Rama, ftesë për front të gjerë, reagon LSI: Jo koalicion me ata që penguan integrimin

0
133

Gëzim Saliu

rama..Kreu i PS-së, Topit: Ke një kompleks virgjërie, bashkimi me frontin opozitar nuk është tradhti

 

Në konferencën e parë për vitin 2013 të zhvilluar në faqen personale në Twitter, kreu socialist Edi Rama ka bërë thirrje për një front të gjerë opozitar në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Kryesocialisti ka shprehur nevojën e realizimit të një koalicioni të gjerë nga e majta në të djathtë për rotacion, duke lënë të hapur shtegun e bashkëpunimit me çdo forcë politike. Rama i bëri thirrje Frymës së Re Demokratike të çlirohet nga kompleksi se bashkimi me të majtët do të quhet “tradhti”, ndërkohë që ftoi LSI-në, të largohet nga aleanca me PD-në. “FRD duhet të çlirohet nga kompleksi se bashkimi në frontin opozitar mund të shihet si tradhti. Baraslargimi ndihmon regjimin! LSI duhet të zgjedhë: Patericë e regjimit apo krah opozitar! Duke zgjedhur opozitën do bënte edhe një akt vullneti të mirë për t’u ndare nga hija e një të shkuare të palavdishme në pushtet”, – u shpreh Rama. Nga ana tjetër në bashkëbisedimin me ndjekësit e tij në rrjetin social twitter, lideri i opozitës nënvizoi: “Sot ndarja s’është majtas-djathtas, po regjim opozite! Opozita duhet të bëjë front të gjerë nga e majta në të djathtë për rotacion”. Ndërkohë, lidhur me mendimin e tij për kreun e FRD-së, Rama theksoi: “Bamir Topi është një qytetar i mirë. Si President e vlerësoj për ato që nuk bëri për llogari të Saliut. Si politikan i vjetër në arenë është i mbërthyer rishtas nga një kompleks virgjërie që krijon keqardhje”.

 

Reagimi i LSI-së

Ndaj ftesës së ripërsëritur së kreut të Partisë Socialiste Edi Rama për një front të gjerë opozitar, ku Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të tregojë sipas tij se është e gatshme për t’u bashkuar me këtë koalicion, ka reaguar dje deputeti i kësaj force politike Nasip Naço. Sipas tij, LSI nuk mund të bëjë koalicion me Partinë Socialiste, e cila, theksoi ai, e la vendin jashtë Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, deputeti i Nacco pohoi se reflektimi mbi funksionalitetin e koalicionit aktual do të vendosë fatin e LSI-së në zgjedhjet e vitit 2013, duke nënvizuar se shanset më të mëdha janë që kjo forcë poluitike të dalë e vetme në zgjedhje. “Ne ose unë personalisht, si sekretar politik për Qarkun e Beratit, jam i bindur se LSI duhet të hyjë e vetme në zgjedhje. Ne nuk kemi bërë llogari numrash duke hyrë edhe të vetëm, pasi po të jetë për llogari numrash na intereson të bëjmë koalicion me PD-në ose PS-në. Ne duhet të hyjmë të vetëm për të parë dhe për t’u ballafaquar me elektoratin, për të bërë një analizë 4-vjeçare se çfarë kemi bërë dhe çfarë presin qytetarët nga ne. Pastaj janë forumet që vendosin nëse duhet të bëjmë koalicione të tjera. Por unë e kam të pamundur të bëj koalicion me parti që nuk voton ligjet themelore dhe na lënë jashtë BE-së”, – deklaroi deputeti i LSI-së, Nasip Naço. Më parë, ftesën e kryesocialistit Rama për një front të gjerë opozitar, ku të përfshihen forca të majta dhe të djathta, i janë përgjigjur negativisht edhe dy partitë e reja, FRD-ja e ish-Presidentit të vendit Bamir Topi dhe AKZ-ja e ish-nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Të dyja këto forca politike kanë bërë të qartë se në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit të 2013-ës, nuk do të bëhen pjesë e koalicioneve të drejtuara nga dy partitë e mëdha, PD dhe PS.

 

Basha: Rama në ankth, ndryshimin e Tiranës e sheh çdokush

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, reagoi dje ndaj akuzave të ish-kryetarit të kësaj bashkie dhe kreut aktual të Partisë Socialiste, Edi Rama. “Ia ndiej ankthin që ka, sepse për 13 vite në pushtet, la si gjurmë qendrën e kryeqytetit në katrahurë, Zogun e Zi në kolaps, planin urban që nuk e bëri kurrë e shumë gjynahe që rëndojnë edhe sot qytetarët. Kuptoj edhe dufin kundër planit urban, qendrës së rregulluar, festave të qytetit dhe në veçanti ndaj projekteve të mëdha që po marrin jetë, si: bulevardi i ri, stacioni multimodal i pasagjerëve dhe trami”, – tha Basha. Sipas kreut të bashkisë së kryeqytetit, sot gjithkush mund të shohë ndryshimin e madh që po i bëhet Tiranës. “Ndryshimin e sheh çdokush, por bën mirë që e nxjerr dufin në Twitter. E ka kuptuar, uroj, që shqiptarët janë ngopur duke e parë plot vrer e shfajësime për ato që nuk na bëri gjatë 13 viteve të tij në pushtet”, – përfundoi reagimin e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. Më parë, në konferencën në Twitter, kreu socialist Rama kritikoi punën e kryebashkiakut demokrat në infrastrukturën e rrugëve të kryeqytetit.

 

 

Transparenca për koncesionet dhe pronat, vendimet e para

Në përgjigje të ndjekësve të tij në faqen e tij zyrtarë në Twitter dhe Facebook, kreu i PS-së bëri të ditur se cilat do të jenë vendimet e para që do të marrë “qeveria socialiste” në rast të fitores së zgjedhjeve në 23 qershor. “Në muajt që vijnë, do të shpallim programin konkret të 100 ditëve të para. Dhe do ta nënshkruajmë si një kontratë me shqiptarët. Për ekskluzivitetin e kësaj konference mund të zbuloj një detaj: aktet e procesit të transparencës për koncesionet dhe pronat do jenë vendimet e para. Në mandatin e parë do të hedhim themelet e forta të një rruge të re pa kthim drejt Shqipërisë si gjithë Evropa”, – theksoi Rama.

 

Rama: Nuk jetoj për para, 3 mijë euro pasuri është një spekulim

Një tjetër çështje që u bë temë e diskutimit në bashkëbisedimin me ndjekësit në rrjetet sociale, ishte edhe ajo për akuzat e PD-së lidhur me pasurinë e kryesocialistit. Duke i cilësuar spekulime akuzat e të djathtëve, kreu i selisë rozë tha se nuk jeton për pasuri, por për të lënë gjurmë. “Pasuria ime s’është 3 mijë EU, ky është spekulim i turpshëm. Kush më njeh, e di qe paraja s’më ka lidhur kurrë pas vetes. S’jetoj për të bërë para, po për të mos ikur pa lënë gjurmë!”, – shkruante ai në Twitter.

 

 

Rama: Spiro Koleka nuk është daja im

“Daja yt ka vendos tatimin e jashtëzakonshëm e ti do me vendos taksën marksiste! Turp për socialistat”, – nënvizonte në deklaratën e tij një prej ndjekësve të Ramës. Në përgjigje të saj, kreu i PS-së u përgjigj, duke theksuar se Kolekën nuk e ka dajë dhe se taksa progresive nuk është marksiste. “Spiro Koleka nuk ka qenë daja im. Taksa marksiste është një shpikje njësoj si shpikja e dajës apo e dhëmbëve 50 mijë euro e me radhë. Turpi në fund i mbetet kujt e ka”, – shkruante kreu socialist në Twitter.

 

 

Programi i PS-së

Për kreun socialist Rama, programi i PS-së “Për një Rilindje Shqiptare” është programi më i detajuar që një parti politike ka pasur ndonjëherë. Sipas tij, ky program rezervon barazi për të gjithë. “Programi ynë për një Rilindje Shqiptare do të jetë plani më i detajuar qeverisës që një parti ka pasur para zgjedhjeve në 22 vjet. Jemi angazhuar për uljen e taksës mbi energjinë në 6%. Por, fillimisht duhet të ristrukturojmë sektorin. E jo disa paguajnë, disa jo!”, – pohoi Rama. Këto deklarata të kryesocialistit u bënë në konferencën e parë për shtyp për vitin 2013, e cila u organizua në rrjetin social Twitter. Me këtë konferencë, Rama ndoqi shembullin e Presidentit amerikan Barack Obama dhe Kryeministrit italian Mario Monti, i cili në fundjavë zhvilloi një video-konferencë në Twitter.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency