“Topi i Artë”, Mesi kthehet në legjendë

0
145

Altin Vorpsi

mesiNjë “poker” rekord. Lionel Mesi fitoi për të katërtën herë radhazi Topin e Artë. Kështu “Pleshti” mundi Paltininë, Krujfin dhe Van Bastenin. Këta të fundit kanë qenë të vetmit që kanë fituar më shumë herë (3) këtë çmim.

Lionel Mesi ka mundur kampionët e të tashmes dhe të shkuarës. Iniesta, Ronaldo, Krujf, Van Basten dhe Platini i përulen kampionit të Barçës që dje arriti të fitonte Topin e Artë për të katërtën herë radhazi. Askush me parë nuk ia kishte dalë të fitonte këtë trofe katër herë.

 

Golat përballë trofeut

Edhe kësaj herë Kristiano Ronaldo ngeli me duar bosh. Asit portugez nuk i mjaftoi triumfi në La Liga që e fitoi pikërisht duke mundur Barçën e Mesit. Sa i përket “Pleshtit” argjentinasi ka fituar shumë pikë, pasi mbylli vitin 2012 në kuotën e 91 golave të shënuar. Shifër kjo monstruoze për një lojtar që bën lojë ekipi.

 

“Poker”

Argjentinasi kishte marrë 41,60% të të gjitha votave, përkundrejt portugezit Kristiano Ronaldo, me 23,68% të votimeve dhe Andres Iniestës, me 10,91 % të votave. “Është e pabesueshme, tepër impresiononte”, – ka pohuar argjentinasi pas marrjes së çmimit, duke e ndarë atë me shokët e skuadrës së Barcelonës. “Ia dedikoj çmimin edhe mikut tim, Iniesta, familjes dhe miqve. Falënderoj Zotin për gjithçka”.

 

Trajneri i vitit

Në Zyrih do të vlerësohej edhe trajneri më i mirë për vitin 2012. Kandidaturat kryesore për ta marrë këtë trofe ishin tri dhe direkt apo indirekt kishin lidhje me Spanjën. I pari dhe më favoriti, që ishte edhe fituesi, e ka emrin Vinsente del Boske, njeriu që e udhëhoqi përfaqësuesen spanjolle drejt fitimit të Kampionatit Evropian 2012 në Poloni dhe Ukrainë. Ai e drejtoi Spanjën drejt rikonfirmimit si kampione Evrope. Veterani iberik kësisoj mposhti konkurrencën e Pep Guardiolës, i tërhequr përkohësisht prej gati një viti nga trajningu, dhe të Hoze Murinjos, kampion i La Liga-s në fuqi dhe drejtues aktual në stolin e Realit të Madridit. Pep krijoi stilin e veçantë të Barcelonës dhe ku fitoi shumë trofe, por që në vitin e kaluar u mjaftua vetëm me Kupën e Mbretit. Portugezi duhet vlerësuar për faktin se me Realin e tij arriti që të shpallej kampioni i Spanjës, duke thyer kështu mbizotërimin e katalanasve në kampionat. Ndërkohë, vetë tekniku Hoze Murinjo sikurse kishte deklaruar, nuk ishte në dhënien e këtij trofeu.

 

Formacioni i Vitit

Formacionin më të mirë e dominojnë iberikët, me 7 lojtarë të Spanjës, kampione e Evropës dhe e botës në fuqi. Portieri Iker Kasijas ka marrë më shumë vota në rolin e tij, shumë më tepër edhe se Mesi. Me 79 për qind të votimeve mes kandidaturave portierë, kapiteni i Realit ftillon formacionin më të mirë të vitit, për t’u plotësuar pak e nga pak me mbrojtjen para tij, e përbërë nga: Dani Alvesh, Ramos, Pike dhe Xhordi Alba. Tre të fundit janë pjesë e kombëtares spanjolle ndërsa i pari i përket Brazilit. Edhe në mesfushë ka dominim spanjoll, sepse aty ndodhet Çavi Alonso, Iniesta dhe Çavi. Në sulm, zgjedhjet duken të pritshme. Mesi është futbollisti që ka marrë më shumë vota, 30 për qind të këtij reparti, i ndjekur nga Falkao me 25 për qind dhe Ronaldo, në vend të tretë, me 24 për qind. Ndjekësi më i afërt i tyre është Ibrahimoviç, me 3.8 për qind të votave për sulmin.

 

Çmimet e tjera

Ndërkohë, çmimi “Ferenc Pushkash” shkoi për sllovakun e Fenerbahçes, Miroslav Stok, që kishte realizuar një supergol nga goditja në gjysmëkthesë e sipër, nga distanca, në kampionatin turk. Ai u rendit në bazë të votave para Radamel Falkaos dhe Nejmarit. Trajnerja më e mirë e vitit që shkoi në futbollin e femrave u shpall Pia Sundhage, norvegjezja e kombëtares amerikane. Futbollistja më e mirë për femra në vitin që u mbyll u shpall Abi Uambah, pjesëtare e kombëtares amerikane. Ndërkohë, Federata e Uzbekistanit fitoi çmimin e “fair play”-it, kurse çmimi i “presidentit” i takoi “Kajzerit” gjerman, Franc Bekenbauer.

 

Polemika, ja pse Murinjo nuk udhëtoi drejt Zyrihut

Edhe pse dihej që do të kishte humbur “betejën” me Del Bosken, mësohet se Murinjo nuk ka udhëtuar drejt Zvicrës për arsye të tjera. Sipas një burimi pranë Realit të Madridit “orakulli nga Setubali” nuk donte të merrte pjesë në një ceremoni ku “ai dhe lojtarët e tij nuk do të fitonin ndonjë çmim”. Gjithashtu, Murinjo kërkonte që të shmangte udhëtimin me disa lojtarë të Realit. Iker Kasijas dhe Serxhio Ramos i kanë hapur luftë prej kohët portugezit.

 

Guardiola paralajmëron rikthimin

Ish-trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, në një deklaratë të dhënë nga Zyrihu, përpara mbajtjes së ceremonisë së “Topit të Artë”, theksoi se për momentin mendon vetëm që të shijojë muajt e mbetur pushim, përpara se të rikthehet me siguri në stolin e ndonjë skuadre në sezonin e ardhshëm.

“Vitin e ardhshëm do të rikthehem të bëj trajnerin. Në moshën 41-vjeçare, jam ende i ri dhe kam shumë sfida për të realizuar. Aktualisht, jam duke bërë atë jetë që kam dëshiruar, po shijoj pushimet pas një periudhe të lodhshme në jetën time. Nga ana tjetër, mund t’ju konfirmoj se nuk kam ende një ekip. Bajerni? Ata kanë një trajner dhe do të ishte mungesë respekti nga ana ime të flisja kështu. Përsëris, kam marrë vendimin për t’u rikthyer, por nuk e di ende se ku”, – tha Guardiola.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency