3-fishohen importet e makinave, rritet interesi për hekurudhën

0
183

Ervin Kaduku

importetDeri në fund të 9-mujorit të parë të 2012-ës në Shqipëri importet e automjeteve arritën në 40 mijë

 

Bizneset shqiptare po rrisin përherë e më shumë transportin e mallrave përmes linjave hekurudhore, së bashku me qytetarët, për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimit të karburanteve që shoqëroi vitin 2012. INSTAT njoftoi së fundi se transporti hekurudhor i mallrave në volum/km u rrit 117.5% më shumë në 3-mujorin e tretë 2012 ndaj të dytit, ndërsa për efekt të krizës ekonomike, rezulton me ulje 21.5% ndaj 3-mujorit të tretë 2011.

Bizneset që merren me eksportin e mallrave, kryesisht minerale dhe të industrisë së fasonit kanë pëlqyer transportimin e tyre mes linjës hekurudhore, kryesisht me rrjetin verior. Për pasojë, transporti hekurudhor i mallrave në volum/km me jashtë u rrit me 115.5% në tremujorin e tretë 2012 ndaj të dytit, por dhe me uljen 21.4% krahasuar me njëjtin tremujor të 2011-ës, njofton INSTAT-i.
Sikurse bizneset, edhe transporti hekurudhor i pasagjerëve u rrit me 36.6% në 3-mujorin e tretë ndaj të dytit në vitin që sapo u mbyll. Në total, nga 4.234 mijë pasagjerë/km që lëvizën përmes linjave hekurudhore në tremujorin e dytë, në tremujorin e tretë u regjistruan 5.783 mijë pasagjerë/km.
Si pasojë e efekteve të krizës ekonomike në vendet fqinje, edhe volumi i ngarkim-shkarkimit të mallrave në porte u ul me 4.9% në 3-mujorin e tretë ndaj të dytit 2012, por krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011 rezulton me rritje 2.6%.

 

Makinat

 

Ndërkohë, deri në fund të 9-mujorit të parë të 2012-ës në Shqipëri importet e automjeteve arritën në 40 mijë dhe sipas të dhënave të INSTAT-it, janë trefishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011 dhe me mesatare mujore rreth 13 mijë makina, nga rreth 4.000 që ishin në 3-tremujorët e parë të 2011-s. Kjo rritje vjen si efekt i ndryshimit në ligjin për importin e automjeteve në shtator 2011, kur u eliminua taksa e ndotjes për mjetet e importuara dhe nisi nga zbatimi vjelja e saj gjatë gjithë kohës së përdorimit të mjetit përmes rritjes së taksave të regjistrimit dhe qarkullimit.
Qeveria synoi me ndryshimin e ligjit përmes rritjes së taksave të regjistrimit dhe qarkullimit të mjetit në raport me vjetërsinë e mjetit, që të dekurajonte blerësit e automjeteve të vjetra. Por në fakt, ndryshimi nxiti rritje të importit të makinave të përdorura, ndërsa të makinave të reja rezultojnë minimale dhe për më shumë, në rënie krahasuar me vitet e fundit.

 

Të dhënat e vitit 2011 tregojnë se 77% e makinave të targuara për herë të parë ishin minimalisht 10 vjet në përdorim. Edhe në periudhën janar-maj 2012 rezultoi se gati 80% e automjeteve të targuara për herë të parë kishin vit prodhimi deri në 2002.

 

 

INSTAT: Dhjetor, çmimet rinisën të lëviznin drejt shtrenjtimit

 

Çmimet e konsumit në muajin dhjetor u rritën me 0.9% më shumë se ato në muajin nëntor, njoftoi dje INSTAT, ku kryesuan çmimet e produkteve ushqimore. Sipas INSTAT-it, ndryshimi vjetor i indeksit në muajin dhjetor llogaritet me 2.4%, nga 1.7% që ishte në dhjetor 2010.

Ndryshim më të madh pësuan çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2.4%, por rritja tepër e madhe prej 20.4% i takoi nëngrupit “Zarzavate përfshirë patatet”, krahasuar me muajin e mëparshëm. Edhe çmimet në nëngrupin “Fruta” u rritën me 0.3% dhe gjithashtu disa nëngrupe të tjera ushqimesh, si “Qumësht, djathë e vezë” me 0.9%, “Kafe, çaj e kakao” me 0.5% etj.
Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” u rrit në dhjetor me 0.3%, kurse brenda tij çmimet e pijeve alkoolike u rritën 0.5% dhe i duhanit, 0.2%. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi në dhjetor uljen 0.2%, i grupit “Shëndeti” 0.2%, ku dalloi ulja e çmimeve të medikamenteve me 0.3%.
Me rritje rezultoi indeksi i grupit “Transporti” me 0.1%, ku brenda tij çmimi i naftës u ul me 0.1%, ndërsa i benzinës me 0.2%. Edhe Indeksi i grupit “Komunikimi” shënoi në dhjetor rritjen 1.5%, si rezultat i rritjes së disa tarifave te telefonisë celulare me 2.4%.
Indeksi i grupit “Mallra dhe shërbime të tjera” shënoi uljen 4.2%, kryesisht si rezultat i uljes së tarifave të siguracionit të automjeteve me 31.1%.

 

 

Porti nis aktivitetin për vitin 2013

Kalatat mbushen me anije me mallra për tregun vendas

Artur Ajazi

 

Porti më i madh i vendit ka nisur vitin e ri 2013 me kapacitet të plotë, çka do të thotë se kalatat qysh ditët e para janë mbushur me anije me mallra që presin përpunimin. Burimet portuale thanë dje për “Standard” se “katër anije me rreth 6 mijë tonë mallra dhe 267 kontejnerë po shkarkohen sot në portin detar të Durrësit, ndërkohë që në radën detare pranë tij presin radhën e përpunimit katër anije të tjera me rreth 11 mijë ton mallra gjithsej”. Të njëjtat burime thane se “pas ditëve të qeta të fillimvitit vazhdon procesi i shkarkimit për anijet “Frojdi II” dhe “Matyushenko” me përkatësisht 1485 ton pleh me paleta si dhe 5 mijë ton grurë. Anija e specializuar “Medazov Rosa” po ngarkon 267 kontejnerë me mallra të ndryshme, porosi e grosistëve të huaj për mallra “made in Albania”, ndërsa nga anija “Emine H.” po shkarkohen 1.033 tonë hekur”. Prej dy ditësh në radën e portit detar presin radhën e ankorimit në kalatat përkatëse edhe anija “Oceanic”, e cila pasi ka shkarkuar 2.100 tonë skrap hekurishte në kalatën 11 do të ngarkojë 2500 prokate çeliku, të prodhuara në fabrikën “Kurum” të Elbasanit. Anijet tregtare “Volgobalt 220” dhe “Kizhi” do të shkarkojnë në automjete dhe në silosët e kalatës 5 afro 6300 tonë grurë gjithsej, porosi e grosistëve shqiptarë të miellit. Gjatë dy ditëve në vazhdim në portin detar do të mbërrijnë shtatë anije të tjera, katër nga të cilat do të shkarkojnë 1.067 kontejnerë gjithsej, dy anije do të sjellin 9 mijë ton grurë dhe një tjetër do të shkarkojë 3700 tonë qymyr. Përveç përpunimit të mallrave, gjatë këtyre ditëve tragetet që nisen nga Durrësi drejt porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes (Itali) po transportojnë mesatarisht 1000 automjete dhe 3000 udhëtarë, shumica bashkatdhetarë që rikthehen pas pushimeve në vendet e Evropës perëndimore ku jetojnë dhe punojnë prej vitesh.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency