji tre here Frashërin tërësisht. Frashëri në atë periudhë ishte 300 shtëpi dhe mbi 30 dyqane, ku popullata e tij pas reprezaljeve ikën muhaxhir në Berat dhe fshatrat e tij dhe Skrapar. Teqeja e Frashërit ka luajtur një rol të madh për rritjen e frymës patriotike në Dangëlli dhe më gjerë, në Skrapar dhe Kolonjë, ku gjithmonë ishte edhe dora e Seit Skënderit. Në kohën e qeverisjes nga Mbreti Zog i  Parë, Seit Beu u emërua kryetar komune në Frashër dhe sekretar komune kushëriri tij Kadri Skënderi. Ata kryen shumë punë në zonën e tyre duke nisur me rrugën automobilistike si dhe investime të tjera të rëndësishme. Sherif Skënderi, i vëllai i Seitit, ishte siç quheshin asokohe “fanolist”, dhe mori pjesë edhe në Kongresin e Lushnjës, madje ka qenë pjesëtar i shortit për vrasjen e tradhtarit Esat pashë Toptani. Shorti i ra patriotit Avni Rustemit, mik i ngushtë i Seit Frashërit. Një tjetër pinjoll i Skënderasve në Frashër ishte edhe Kadri Skënderi, patriot rilindas dhe mësues i gjuhës shqipe në zonën e Dangellisë. Të gjithë brezat që kanë mbaruar studimet me Kadri Skënderin (filloren) dilnin të përgatitur, traditë kjo e mbështetur fuqishëm nga patrioti Seit Skënderi. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939 i detyroi patriotët e Frashërit jo të mbanin zi, por të udhëhequr nga Medi bej Frashëri dhe Seit Skënderi t’i kërkonin Mbretit Zog të dilnin në mal dhe të luftonin ndaj pushtuesit. Në vitin 1945 mbas çlirimit të vendit regjimi dhe klika komuniste filloi një fushatë të tërbuar ndaj familjes së Seit Skënderit, ai dhe njerëz të afërm te tij, si djali Hajredini dënuar me burg, Luani, Ylli, u përndoqën dhe u detyruan të punonin për shumë vite në ferma. Seiti u internua në Gjirokastër, Hajredini u burgos. Gjatë gjithë periudhës komuniste Seit Skënderi, Sherifi dhe Kadriu, por edhe fëmijët e tyre kanë qenë te survejuar nga agjent të Sigurimit të Shtetit. Atyre pas çlirimit ju hoq nga regjimi komunist ajo që asokohe quhej “triska e frontit” dhe shiheshin me syrin e njerëzve që donin “përmbysjen e pushtetit popullor”. Të flasësh dhe të shkruash për familjen e madhe të Seit Bej Skënderit, duhen ndoshta faqe librash për të promovuar vlerat dhe kontributin e tij si patriot dhe luftëtar në ndihmë të çështjes së madhe të Atdheut. Foton e tij do ta gjesh në stendat e Muzeut Kombëtar krah Heroit të Kombit, Çerçiz Topulli, e mjaft atdhetarëve të mëdhenj, duke qenë dëshmi e gjallë e historisë së Shqipërisë në shekullin e kaluar.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency